back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kasem Trebeshinës, ose Kapitenit Achab, të cilit “nuk i kurseu gjë jeta”! nga Romeo Kodra

Gazeta

Kasem Trebeshina - Drama
Kasem Trebeshina – Drama

Kasem Trebeshinës, ose Kapitenit Achab,

të cilit “nuk i kurseu gjë jeta”!

nga Romeo Kodra

Në janar të këtij viti, herën e dytë dhe të fundit që vizitova shtëpinë “Trebeshina”, nuk arrita të takoja dot Kasemin. Ishte i mbyllur në dhomë i vetëm, për të përballur gjëmën e rradhës, prej nga, siç u kish thënë familjarëve, kishte vendosur të mos takonte njeri. Sipas N., sa stoike aq edhe e admirueshme edhe ajo për qëndrimin ndaj fatkeqësisë familjare, “pas kësaj gjëme, mund të thuhet, se Gjyshit [kështu e thërrisnin shkrimtarin familjarët] nuk i kurseu gjë jeta…”.
Prej sallës së pritjes imagjinoja Kasem Trebeshinën, ose atë ç’kish mbetur prej tij, një 90 vjeçar kockë e lëkurë, të mbyllur në dhomën e tij, të bardhë e pllakosur, njësh – si një Achab melville-ian – me Leviatanin e bardhë, në një betejë të fundit të një lufte delirante prej së cilës ka nxjerrë qindra tekste, të botuara e të pabotuara, manuale udhëzues për çdo intelektual, artist dhe njeri të së ardhmes.
E kam menduar shpesh herë frazën e N. – “Gjyshit nuk i kurseu gjë jeta!” – dhe e thënë prej saj, për të cilën, sipas hierarkisë së lidhjes së gjakut brenda familjes, fatkeqësia duhej të ishte më e madhe sesa për Gjyshin, por që gjithsesi mendjen e kishte edhe tek ai, më vjen si një epifani dyshtore.
Së pari, prej asaj fraze kuptoj se disa njerëz – si Kasem Trebeshina në këtë rast – krijojnë lidhje njerëzore, të cilat kalojnë hierarkitë shoqërore apo familjare, krijojnë lidhje më të forta, ku mirë+kuptimi i njëri-tjetrit është mbi të gjitha njerëzor, universal dhe vetëm më pas amësor, atëror apo prindëror; sepse këto të fundit duken si etiketa solide, fryte hierarkish shoqërore të padepërtueshme emocionalisht që shpesh rrezikojnë të mbyllin njerëzit në vetvete. Dhe çuditërisht, prej asaj vizite, m’u duk sikur dola më i ngushëlluar unë (dhe mikesha ime A. me të cilën kisha shkuar për ngushëllime) sesa të zot’t e shtëpisë që ndanin dhimbjen e tyre duke gjetur kohën për të dhënë dashuri dhe dhembshuri (nuk do të më harrohen A. dhe N. tek më jepnin këshilla për një shqetësim timin shëndetësor). Dhe mendoj se isha i çliruar dhe ngushëlluar pikërisht për këtë klimë njerëzore krijuar në atë shtëpi, që bënte gjithkënd të ndihej më shumë sesa në një familje. Ndoshta Trebeshinat as që e mendonin dhe e mendojnë një gjë të tillë; ndoshta kështu u vjen natyrshëm; ndoshta kështu është mënyra e tyre për të falenderuar për një përqafim të ndjerë në çaste kur fjalët nuk gjenden kollaj.
Së dyti, e kuptoj atë mbyllje të Kasem Trebeshinës, jo vetëm në atë dhomë të dhimbjes muaj më parë, jo vetëm në atë varrim të pa(ra)lajmëruar (kështu citoj një gazetë të djeshme), jo vetëm prej publikut shqiptar këto 27 vitet e fundit, por edhe si një trup kockë e lëkurë që nuk ka se ç’komunikon më. Marrëdhënia me të nuk i përket më të përbashkëtës (comune, latinisht) midis dy komunikuesish, që pasurohen intelektualisht dhe kuptohen personalisht nga marrja dhe dhënia e shkëmbyer.
.
Kasem Trebeshina (2004)
Kasem Trebeshina (2004) (foto j.radi)
Për mendimin tim, lidhja me Kasem Trebeshinën tashmë mund të bëhet vetëm nëpërmjet sintonizimit, nëpërmjet gjetjes së një tonaliteti të përbashkët me prodhimtarinë e tij, që është njëkohësisht dhe pandashmërisht intelektuale, artistike dhe njerëzore, me të cilën mund të gjejnë bashkëtingëllima, në koordinata kohore apo hapsinore të papërcaktueshme, pra të projektuara drejt universales, të gjithë ata që dëshirojnë.
Nuk besoj te rastësitë dhe e tillë nuk më duket që shkrimi i fundit i këtij blogu trajtonte një fragment kronikal të njohjes dhe eksperiencës sime me Mihal Luarasin, i cili u nda nga kjo jetë disa ditë para Kasem Trebeshinës. Nëse Luarasi u mundua të lërë një fjalë të fundit, ekstreme, pra të skajshme, por gjithsesi lineare, të komunikueshme, trashëgimia e Trebeshinës nuk na lë asgjë përveç fragmentimit të tij si subjekt dhe fragmentimit të fjalës së tij të tejskajshme, pra të pakuptueshme dhe të pakapshme, të frakturuar dhe shfarosur deri në farë, përtej çdo metafore, përtej horizontit të eventeve komunikative.
Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që Kasem Trebeshinën, për ta kuptuar, duhet pikësëpari kuptuar që i përket një rrace të veçantë qeniesh, shkrimtarësh (Melville, Joyce, Artaud), të cilët shkatërrojnë gjuhën për të riformuluar sërish brenda saj gjuhën e tyre të re. Trebeshina është një nga ata shkrimtarë që shkojnë përtej horizontit të eventeve të gjuhës sonë të përbashët, gjuhës amë dhe prej andej na sjellin atë ç’ka ne, në një moment të parë, nuk mund të kuptojmë, sepse risia e saj paraqet potenciale të reja gramatiko-sintaksore, me të cilat veshëve dhe mendjes sonë u duhet kohë që të sintetizohen. Le të shihen p.sh. shenjat e pikësimit te Trebeshina, pikëçuditëset, apo tre pikat pas pikëçuditëseve, me të cilat ne përdoruesit-konsumatorë të pavetëdijshëm të Facebook-u jemi mësuar tashmë duke i përdorur kuturu. Ç’duan të na thonë? Prej një leximi letrar asgjë. Prej një leximi teatror, gjithçka. Praktikisht, nëpërmjet leximit teatror, zbulojmë një botë mëvete, për kuptimin e së cilës shqipja zyrtare e 1972 nuk mund të na ndihmojë. Ndokujt mund t’i duket diçka e forcuar. Por nuk po shpik asgjë. Është prej takimit tim të parë me Trebeshinën që pata konfirmimin.

Thuajse një vit më parë, në takimin e vetëm me Kasem Trebeshinën, pasi kisha përdorur një tekst të tij – Tregtari i skeletëve – për të konceptuar, së bashku me punët artistike të Lori Lakos dhe Arbër Elezit, një platformë artistike për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Artit në Venecia, pyeta shkrimtarin nëse njihte Michail Bachtin-in dhe veprën e tij teorike mbi polifoninë. Pyetja vinte nga gjetja në një tekst të Trebeshinës së një pohimi të tij rreth krijimit si polifoni dhe vlerësimit që kishte dhënë në disa vepra të tij mbi rrëfenjat e kulturës popullore shqiptare. Përgjigjia ishte negative dhe u luhata disi për shkak se fillova të dyshoj mbi marrjen tjetër për tjetër të një koncepti tek i cili kisha bindje të plotë. Por duke i folur mbi veprën e Bachtin-it, që më vonë do kujtohesha që Kasemi nuk kishte si ta njihte sepse në periudhën e studimeve të shkrimtarit në Bashkimin Sovjetik, Bachtin ishte i ndaluar prej çensurës zhdanoviane, i përmenda veprën e parë të teoricianit rus mbi Rabelais-në, prej nga kishte fillesat edhe çështja e polifonisë. Aty për aty A. filloi të qeshte dhe shkrimtarit i lëvizi ana e buzës. A. më pohoi se Rabelais-ja ishte një lloj obsesioni i Gjyshit, pjesë prej të cilit u lexonte apo citonte përmendësh të bijëve që kur ishin fëmijë.

Nga shumëzërëshi popullor i Rabelais-së, tek shumëzërëshi social dostojevskian, ku shkrimtari rus – sipas Bachtin-it – pikërisht falë polifonisë kërkon të japë fragmentimin e shoqërisë së epokës ku jeton, me gjithë kontradiktat e saj, që do të sillnin më vonë Revolucionin, e deri tek teatri i Trebeshinës, hapi dhe bashkëbisedimi ishte i rrjedhshëm dhe natyrshëm.
Teksa flisnim mbi teatrin e Trebeshinës, apo konceptimin që ai vetë kishte mbi të, zbulova i emocionuar një tjetër koinçidencë me konceptin tonë që kishim propozuar për bienalen e Venecias, por edhe konceptimin tim të të bërit art në përgjithësi. Duke i folur mbi Stanislavkij-n, përkthimit të të cilit edhe ai i ndjente mungesën për të patur një Teatër Kombëtar dhe aktorë të alfabetizuar, dhe lidhjes së tij me Çehovin që kishte sjellë përveç revolucioni aktorial edhe atë të të shkruarit për teatër, Trebeshina, pasi i vura në dukje që edhe ai e kishte teatrore pjesën më të madhe të veprës së tij, bëri një saktësim: “mua nuk më intersonte të vija në skenë; më interesonte më shumë të krijoja nga e para”. Pra, sipas tij, “vënia në skenë” nuk perceptohej si “krijim” i mirëfilltë.
.
Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016 (nder fotot e fundit j. radi)
Nuk është ky vendi e as momenti për të renditur dallimet, e paproblematizuara prej kritikës në Shqipëri, midis kulturës si akt kultivimi dhe artit si akt krijimi, aq sa nuk është vendi e as momenti për të shpjeguar ndryshimin midis “shfaqjes” e “përshfaqjes”. Por të them të drejtën m’u duk sikur, nëpërmjet fjalëve të Trebeshinës, u risintonizova me puna e bërë me Alfred Trebickën dhe Rozi Kostanin në Fshirje 2: Një propozim modest, pjesa teatrore e frymëzuar prej Swift-it që kishim realizuar në 2015, ku aktorëve mundohesha t’u shpjegoja çfarë nënkuptoja me “ç’aktrim” apo “heqje nga skena” dhe se si të fragmentonin pathosin, që të mos mundësonin përfshirjen e publikut, të cilit në fund, nga njëra anë, do i jepej një tekst/monolog i apasionuar prej Trebickës dhe, nga tjetra, gjymtyrë/fragmente kukullash/fëmijësh të coptuar prej Kostanit, për spektatorë të ç’orjentuar/shastisur.
Natyrisht këto proçedura të fragmentimit të fjalës, nga pikëpamja gramatiko-sintaksore e kuptimore – për ta riformuluar sërish, në një formë të re, të papritur – mua më kanë ardhur prej leximeve dhe eksperiencës në fushën e teatrit apo artit (Artaud, Bene, etj.), ndërsa Trebeshinës i kanë ardhur prej jetës dhe etikës së të punuarit e të bërit ndershmërisht art në një vend ku aksesi në informacion ishte i kufizuar dhe çensuruar nga regjimi i djeshëm dhe i sotëm, në një mjedis me individë dhe institucione armiqësore, që e përdorën, spiunuan, njollosën dhe institucionalizuan në burgje e çmendina.
Por Kasem Trebeshina, falë fjalës së tij unike – me të cilën tashmë nuk mund të komunikojmë, por mundemi vetëm të sintonizohemi si intelektualë, si artistë dhe si njerëz nëpërmjet tingëllimës së thyerjes, fragmentimit të egove individuale që bashkëtingëllojnë universalisht me shkrimtarë dhe njerëz të ngjashëm me Trebeshinën – dëshmon se ai diti dhe do të vazhdojë të mbajë në distancë, pikërisht falë kësaj proçedure të përpiktë fragmentimi të lustrës egoistike të çdo statusi, të çdo lloj përdorimi abuzues foshnjarak për qëllime të veçanta, të pjesshme që duan të vlerësojnë herë artistin, herë intelektualin apo njeriun, veç e veç, sikur e gjithë ajo yjësi veprash të mos dëshmonte pazgjidhshmërinë e saj tek etika e të bërit art, e të qenit intelektual e njeri.

Se sa i pakorruptueshëm dhe i papërdorshëm është Trebeshina dhe fjala e tij mjafton që të përmend dy shembuj, duke cituar Edi Ramën, Kryeministrin aktual të Qeverisë shqiptare, dhe Mirela Kumbaron, Ministren aktuale të Kulturës, të cilët në fjalët e pakta të lamtumirës dedikuar shkrimtarit mundohen e kërkojnë jo të sintonizohen shpirtërisht dhe njerëzisht me shkrimtarin dhe njeriun Kasëm Trebeshina, ashtu siç mendojnë se e njohën, por të vihen në nivele dhe statuse intelektuale, artistike apo shoqërore/miqësore të supozuara të përbashkëta.

Më shumë sesa të lexoni, mundohuni njëkohësisht edhe të imagjinoni tingëllimën e zërave të shkruajtësve.
.
Rama - Kumbaro - Shehu... dhe Shtëpia e Gjetheve
Rama – Kumbaro – Shehu… dhe Shtëpia e Gjetheve

Edi Rama: “Lejomëni të ndaj me ju trishtimin për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës, një njeriu krejt të posaçëm, shqiptar kokëfortë si pakkush dhe i fortë si më të rrallët e këtij vendi në mbrojtje të lirisë e të ideve të veta, të cilin pata fatin ta njoh në kohën e ndërrimit të epokave, kur i thoshte të vërtetat e veta me mprehtësinë e një shpate të pathyeshme. Ndjesë dhe një ditë të mbarë të gjithëve”. (http://shqiptarja.com/kulture/2730/ndarja-nga-jeta-e-trebeshines-rama-ishte-kokeforte-si-pakkush-451330.html)

Le të vihet re sesa “bukur sintonizohet” dhe “bashkëtingëllon” me fjalët e teksteve të Trebeshinës ajo fraza e parë, një frazë e gatshme, që denoncon banalitetin dhe pabesueshmërinë e shkruesit/folësit; me sa “mprehtësi” prej halldupi është formuluar komplimenti për të vërtetat e Trebeshinës që i përkasin “kohës së ndërrimit të epokave” (tani jo, eh!?); me sa dinjitet larvor kërkohet një “ndjesë” pseudo-kriptike, të cilën vështirë se ka shqiptar që nuk e deshifron në prostituimin e artistit, intelektualit dhe njeriut Edi Rama për përfitime pushteti të politikanit Edi Rama.
Mirela Kumbaro: “E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin, por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar. Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës. Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë ne Paris në teatrin e Shkolles së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”. Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris. Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultaz veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng, të cilit ia njihte fort mirë historinë. Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë.” (http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/11/08/homazh-per-kasem-trebeshinen/)
Edhe në këtë rast, le të vihet re sesa “bukur sintonizohet dhe bashkëtingëllon” me fjalët e teksteve trebeshiniane ky shkrim i çjerrë prej shpirtit të qymyrtë të një përkthyeseje me komplekse inferioriteti, e cila fillimisht qaset si një nxënëse e përulur (lexuese shumë e vëmendshme) e mëpas shndërrohet në një mësuese histerike, pre e çrregullimeve hormonale të menopauzës, teksa njollos “shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet“. Por këtë le ta gjykojë lexuesi e le të flasin redaktorët e shkrimtarit, tek Buzuku i Kosovës, sesa korrigjime i bënin veprës së Trebeshinës.
Në mbyllje, siç e thotë edhe vetë Kasem Trebeshina, në një shkrim botuar në revistën ARS më 23 shkurt të 2003, “gjithçka fillon te fjala dhe mbaron po aty”. Kështu edhe unë po e mbyll me fjalën e shkrimtarit, shkëputur nga shkrimi i sipërcituar, titulluar “Krushqit në shtëpi publike. Historia e nuseve plaka” ku prostituuesit e fjalës mund të gjejnë veten:
 “[…Disa] fuqi europiane donin të krijonin në Shqipëri një Havel të vogël të mbështetur nga disa intelektualë si ministra, më lart ose më poshtë!…
Në vendet e prapambetura një njeri që ka pasur mundësinë të arsimohet shikohet si intelektual, për të mos thënë gjysëmperëndi!…
Dhe atyre fuqive europiane aq iu duhej!… Se me anë të atij njeriu, të mbështetur nga një grup shqyrtarësh dhe shërbëtorësh, ato fuqi do të kishin një ndikim të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, në jetën e vendit!… Me anë të atij njeriu ato fuqi jo vetëm që do të ndikonin në zgjedhjen e ndonjë deputeti të rëndësishëm, por mund të arrinin edhe gjer te çfarë duhej të bënte Presidenti i Republikës!…”
(https://issuu.com/arsalbania/docs/ars_plus_numri_12).
Marre nga https://aksrevista.wordpress.com/2017/11/08/kasem-trebeshines

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.