“Kartela të Realizmit të Dënuar” – Visar Zhiti
shënim nga Gëzim Basha
Jam duke lexuar librin e Visar Zhitit, “Kartela të Realizmit të Dënuar” të cilin autori pati mirësinë të ma dhuronte para pak ditësh në Roselle, Chicago.
Përmbledhja, të cilën Visari e quan sprovë, është në fakt homazh elegant ndaj një pasurie mendore të groposur të cilën, për fat të keq, pak janë të prirur ta (ri)zbulojnë.
Diktatura Enveriste ishte së pari atak në identitet, aksion politik për të krijuar modelin e shqiptarit që përsërit slogane nënshtrimi pa u menduar dy herë, njeriun si një qenie të paqtë kafazi që as nuk dëshiron të mendojë! Ky tjetërsim s’mund të kryhej pa Martirët e Mendjes, pa eleminuar me toga pushkatimi, burg apo mërgim, ata që “jetonin në kokën e tyre.”
Kartelat e Visar Zhitit, me një fryme empathie qe ndeshet rrallë në librat shqip të kësaj natyre, risjellin heronjtë e përzënë të rezistencës sonë mendore, atë galaksi emrash që ndryshe nga patriarkët apokrifë të kulturës zyrtare, e panë Shqipërinë jo si plaçkë a privilegj, por si sakrificë dhe sakrilegj.
Ashtu siç e do “zakoni” i vendit me librat që shqetësojnë, rreth “Kartelave” të Visarit do të ngrihet muri i heshtjes, kjo ngrehinë e padukshme dhe e vetmja ku mund të shihet vula e “solidaritet intelektual” në Shqipëri!
28 korrik 2022