back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Kasem Trebeshina i harruar… nga Roland Gjoza

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926)

Kasem Trebeshina i harruar…

nga Roland Gjoza

“Unë bëja një letërsi tjetër.
Kundër rrymës. Po isha me kohën.
Vetëm se më vonohej publikimi.
Ju e dini çdo të thotë dalja e veprës në kohën e vet.
Këtë shans e humba.
Romane të viteve ’50, presin vitin 2020 që të botohen, 
kur Shqipëria të hyjë në Europë.
Edhe atëherë s’dihet. Po vepra e vërtetë reziston.
Kjo më mban. E di këtë fakt. Nuk është profeci.
Unë do të lexohem. Sot më ndalojnë. Nuk duan.
Nuk e duan Kasem Trebeshinën.
Pse nuk e duan, gjejeni vetë!
***
“Jemi i vetmi popull që e do shkrimtarin
me pendë dhe me pushkë, me kartë dhe me pallë.
Po pse, xhanëm, nuk mund të jetë vetëm shkrimtar, ai i gjorë?
Ky mentalitet tribal vazhdon.
Mua sot më përmendin disidencën
dhe kinse më mohojnë si shkrimtar. 
Ja ku e keni disidencën, ejani merreni,
kujt i intereson, ju pres gjer në fund të emisionit.
Ejani merreni, zotërinj, është juaja kjo xhaketë.[…] 
Demokracia lindi, po lindi foshnjë e vdekur. ”
Kasem Trebeshina

Roland Gjoza
Roland Gjoza 

Mendoj se në art ka vetëm një kusht për t’u përcaktuar. Dhe ky është talenti. Ç’mbetet është rekuizitë. Me rekuizitë kuptoj dhe të tjerat, ato që vijnë nga pas, jo fort të rëndësishmet. Me këto, jo fort të rëndësishmet, luhet gjer në fund. Do ta filloj me një hyrje për tregim.
Kasem Trebeshina, një gjeni i pakuptuar dhe i përjashtuar, më në fund u ftua në RTSH. I kishin lënë enkas një orë të vonë që të mos shqetësonin të mëdhenjtë, etërit e përjetshëm të fjalës. Ata duhet të kishin matur tensionin ndërkohë, duhet të kishin pirë ilaçet dhe duhet të ishin futur në tesha, të patrazuar. Dhe për fat ky rebel i pandreqshëm, Kasem Trebeshina, gërrnjar i prapë dhe fare i papërtypshëm, erdhi me vonesë. Atij i punon mendja sa për shtatë. Intuita e hollë i thotë shumë gjëra. Zerina Kuke, një intervistuese e guximshme përplot sharm zbutës, e pret e vetme ulur në fronin e lartë. Ajo nuk e fsheh gëzimin që ai ka pranuar, jo nga dëshira, po nga furia diabolike e gjeniut për të bërë sfidë. Ajo ndjehet si mbi gjemba, thotë herë pas here diçka për shkrimtarin, për veprat e tij, jep shifra dramash, romanesh, poezish, që gjithsesi nuk janë të sakta, se ato janë dënuar të mbeten dorëshkrime. Të mos botohen, thënë më hapur. Ai u burgos tri herë në komunizëm, në kapitalizëm po i burgosnin veprën. Zerina fliste në përgjithësi, tejet e saktë, me elegancën e saj të përkorë, që sot ka humbur dhe priste. Ai po vonohej. Ishte një suspans i rastësishëm, po që shërbeu më së miri për të tërhequr gjer në një ngacmim nervor e padurim të skajshëm vëmendjen e shikuesit.

Kasem Trebeshina - Pjese nga vepra e botuar
Kasem Trebeshina – Pjese nga vepra e botuar

Më bëri përshtypje një kremastar. Ç’donte ai aty? Ishte mizaskena e përgatitur nga vetë Kasem Trebeshina. Ai po hakmerrej me mënyrën e tij përplot spikamë, pa fare diplomaci. E kuptova që ai kishte pranuar të vinte, jo për të broçkullitur rreth kompleksit të madhështisë, siç bënin rëndom shkrimtarët, po që të lëshonte një nga ato bombat e tij. Dhe për këtë do t’i shërbente ai kremastar. Ç’do të varte aty? Ndërkaq kisha lexuar librin e tij të famshëm, botuar në Kosovë; “Stina e Stinëve” Më kishte mbetur në mend romani i tij oruellian “Odin Moldvalsen”, padyshim një kryevepër. Kisha lexuar romanin “Rruga e Golgotës”, me parathënie të At Zef Pllumit, që e konsideronte një novitet të pakrahasueshëm, një trajtim krejt tjetër të temës madhore të luftës çlirimtare. Zhgënjimet e një partizani të tradhtuar nga udhëheqësit e tij. Kjo frymë e vërtetësisë pa cak, po të merrej seriozisht, rrëzonte ngrehinën 45 vjeçare. Rroposte ata që kishin rënë për të fjetur. O ç’tmerr! Kush e ftoi, pse e merrnin në intervistë armikun? Ishte viti 1994-95. Ende viti i iluzioneve të mëdha. Ai që i cënonte, padyshim ishte armik. Ah, Kasem Trebeshina, armik ishe armik mbete, armik në dy sisteme. Shtyheni emisionin, shtyheni një orë më vonë, të mos e shohë njeri Kasem Trebeshinën. Sepse, sepse, është ai, ai, i krisuri, mosmirënjohësi i PD-së, që e nxori nga burgu dhe i fali lirinë, është ai, që para disa vjetësh tha pa pikën e turpit: “Demokracia lindi, po lindi foshnjë e vdekur!”
E shtynë emisionin gjersa i zuri gjumi të mëdhenjtë dhe po gërhisnin duke parë ëndrra, të pangopur për lavdi. Erdhi lajmi: ata po gërhasin për shtatë palë qejfe. Dhe u dha urdhri: të fillojë! Kjo vonesë përkoi çuditshëm me vonesën që kishte planifikuar vetë Kasemi, për të krijuar suspensin e nevojshëm, për të tendosur gjer në absurd kureshtjen. Dhe ia arriti. Dhe unë që e pikasa lojën, ngaqë jam i këtij djall profesioni, mezi prisja të shfaqej sfidanti i lënë vetëm, enkas krejt vetëm, pa kampionin në ring. Ai s’duhej të fitonte, kurrsesi s’duhej të fitonte, se kalkulimet e bëra në labirinthet e vjetra te makinës shtetërore, nuk e lejonin këtë gjë. Kush tha se ishte fituar liria? Liria u lëshua, po ama rrinte e lidhur.
Po Kasemi s’dëgjonte të vinte. E dija që grindej me të gjithë, nuk i bindej regjisorit, që i dukej një karabush, nuk e përfillte drejtorin, që jepte urdhra, do të shfaqej kur t’i thoshte ndjesia e tij dramaturgjike, e pagabueshmja ndjesi e tij. I jepja të drejtë me mend, ndjeja keqardhje për të, një keqardhje të madhe, se më dukej më fatkeqi në botë. Mendoni vetë: u burgos tri herë për disidencën e tij të padiskutueshme (mos duhet ta vrisnin që të besohej përfundimisht?). Po edhe ata që vdiqën nuk fituan asgjë. Lërini, ju lutem, të flenë të qetë të mëdhenjtë. Kush tha që ndodhën ndryshime radikale? Aspak. Ata që ishin janë, po ndryshoi teksti. Do të thuhen gjëra të tjera, vetëm kaq. Pak mjegull here pas here bën mirë, ngrini mjegull, ngrini mjegull, qartësia veç zbulon tradhtinë. Sa nopran ky Kasemi, s’bën që s’bën sikur, nuk i pëlqen kjo fjalë mashtruese, sikur, dhe vuan, vjen të dalë në ekranin e vogël në orët e vona kur se dëgjon njeri. Po a shkon disidenca dhe në demokraci? Sikur s’vete. Se erdhi goxha demokraci, pleshtat u hanë kokat luanëve, ç’festë! Këto i di të gjitha Kasem Trebeshina, i ka hedhur  nëpër dorëshkrimet mal dhe ju e keni të qartë se kur i ka shkruar ato, i gjori, në vitet ’50-’60. Gjithmonë e kanë shtyrë të ziun, shty e shty gjer në kalendat greke. Atje është ende, në kalendat greke, prandaj duket kaq nervoz, absurd, sureal, me një kremastar, që pret të varet diçka në të, atje te froni ku do të ulet pas pak ai. Një shkrimtar i madh i burgosur tri herë nga komunizmi, që demokracia nuk ia boton kurrsesi dorëshkrimet. Nuk e vë ujët në zjarr për të. Se ai kokëfortë nuk i shkruan një letër kortezie Presidentit, ta quajë, bie fjala, Linkoln a Washington, ndoshta më mirë, ta shpallë Skenderbe, se është më e kollajshme për veshin e turmës, ai nuk di të falenderojë, të shkruajë për shembull, faleminderit që po më rezervoni kohën tuaj të çmuar për të lexuar letrën time, sinqerisht ju kërkoj ndjesë, po ai ditëzi, bën analiza diabolike se si do të bjerë presidenti nga pushteti me duart të zhytura në gjak. Po a bëhen këto thagma për presidentët e demokracisë? Ka zëra që ai është i çmendur. Jo, jo deri këtu, se bie në mëkat, thonë disa të tjerë. S’kanë faj, demokracia s’u fitua, po u dha. Prandaj duhet përdorur gjuha e kompromisit. Po ai kokëmushkë s’dëgjon nga ai vesh.

Shkrimtari Kasem Trebeshina
Shkrimtari Kasem Trebeshina

Kam qenë në shtëpinë e Kasem Trebeshinës. Një apartament i thjeshtë te ish blloku “Puna”, afër kinema “Dajtit”. Na priti vetëm. Sapo ishte kthyer nga Franca. Na tundi para syve një letër: “Këtu janë 100 mijë dollarë, të akorduar nga Franca për të vënë në skenën e Teatrit Kombëtar një dramë timen dhe dy të Sartrit. Unë u thashë se në Shqipëri s’ka teatër. Nuk pranova. Pse të pranoja, zotëri, në vendin tim nuk më njohin, më injorojnë. Isha në Austri, më mbajtën si shkrimtar të lirë me paratë e tyre, më botuan në gjermanisht Odin Moldvalsen-in me titullin; “Një gomar në Mars”, në Turqi më ofruan azil politik, në Zvicër, gjithashtu, kudo u kam thënë se nuk jam shqiptar. Pse të jem shqiptar? Këtu jo vetëm që s’të quajnë shkrimtar, po të lënë të vdesësh për bukën e gojës. Më kanë quajtur shkrimtarin më të madh disident të Europës Lindore. Kjo s’më ngroh. Kujtojnë se më bëjnë qejfin. Edhe Evropa është e plakur si ato nënolet që pinë çaj në kopsht. Unë kam thënë gjithmonë mendimin tim, u ka pëlqyer, s’u ka pëlqyer të tjerëve. E kam shprehur. Nuk kam menduar tjetër e kam thënë tjetër. Për këtë luftova në luftë. Kam qenë me ushtrinë çlirimtare. Ne s’luftuam vetëm për gjeografinë dhe anatominë, po në radhë të parë për demokracinë e mendimit. Këtu u zhgënjeva. Ne kishim luftuar për të mëdhenjtë, matrapazët e luftës që të merrnin fronin, jo për popullin. Luftrat janë bërë nga populli, po jo për popullin. Nuk e mbylla gojën para këtij fakti, se isha i zhgënjyer, tmerrësisht i zhgënjyer. Edhe Evropa nuk më kuptoi, ajo nënola e ëmbël që pi çaj, më ofroi ngrohtësi, para, prehje, po nuk më kuptoi. Kur s’të kuptojnë, je në vend të huaj. Unë jam i huaj. Ju keni të bëni me një të huaj dhe unë kam të bëj me të huaj. Gjer këtu ka arritur demokracia. Ju më pyesni nëse e kam patur të vështirë dhe si kam shkruar kaq shumë. Zotërinj, matrapazët fituan paqen, unë vazhdova luftën. Isha dhe jam ne luftë. Do të vdes në luftë. Kam shkruar vërtet shumë, po kjo s’më intereson, se po spekullohet shumë me mua. Merren me disidencën dhe sasinë e pabesueshme të veprave të Kasem Trebeshinës. Ata le të bëjnë të tyren, unë bëj timen. Unë jam një nënë, lind dhe mbroj. Si çdo nënë i drejtohem instinktit bazë. I përktheja veprat në anglisht dhe i shpërndaja nëpër miq e kushurinj. Disa vepra që ndodhen në arkivat e Ministrisë së  Brendshme janë në anglisht. Unë bëja një letërsi tjetër. Kundër rrymës. Po isha me kohën. Vetëm se më vonohej publikimi. Ju e dini çdo të thotë dalja e veprës në kohën e vet. Këtë shans e humba. Romane të viteve 50 presin vitin 2020 që të botohen, kur Shqipëria të hyjë në Europë. Edhe atëherë s’dihet. Po vepra e vërtetë reziston. Kjo më mban. E di këtë fakt. Nuk është profeci. Unë do të lexohem. Sot më ndalojnë. Nuk duan. Nuk e duan Kasem Trebeshinën. Pse nuk e duan, gjejeni vetë.”
Sa nervoz që ishte ai njeri, sa Kasem! O zot, uji merr formën e enës, ai ishte ujë, po uji i një kohe ekstreme: i shtërngatës. Ujë shtërngate që s’njeh enë, brigje, po merr ç’gjen përpara, rrënon, rropos, shkatërron ç’i del udhës. Kjo ishte si të profetizoje, ftohtë, gati pa shpirt, pa t’u dridhur qerpiku; (me ndjeftë zoti!) vdis Kasem, të të njihet vepra!
Po ai s’vdes, që të dëshmojë se ende s’ka ardhur demokracia.
Këto më kujtoheshin duke parë në ekran Zerinën e bukur dhe kremastarin e çuditshëm.

Kasem Trebeshina Vepra Monumentale - Kenga shqiptare 5
Kasem Trebeshina Vepra Monumentale – Kenga shqiptare 5

Më në fund Kasem Trebeshina u shfaq dhe unë isha gati të duartrokisja. Ai ishte mjeshtër i grafikës morbite dramaturgjike, i asaj kuçke, që s’i jepet kujtdo. Po veçse, ajo ishte robinë e tij dhe i nënshtrohej sa herë t’i tekej. Nuk u ul në fron. Bëri gjestin. Një gjest familjar, që s’e kishte vendin aty. U krijua një nonsens e parodi e vogël, që s’u përcaktua, veç bëri spikamë e aq. Kasemi hoqi xhaketën dhe e vari në kremastar. Tha: “Të gjithë me mbajnë për disident. Disidenca ime është kjo xhaketë. Kush të dojë le të vijë ta marrë. Qysh sot nuk më duhet më. Zotërinj, mos e harroni, unë jam shkrimtar, po jua përsëris, unë jam shkrimtar. Këtë s’e jap si një xhaketë, sepse e dua për vete. Pastaj u ul në fron. U drejtua nga ne që po shikonim si guakë. Tha sërish i qetë: (të mëdhenjtë flinin për shtatë palë qejfe, shikonin ëndërra botërore ) “Shqiptarët janë patriotë të mëdhenj, unë ju them të mos jenë patriotë…” Shyqyr që flinin të mëdhenjtë se do t’u binte infarkt nga këto fjalë të tmerrshme. Ah, Zerina, ç’bëre që e ftove armikun e komunizmit dhe të demokracisë, i le pa gjumë shqiptarët e ndjeshëm që s’të falin për këtë fjalë të shenjtë. E merrja me mend, se matanë, në ambjentet e televizionit, bëhej nami. Kasemi vazhdoi: “Jemi i vetmi popull që e do shkrimtarin me pendë dhe me pushkë, me kartë dhe me pallë. Po pse, xhanëm, nuk mund të jetë vetëm shkrimtar, ai i gjorë? Ky mentalitet tribal vazhdon. Mua sot më përmendin disidencën dhe kinse më mohojnë si shkrimtar. Ja ku e keni disidencën, ejani merreni, kujt i intereson, ju pres gjer në fund të emisionit. Ejani merreni, zotërinj, është juaja kjo xhaketë.”
Ah, kjo drama, si ta ndrydh zemrën, kur atë e përdor një mjeshtër. Ja, u ngrit kurthi i një suspensi te dytë. Do të presim ç’do të ndodhë me xhaketën. Pritëm e pritëm, po atë nuk erdhi ta merrte njeri. Gjynah, goxha xhaketë! Po as Kasem Trebeshina shkrimtar nuk u shpall! Nuk duan. Jo unë e ti, po të mëdhenjtë që flenë.
Sa shumë shkrimtarë të mëdhenj ka sot Shqipëria. Lum si ky vend i vogël! Ik, ik, ik, i vetmi zë i frikshëm që dëgjohet për shkrimtarët, ik, ik, se s’më duheni më, o ngatërrestarë të mallkuar, o mosmirenjohës, o tradhtarë, jeni shtuar shumë, si qentë bastardë…ik, ik..
Dhe Kasem Trebeshina bredh nëpër Europë dhe pi çaj në kopsht.
New York, 1 Prill 2016
Marrë nga http://klarabudapost.com/kasem-trebeshina-pi-caj-ne-kopsht

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.