back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Kasem Trebeshina shkruan Promemorie për Enver Hoxhën dhe Komitetit Qendror të P.P.Sh – 70 vjet më parë

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926-2017)
Kasem Trebeshina (1926-2017)

Kasem Trebeshina shkruan Promemorie për Enver Hoxhën

dhe Komitetit Qendror të P.P.Sh.

70 vjetori i një “promemorie” që nuk ekziston per komunistët..!!!

Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe më shumë akoma se ato nuk duhet të ndodhnin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuara nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar ideologjikisht dhe politikisht nga ju, në një mënyrë që nuk mund të pranohet se është socialiste.
Kështu, nga sa më sipër del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik lidhur me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji që nuk mund të diskutohet, kurse pamja tjetër paraqitet gjithashtu në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike, për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet ta pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrën më të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë ashtu edhe për ju personalisht, e vendosa që ta shkruaj këtë “Promemorie” dhe t’ua nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjes se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej një realiteti të ndërtuar në një mënyrë të tillë.

Kasem Trebeshina (1926-2017)
Kasem Trebeshina (1926-2017)
I.Problemi në shfaqjen e tij ideologjike

Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur “socialist”. Pa qenë nevoja që të jeshe shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se ose ekziston një “realizëm”, ose, që prej momentit që ai ka nevojë që t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare që në fillim të saj niset shtrembër dhe kuptohet çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.
Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet…! Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet… e kështu me radhë, një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet…!
Komunistët janë gjithnjë heronj të situtave, ata vijnë në faqet e librave ose në skenat e teatrove vetëm për të na recituar monologje me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë. Mbretërit dhe princat e kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tashti, a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Nga sa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e shkarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetarë të murgjve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një Urdhër Murgjish Mesjetarë. Në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përgjersa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”?
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre vjetëve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë vendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe…! Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret, e fiton Dhimitër S. Shuteriqi si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë!…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një censure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë censurë, atëherë ajo le të krijohet si një institucion dhe le t’i ushtrojë hapur fuksionet e saj. Kështu do të dinim kujt t’i përgjigjeshim dhe nuk do të na ngatërroheshin nëpër këmbë funksionarët e partisë që, megjithëse nuk janë kompetentë, vijnë e japin mendime aty ku nuk ua kërkojnë.
Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa e kuptuar, po ndërtoni një letërsi mesjetare, me koncepte mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen prapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha që të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet njëherë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike, nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind edhe nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes, merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!…
Shoqëria e Vjetër Greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë as kuptimin më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhyrjeve të ndryshme duhet t’u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrimtarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni duke u shtuar vështirësive reale në art vështirësi të tjera artificiale me anë të funksionarëve tuaj që njohin vetëm praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju, nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar Partia e Punës e Shqipërisë.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do të ju jap më poshtë një shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë.
Dihet se romani im “Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër “Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946…! Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër S. Shuteriqit, që të shkruajë më 1952, romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”?! Pse Partia ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumbetuar si romanin e parë në gjuhën shqipe…? Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të madh të Letërsisë Shqipe…! Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe…! A është e denjë që të merret një parti e tërë nëpërmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errta dhe të ktheheni në Shekullin e Njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta.

Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016
II.Problemi në shfaqjen e tij politike

Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençëm dhe i zoti të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyrë të pashmangshme tek pushteti njëdorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat duke ndërprerë të gjitha ato veprime organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prerë dhe të padiskutueshëm nga lart nuk është më një parti, por një repart kazerme. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur ta kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje vetëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit, që nga prokurori Nijazi Shehu që erdhi në fillim dhe gjer sekretari i Komitetit Qendror Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia. Atëherë si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje për të cilat nuk ishin fare të përgatitur.
Në një numër shumë të madh anëtarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë, bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje…! Megjithatë, duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhjen e Shkrimtarëve si “nënoficerë” dhe “oficerë” dhe na kujtojnë se jemi “ushtarë të partisë”!
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se në parti ka edhe nënoficerë…! Pastaj do të shkonim më larg, duke pranuar se ka oficerë… Duke shkuar edhe më larg ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe mbi të gjithë një kryegjeneral…!
Dhe çdo të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!… Dhe për këtë duhet të mendoheni ju që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjersa të arrihet që të mos ketë më asnjë mendim përveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht Kardinali Risheljë… dhe i shkatërroi me luftërat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë. Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet dhe, rrjedhimisht, do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe nga shtypja e mendimit edhe brenda radhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rrezikshëm për ju vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të udhëheqjes që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të Shekullit të Njëzetë.
Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua drejtoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t’i keqinterpretoni mendimet e mia,

Mbetem me respekt:
Kasëm Trebeshina
Tiranë, 5 tetor 1953

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.