back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Karl Gurakuqi: Mjeshtër i Shqipes – nga Frank Shkreli

Gazeta

Karl Gurakuqi - themelues i Bibliothekës Kombtare (1922)
Karl Gurakuqi – themelues i Bibliothekës Kombtare (1922)

Karl Gurakuqi: Mjeshtër i Shqipes

nga Frank Shkreli

Profesor Karl Gurakuqi (24 Mars 1895 – 6 Dhjetor 1971)

Profesor Karl Gurakuqi ka ndërruar jetë më 6 dhjetor 1971, jashtë Atdheut dhe larg Shkodrës së tij të dashur – ashtu siç ishte dhe është gjithnjë fati i të mërguarve shqiptarë anti-komunistë – sepse Atdheu i tyre i lindjes nuk i donte brenda gjatë regjimit komunist, ashtu të klasifikuar si “tradhëtarë dhe armiq të vendit e të popullit të vet”. Por siç duket as sot, 30 vjet më vonë, në të ahtuquajturin tranzicion “post-komunist”, shkrimtarë e letrarë si Karl Gurakuqi, nuk janë të mirëpritur. Emrat, veprat dhe kontributet e tyre, vazhdojnë të jenë edhe sot, jo të ndaluara krejtësisht, por të harruara dhe të anashkaluara, ashtu siç ishin sa ishin gjallë dhe në kulmin e veprimtarisë së tyre. Ma merr mendja se po të pyetën studentët shqiptarë në Tiranë ose Prishtinë sot, se kush ishte Karl Gurakuqi, njëri prej këtyre të intelektualëve shkodranë të harruar, kam drojë se nuk do çonte kush dorën. Po kush ishte ky “ashik” shkodran, i dashuruar pas gjuhës Shqipe dhe cilat ishin kontributet e tija gjuhësore dhe jo vetëm?

Kush ishte Karl Gurakuqi?

Duke pasur si burim revistën “Shêjzat” të Ernest Koliqit, (“Shêjzat”-10-12, 1971) – njëri prej bashkthemeluesve dhe bashkpuntor i të cilës ishte vetë Karl Gurakuqi qysh prej vitit të parë të botimit të kësaj reviste të famshme, njëri prej tre shtyllave kryesore të “Shêjzave” (së bashku me Ernest Koliqin dhe Martin Camajn) dhe bashkpuntor pa ndërprerje i mikut të tij të ngushtë dhe botuesit Ernest Koliqi, jo vetëm në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite, por, Karl Gurakuqi ishte më shumë se kaq. Me gjithë hipokrizinë dhe pandershmërinë intelektuale – nga qarqet akademike dhe universitare shqiptare – që ushtrohet sot ndaj tij dhe shumë të tjerëve si ai, në përvjetorin e vdekjes së tij (me 6 dhjetor 1971), po sjellim, modestisht, disa të dhëna informative për jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit – me qëllim për të hedhur sadopak dritë mbi kontributin e këtij mjeshtri të madh të gjuhës shqipe, ndonëse i mërguar për dekada.

I ndjeri Prof. Karl Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës Ndërkombtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, ndenjur: At Zef Valentini, Prof. Ernest Koliqi, dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin Petrotta.
I ndjeri Prof. Karl Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës Ndërkombtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, ndenjur: At Zef Valentini, Prof. Ernest Koliqi, dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin Petrotta.
***

Karl Gurakuqi ka lindë në Shkodër me 24 mars 1895. Ka ndjekur mësimet fillore e të shkollave të mesme po në atë qytet ndër Etërit Françeskanë. Maturën klasike e ka kryer në Salzburg të Austrisë, ndërsa studimet filozofike i ka bërë në Graz. Me t’u kthyer në Shqipëri pas studimeve, Karl Gurakuqi shërbeu vazhdimisht në fushën e arsimit kombëtar ç’prej vjetit 1917 e deri me 1944. Ngjarjet e njohura e detyruan Gurakuqin që pas Luftës së II Botërore të merrte rrugët e mërgimit, si shumë bashkombas të tij intelektualë të Shqipërisë, të cilët e kundërshtuan regjimin e imponuar sllavo-aziatik komunist të merrte rrugët e mërgimit. Pas disa endjeve në vende të ndryshme, u thirr dhe gjet mikpritje në Palermë nga intelektuali i njohur arbëresh i asaj kohe, i ndjeri Rozolin Petrotta – një Arbresh ky zemërmadh që gjatë jetës së vet u përpoq me mend e me shpirt për lartësimin e vlerave të shqiptarizmit. Në Universitetin e kryeqytetit të Siçilisë, fillimisht, krahas me Papa Gaetan Petrotta-n e mandej me albanologun e famshëm At Zef Valentinin, Karl Gurakqui vazhdoi në atë universitet punën gjuhësore dhe kulturore shqipe. “Arsimi kombëtar i detyrohet shumë këtij lavruesi të palodhëshëm të gjuhës shqipe dhe me arsye mund të njihet njëri ndër themeluesat kryesorë të aparatit shkollor në Shqipëri dhe një prej ndër atyre veprimtarëve të mëdhej që në pak vjet e ngjitën popullin shqiptar në një shkallë të pamenduar arsimore, prej një gjendjeje mesjetare, në të cilën e kishin plandosur fatkeqsitë historike”, ka shënuar miku i tij i ngushtë, Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të Karl Gurakuqit në dhjetor të vitit 1971.
Në biografinë e botuar me atë rast në revistën Shêjzat, thuhet se veprimtaria e Karl Gurakuqit si shkrimtar është zhvilluar gjerësisht, në shumë degë diturie. Shkrimtar tërheqës, përkthyes i qartë e i përpikët nga latinishtja, gjermanishtja e italishtja. Drejtor i së përkohëshmes (Agimi – 1920-22, Revista Pedagogjike 1925-27, Mësuesi 1928, Shkolla Kombtare 1938), e tjera. Bashkëpuntor i çmuar i revistave më të njohura të kohës, në Shqipërinë e para komunizmit. Gurakuqi është shquar gjatë jetës së tij, sipas biografisë së tij zyrtare botuar në revistën “Shêjzat”, sidomos në shtjellim të argumentave gjuhësorë e letrarë. Të shumta janë botimet e tija shkollore që u përdorën gjatë 20 e sa viteve ndër shkollat shqiptare të kohës. Aty thuhet se Karl Gurakuqi “mund të njihet me të drejtë si një ndër themeluesit e të së përkohëshmes sonë, “Shêjzat”, shtyllat e së cilës ai i pasuroi me syzime të vlefshëme. Përveç botimeve sa ishte në kulmin e veprimtarisë së tij letrare dhe akademike, Karl Gurakuqi, thuhet se, ka lënë shkrime të pabotuara, ndër të tjera: një ditar me radhitje ngjarjesh të dobishme për historinë kulturore e shoqërore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe studime gjuhësore të ndryshme. Por vepra kryesore – gati për botim – mbetet, sipas biografisë zyrtare, “Fjalori” ku ai derdhi, tërë jetën, mundin hulumtues e shoshitës në shumë fushë leksikore e frazeologjike. (Burimi: “Shêjzat” -10-12, 1971).
Për hollësi të tjera mbi jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit mund të lexoni shënimin nga Profesor – Arkiva Digjitale Shqiptare: Karl Gurakuqi (Shkodër, 24 mars 1895 – Bressanone 6 dhjetor 1971) – Arkiva Digjitale Shqiptare (adsh.al), ku ndër të tjera thuhet se Karl Gurakuqi ka qenë mik dhe bashkëpuntor Avni Rrustemit dhe shoqërive demokratike të kohës. Në vitin 1921, sipas Profesor Romeo Gurakuqit, Karl Gurakuqi ka qenë bashkthemelues me Avni Rrustemin dhe të tjerë i Federatës “Atdheu” në Vlorë, në të cilën Karl Gurakuqi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i saj.
Atë ditë të 6 dhjetori 1971, zhdukja e Mjeshtrit të shqipës, Karl Gurakuqit, miku dhe bashkëpuntori i tij i ngushtë – Ernest Koliqi do të shkruante se me humbjen e Karl Gurakuqit, “Na të Shêjzave me vdekjen e Karlit mbesim pa nji Bashkëpuntuer dorës parë, besnik të patundun. Gjuha shqipe humbë nji lavrues që ia zbuloi asaj fuqinë e hirin shprehës. Bota shqiptare vorfnohet nga zhdukja e nji qytetari që e nderonte me sjellje fisnike, e pasunonte dhe e urtësonte me nji përvojë të gjatë kombtare edhe e edukonte mâ tepër se me fjalë, me prirje të butë të natyrëshme e cila ndikonte gjithmonë e gjithëkund, frymë harmonizimi shoqnuer e vëllaznije kombtare… Në kuvendim me të, kishte njeriu përshtypjen që Ai mendonte se për kurrnji send në botë s’ia vlen barra qiranë, m’u trazue. Vetëm nji gjâ për të ishte absolutisht serjoze: gjuha shqipe. Hoka mbi gjuhë shqipe nuk bârte”, Karl Gurakuqi, sipas Ernest Koliqit. “Shqipja për Të ishte gjâ shêjte. Karli qe Ashik i shqipes. Shqipen e adhuronte, e dashunonte me përkëdhelje si t’ishte nji Vashë e bukur. Asaj ia kushtoi jetën – ajo qe pësimi e gëzimi i Tij. Ajo ka me ia ruejtë emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, – ka përfunduar Ernest Koliqi komentin e tij me rastin e kalimit në amshim të mikut të tij besnik, Karl Gurakuqit me 6 dhjetor 1971.

Prof. Koliqi - Prof. Resuli - Prof. Karl Gurakuqi
Prof. Koliqi – Prof. Resuli – Prof. Karl Gurakuqi

Fjalët e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, se Shqipja “ka me ia ruejtë atij emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, mund të kenë qenë tepër pozitive e plotë shpresë, por edhe ekzagjeruese, po të marrim parasysh se si trajtohet sot – 30 vjet tranzicion “post-komunizëm – jo vetëm Karl Gurakuqi por edhe vetë Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe një numër shumë i madh shkrimtarësh e poetësh të Kombit të dalë nga Shkodra – zyrtarisht, të ndaluar e të anashkaluar nga atdheu i tyre për të cilin punuan e munduan gjithë jetën e tyre – jo vetëm për një gjysëm shekulli komunizëm, por edhe sot në “post-komunizëm”, në Shqipërinë “pluraliste” e “demokratike”, anëtare e Aleancës Perendimore NATO, me shpresë për t’u bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian.
Përjashtimi i këtyre kolosave të historisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si Karl Gurakuqi në një vend si Shqipëria – tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit – ku kultura e pluralizmit do duhej të mbretëronte dhe ku gjithëpërfshirja në edukimin e brezave të rinjë, pa dallime politike ose të mendimeve ndryshe – do duhej të ishte siguruar me kohë në një vend anëtar të NATO-s dhe me pretendime për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, siç është Shqipëria. Pluralizmi kulturor dhe gjuhësor si dhe ai politik, që do duhej të përfshinte personalitete të gjuhës dhe të kulturës shqiptare deri tani të përjashtuara, qoftë nga ish-regjimi komunist, qoftë nga nostalgjikët e komunizmit sot. Kur do ta kuptojnë këta njerëz se Karl Gurakuqi me shokë kanë qenë dhe janë një pasuri kombëtare në shërbim dhe në forcimim e identitetit të vërtetë kombtar të shqiptarëve. Prandaj, synimi duhej të ishte që me gjithëpërfshirjen pluraliste në jetën e përditshme kulturore dhe akademike, sidomos në arsim, të këtyre kolosëve të Kombit, të krijohen mundësitë për një Shqipëri të një hapësire edukative e cila përafrohet më tepër me atë evropiane, e cila përqafon gjithë vlerat, parimet dhe idealet e Evropës së Bashkuar”, sipas qëllimit edhe të një konference që u mbajtë në Tiranë të mërkurën, me 6 dhjetor: Kisha Katolike në Shqipëri: “Kultura e pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim”.
Përjashtimi i këtyre kolosëve të Kombit nga historia, letërsia dhe kultura shqiptare sot, le një zbrazëti të madhe në historinë kombëtare. Për këta individë vendimarrës në Tiranë dhe deri diku edhe në Prishtinë, që sot marrin vendime të tilla përjashtimi ose anashkalimi i këtyre burrave që pasqyrojnë vlerat më të zgjedhura të gjakut iliro-arbëroro-shqiptar, a mund të thuhet se këta, si përfaqsues dhe mbrojtës sot të kulturës shqiptare, vërtetë, kanë në zemër dhe mendje interesat dhe idealet afatgjata të Kombit shqiptar!?
Frank Shkreli

* Titulli origjinal ishte “Karl Gurakuqi: Mjeshtër i Shqipes  mik dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.