back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Karl Gottlieb von Windisch: Mbi Kelmendasit e Srem-it (1782)

Gazeta

Karl Gottlieb von Windisch (1725-1793)
Karl Gottlieb von Windisch (1725-1793)

1782 – Karl Gottlieb von Windisch:

Mbi Kelmendasit e Srem-it

Përkthyer dhe përshtaur në shqip nga anglishtja Erman Dine

Fisi i Kelmendasve nga veriu i Shqipërisë, gjatë luftërave Austro-Ruso-Turke (1735-1773), luftoi përkrah Austrisë dhe kur trupat austriake u tërhoqën nga jugu i Ballkanit luftëtarët Kelmendas që luftonin në Kosovë e në Saxhak të Novi Pazarit nuk gjetën rrugëdalje tjetër, veç të tërhiqeshin në drejtim të veriut (me në krye udhëheqsin e vetshpallur Klement). Pas pak kohësh gjetën vendin më të përshtatshëm në rajonin e Sremit (Srem) diku mes lumenjve Danub dhe Sava, në perëndim të Beogradit të Serbisë. Aty zunë vend dhe filluan të përhapeshin edhe më tej, dhe rreth vitit 1749 ose 1755, aty arritën të zenë rrënjë në 3 fshatra të tjera. Ruajtën gjuhën, doket dhe besimin e tyre katolik për një kohë të gjatë, deri në shekullin e XIX. Bile, në këtë vend mund të gjeje shqipfolës deri në vitin 1921. Në vitin 1782, u publikua artikulli i parë (shkencor) akademik rreth Kelmendasve të Srem-isë në “Ditari Hungarez, Kontribut për Historinë, Gjeografinë dhe Literaturën Hungareze… nga Karl Gottlieb von Windisch (1725-1793), një tregtar dhe studiues Gjermano-hungarez nga Pressburgu (Bratisllava). Ky artikull vë në dukje diçka tepër interesante rreth Klemendasve, dialektin shqiptar që flitet në Sremia. Kopja origjinale në gjermanisht është përkthyer edhe në Anglisht… Robert Elsie

Robert Elsie 2013
Robert Elsie 2013

Mbas një periudhe të gjatë, rreth 20 vjet luftë për të mbrojtur atdheun nga Turqit, periudhë e mbushur me beteja të përgjakshme ku udhëheqsi tashmë i njohur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) korri suksese të njëpasnjëshme kundër ushtrive madhështore të perandorisë Osmane të cilës ju desh të përdorë gjithë arsenalin e saj superior të kohës dhe si një përbindësh i tërbuar nga thyerjet e një pasnjëshme në këtë tokë vërshoi me gjithë tërbimin duke dërguar vetë Sulltan Muradin, ose Amurad II, me ushtrinë e tij madhështore. Mbas kësaj beteje të përgjakshmë udhëheqsi i tyre për të shpëtuar jetën e vet la vendlindjen  përgjithmonë. Shqiptarët gjithmonë luftuan me Turqit me trimëri dhe zgjuarsi të veçantë, duke i detyruar ata të tërhiqeshin nga toka e tyre shumë herë me duar të përgjakura, dhe si shpërblim për këtë, mbasi vendi ra në duart e Turqve, popullsia u dënua dhe u shtyp ashpër, dhe shumë prej tyre u detyruan të kthehen në besimin Muhamedan për të shmangur vuajtjet.

Shkrimi i Karl Gottlieb von Windisch
Shkrimi i Karl Gottlieb von Windisch (1782)

Pjesa tjetër që vendosi t’i qëndrojë besnike fesë katolike do të duronte vuajtje nga më të ndryshmet për një kohë të gjatë, derisa edhe shpresa se një ditë do të shpëtonin nga kjo trysni po zbehej. Por, pikërisht në këtë kohë, doli njeriu i përshtatshëm, i cili premtoj se do t’i shpëtonte. Një sipërmarrje e tillë nuk kishte si të dështonte kur Heroi kishte luftuar krah për krah me Kastriotin e Madh, dhe që me vendosmërinë dhe inteligjencën e tij pushtoi zemrat e popullit, që me të drejtë e ngriti figurën e tij shumë lart. Klementi, ky ishte emri i patriotit të lartpërmndur, që ia paraqiti planin disa atdhetarëve të tij, dhe sëbashku arritën të grumbullonin pothuaj 20.000 trupa, shqiptarë të armatosur, të cilët në vitin 1465, i kishte pri me gjithë familje dhe plakça drejt maleve më të largëta e të pabanuara, diku midis Shqipërisë dhe Serbisë. Aty ata zunë vend duke ndërtuar shtëpitë e tyre, rrethuan gjithë vendin dhe i siguruan me ndërtimin e pengesave në të gjitha shtigjet. Këtu, ata arritën të ndërtonin një “shtet” të vogël e të lirë, dhe zgjodhën Klementin si udhëheqsin e tyre, nga ku rrjedh edhe emri “Kelmendi”, i cili u përshtat nga bashkombasit e tjerë që nuk lëvizën nga vendlindja, emër që ruhet edhe sot e kësaj dite. Turqit që në këtë kohë ishin ende të dobët, mbasi s’arritën ta ndalnin këtë mërgim, i çuan fjalë Portës së Lartë, e cila u dërgoi trupa për t’i sulmuar, por Kelmendasit jo vetëm që luftuan me kurajo dhe nuk u mposhtën, por arritën t’i përballonin me sukses çdo sulmi tjetër që pasoi. Megjithatë mbas betejës tragjike të Mohakës (Mohacs) në 1562, ku Kristianët humbën pothuajse gjithë tokën e Ilirisë, u detyruan nga Turqit të paguajnë një taksë vjetore prej 4.000 dukatësh. Në këtë mënyrë jetuan në paqe mes malesh, duke u marrë kryesisht me kullotën e bagëtive derisa arritën të bëheshin fis me emër në krejt zonat përreth. Së fundi, në 1737, bashkë me shumë boshnjakë, bullgarë dhe familje të tjera shqiptare, Patriarku Grek i Beogradit, Arsenius Jovanoviç, arriti t’ua mbushë mendjen Kelmendasve të emigrojnë në Serbi. Pothuaj 20 mijë njerëz u mblodhën te pika e përcaktuar në Valjevo, pranë lumit Kolubra, dhe po aty u sulmuan dhe u masakruan nga Turqit aq sa mbas sulmit të pabesë arritën të mbijetonin vetëm njëmijë vetë prej tyre. 300 prej atyre që arritën të shpëtonin ishin Kelmendas dhe me gjithë gra e fëmijë, duke mos pasur rrugëdalje tjetër u kthyen nga Beogradi, dhe me ndihmën e priftit Suma, ndërtuan shtëpitë në Sremia, afër Mitrovicës. Aty u ngritën fshatrat Hrtkovçi dhe Nikinçi, që nuk ishin larg lumit Sava. Të dy këto fshatra janë tërheqëse dhe ndërtuar shumë mirë, me kisha ku priftërinjët Françeskanë, ngaqë të gjithë janë besimtarë të devotshëm të fesë Katolike, mbajnë mesha në latinisht. Kelmendi është i përbërë prej 6 familjesh (fisesh), të shpërndarë në dy fshatra, nga tri familje (fise) për secilin fshat, dhe si gjithë popujt e Lindjes, edhe ata kanë zakone të ashpra, por jo barbare. Disa nga karakteristikat e tyre të veçanta janë, ndershmëria, besnikëria, maturia dhe gadishmëria për të luftuar. Dy nga dobësitë e tyre janë hakmarrja dhe gjaknxehtësia.
Burrat, zakonisht martohen tepër të ri – rreth të njizetavë, kurse vazjat kur janë rreth 13 o 14 vjeçe. Një Kelmendas nuk martohet kurrë me një të huaj, po ashtu edhe gratë nuk lejohen të martohen me të huaj.  Kjo ka qenë arsyeja që nuk janë përzier kurrë me askënd deri në ditët e sotme. Karakteristikat e tyre fizike janë: të mëdhenj me trup, të hollë, me gjatësi mbi mesatare, me tipare të fytyrës të zakonshme dhe tërheqëse, aq sa dikush mund të dallojë fare lehtë një Kelmendas nga Illirianët (Kroatët). Gratë kanë një bukuri të veçantë dhe shumë tërheqëse, sidomos kur janë ende të reja dhe burrat e tyre me të drejtë janë krenarë dhe xhelozë deri në ekstrem. Prandaj nuk është e këshillueshme të flasësh me gruan Kelmendase qoftë edhe në mes të ditës, nëse nuk është e shoqëruar nga dikush, sepse nëse burri i saj vihet në dijeni ka shumë mundësi që dikush të vritet aty, në vend.
Njerëzit e afërm të familjes zakonisht jetojnë në të njejtën shtëpi dhe ndodh shpesh që një shtëpi të përbëhet nga 30 familje të ndryshme. Shtëpitë janë madhështore dhe shumë të pastra. Gjella nuk është fort e shijshme, por megjithatë nuk krahasohet me atë të Ilirëve non-uniate (sh.im: me sa kuptoj, ai këtu e ka fjalën për besimtarët ortodoksë pra non-uniatë. Unia janë besimtarët ortodoksë që vendosën t’i bashkoheshin kishës Katolike të Romës). Djathin e përdorin shumë, madje në çdo gatim. Janë qejfli në përgjithësi, edhe gratë po ashtu rrallë herë refuzojnë pijen. Ju pëlqen ta përziejnë rakinë, pijen e tyre më të preferuar, me pak mjaltë.
Merren me bujqësinë dhe kullotat në veçanti me delet, një kafshë që e prunë më vete nga Shqipëria. Kafshë e shëndetshme që prodhon cilësi leshi shumë të lartë, aq sa në Srem, këto kafshë njihen si delet Kelmendase. Gratë punojnë brenda me tjerrjen dhe thurjen e leshit,  dhe i bëjnë vetë të gjitha rrobat që ato veshin. Janë gjithashtu shumë të shkathta në ngjyrosjen e leshit, që e bëjnë me lloje të ndryshme barishtesh diçka që i dallon me veshjet e tyre shumëngjyrshe.

Burrë dhe grua kelmendase
Burrë dhe grua kelmendase

Janë veshje tepër interesante, sidomos ato të grave. Burrat veshin kapele të vogla të kuqe që me përjashtim të xhufkës, janë identike me ato që përdorin priftërinjtë laikë mbi çaçkën e qethur. Mbajnë flokë të shkurtëra me një copë të zezë përreth qafës. Mbi këmishë përdorin një veshje pa mëngë që zgjatet pothuaj deri te gjunjët në ngjyrë të kuqe, e cila është e hapur te gjoksi me qëllim që të hidhet mbi supe sa më lehtë. Mbi kët veshje hedhin një xhaketë që zgjat deri në fund të belit më një palë të mbushur me një numër të vogël pullash dhe një varg me nyje pak a shumë si pelerinat me gëzof të Hussar-ve. Përreth belit mbështjellin një rryp, i cili sillet disa herë përreth, dhe rreth kyçeve të këmbëve lidhin një copë shumë të bukur qendisur me ngjyra të ndryshme saqë dikush fare lehtë mund t’i marrë për çorape grashë. Kurse në këmbë veshin opinga (openki) me cilësi të mirë të shtrënguara me  lidhse të holla.
Për armë përdorin të ashtuquajturën Pushtovan (pusztovan), përdorin plumb bronxi ose hekuri që futet brenda tytës, pothuaj gjysëm metri e gjatë.  E mbajnë në dorën e djathtë dhe janë tepër të aftë në përdorimin e saj. Në brez mbajnë një  kamë – thikë turke dhe një pistoletë. Në anën e majtë të brezit varin një shpatë Hungareze, dhe mbi sup mbajnë një lloj pushke të vjetër çark (pushkë me strall) me të cilën mund të qëllojnë në shenjë nga një distancë prej 100 metrash. Ushtarët që zakonisht veshin uniformën e gardës mbretërore mund të vishen në këtë mënyrë vetëm gjatë festave, dasmave, kërcimeve e festimeve të ndryshme. Megjithatë, si me këto armë apo me çfardolloj arme tjetër ata njihen si luftëtarë të palëkundur, që nuk e njohin se ç’është frika. Ata përbëjnë kompaninë këmbësore në qarkun e Petrovaradit, dhe po ashtu edhe gjysmën e kompanisë së Hussarve. Veshjet e grave të kësaj krahine janë shumë interesante. Palloi, ose më mirë ylberi, do t’i kishte zili gratë Kelmendase kur vishen me rrobat e tyre shumngjyrshe. Vajzat mbulojnë kokën me një shami mëndafshi (rub) me shtufa të verdha dhe të kuqe që u varen deri tek qafa. I ndajnë flokët nga maja e kokës deri tek qafa dhe në secilën anë kanë tre gërsheta që u derdhen mbi supe. Në pjesën e sipërme të kokës thurin me flokët copa të vogla letre varaku (fletë metalike ngjyrë argjendi), lule dhe zbukurime të ndryshme. Gratë e martuara veshin kapele si ato të burrave, pothuaj identike me ato që veshim “ne” me përjashtim se kapelet e tyre pjesën e kthyer e zbukurojnë me fjongo të bardha. Varëset janë të bëra me fije koralesh dhe rruaza qelqi. Kurse përpara janë të mbuluara me monedha, nga qafa deri tek beli, dhe mënyra e zbukurimit të tyre të jep përshtypjen sikur mundohen të krijojnë një lloj simetrie të veçantë.  Xhaketat e kuqe të bëra me material të mirë, zgjaten deri tek beli dhe e mbërthejnë me një pullë të vetme afër kërthizës. Këto xhaketa kanë fije gjithandej dhe mëngët zakonisht nuk kalojn përtej brrylit. Pra, nga brryli e deri te duart, njësoj si dhe këmbët, i kanë të mbuluara me një lloj veshje leshi shumëngjyrshe. Edhe fijet që u varen nga xhaketa janë të zbukuruara me guacka të vockla, njësoj si ato që ne përdorim në Hungari për të zbukuruar mjetet e udhëtimit. Nga supet e deri te brrylat vendosin aq shumë guacka saqë kur dy gra Kelmendase dalin në shtëtitje tringëllimi i tyre gjan me “sleigh ride” (sh.im: “sleigh ride” slita që rrëshqet mbi borë). Ndoshta ky është një veprim për të tërhequr vëmendjen e burrave, veç kësaj e gjithë pjesa tjetër e xhaketës është e zbukuruar me rruaza të verdha, të kuqe dhe të gjelbërta, dhe në mes ka disa rruaza të bardha të vendosura në një mënyrë të veçantë që krijojnë një rreth të vogël. Mëngët në veçanti janë të zbukuruara me kësi rrotash dhe gërsheta argjendi të mbushura me xhufka mëndafshi. Rreth belit veshin dy breza njëri mbi tjetrin: Poshtë, një brez të gjërë i punuar me copë të kuqe dhe mbi të një të ngushtë prej lëkure me shumë pulla metalike, nga brezi i sipërm varet një zinxhir i hollë metali. Në vend të fundit veshin një përparse të qëndisur me rreshta leshi të trashë ngjyrë të verdhë e të kuqe që shkon deri te pulpa e këmbës. Në anën tjetër veshin një rrobë mëndafshi që varet mbas shpinës. Këmbët i mbështjellin me copa lecke njisoj si burrat dhe veshin opinga. Këmishat që u zgjasin deri te pulpa e këmbës janë të ngjitura mbas trupit, dhe poshtë veshin një këmishë të brendshmë të trashë prej leshi
Gjithashtu edhe vallzimet i kanë tejet të veçanta. Fillimisht, gratë dhe burrat rreshtohen përballë njeri-tjetrit, dhe secila grua në rresht vendos krahun e majtë mbi supin e djathtë të asaj që i qëndron përkrah, dhe kështu fillojnë të kërcejnë duke nxjerrë një tingull të lartë, me një zë  dredhës dhe çjerrës, mjaft monoton. Mbas pak kohe dalin dy burra me shpata të çveshura në dorë dhe dy pistoleta në brez. Dhe kështu me lëvizje paksa komike hidhen derisa një nga gratë përparon në mes duke i ndarë nga përballja. Gruaja, mban një shami mëndafshi në secilën dorë dhe me lëvizje të përcaktuara dhe gjeste interesante kthehet përballë secilit burrë për ta përshëndetur duke mos lëvizur fare nga vendi, ndërsa burrat vazhdojnë e hidhen rreth saj pa asnjë lloj rregulli, si të ishin të çmendur. I gjithi ky vallzim bëhet pa praninë asnji instrumenti tjetër veç pipzave dhe fyejve, sepse të tjerat ata nuk i njohin. Në kët mënyrë ata u këndojnë heronjve, bëmave për mbrojtjen e vendit të tyre të vjetër, e në veçanti akteve heroike të princit Gjergj Kastrioti, që njihet ndryshe edhe me emrin Skënderbeu.
Gjuha e tyre është Shqipja e cila s’ka asnji lidhje as me gjuhët e tjera të Lindjes dhe me ato të Perëndimit.

1.Numrat: Nya(nja/ nji); dye(dy); tre(tre); katter(katër); penssh(pesë); jasht(xhasht/ gjasht); shtat(shtat); tet(tet); not(nont/ nant); iviet(dhjet); nishet(nizet); trioviet(tridhjet):  

2.Emra vendesh: Madjar(Maxhar/ një Hungarez); Njemts(njemcet/ një Gjerman); Turk(një Turk); Shlavak(Shlovak/ një Sllovak), Shkye(Shkie/ Serb); Harvat(Hervat/ një Kroat); Bugarch(Bugarç/ një Vlleh); Madjub(magjup/ një Rom); Harap(harap/ një Arab):  

3.Përshkrime kohore: dje(dje); sot(sot); neser(nesër); paradje(paradje/ pardje); dinni(dimni/dimër); vera(vera); prodvera(pragvera/ prendvera); vieshta(vieshta); dita(dita); promea(promja/ mbrëmje); natta(nata); Evdiel(e diel); Ehonni(e honi/ e hëna); Emart(e mart); Emkur(e mkur/ e mërkur); Eenti(e enti/ e enjte); Epratti(e prente/ e premte); Eshtule(eshtule/ e shtune):  

4.Emrat e disa kafshëve: Tjen(Çen/ qen); Mats(mac/ mace); Kal(kal); Ka(kau); Lop(lopa); Ujk(uk/ ujku); Harush(arush); Laff(laf/ luan); Orlin(shqiponja); Korb(korbi); Pat(patë); Djet( gjel/ pula); Peshch(peshk).

5.Emrat e disa pjesëve të trupit: kruet(kreyt/ koka); ssu(sy/ syni); vetula(vetulla); penteshneit(zgavra e syrit?! sh.im ndoshta Peta e synit); wesha(veshi); metie(me ndie/ me ndigju); hunde(hunda); miekra(mjekërr); bulchi(bulshi/ mushkni); bal(balli); fatje(façe/ faqe); perche(perçe/ flok) (sh.im ndoshta është keqkuptim); bos(buzë); djuna(gjuni: përkthimi origjinal është “gjuha”); chieltza(çielza/ qiellza); zeap?(dhamb/ dhëmbët: ndoshta çap, përçap, përtyp); tjafa(cjafa/ qafa); kapzeri(gabzherri/ fyti); krahi(krahu); dora(dora); bryli(bryli); loni(kocka e jashtme e parakrahut); shpina dorz(shpina e dors); shplak(shplak/ pllama); gishtja(gishtja/ gishti); djytyra(gjymtura); fua(thua/ thoni); parmzat(parzma/ gjoksi); brid(brijtë/ brinjtë); plonssi(plonsi/ planci); semra(zemër); bushkni(mushkni/ mëlçia); bushkni tebara(mushkni të bardha); bofa(bytha); kar(organi mashkullor); pifs(organ femror); heret(herdhe/ bole); lesht(leshët); koma(këmba); kofsha(kofshë); djuni(djuni/ gjuni); gashtajdjunit(ashta e djunit/ kupa e gjunit); gishta tekoms(gishtat e koms/ gishtat e kambës); gishtimat(gishti i madh); fempra(themra)

6.Disa emra të tjerë: niri(niri/ njeri); trim(trim/ burrë); grue(grua); vaizta(vajza/ vasha); at(at/ baba); nonna(nona/ nana); bla(vlla); ibiri(i biri); ebbia(e bija)

7.Disa emra kristian: Ivan(Jovan); Lulashi; Mara(Maria); Liza(Elizabet); Prel(Pjetri o Peter); Pali(Paul); Dre(Andrea); Yakovi(Jakov); Dil(Diella): Onyd(Anna)

8.Teologjia dhe shkolla: Lumizot(Zoti); Parizi(parajsa);  Drety(dreçi/ dreqi); Peshkvia(ipeshkvia); Kisha(kisha); Frat(prifti); Krüch(kryçi/ kryqi); Mordja(mordja/ vdekja); Vore(vorre); Letter(leter/ libër); Slob(shkronjë e alfabetit):

9.Disa emra ushqimesh e pijesh: Buk; mish; tlüen(tlyn/ gjalp); gyáz(djath); mola(molla); darda(dardh); kumbula(kumbulla); kirshia(qershia); ven(ven/ vera); piva(birrë); uj(uji);  

10.Shtëpia dhe sende shtëpiake: shtpia(shtëpia); soba(dhomë); dera; asztali(açtali/ tavolinë); stoli(stol/ karrige); shtrati; furumi(furrë); brishk(brisk); fik(thik); filushke(pirun); lug; mashtek(tas); shabbe(shpatë):

11.Emrat e ngjyrave dhe disa mbiemra:  zi(i/e zez); bar(i/e bardh); kuty(kuç/ kuqe);  mur(blu/ i/e murme’);  ver(verdhë/ sh.im mendoj gabim, e perkthyer si e gjelbërt) kaltu(i/e verdh? i kaltru-blu); sheshkim(zeshkan); ilgua(i lig/ i sëmurë, sh.im në vend të fjalës ‘sëmurë’ përdorej i/e lig); shtosh(shnosh/ i shëndetshëm); zet(nxet/ nxehtë); ftoft(ftoft/ ftohtë); mir; irun(i keq/ i rëndë) shum; pak; shovt(shogët/ tullac):

12.Disa emra profesionesh: sholdat(soldat/ ushtar); doctori(doktor); moleri(bojaxhi/ me ly); sidari(murator); shushteri(këpuçar); shnaideri(rrobaqepës); tishleri(marangoz); zimmermanni(zimërmani/ karpentieri); kovach(kovaç/ farktar]); veknari(tekstilist që punon në vek):  

13.Disa fjalë të ndryshme: chielt(çielt/ qiell); dieli(djelli); honna(hona/ hana); ulini(Ylli/ yjet); deti; ládja(anije); ushtri(ushtar/ lufte); pushtohi(pushtoi/ grabitës); ikmye(teveqel/ budalla); kurva(prostitutë); mal(Pyll? ndoshta duhet të jetë Mal); tedashdun(të dashtun/ të dashurit);  irenim(idhnim/ hidhërim); katund(katund/ fshat); djutedia(gjytetnia/ qytetnia); kral(krajl/ mbret); kralitza(krajlica/ mbretëresha):  

14.Disa shprehje: Milne shtrafsha(mirëmëngjes); Mili proma(Mirproma/ mirëmbrema); Tmile nat(t’mirën nat/ natën e mirë); Se key fiet(Si ke  fjet/ si keni fjetur); Si je aje shtosh(si je, a je shnosh); Sie kien a jekjen shtosh?( si je ken, a je ken shnosh/ si ke qenë a ke qenë mirë); Kadar zotün (ka dashtë Zoti);  Si ankejn zonya e zotnyija, a jon kien shtosh? shtosh kadar zotün (si janë kenë zonja e zotnia, a jan kenë shnosh? Shnosh kadar zotün (shnosh ka dashtë Zoti); Mil zere!(mirëseerdhe); Ura e par!(udha e mbarë); Kiof shtosh!(kiofsh shnosh/ qofsh shndoshë); Zotün tavasht odene e par!(Zoti të dhashtë udhën e mbarë); Un jes i pushtua(unë mbetem shërbëtor) Ti tyen!(ti çen/ ti qen); Ti imalkua!(ti i mallkuar); Schpormu süsh tmat dretyi!(shpormu sysh të marrtë dreçi/ dreqi); Samot jetyen në Herdel (Sa mot je ken në Herdel – Transilvania); Pakmot(pak mot/ pak vite): Si tfon tü?(si të thon ty/ si të quajnë); Apongdo moa?(a po m’do mua); Si fong fae?(Si i thon k’saj) Di mir Clementisht(di mirë Kelmendishten); Ke dyun makaona(kët gjuhen ma ka anda/ kjo gjuhë më pëlqen): fort makaona ket niri(fort makaona ket nieri/ më pëlqen fort ky njeri);

15.Disa zgjedhime: Un edoa(unë e dua); tin do(ti do); ave do(ai do); na duam(na dum/ ne duam); ju doni(ju doni); atta duen(ata dun/ ata duan); Një shembull tjetër: Un poha(unë po ha); ti poha(ti po ha); au poha(ai po ha); na poham(ne po ham); ju pohanni(ju po hani) atta pohan(ata po han); unkongran(unë kam ngrën);  ti kegran(ti ke ngran); au kagron(ai ka ngran); na kengron(ne kemi ngran); ju kenigron(ju keni ngran); atta kangron(ata kan ngran); Un duame gran(un dua me ngran);  ti domegran(ti do me ngran); au domegran(ai do me ngran); atta duonmegran(ata duan me ngran)… Edhe një shembull tjetër: Un popi(un po pi); ti popi(ti po pi); au popi(ata po pin);  na popim(na po pim); ju popinni(ju po pini); atti popi(ata po pin); Un konpi(unë kam pi); ti kepin(ti ke pi); au kapi(ai ka pi); na kempi(ne kemi pi); ju kennipi(ju keni pi); atta kanpi(ata kan pi);  Un duamepi(unë dua të pi); ti domepi(ti do të pish); au domepi(ai don me pi); na doamepi(na dum me pi); ju donimepi(ju doni me pi); atta duonmepi(ata dun me pi).

16.Faljet ndaj Zotit: At ün chi ie mb chielt(ati ynë çi a mbi çielt/ Ati ynë që je në qiell),  shentenün kiofte enneni tat(shenjtënuem kioft emni tat), art regenia jóte(ardht regjia jote/ ardht mbretnia jote), ubafte volundeshia jote(u baft vullnesa jote),  sikuur mb chielt, mb zee(sikur mbi çiell e mbi dhe), buken tank teper ditzimem eppna shode(bukën tanë të përditshme jepna sod/ bukën tonë të përditshme jepna sot), e enneana ndiei faitoreti tan(ene na i ndjej fajtorësit tanë), e mos ne le meram mb ato kech(e mos na len  me ra në të keç), pro na largó se shketye(por na largo ç’këtune); Ashto kiofte, Amen(ashtu kjoft Amen).

V.Windisch [Karl Gottlieb von Windisch: “Von den Klementinern in Syrmien.” In: Ungrisches Magazin oder Beytrage zu ungrischen Gaschichte, Geographie, Naturwissensehaft und der dahin einschlagenden Litteratur, Pressburg (Bratislava), 2 (1782), 1, pp. 77-89.  Përkthyer nga Gjermanishtja (në Anglisht) nga Robert Elsie.
Të interesuarit mund t’i referohen tekstit original në Gjermanisht.

Erman Dine
Erman Dine

Shënim mbi nji shkrim kahershëm e të panjohur…

nga Erman Dine

E vërteta mbijeton pavarsisht rrethanave.
Sado të përpiqen ta manipulojnë të vërtetën duke e shtrembëruar apo ndryshuar informacionin historik, askush s’mund të arrijë ta ndryshojë të vërtetën absolute dhe rrjedhën e ngjarjeve!
Një e vërtetë që na çon drejt kohrash të largëta e të harruara është edhe ky shkrim i Karl Gottlieb von Windisch: “Mbi Kelmendasit e Sremit”, shkrim që na vjen drejtpërdrejt nga shekulli i 18-të, përmes albanologut Robert Elsie, që e ka përkthyer nga origjinali në gjermanisht në anglisht. Dhe që me nxitjen e një mikut tim, mora përsipër ta përkthej për lexuesit shqiptarë, që mund të kenë interes, duke besuar se ky informacion u ka munguar atyre. Mund të them se ai është një dëshmi të gjallë që hedh pak dritë mbi periudhën të errët të historisë sonë, periudhës pesëshekullore nën trysninë e perandorisë Osmane!
Ky shkrim, ose më saktë ky rrëfim vjen nga një dëshmitar okular i kohës dhe është i pacënuar, ndoshta ka disa pasaktësi mbi data, ngjarje, periudha madje edhe ngatërrim emrash e personazhesh të historisë shqiptare. Për kët arsye mund t’i referohemi pak me rezervë si shkrim historik, por mbetet një dëshmi e rëndësishme e asaj kohe, nga një tregëtar-studjues i huaj, mbi një nga fiset më në zë të Shqipërisë së Veriut.
Disa nga këto pasaktësi unë i konsideroj të justifikueshme, sidomos nëse marrim parasysh kohën kur u shkrua, pra rreth treqind vjet më parë, kur shqiptarët jetonin nën pushtimin Osman prej mëse tre shekujsh, kohë kur Gjuha shqipe dhe mësimi i saj qe i ndaluar, kur shkollat laike nuk egistonin, kur shumica qenë shndërruar në myslimanë dhe figura e Skënderbeut ishte vetëm një gojëdhanë.
Përgjithësisht shkrimin e quaj mjaft interesant dhe rëndësia e tij besoj se qëndron tek pjesa ku ai përshkruan rezistencën dhe kryengritjet e vazhdueshme të Shqiptarëve kundër perandorisë Osmane, kur rrëfen karakteristikat, zakonet, mënyrën e jetesës, veshtjet, kostumet tradicionale dhe gjuhën (dialektin) e Kelmendasve.
Sipas mendimin tim disa nga pasaktësitë e këtij shkrimi janë këto: fjala vjen kur ai (Karli) shkruan se Skënderbeu e la vendin përgjithmonë mbas betejës kundër ushtrisë së Muradit (Amuradit) II. Skënderbeu në të vërtetë s’e la vendin, ai vdiq nga një infeksioni malarik. Edhe Arbëria, nuk u pushtua menjëherë, por 20 vjet mbas vdekjes së Skënderbeut… Pra, luftimet vazhduan edhe për 20 vjet të tjera, apo kur shkruan se ai (Skënderbeu) e braktisi vendlindjen!!, për të shpëtuar jetën e tij!! Në fakt qe, i biri i tij, Gjoni, që e la Arbërinë dhe jo Skënderbeu. Arbëria nuk u pushtua në 1447, siç shkruan Karli, por në vitin 1506.
Nji pasaktësi tjetër mendoj se është edhe trajtimi i Kelmendasve (Shqiptarëve) si Orientalë, apo kur shkruan “si gjithë popujt Orientalë, ata janë të ashpër në natyrë, por jo barbarë”, apo diku më poshtë kur shkruan se “Gjuha Shqipe nuk gjan me asnji nga gjuhët Orientale, po as me ato të Perëndimit!?”
Gjithsesi, lodhjen time me këtë provë të vështirë përkthimi, e quaj të dobishme, mbasi jam i sigurtë për vlerat që bart ky shkrim…
5 prill 2014

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.