back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Katallani, Qerosi dhe vëllezërit e tij – nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Enkeleda Ristani
Enkeleda Ristani
Ai tallet hapur,
është arrogant në mënyrën më të papranueshme,
i dashuruar me veten dhe të mendosh,
që është në krye të një qeverie, nga karrigia e së cilës
gjithçka i duket rrjete sociale e lojë me gogla.
Po njerëzit që presin nga ai nuk janë kunguj…
I ofendon të gjithë në mënyrën më të paskrupullt, nuk respekton askënd…
Kjo është qeverisja më e padrejtë që shqiptarët
e dalë nga shpella e diktaturës meritojnë.
Ende nuk janë shëruar plagët tona psikologjike për të luajtur sadistin,
dhe viktimën e dashuruar me sadistin… e. ristani
.
Protesta studentore, para Ministrisë së Arsimit
Protesta studentore, para Ministrisë së Arsimit

Katallani, Qerosi dhe vëllezërit e tij

nga Enkeleda Ristani

Jam nëna e tre studenteve dhe shtetase shqiptare. Ndihem banore e një vendi që s’i përkas dhe një nga vëllezërit e Qerosit. Kur nisi protesta mendova se ishte një nga të shumtat që nisin siç i dimë dhe mbyllen siç i dimë, pavarësisht çfarë kërkohet. Por rrëmeti i fëmijëve tanë më shkundi. Po kuptoja se mbasi Babai na kishte nisur ne për të mundur Katallanin dhe ne ishim fshehur mbas ngjyrave, premtimeve, shpërblimeve, OJQ-ve përfituese e kështu me radhë, dhe pra mundur, më në fund i kishte ardhur radha Qerosit. Këta djem e vajza të këtyre ditëve i kam parë si Qerosin dhe veten time e të gjithë ne të tjerët si vëllezërit e tij humbës, që nga cepat e rrugëve ku ata protestojnë, nga kafenetë, shtëpitë apo vendet e punës bëjmë tifo për atë që nuk kishim forcë e guxim për ta bërë vetë.
Janë 10 ditë protestë dhe s’ka kaluar një ditë që s’kam pasur frikë. Frikë se ndoshta këta djem e vajza manipuloheshin, binin prehë e karagjozllëqeve të Katallanit, që për hir të së vërtetës nuk ka ditë që nuk mendoj se me ç’rast e meritojmë. Të tallesh sot përpara syve të të gjithë popullit tënd nëpër rrjete sociale, televizione, t’i ikësh përgjegjësive dhe t’ua ngarkosh ato kujtdo veç vetes, përveç gjithë varfërisë masive dhe problematikave të një populli të tërë në çdo ditë, e ka një emër, vetëm se unë nuk jam në gjendje ta përcaktoj, përpos çmenduri. Kemi kaluar nga bij diktature në bij çmendurie. Katallani kërkon fëmijët tanë në “dialog” që përpara syve tanë t’i hajë në të njëjtën mënyrë të pështirë me të cilën bën me të gjithë ne. Dhe “nuk e kupton” ai dhe ndokush tjetër se pse ata nuk pranojnë. Kisha frikë se ata do të josheshin, se ndoshta nuk do ta kuptonin lojën, por sa nuk i njohim fëmijët tanë. Ata janë më të zgjuar nga ne, më të pjekur. I maturoi kjo kohë që po jetojnë.
Dje, në Opinion, pashë jo vetëm një fëmijë karagjoz, por edhe një kafene të pas 90-ës, ku “fjalimin” e mbante ai, Katallani, si më i gjati e me zë më të fortë. Ndërsa studentët dhe prindërit e tyre presin seriozitet dhe përgjegjësi nga kreu i shtetit. Po jetojmë një diktaturë të re, një diktaturë që pëlqen memet dhe rrjetet sociale e që nuk të ndalon të këlthasësh në rrugë hallet e tua, por që të procedon penalisht apo skedon si armik për pas protestës.
Kërkon dialog për “si”, duke e ditur fare mirë se “si” është detyra e tij.
Etiketon opozitën si organizatore duke e ditur fare mirë se opozita nuk ka këllqe për të qenë Qerosi dhe nga ana tjetër ua thotë në sy sesi janë të papranuar nga studentët. Detyra e çdo opozite është të jetë në protesta, siç ai me të vetët ishte në protesta kur ishte opozitë. Por studentët kanë zgjedhur të mos e fëlliqin kryengritjen e tyre. Deri tani i kemi lënë vetëm fëmijët tanë, e nuk kemi as fuqinë të organizohemi si prindër me një çadër ku të paktën t’u bëjme një çaj të ngrohtë, ndërsa duhet ta kalojnë natën jashtë. Vetëm se, Katallan mos harro, asnjë prind nuk ta fal vuajtjen dhe talljen e fëmijëve! Pas studentëve numrat janë dy e trefish.
Marrë nga muri i Fb i Enkeleda Ristanit, 13 dhjetor 2018.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.