back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Karvani – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Ramiz Gjini
Ramiz Gjini

Karvani

tregim nga Ramiz Gjini

Pasi Asena u dogj e u shkatërrua nga lufta, duke u kthyer në gërmadhë, asgjë tjetër nuk mund të na mbante më të lidhur me tokat e saj.
Sepse, që ta dini ju, ato toka nuk qenë tjetër, veçse djerrina me barishte të egra dhe me gurë, mbi të cilët ngroheshin në diell hardhucat. Ne gënjeheshim vetëm me faktin, që ishin tonat. Dhe prapë vazhdonim t’i donim, mu sikur t’u merrnim e tu hanim dheun si ushqim.
Ndoshta e donim Asenën, thjeshtë, pse kishte një emër, me të cilin, qemë mësuar. Ndoshta, pse kishim aty varret e të parëve tanë, bashkë me historitë e tyre, që rrëfeheshin pasdarkave!
Po lufta e zhveshi Asenën krejt lakuriq; ia hoqi edhe atë hijeshi të pakët, pothuajse të rreme; atë ndrojtje, që pati në përpjekjet për t’u zbukuruar si viset e tjera; dhe sikur ia fshiu, madje, edhe emrin. Pamja e saj ndryshoi krejtësisht. Gjithshka mori tjetër kuptim, duke na zhgënjyer thellë. Dhe ne pysnim veten: si paskësh qenë e mundur të jetonin kaq shumë breza në Asenë?!
Atëherë u kujtuam, që Asena, paskësh qenë për brezat që shkuan, dhe për né, gjithashtu, ajo që ishte; thjeshtë, një tokë e dhuruar nga fati i keq për të na punuar qindin; një tokë, që na kishte mashtruar brez pas brezi, duke na dhënë bujarisht, vetëm varre për të vdekurit. Sepse, sado t’i punoje tokat e saj, ne u merrnim atyre vetëm barë të thatë për kuajtë, gjembaçë dhe çikore me ato lulet e saj ngjyrë blu të çelët, që i zienim dhe u pinim lëngun si çaj për të qetësuar nervat tona të acaruara nga vuajtjet.
Nuk na hynin në punë as ato bokërrimat e kuqe, të dy shpateve të të vetmit përrua, që verës shterej nga uji, duke bërë të ngordhnin bretkosat, krimbat, krustazat e shushunjëzat, të cilat, pasi u thithnin lëngjet mizat, thaheshin në diell përgjatë shtratit. Dhe kur thaheshin, ia behnin zogjtë shtegëtarë, të cilët, i coptonin me sqep dhe i hanin; dhe pas tyre, u vinte radha milingonave, që mblidhnin mbetjet, për t’i tërhequr e futur në labirinthet e tyre, thellë nëntokë.
As arrat, që mbollëm nuk u bënë; dhe gjithë mundi dhe djersa jonë e derdhur për to, vajti kot. Sepse na gënjyen të huajt, që medemek do i blinin.
Mbillni arra, na thanë, sepse vetëm ato rriten në tokat e Asenës! Pastaj, kur të rriten, do u a blejmë ne prodhimin. Po arrat u thanë pa u rritur. Pra, edhe kjo punë, nuk qe tjetër, veçse një mashtrim.
Kur lufta në Asenë pushoi dhe barbarët qenë larguar, ne mblodhëm kufomat e të vrarëve; dhe, që të mos e ndjenin shumë braktisjen dhe vetminë, i varrosëm të gjithë bashkë në një gropë të madhe. Pastaj, të bindur që dashuria për Asenën paskësh qenë një mallkim i vetë zotit, ne vendosëm ta braktisnim atë përgjithmonë, me mendimin, që edhe luftën, e kishim bërë kot së koti. Ne donim të linim aty vetëm atë… Mbathësin e kuajve, Jak Delfin.
Në fakt, Jakun, e mbajti në Asenë vdekja e vet, që na e kish pasur shumë të afërt; e që i erdhi nga neveria karshi të vëllait, Llazarit, i cili, dy javë para se të kriste lufta, vrau Dren Martinin, një burrë i zoti e trim mbi trima, që nuk i gjendej shoku në Asenë.
U zunë me njëri-tjetrin për një palo-tokë-djerrinë, që në të vërtetë, nuk qe e tij. Dhe të mendosh, që ishte aq e vogël ajo tokë, sa një kalë i lidhur me litar për një kunji të ngulur në mes të saj, mund t’i binte qark e ta shkelte gjithandej.
E pështynte Jaku të vëllain dhe i thoshte:
-Ja pse nuk duhej ta vrisje Drenin, Llazar! Ja pse nuk duhej ta vrisje, të vraftë buka, që kemi ngrënë bashkë! Në këtë luftë, Asena do të kishte, jo vetëm një luftëtar trim më shumë, por edhe një strateg të madh!
Ndërsa fliste kësisoj, ai e pështyu të vëllain aq herë, sa pështyma iu sos. Po edhe pasi iu sos pështyma, ai vazhdoi ta pështynte me gjakun e vet. Madje, edhe kur Llazari, i përbuzur dhe i mohuar nga të gjithë, qe larguar me turp prej Asenës, Jaku vazhdoi të pështynte me gjak hijen, që la pas i vëllai. Pështynte papushim, ndërsa përsëriste të njëjtat fjalë.
E bëri këtë gjë për gati një javë rresht, derisa, edhe gjaku iu shter; dhe atëherë, u plandos në tokë i vdekur, me fytyrën e shtrembëruar nga neveria, që i dukej si t’ia kishin mbajtur mbi flakët e vatrës së zjarrit.
Kur e varrosëm, i futëm në varr një enë bakri, që edhe i vdekur, të kishte mundësi të pështynte aty vrerin e vet.
Pastaj, mbushëm xhepat me dhè, që të mos e harronim Asenën; e që t’i luteshim të na falte për braktisjen që po i bënim. Dhe morëm udhën të shkonim për t’i ngritur shtëpitë tona në një vend tjetër, dhjetë ditë e netë larg prej Asenës; në një vend, për të cilin, na kishin thënë, se ishte i mirë, plot diell, – një ultësirë e sheshtë, plot burime të virgjëra ujrash të ëmbël, ajër të pastër dhe toka të buta e të plleshme, që punoheshin lehtë. Shkurt fjala, ai vend, na paskësh qenë mu si një tepci e stërmadhe toke, mbushur plot me gjithë të mirat, që fal nganjëherë Zoti.
Tashmë, pas tre ditë udhëtimi me këmbë, karvani ynë ka hyrë në kanonin e lumit Dosta. Udha kalon përmes shpatit të thepisur e të gurtë nga e djathta; një shteg aq i hollë, sa kërkon vëmendje dhe ekuilibër; dhe një ecje gjithë kujdes, si ajo që bëjnë për trau artistët e cirkut.
Nga e djathta e udhës, është shkëmbi, që e prekim nganjëherë me duar; e nganjëherë, fusim gishtërinjtë përethshëm mes të çarave për tu mbajtur; e na bëhet sikur do të na bjerë në kurriz. Kurse në anën tjetër, – humnera, e etur të na gëlltisë me urinë e saj të pangopur mijëravjeçare.
Në këtë vend ku kemi hyrë, është e pamundur, që ai, i cili gjendet para teje, të lëvizë anash në shmang për të lëshuar udhë. Nëse kryepari ndalon, e nuk mund të ecë, ka vetëm një mënyrë të vetme për të çelë udhë që karvani të bëjë përpara: t’i hedhësh syve dheun e Asenës; pastaj t’i japësh një të shtyrë në greminë, duke bërë kujdes mos të të marrë me vete.
Duket që kjo udhë, është hapur mijëra vite më parë, duke gdhendur horizontalisht anën e shkëmbit me gjerësi sa shputa e këmbës së një njeriu mesatar. Ka shumë të ngjarë, që të jetë gdhendur nga banorët e hershëm të shpellave; sepse shpellat nuk mungojnë kësaj ane. Pastaj, është përdorur më shumë nga dhitë e egra, jashtëqitjet e thara të të cilave, po i shkelim tani me këmbë.
Por besoni: nuk kishim rrugë tjetër nga të shkonim, pasi lufta ende nuk është shuar gjithandej; dhe shtigjeve të tjera, mund të biem në ndonjë pritë barbarësh të mbetur; e të ndodhë të na korrin me mitralozët e tyre të rëndë.
Vetëm kur ta kalojmë këtë shteg e të fillojmë t’i ngjitemi shpatit të malit, që duket para nesh atje larg, mund të marrim frymë lirisht, me ndjesinë çliruese të shpëtimit nga rreziku. Pastaj, do na duhet të kaptojmë atë kreshtën e malit që duket përballë nesh, për t’u hedhur matanë, ku thuhet se terreni do na mundësojë ta kemi më të lehtë ecjen përpara.
Tani, që gjendemi në këtë shteg kaq të ngushtë, fati i udhëtimit tonë, ka ngecur në dorë të udhërrëfyesit Bec Buveshi, që vetë ne, e zgjodhëm t’i prijë karvanit!
Para se të linim Asenën, ai rrihte gjoksin e betohej, që e njihte udhën me pëllëmbë; dhe se mund të na çonte në atë vendin e ri plot diell e burime ujrash të ëmbël pa na hyrë ferrë në këmbë. Por tani, ai është mbërthyer nga paniku prej greminës; dhe ndjen edhe një mall përvëlues për Asenën, që me sa duket, nuk don, që ta braktisë përgjithmonë. Diçka e ngucakeqëshme brenda shpirtit të tij, i ka ligështuar vullnetin. Fytyra i ka marrë ngjyrën e një luleje të verdhë kungulli e shkelur me këmbë. Gjunjët i dridhen dhe nuk bën dot asnjë hap përpara. Bashkë me të, ka ndaluar gjithë karvani.
-Lëviz, Bec! – e cyti unë. – Bëj përpara! Ç’më rri ashtu, si guak?!
-Nuk mundem, – thotë ai. – Nëse lëviz, do të bie në humnerë!
Është pështetur e është bërë njësh me shkëmbin e ftohtë mu si një hardhucë. Nganjëherë, hedh sytë poshtë, ku duket lugina me shelgjishtet rrëzë lumit Dosta, e ku kullot një tufë dhishë, që për shkak të lartësisë së madhe, ngjajnë si kandrra të vogla.
-Po është gjithë ky karvan, që po të pret ty, Bec! – ngulmoj unë. – Duhet të ecësh ti, që të lëvizë karvani!
-Pa më lër rehat! – thotë gjithë nervozizëm ai. Dhe, teksa më hedh ngultas një vështrim prej këlyshi të trembur zardafi, truset edhe më fort për shkëmbit.
Pas meje, dëgjohen zëra që pyesin. Duan të dinë çfarë ka ndodhur, që karvani ka ndaluar.
Zërat e tyre janë të lodhur; dhe fjalët dalin gjysmake si në kllapi. Po nuk kanë faj; sepse pas gjithë asaj lufte shkatërruese dhe rruge të gjatë, u është sosur durimi. Të paktën, të kishim mundësi të uleshim të pushonim për pak kohë; të përtypnim ndonjë mbetje nga haja e pakët, që patëm marrë me vete. Madje, nuk do të qe keq, të merrnim edhe një sy gjumë! Po nuk është e mundur të ulesh në këtë vend, ku udha zgjatet përskaj greminës si një rryp i hollë.
Është aq i gjatë ky karvan, sa nuk i duket fundi. Dhe, ata që gjenden pas nesh, tutje larg, as që marrin vesh çfarë ka ndodhur me udhërrëfyesin tonë.
I parë nga larg, karvani ynë, duhet të ngjajë mu si një bollë e stërmadhe mitologjike, llangosur prej lëvizjeve rrëshqanthi nëpër llom. Një bollë, që e ka goditur me kacup në kokë ndonjë div nga ata të përrallave. Dhe çfarë ironie! Bec Buveshi, është pikërisht koka e kësaj bolle!
Po duhet thënë, që ishte faji i të gjithëve; sepse, nëse nuk do të ishim ngutur të merrnim vendim, që të na printe Beci, nuk kishte pse ndodhte, që Gjon Bolena, më i urti e më i dituri ndër né, të mbetej në bisht të karvanit.
Tani, që për shkak të prijësit tonë, karvani ka ndaluar e nuk bën dot asnjë hap përpara, ne kemi shumë nevojë për udhëzimet e të urtit Gjon Bolena. Po ku ta gjejmë se?! Ai është larg, shumë larg; është në bisht të karvanit.
Çfarë të bëjmë me kryeparin, që duhet të na prijë përpara, por që ia ka shkrepur të mos lëvizë?!
Në fakt, unë që ndodhem në rresht fill pas Becit, siç e thashë më parë, e di mirë përgjigjen e kësaj pyetje. Madje, jo vetëm unë, por e dinë edhe Gasper Hoti me të shoqen, Ujanën, që ecin pas meje; Tanush Gega me vajzën në bylik, syshkruarën Amanta, që ecën pas tij; dhe mësuesi Tim Mikeli, gjithashtu, që ndodhet pas Amantës. Sepse këta, janë më të afërmit në rresht pas meje; dhe mund të shikojnë çfarë ndodh. Po ata nuk flasin. Dhe unë, nuk kam asnjë tagër të bëj veprime me kokën time.
.

Midis Scyllas dhe Charybdias
Midis Scyllas dhe Charybdias
Edhe pse e dimë ç’duhet bërë, kjo pyetje, duhet të shkojë patjetër në vesh të të urtit Gjon. Vetëm fjala e tij është ligj për ne.
-Udhërrëfyesi ka ndaluar në vend, – i them Gaspër Hotit, që gjendet pas meje. -E ka mbërthyer paniku dhe malli për Asenën; nuk bën dot asnjë hap përpara. Çfarë të bëjmë me të, o i urti Gjon?
Menjëherë, dëgjoj Gasperin të përsërisë fjalët e mia. Pastaj, këto fjalë, dëgjohen të thuhen nga goja e të shoqes, Ujanës, e cila, i pason tek Tanush Gega, që gjendet pas saj; pastaj, të njëjtët fjalë, përsërit e bija, syshkruara Amanta, që i pason tek mësuesi Tim Mikeli; e kështu me radhë…
Fjalët thuhen goja-gojës, shëtisin vesh më vesh, duke u dëgjuar prej meje gjithëherë pak e më pak, derisa vjen një çast, që fashiten larg.
Tashmë, do të duhet të presim bukur kohë, derisa mesazhi im të ketë mbërritur te i urti Gjon Bolena, që gjendet në bisht të karvanit; dhe po aq kohë, do të duhet të presim të vijë përgjigja e tij.
Kanë filluar të na dridhen gjunjët. Na bëhet sikur rrimë varur në humnerë vetëm me një fije të hollë peri, i cili, mund të këputet nga çasti në çast. Përpiqemi të mos lëvizim, ndërsa hedhim ndonjë fjalë, ashtu kot, sa për të mposhtur frikën.
Në majën e thepisur të një kepi, që gjendet në krahun tjetër të kanionit, ka qëndruar një shkabë e madhe. E shikoj se si lëviz qafën e saj të gjatë e të rrjepur për të vështruar e mbajtur nën kontroll gjithë terrenin.
Një tjetër shkabë, sillet në fluturim qiellit lart mbi kanion. Duhet të jenë çift.
Dielli, ka përskuqur retë e pakëta, që ngjajnë si bashka leshi mbi flakë. Tashmë është pasdite vonë. Do afrohet mbrëmja. Pas mbrëmjes, do të pllakosë shumë shpejt nata. Ç’mund të bëjmë pastaj ne, në errësirën xëc buzë kësaj gremine?!
Dhe ja ku më në fund, pas një pritje të gjatë gjith ankth e padurim, fjala e të urtit Gjon, përcillet vesh më vesh dhe mbërrin te unë, në krye të karvanit.
-As që dua t’ia di! Më lini të qaj Asenën dhe të vdes, – dëgjoj të përsërisë Gaspër Hoti fjalët, që i kanë ardhë në vesh.
Jam i sigurt, që nuk mund të jetë kjo përgjigja, që ka dhënë i urti Gjon Bolena. Filli i fjalëve të tij, ka të ngjarë të jetë ngatërruar diku dhe ka marrë tjetër kuptim. Ndoshta, është ngatërruar në gojën e ndonjë shpirti të malcuar; të një shpirti, që mund të ketë humbur gjatë luftës gjithë njerëzit e tij të dashur; e që tashmë, nuk i hyn në sy jeta, ndaj nuk ka dashtë t’ia dijë për mesazhin e të urtit Gjon.
Asena, që braktisëm, bashkë me ata që vdiqën për të, duket se paska mbajtur peng në gjirin e saj, edhe shpirtërat tanë. A nuk qemë bërë të gjithë të pafjalë si të ishim memecë?! A nuk i kishim lotët ende të patharë në sy dhe frikën të ngulur si një gozhdë e ndryshkur në zemër?!
Shumica janë njerëz të mirë, durimtar të mëdhenj e me mendje të kthjellët; por në karvan gjenden edhe indiferentë, të papërgjegjshëm, mendjebjerrur, të përgjumur, të dërrmuar shpirtërisht; madje, gjenden edhe shurdhë e memecë, që nuk mund tu vihet faj. Ndaj ndodh, që fjalët e mia, të mbërrijnë te i urti Gjon krejt të përçudnuara. Dhe gjithashtu, ka të ngjarë, që krejt të përçudnuara, të vijnë edhe udhëzimet e tij.
-Kthehuni mbrapsht, – thotë gjithë dëshpërim udhërrëfyesi Bec, teksa përkëdhel me gishta në xhep dheun e Asenës. – Dua të shkoj prap në Asenë; dhe të vdes atje!
Dhe shkithet në lot.
Pas fjalëve të tij, mua më thotë mendja, që të gjithë ne, jemi të lidhur me Asenën me nga një fill shumë të fortë; të fortë e të padukshëm. Disa kanë fatin ta ketë atë fill të gjatë; ndoshta, aq të gjatë, sa të mbërrijë gjer te ai vendi me diell, kroje me ujw të ëmbël dhe toka të buta pjellore, që punohen lehtë; madje, ndoshta, edhe më tej. Dikush tjetër, e ka më të shkurtër këtë fill. Kurse udhërrëfyesi ynë, Bec Buveshi, padyshim, që e ka fillin të gjatë deri në vendin ku tani është gozhduar e nuk mund të bëjë më as edhe një hap përpara.
-Kryepari i kolonës, kërkon të kthehet prap në Asenë! – i them unë Gaspër Hotit pas meje. – Na thuaj, o i urti Gjon, çfarë të bëjmë?!
Dhe Gaspër Hoti, përcjell tek tjetri pas tij mesazhin tim.
Prap do na duhet të presim, derisa fjalët e mia të përcillen vesh më vesh, për të mbërritur te i urti Gjon, që ndodhet në bisht të karvanit. Dhe po aq kohë, do të duhet të presim edhe përgjigjen e tij, e cila, ka shumë gjasë, që për shkak të indiferentëve, mendjebjerrurve, të përgjumurve, shurdhëve e memecëve, do të vijë e përçudnuar, ashtu siç erdhi herën e parë. Po ç’të bëjmë?! Duhet të presim, me shpresën se nuk ka për të ndodhur kështu.
Vështrimi im bie sërish mbi atë shkabën e madhe, e cila, vazhdon të qëndrojë në majë të atij kepit të thepisur. Pastaj, te ajo shkaba tjetër, që sillet qiellit në fluturim me vështrimin atje poshtë, mbi shelgjishten përskaj lumit Dosta, ku tufa e dhive, bashkë me çobanin dhe qentë, tashmë po largohen.
Herë pas here, dëgjohet klithma e saj e thekshme, që e çan qiellin mespërmes duke ndjellë zezonë në shpirtërat tanë. Pastaj, jehona e klithmës, përplaset shpateve të kanionit, dersa bie e shqimet në ujin e lumit.
Do të duhet edhe pak kohë, që dielli të perëndojë. Pastaj, nuk do të zgjasë shumë e do pllakosë errësira.
Tumzat e rralla të fierit të gurit, që kanë mbirë e rritur nëpër të çarat e shkëmbinjëve, kanë filluar të luhaten nga një fllad i lehtë, duke përftuar në ajër një si pëshpërimë plot mistere. Kurse shpati i thepisur shkëmbor, për shkak të diellit, që është fshehur pas një reje të zezë, e ka humbur dukjen e mëparshme. Ka tjetër shëmbëllesë. Është bërë i mugët; më i madh e më i frikshëm; ndjaj pritja jonë, sikur bëhet më e sikletëshme.
Dhe, si ka kaluar një kohë bukur e gjatë, më në fund, përgjatë karvanit, dëgjohet se si kërcen tinëzisht nga njëri tek tjetri fjala e të urtit Gjon. Çuditërisht, sa më shumë afrohet, nis e dëgjohet gjithnjë e më pak, derisa mbërrin te unë, tashmë, mu si një pëshpërimë e lehtë sekrete; por e qartë dhe e saktë, ashtu siç e ka nxjerrë nga goja, vetë i urti Gjon Bolena.
Atëherë, mbushem thellë me frymë; pastaj fus dorën në xhep; dhe, teksa trazoj me gishta dheun e shkrifët, që pata marrë në Asenë, i thërras kryeparit në emër.
Ai kthen kokën; dhe ato çaste, krejt befas, dëgjohet britma e tij e llahtarshme, jehona e së cilës, përplaset brigjeve të kanionit.
Menjëherë pas britmës së tij, që nga maja e kepit të shpatit matanë, pason klithma, tashmë e hareshme, e shkabës që hidhet në fluturim. Dhe unë, bëj përpara në rrugën e sapoçelur, duke i hedhur këmbët e mpira me shumë kujdes. Mendjen e kam krejt të topitur; kurse shpirtin, të mbushur me keqardhje.
Pas meje, ngadalë, mu si një bollë që sapo ka marrë veten, nis të lëvizë gjithë karvani.
Në lugajën poshtë nesh, lumi Dosta rrjedh mes shelgjishtesh; i paqtë, me një shushurimë të shtruar e të ëmbël; dhe me reflekset e rrezeve të diellit, që frafullojnë në sipërfaqen e ujit, nganjëherë si zjarre të vegjël shkrepëtitës, e nganjëherë tjetër, si barqe të bardhë peshqish të kthyer në kurriz.
.
New York, Janar 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.