back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kasem Trebeshina – nis të 88 vit të jetës… Jozef Radi

Gazeta

Kasem Trebeshina (2004)
Kasem Trebeshina (2004)

Kasem Trebeshina – nis të 88 vit të jetës… Jozef Radi 

Prej nesër… Kasem Trebeshina nis të 88 vit të jetës…
Nji heshtje që vjen nga kohra dhe njerëz, një heshtje që vjen nga institucione dhe të ashtuquajtura figura të lirisë dhe demokracisë… nji heshtje që bëhet edhe më shurdhane dhe më e frikshme sepse vjen prej injorancës sonë që lodhemi aq lehtë prej së  vërtetës, prej mospasjes konsideratë ndaj atyre intelektualëve që marrin mbi shpatulla peshën morale të shoqërisë, nji prej të cilëve asht padiskutim stoiku Kasem Trebeshina…
Në kët rrafshnaltë të heshtjes… edhe vetë Kasem Trebeshina hesht… Po ai hesht ndryshe… hesht si patriark i shpërfilljes… dhe ajo heshtja e tij solemne ka veç dy fjalë të pathëna… asgja ma shumë: “S’më meritoni!”
Hesht ky Njeri me emrin e nji Mali… hesht ashtu siç kanë heshtur ndër kohra edhe Homeri, edhe Eskili, edhe Sokrati, edhe Dantja, edhe Hygoi, edhe Fishta siç kanë heshtuar të gjithë ata që luftuan në emër të nji ideali të madh njerëzor e që ndoshta s’u kuptuan nga koha e tyre, por që në vetminë e tyre fianike ishin të sigurt se kohrat s’kanë “çajre” pa u vërdallë rreth veprës dhe emnit të tyre...
Kasem Trebeshina prej nesër nis të 88 vit të Heshtjes…
I urojmë të jetojë aq vite sa tua lexojë Legjendën e Tij stërnipave…

7 gusht 2013

Kasem Trebeshina 2004
Kasem Trebeshina 2004

Promemoria që Kasem Trebeshina i ka drejtuar Diktatorit

“…Le të hedhim një vështrim të kujdesshëm në përmbajtjen e letërsisë së realizmit socialist, bile më të mirës. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq, një i reformuar! Herojtë e kohës janë gjithmonë komunistë. Ata shfaqen në faqet e librave dhe skenat e teatrove thjesht për të recituar monologje heroike!
Le ta hedhim vështrimin mbrapa në histori dhe të shohim si ishin gjërat në kohën e Luigjit XIV. Çdo gjë ishte qartësisht e ndarë. Mbretërit dhe princat i kishin ngulitë rolet e tyre në veprat më të mira. Ata shfaqeshin vetëm në tragjedi, nsa populli i thjeshtë, çdokush që ishte më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishte vendin në komedi. Ata ishin objekt argëtimi, talljeje dhe fyerjeje të çdo lloji. A do ta pranojmë ne që një gjë e tillë të ndodhë në shekullin e njëzet dhe në një shoqëri që mëton të jetë socialiste?
Nga më sipër, është e qartë se realizmi socialist është i lidhur drejtpërdrejt me idetë e absolutizmit francez, si në teori, ashtu edhe në praktikë…
Lidhja e Shkrimtarëve vetë është e ndërtuar si një urdhër murgjësh mesjetarë. Në krye t’urdhërit është Mjeshtri i Madh dhe çdokush është i detyruar ta dëgjojë gjithë veshë për sa kohë që kryen funksionin e Mjeshtrit të Madh. A s’e kuptoni se shpërndarja e ‘funksioneve’ dhe ‘privilegjeve’ në këtë mënyrë është mesjetare?
Le t’i shqyrtojmë veprimet tuaja në pak vitet e shkuara. Ju vendosët në Komitetin Qendror që Kolë Jakova duhej t’ishte shkrimtar i madh dhe secili poshtë jush e miratoi vendimin tuaj. Kritikët e shpallën Halili dhe Hajria vepër të madhe arti! Mandej ju ra në sy Dhimitër S. Shuteriqi, që e bëtë kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve, e kështu me radhë.
Por le ta tejkalojmë këtë pikë. Shkrimtarët janë qytetarë me të njëjtat të drejta si çdokush tjetër dhe nuk është e drejtë t’i nënshtrosh ndaj një censure të tillë shtërnguese dhe të paligjshme. Nëse për ndonjë arsye ju këmbëngulni se duhet pasë censurë, atëherë le t’institucionalizohet dhe secili t’i nënshtrohet funksionit të saj. Atëherë do ta dimë se ku duhet të japim llogari dhe nuk do të na duhet të shqetësohemi nga zyrtarë të pazot partiakë që vijnë dhe i mbivendosin mendimet e tyre të padëshiruara… Ju s’duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë sikur t’ishte thjesht një zgjatim i zinxhirit t’organizatave të themeluara nga Partia e Punës e Shqipërisë. Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë individësh të lirë dhe jo pjesë e një shoqërie feudale në të cilën të drejtat dhe detyrimet feudale bëjnë ligjin.
Sa i përket të drejtave dhe detyrimeve, do të doja t’ju jepja një shembull të diçkaje që nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë. Dihet mirë se romani im ‘Rinia e kohës sonë’ u shkrua më 1948, dhe që një roman tjetër, ‘Mbarimi i një mbretërie’ u shkrua më 1951. Nuk duhet harruar as që romani ‘Harbutët’ i Sterjo Spasses u shkrua më 1946! Atëherë, pse e tërhoqi kaq shumë vëmendjen Partia dhe i ndaloi këto vepra të hershme dhe i dha Dhimitër S. Shutëriqit kohë më 1952 për të shkruar romanin e tij të pavlerë ‘Çlirimtarët’? Pse e botoi Partia këtë roman me një zhurmë kaq shurdhuese? Pse mobilizoi ajo krejt kalorësit e saj feudalë të kriticizmit për ta shpallë atë si romani i parë në gjuhën shqipe? Dhe jo vetëm romani i parë, por një roman i madh i letërsisë shqiptare, megjithëse dihet mirë që romanet në gjuhën shqipe u shkruan në këtë vend shumë më herët! A është me dinjitet për një parti të tërë dhe zyrtarët e saj të lartë të përfshihen në veprimtari të tilla?
Historia ka ligjet e veta të pashkruara dhe s’ia ka dhënë ndokujt të drejtën të bëjë çfarë të dojë me artin.
Bile as Luigji XIV s’e kishte një të drejtë të tillë. Veprimtaritë me themel në një ngrehinë feudale nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe duhet t’u jepen fund. Ju duhet t’i varrosni Epokat e Errëta dhe të ktheheni në Shekullin e Njëzet n’emër t’idealeve për të cilat u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjëra të shenjta…
Unë besoj që shkatërrimi më i madh që do të ndodhë, do të jetë në jetën intelektuale shqiptare. Njerëzit do të humbin besimin te shteti e drejtimi i tij dhe do të mbyllen në vetvete. Dhe me qëllim të mbajtjes së tyre nën kontroll, do të lindë nevoja të krijohet një polici shtetërore e egër. Ky do të jetë vetëm fillimi.
Ju duhet ta braktisni rrugën e Luigjit XIV të Versajës sa më shpejt e mundur dhe të ndaloni t’i shtypni mendimet, bile edhe brenda rradhëve të Partisë. Nuk është çështja e fëmijëve të vobegët rrugëve; është ajo e shtypjes së mendimeve që po bëhet e rregullt dhe që, në fund, do t’i japë rrugë lindjes së një monarkie të re. Nëse gjërat shkojnë aq larg, do të ketë varfëri të tmerrshme dhe vetëm mbretërimi i terrorit të pashembullt do t’ju mundësojë të rrini në pushtet. Një regjim i tillë do të jetë bile më i rrezikshëm për vetveten.
Shuarja dhe tërheqja e mbështetjes popullore do t’i tronditë radhët e udhëheqjes, gjithashtu, që dalëngadalë do të shndërrohet në një kastë të mbyllur si një monarki që s’i kupton realitetet historike të shekullit të njëzet. Në fund të procesit historik do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe njerëzit do njollosen me gjak. Unë besoj se ende ka mjaft kohë për të shmangë një gjëmë të tillë dhe për këtë kuturisa t’ju dërgoj këtë përkujtesë, shkruar me kaq ngut…”
5 Tetor 1953 (pjese nga Promemoria)

Kasem Trebeshina, Albanian writer
Kasem Trebeshina, Albanian writer

Aktakuza për dënimin e Kasem Trebeshinës 16 prill 1980

Më 16 prill 1980 në Gjykatën e Rrethit Tiranë thuhet:
“I pandehuri Kasëm Trebeshina, i armiqësuar prej kohësh me pushtetin popullor, megjithëse i dënuar një herë si armik, përsëri ka konservuar në vetvete pikëpamjet e tij antishtetërore dhe antikombëtare dhe vazhdimisht i ka shfaqur ato verbalist dhe në shkrimet e tij letrare reaksionare… Ky i pandehur del armik i betuar i pushtetit popullor dhe, si i tillë, nuk ka lënë rast pa shfryrë urrejtjen ndaj Diktaturës së Proletariatit, organeve shtetërore e politike të shtetit, ndërtimit të socializmit, udhëheqjes së partisë e të shtetit… Ai arrin sa të njësohet me pikëpamjet pseudofilozofike të kozmopolitikës, duke mohuar kombin dhe atdheun e tij… Në tregimin e shkruar në anglisht ‘Një ditë në një luftë të çuditshme’, ai thotë: ‘Në fillim kur ai filloi aktivitetin e tij në rezistencën kombëtare, gjithçka që bëri i solli atij gëzim, …por më vonë, sipas të pandehurit, kur lufta shtronte detyra të reja për të arritur fitoren… ajo u bë një luftë e ndyrë civile, sikurse ishte në të vërtetë…’ Nga ky vlerësim që i bën i pandehuri Luftës Nacionalçlirimtare… tregon konsekuencën e tij si armik i pushtetit popullor dhe i kombit shqiptar… Nëpërmjet shkrimeve të tij antishoqërore atakon vijën politike të partisë, organet shtetërore, diktaturën e proletariatit, sistemin e zgjedhjeve demokratike, letërsinë e realizimit socialist… Ai shpreh hapur, pa dorashka, pikëpamjet e tij armiqësore kundër pushtetit popullor e udhëheqjes së partisë… Në komedinë ‘Rokoko’… nisur nga qëllimi për të diskretituar vijën politike të partisë, socializmin, nxin realitetin si në aspektin politik, ekonomik dhe moral dhe arrin derisa RP e Shqipërisë ta quajë ‘mbretëri popullore’, nëpunësit e shtetit ‘shërbëtorë të mbretit’, punonjësit e aparatit të partisë dhe shtetit ‘instruktorë të oficershëm’, dekoratat, urdhrat, titujt dhe medaljet, ‘teneqe të mbretërisë’… Pikërisht se ka mendime të tilla, i pandehuri, në datën 11 mars, i ka dërguar udhëheqësit të Partisë një letër armiqësore, ku midis të tjerave, thuhet: ‘…do të tërhiqem përfundimisht nga jeta e vendit, duke filluar që nga braktisja e zgjedhjeve të 20 prillit…’. Është shprehur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, se në këtë pushtet ka padrejtësi. Te komedia absurde ‘Gjyqi’, me pikëpamjet e tij ultra-reaksionare, paraqet mendimin e tij armiqësor kundër udhëheqjes së partisë dhe i ngre himn imoralitetit… me personazhet e tij ai kërkon përmbysjen e botës (d.m.th të shoqërisë). Te komedia ‘Muzeu’ fut përfaqësues të epokave të ndryshme shoqërore, personazhe të përfaqësuar nga statuja, piktura e mumie dhe realisht sjell qëndrimin e tij ndaj shoqërisë… Ai shkruan: ‘…po, po nuk ka libra më të bukur e më të vlefshëm se ata! E lexon librin, e kupton mirë dhe ‘fap’ kurdis mbretërinë me meteoritë! Po të lutem shumë, mos ia vër emrin mbretëri! Do ta quash ashtu? Paç veten më qafë! Po pse bre, ta bësh atë gabim kur ke në dorë ta quash republikë dhe t’i shtrosh të gjithë në hu dhe të thërrasin: Rroftë Republika, Rroftë mbreti i Republikës…’
Qëndrimin më të hapur armiqësor i pandehuri e ka mbajtur me shkrimin e tij në anglisht e sidomos te ‘Gjeneralët e shpirtrave të vdekur’, ku shfaqet urrejtja e tij armiqësore kundër partisë e udhëheqjes së saj, letërsisë dhe realizmit socialist…”
16 prill 1980

Libri Shkolla e Disidences dhe Trebeshina
Libri Shkolla e Disidences dhe Trebeshina

Ekspertiza e LSHA për veprat e Trebeshinës, 4 qershor 1980

Dërguar hetuesisë së Tiranës më 4 qershor 1980
“Sipas kërkesës suaj për ekspertimin e dorëshkrimeve të të pandehurit Kasëm Trebeshina, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ngarkoi një grup shkrimtarësh dhe kritikësh. Shkrimtarët… konfirmuan mendimin me njëri-tjetrin dhe arritën në përfundimin:
1.Dorëshkrimet e Kasëm Trebeshinës në gjini të ndryshme; dramë, prozë e poezi, të marra së bashku e veç e veç, jo vetëm që nuk i përkasin metodës së realizimit socialist, por janë në kundërshtim të hapur me të. Ato u takojnë rrymave reaksionare dhe karakterizohen nga qëndrimi armiqësor ndaj botëkuptimit marksist-leninist, socializmit dhe vendit tonë… Në këto shkrime të turbullta dhe eklektike për nga mënyra e të hartuarit, zë vend dekadenca e tij, një simbolikë subjektiviste dhe reaksionare, një konvencionalizëm që lind nga nevoja për të fshehur idetë dhe qëndrimet e hapura politike, por që prapëseprapë dalin të qarta. Ka krijime me kriminalizëm të theksuar, me përshkrime vulgare natyraliste.
2.Alegoria, grotesku, forma simbolike, abstragimi i vazhdueshëm, subjektet jashtë kohës dhe hapësirës… janë bërë me qëllim për të kamufluar qëndrimet direkte antisocialiste dhe antishqiptare. Autori hedh baltë mbi realitetin tonë, mundohet ta nxijë atë me qëllim, të shprehë pesimizëm të pafund dhe urrejtje për gjithçka që e rrethon. Kuptohet qartë nga aludimet e tij se ai është në kundërshtim të hapur me pushtetin popullor, me format shtetërore të tij: shpif në mënyrë të paturpshme ndaj tyre. Luftën e klasave që zhvillohet te ne, si një ligjësi shoqërore, ai e shtrembëron në mënyrë flagrante dhe mundohet ta paraqesë si “tirani”… kështu e shikon ai jetën tonë, organizimin shtetëror, zgjedhjet etj.,… me të cilat mundohet të bëjë ironi fatkeqe…
3.Përveç qëndrimit politik, pikëpamjeve filozofike të çoroditura, po reaksionare në thelb, sipas të cilave njeriu është shtazëruar dhe nuk ka dallim mes tij kafshëve etj., Kasëm Trebeshina ka një pozicion amoral në shkrimet e tij, flet për dashuri inceste, për një imoralitet të përgjithshëm të shoqërisë… Ai flet për hije… për ëndrra të shuara dhe pa shpresë, pra, gjithë këto dhe të tjera që analizohen në ekspertimet e veçanta, e kanë burimin te qëndrimi armiqësor, shpifës e provokues i Kasëm Trebeshinës. Parullat e tij përputhen me atë të reaksionit botëror kundër vendit tonë, kundër marksizëm-leninizmit dhe revolucionit”.
4 qershor 1980
Për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të RP Shqipërisë, firma e Dalan Shapllos

Hans-Joachim Lanksch
Hans-Joachim Lanksch

Kasëm Trebeshina, përherë i pakorrigjueshëm!

Hans-Joachim Lanksch

Në kohën e përmbysjes së vlerave letrare dhe njerëzore, gjatë diktaturës pra, Kasëm Trebeshina ka qënë një institucion moral. Tashti, ai nuk ka nevojë të trillojë gënjeshtra të tipit… “gjysma e librave të mia kanë qenë të ndaluara!” sepse gjithë librat e tij kanë qenë të ndaluar. Dhe, librat e tij kanë qenë të ndaluar me të vërtetë.
Trebeshina nuk është nga ata që rrinë sot gju me gju me ata që i shanin dje dhe që i shajnë sot ata me të cilët rrinin dje gju me gju.
Nëse do të ishte fjala për Kasëm Trebeshinën vetëm si anti-kameleon, antipod i shkrimtarisë oborrtare dhe luftëtar i pavarësisë intelektuale dhe morale, ai do të ishte një figurë e adhurueshme dhe ndoshta jo më shumë. Ndoshta nuk do të zinte një vend të spikatur në historinë e letërsisë shqiptare. Dihet se puthjet e para djaloshin s’e bëjnë poet dhe burgjet s’e bëjnë burrin shkrimtar.
Shikimi i veprës së Kasëm Trebeshinës s’e kërkon pretekstin e gërmimit për çfarëdo nëntekstesh të veprës së tij. Vepra e tij mund të lexohet e të shijohet, si tekst që është. Në të shkruarit e bashkëkohësve të Trebeshinës nuk e gjejmë origjinalitetin formal dhe përmbajtësor që e gjejmë sa të duash në veprën e të papërkulshmit beratas. Trebeshina e liroi letërsine shqiptare nga burokracia e stereotipikes së poetikës së të “tipikes”. Ai e liroi letërsinë shqiptare nga monotonia e procedeut mekanik të formës e të narracionit steril të pendave socrealiste. E liroi letërsinë shqiptare nga primati i përmbajtjes sipas të cilit letërsia shqiptare gjykohej dhe gjykohet në bazë të përmbajtjes “së drejtë” politiko-ideologjike. E liroi letërsinë shqiptare nga parimi i mërzitshëm i homogjenitetit duke ia risjellë letërsisë kreativitetin, imagjinatën e pasur që letërsinë e bën letërsi. Balancimi i autorit tonë me rrafshet e kohës e të vendit (hapësirës), gërshetimi i reales me irrealen – këto janë pika ribashkimi me letërsinë europiane.
Më së miri punët le t’i përcaktojë vetë Trebeshina me fjalët e një interviste, botuar në revistën gjermane “Neue Sirene” më 1995: “Unë mendoj se letërsia është një udhëtim drejt së panjohurës për të zbuluar botën e brëndshme të njeriut. Po të shprehesha në mënyrë më simbolike, do të thosha se letërsia është një udhëtim për të zbuluar hapësirat më të panjohura dhe çdo shkrimtar që është me të vërtetë i tillë, zbulon jetë të reja, të veçanta në pafundësinë e tmerrshme që nuk mund të njihet. Në këtë udhëtim rëndësi nuk ka zbulimi, por dëshira për të zbuluar, duke kërkuar të pamundurën. Ajo dëshirë duhet të jetë e sinqertë dhe në atë sinqeritet qëndron vlera e krijimtarisë…”
Pas këtyre fjalëve të Kasëm Trebeshinës, neve na mbetet vetëm edhe një fjalë: Amin!
19.02.2003

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

Kasëm Trebeshina, profet!

Robert Elsie (1992)

Më 1953, një nga shkrimtarët më të shprehur të Shqipërisë e paralajmëroi Enver Hoxhën duke i thënë se po e çon vendin drejt një rruge të pakthyeshme shkatërrimi. Kjo i kushtoi atij 23 vjet në burg. Sot, ai është një nga të paktët të mbijetuar që nxorën krye nga kampet e përqendrimit prej rënies së diktaturës.
Ndër më të shquarit e figurave të njohura të pak viteve të hershme të letërsisë shqiptare të pasluftës, Kasem Trebeshina lindi në Berat më 8 gusht 1926 dhe studioi në Shkollën Normale të Elbasanit derisa iu bashkua lëvizjes së qëndresës komuniste më 1942. Pas luftës studioi në Institutin e Teatrit Ostrovski në Leningrad. Komunist i përkushtuar, por aspak konformist, Trebeshina e braktisi Partinë dhe më vonë Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë.
Shumicën e veprave ai e kishte shkruar në tevonën e viteve ’40 dhe hershmërinë e viteve ’50, por që s’u botuan kurrë.
Me një veprim tejet të rrallë mospajtimi të hapur në jetën intelektuale shqiptare, Trebeshina i dërgoi një përkujtesë Enver Hoxhës, më 5 tetor 1953. E paralajmëroi se politikat e tij kulturore po e çonin vendin drejt rrugës së fatkeqësisë dhe e vuri në dijeni për pasojat e pashmangshme.
(Teksti i Promemories së Kasem Trebeshinës drejtuar Diktatorit)
Diktatori shqiptar nuk u zbavit. Kasëm Trebeshina, autori i pabotuar i 18 veprave në vargje, 42 dramave, 22 romaneve dhe tregimeve, u zhduk nga skena letrare. Trebeshina tash është rishfaqë për të dëshmuar përmbushjen e profecisë së tij.

Irhan Jubica
Irhan Jubica

Trebeshina, ironia e demokracisë Irhan Jubica

Kasëm Trebeshina, u lindi në Berat më 8 gusht 1926. Studioi për pak kohë në Shkollën Normale të Elbasanit, por më 1942 u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina i ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua krijimtarisë letrare. Në vitin 1961, boton poemën “Artani dhe Minja” dhe përkthen tre drama të Garcia Lorkës, të cilat u botuan pa emrin e tij.
Veprat e Trebeshinës nisën të botoheshin në fillimvitet ’90, kryesisht në Prishtinë e më vonë edhe në Tiranë. Në Kosovë, Trebeshina ka botuar: “Stina e stinëve“, 1991; “Mekami, melodi turke“, 1994; “Histori e atyre që nuk janë“, 1995 ndërsa në Shqipëri: “Legjenda e asaj që iku“, 1992; “Koha tani, vendi këtu“, 1992; “Qezari niset për në luftë“, 1993; “Rruga e Golgotës“, 1993; “Lirika dhe satirë“ 1994: “Hijet e shekujve“, 1996; “Ëndrra dhe hije“; 1996, “Këngë shqiptare“, etj. Romani pesëvëllimësh “Këngë shqiptare” konsiderohet si një ndër prozat më të gjata të letërsisë shqipe. Si dramaturg, Trebeshina ka shkruar mbi 70 drama, por vetëm pak prej tyre janë vënë në skenat shqiptare (“Muzeu“), dhe fare pak në Francë e gjetkë. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 23 vëllime me poezi, 62 pjesë teatrore, shumë e shumë romane, përmbledhje tregimesh, ese e vëzhgime, etj..
“Legjenda e asaj që iku”, është një ndër veprat më përfaqësuese të Kasëm Trebeshinës dhe që përfshin novelat “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina”. “Odin Mondvalsen” përbën një veçanti si përsa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit, sa është krahasuar me vepra të mjeshtërve të absurdit, si Beket, etj.. Ajo vepër duket sikur nuk ka lidhje me gjithë çka është shkruar në letërsinë shqipe.
Trebeshina, censurimi vazhdon
Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në rininë e hershme, Trebeshina nuk u pajtua me politikën moniste të kreut të partisë komuniste ku edhe vetë bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht për drejtimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje për Enver Hoxhën”, e 5 tetorit 1953, denoncoi vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e realizmit socialist të cilin Trebeshina e identifikon me censurën më të çuditshme.
“Kasëm Trebeshina, profet” e quan Robert Elsie në një artikull të ‘92-shit prozatorin, dramaturgun dhe poetin e sapokthyer në jetë, sepse Trebeshina kundërshtoi që në zanafillë realizmin socialist pasojat e të cilit i kishte parashikuar bashkë me burgosjen e poetëve e shkrimtarëve.
Në fillim të viteve ‘50-të, Trebeshina shkruante ndryshe nga veprat që botoheshin në atë kohë. Thellësia ideore e veprave të tij dhe temat tabu lidhen me talentin e autorit që bën letërsi pa pyetur për pasojat. Edhe pse persekutimet e herëpashershme i shkaktuan vuajte të gjata fizike, vepra e Trebeshinës, ndonëse s’u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash.
Për kritikën, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit, por atij vetë i pëlqen ta quajë realizëm simbolik. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende e pabotuar, si pasojë e një klime armiqësore, kërcënuese dhe censuruese që mbizotëron në qarqet botuese shqiptare (të pabotuara ose “me botim të shtyrë” që prej 10 vjetësh janë intervista, ese, novela e poezi, të zhdukura rregullisht nga pseudobotues të rinj e të vjetër), vendi i saj – pra i veprës së Trebeshinës në letërsinë e sotme shqipe mbetet ende i papërcaktuar përfundimisht.

Gazetarja Elsa Demo
Gazetarja Elsa Demo

Kasëm Trebeshina, mbi mistikën personale

Elsa Demo (sh)

Kasëm Trebeshina ka një rol primati në autoritetin dhe pavarësinë e shkrimtarit shqiptar. Ky rol vjen përmes kundërshtish e paradoksesh ku e gjen dhe fut veten Trebeshina individ, i cili në krye të herës kish qenë pjesë e një sistemi që i kish besuar dhe që në rrethanat politike dhe kulturore të pasluftës së Dytë Botërore, i kundërvihet dhe e refuzon.
Shkëputja e Trebeshinës nuk ka një moment dhe as një motiv të vetëm, sepse ndodh përgjatë një procesi intensiv besimi dhe militimi komunist pesëmbëdhjetëvjeçar. E kur ka marrë pamjen e plotë për sytë e udhëheqësve të lartë të regjimit të ri, shkëputja i quhet akt ekstrem, i palogjikshëm, marrëzie.
Nuk është e tepruar të thuhet se mbas është humbja e besimit, ajo që u prin sjelljeve e vetëpërjashtimeve të njëpasnjëshme të Trebeshinës nga Partia, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe nga Shoqëria dhe ç’është më e rëndësishmja, nga lexuesi.
Në rastin “Trebeshina” studimet letrare janë akoma larg për t’i dhënë letërsisë ç’është e letërsisë dhe për t’i marrë biografisë aq sa mund të ndriçojë aspekte të veprës letrare.
08.08.2012

Abdullah Zeneli (Botues - Buzuku)
Abdullah Zeneli (Botues – Buzuku)

Njoha një nga kolosët e njerzimit: Kasem Trebeshinën!

Abdullah Zeneli

Botues i “Buzukut”, Prishtine. Më 1990 (viti që themelova Shtëpine Botuese!), me ndihmën e Martin Camajt, mësova për Kasem Trebeshinën! Më 1991, botova “Stina e stinëve” që shkëlqeu me plotkuptimin e fjalës. Do vazhdoja edhe me libra të tjerë, edhe pse ngadalë, se ishim në robëri ne në Kosovë dhe kishim në qafë edhe serbin, edhe kundërshtarët e mendimit të lirë në Shqipëri. Kur botova “Mekamin”, më 1994, Kadare, nga komoditeti parisien kërkonte publikisht të më digjeshin zyrat në Prishtinë (s’kishte nevojë këtë t’ia thoshte ustait Milosheviç…)…
Kasem Trebeshinën e kam botuar kur duhej botuar, por… ne ende nuk kemi demokracinë e dëshiruar, përderisa lejohet një veglurinë, si njëfare Bejko, të përdhosë disidentin më të madh shqiptar, apo personaliteteve si Kadare që ua zë diellin Kasemi, si dje, si sot, si nesër… Eh, nesër, nesër do jetë ndryshe! S’do jenë më ata që i bënë shërbim djallit! Jam shumë i lumtur që njoha (dhe botova) një nga kolosët e njerzimit: Kasem Trebeshinën!
29.06.2011

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926)

Për vlerat e Kasemit do të flasë koha…

Faruk Zarshati (dhëndri i tij)

Është e vërtetë që Kasem Trebeshina i kalon muajt e verës në Turqi, tek unë dhe e shoqja ime që ka nderin të jetë edhe bija e tij…
E njoha Kasemin në vitin 1970…
Punonte si puntor krahu në bonifikim… Atëhere isha njohur dhe me të bijën e tij, Tatjanën, me të cilën lidhëm jetën së bashku dhe po kalojmë këtu në Turqi një jetë të lumtur dhe të qetë… Por mua më shqetësojnë këto ndërhyrjet tuaja (disa persona që e kishin sulmuar ashpër) për të cilat ju me siguri merrni honorare nga “dikush” që i derdh paratë e atij populli të shkretë, që nuk pa dhe nuk po sheh një ditë të gëzuar për shkakun tuaj…!! Unë, nuk e kam origjinën shqiptare po e dua atë vend, sepse aty u rrita dhe kam kujtimet e mia të fëmijërisë dhe të rinisë, kam shokë dhe miq sa të duash, madje jam edhe stërnipi i Ismail Qemalit, sepse babai im ka qenë i biri i Hamdiut, Pasha i Perandorisë Otomane dhe i Ylvijes që ishte e bija e Ismail Qemalit)… Sepse në jemi njerëz të ndershëm dhe punëtorë… Për Kasemin janë thënë shumë gjëra të paqena, sidomos nga njëfarë S. Bejko, prapa të cilit fshihet me siguri Kadareja… Ju e mbroni dhe e mburrni Kadarenë, jo pse e doni atë, por se nëpërmjet tij mbroni vehten tuaj, mbroni atë sistem të ndyrë që ne e jetuam një gjysmë shekulli dhe tani po e jeton akoma populli i vuajtur shqiptar… Kasemi është një shkrimtar që e ka vlerësuar jo vetëm kritika shqiptare, por edhe ajo botërore… Një shkrimtar që e meriton Çmimin Nobel, por që shteti shqiptar dhe Lidhja famëkeqe e Shkrimtarëve nuk e ka rekomanduar asnjëherë dhe nuk do ta propozojë kurrë, sepse ai nuk është shkrimtar i realizmit socialist, nuk është si Kadareja: bir i privilegjuar i Enver Hoxhës, vetrinë e tij… Ai është vërtetë një “ikonë e teatrit” këtu, do të shtonja edhe i poezisë, edhe e romanit shqiptar…
Për jetën e Kasemit lexoni dy vepra të Nuri Dragoit, sepse aty del mirë se kush ka qenë dhe çfarë aktiviteti ka patur ai, kurse për vitet nga 1970 deri 2011, më pyesni mua se unë jam dëshmitar i jetës së tij dhe di fare mirë se çfarë vuajtjesh ka kaluar nëpër burgje e internime Kasemi, nga ai regjim i qelbur komunist, bij të të cilit jeni edhe ju (…përmend emra që janë pseudonime) që mundoheni të hidhni baltë mbi një figurë aq të pastër sa ç’është Kasemi nga Vinokashi i Përmetit... Tani Kasemi është 86 vjeç dhe po kalon një jetë të qetë dhe ne i urojmë gjithnjë atij dhe të shoqes së tij, që është vërtetë një heroinë sakrificash, Zydije Trebeshinës një jetë të gjatë me nipër dhe mbesa… Sa për vlerat e Kasemit ato do t’i thotë koha… Sepse asnjë shkrimtar nuk ka mbetur i mbuluar nga errësira e komunizmit… Këtu gjej rastin dhe të falendroj autoren e këtij shkrimi dinjitoz Elsa Demon si dhe tërë ata që e vlersojnë objektivisht Kasemin dhe në mënyrë të veçantë Hans-Joachim Lanksch-in, këtë kritik që e njeh aq mirë veprën e vjehrrin tim, Kasemin…
29.06.2011

 

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Jam shumë i vogël me folë për Kasem Trebeshinën. Ka moshën e babës s’em e mundem vetëm me i urue nji pleqni t’lumtun e në i pastë mbetë ende diçka me i shtue artit të tij, ta dijnë se na kena nevoje për të.
    Faleminders edhe ty Nini, për materialin që m’çove.

  2. Jozef! Ju faleminderit për linkun. Eshtë një mrekulli vepra e Kasem Trebeshinës dhe urim më të mirë për 88 vjetorin e lindjes së tij, se sa ky i juaji nuk mund të ketë. Edhe vlerësimi juaj nuk dallon nga ai i të tjerëve. Jetojmë në shoqërinë e të marrëve. Brezat që vijnë jo vetëm do e vlerësojnë ashtu siç e meriton, por edhe talenti dhe fillozofia e tij do ngrihet në piedestalin e vet, ashtu si ka ndodhur qysh nga lashtësia. Jetë të gjatë Kasem Trebeshina, që ne shqiptarëve na bën vetëm nder. Ata shqiptarë që kanë mbetur tek psikollogjia e diktatorit injorant Hoxha, nuk mund ta cënojnë dinjitetin e këtij shqiptari të madh e shkrimtari të talentuar.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.