back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Katër opinione mbi deklaratën e “përdhunimit” të këngëtares Alida Hisku…

Gazeta

Alida Hisku ne Festivalet e Kenges
Alida Hisku ne Festivalet e Kenges

Katër opinione mbi deklaratën e “përdhunimit”

të këngëtares Alida Hisku

Alida Hisku tha të vërtetën… dhe të gjithë e dinë!
nga Shannon Woodcock

Shannon Woodcock
Shannon Woodcock

Alida Hisku tha të vërtetën; gjatë regjimit komunist gratë ishin viktima të dhunës seksuale sistematike prej atyre që mbroheshin nga pushteti i Partisë: në fshatra, burgje dhe kryeqytet. Të gjitha gratë ishin vulnerabël ndaj dhunës seksuale dhe një numër i madh prej tyre u bënë viktima të dhunës partiake, që në mënyrë specifike i sulmoi ato si gra. Ekzistojnë të dhëna arkivore rreth kësaj çështjeje dhe vetë Enver Hoxha u vu në dijeni dhe iu përgjigj ankesave që gratë i drejtuan atij për përdhunime nga anëtarë të Partisë së të gjitha niveleve. Këto prova janë tashmë të publikuara.
Shannon Woodcock | BIRN
http://www.reporter.al/alida-hisku

Përdhunimi është krim më i rëndë se vrasja
nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Kam disa ditë  që lexoj për “çështjen Hisku”, pra për përdhunimin që ajo pretendon se i është bërë në qelitë e hetuesisë në vitet e Diktaturës. Nuk kam të drejtë ta paragjykoj këngëtaren e njohur në atë që thotë. Mund ta kenë perdhunuar vërtet, se raste të tilla janë bërë publike edhe nga gra të tjera të burgosura në diktaturë, mund të jetë ekzagjerim, se edhe raste të tjera spekullimesh dhe manipulimesh të së vërtetës janë bërë publike, mund të jetë gjendje halucinante si pasojë e torturave psikologjike dhe injeksioneve të mirënjohura si praktikë e sigurimit për zbërthimin dhe shkatërrimin psikofizik të viktimës, se janë qindra dëshmi kundërshtarësh të Diktaturës që përfunduan në spitale psikiatrike nga ato injeksione… Personalisht jam i prirur ta besoj këngëtaren kur ajo flet për eksperiencat tejet të rënda personale të saj. Le hije dyshimi mospërmendja me emër e atyre hetuesve apo sigurimsave që kryen një krim që formalisht edhe me ligjet e vetë Diktaturës do të ishte i dënueshëm, përveç rasteve kur kryhej me një udhëzim nga lart. Mospërmendja e emrave të kriminelëve përdhunues i zgjat jetën krimit dhe mosndëshkueshmërisë së tij. Kemi plot raste vrasjesh e zhdukjesh të të burgosurve në mënyra të jashtëligjshme edhe për vetë ligjet e Diktaturës. Por ajo që më shqetëson janë komentet e publikut shqiptar në Demokraci, gjysma e të cilave në varësi të antipative dhe simpative ideologjike apo personale jane të tipit “mirë ia bënë që e përdhunuan”. Pra, në mënyrën më skandaloze të mundshme, sot në demokraci e veshin krimin e përdhunimit me një moral, sipas tyre të drejtë! Si është e mundur pra, që edhe pse jetojmë në demokraci, të ketë një masë kaq të madhe shqiptarësh që artikulohet pro përdhunimit me një sadizëm që më bën të mendoj se nuk paska qenë veç vepër e Diktaturës, por edhe e vetë shqiptarëve të mësuar genetikisht me dhunën dhe përdhunën, në të rrallë si autorë, e me shpesh si viktima… Edhe sikur vetë personifikimi i të keqës femërore shqiptare, Vejusha e Zezë Nexhmije Hoxha, të ishte përdhunuar në qeli, do të ishte një krim shumë i rëndë dhe një turp i pashlyeshëm për shoqërinë e sotme shqiptare. Përdhunimi është krim më i rëndë se vrasja, e cila mund të ndodhë në ndonjë rast edhe në gjaknxehtësi e sipër. Sepse viktima e përdhunimit mbetet gjallë dhe vritet çdo ditë të jetës së vet të mëpasme nga brenda saj. Por më shumë vritet nga jashtë me “ndihmën” e shoqërisë ku jeton…

Banalizmi i qëllimshëm i dosjeve!!
nga Rezart Palluqi

Shkrimtari Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Reagimi i parë kur dëgjova Alida Hisku të thotë: “i kam falur xhelatët e mi” – ishte ky. Si ka mundësi të reagojë kështu, kjo zonjë që jeton prej 30 viteve në Gjermani, në një vend ku edhe sot, kriminelët nazistë dënohen në mosha mjaft të thyera, që shpesh cikin tavanin njëshekullor? Sinqerisht, atëherë, intuita më tha: Këtu diçka nuk shkon. Atëherë, çfarë do kjo zonjë? Përse na e ngre gjithë këtë stuhi të madhe, të dhimbshme kjo zonjë? Çfarë synon të realizojë? A mos duhet të ndjekim edhe ne shembullin e saj? T’i falim xhelatët tanë, dhe t’u hapim atyre dhe bijve të tyre rrugën, që të na përdhunojnë sot dhe në të ardhmen bijtë, nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat tona? Në vend që të na sjellë një copë kulturë të drejtësisë gjermane, e cila e gjeti forcën shpirtërore të dënojë një pjesë të shpirtit të saj katil, hitlerik, kjo na zhyt edhe më thellë në moçalin tonë krejt apatik dhe oportunist!!
Këtu nuk bëhet fjalë për të falur një burrë, i cili mbasi piu e u bë tapë, përdhunoi një grua në rrugë. Nuk kemi të bëjmë pra me një dhunim krejt rastësor, por me përdhunime sistematike me paramendim që i prodhoi makineria e pashpirt diktatoriale. Si mund ta falim ne pra xhelatin tonë? Apo mos ndoshta Alida Hisku ka thënë: unë fëmijët i kam në Gjermani. Në Shqipëri nuk kthehem më, kështu që tashmë mund të bëj engjëllushen naive duke i falur xhelatët, ngaqë këndej e tutje, familjes së saj nuk kanë për t’i hyrë gjemba të rinj hoxhistë. Nuk do të bëj profetin, por ditën që Alida Hisku turfulloi në dhjetra koridoret e mediave, thashë: këtu bie era sigurim hoxhist. Përse? Është të paktën edhe një dëshmi tjetër. Mediet shqiptare, ashtu siç ndodh me mediet postdiktatoriale, ose reagojnë ndaj një lajmi masivisht, ose heshtin masivisht. Fakti që të gjitha mediet vërshuan të botojnë intervistën e saj, ishte – parë thellë -, një shenjë e keqe. I druhesha një banalizimi të ri të krimeve hoxhiste.
…….
Fakti, që Alida Hisku, i mohoi akuzat e saj ndaj torturuesve hoxhistë, nuk ka të bëjë vetëm me kërcënimet e tyre ndaj saj, dhe familjes së saj, ngaqë shteti gjerman të merr në mbrojtje, të vë roje në pragun e shtëpisë, kur ti kërcënohesh prej postdiktaturave. Këtë e bën edhe Holanda ndaj refugjatëve politikë.
Këtu, besoj se luan rol edhe ndonjë lëshim moral që ajo mund të ketë bërë gjatë periudhës së burgimit të saj. Xhelatët mund t’ia kenë përmendur telefonikisht ato, çka edhe e kanë stepur atë.
Përfundimi tragjik i denoncimeve të Alida Hiskut, e banalizuan edhe më shumë aktin madhor dhe kombshpëtues, atë të larjeve të hesapeve me krimet hoxhiste. Ish spiunët dhe xhelatët e Enver Hoxhës, ditën, edhe këtë herë, që ta fusin në çark njërën prej qindra viktimave të tyre, dhe nxjerrin atë prej andej, me bishtin ndër shalë. Është për t’u vajtuar mjaft që Alida, qoftë prej naivitetit, qoftë prej natyrës së saj frikacake, i shtoi me duart e saj edhe një tullë murit të “banalizimit vetvrasës të dosjeve” , i cili vazhdon të rritet dita-ditës, duke na e zënë gjithnjë e më shumë diellin e lirisë sonë të shumëpritur!!
Rezart Palluqi
Holandë, 2 nëntor 2015

Më të këqinj se përdhunuesit janë ata: ”falësit”!!!
nga Edmond Hasani

Edmond Hasani
Edmond Hasani

Një siklet mbi lëkurë, si acarim që kthehet në kruajtje në fillim ngadalë, tek duart, pastaj në trup, në bark, në shpinë, në këmbë, në kokë, në fytyrë e tani me vrull çmendurak ka pushtuar tërë qenien time duke me kujtuar që vite më parë kalova dhe një zgjebe totale për ca ditë!
Por sonte nuk është zgjebe, jo! Më keq: është neveria ! Eshtë neveria që kam pasi lexoj se Alida Hisku, këngëtarja e famshme e viteve ’70 i ka falur jo vetëm shkaktarët e burgosjes dhe persekutimit por edhe sigurimsat që e kanë përdhunuar!!!! Epo më të këqinj se përdhunuesit janë ata ”falësit” e mëdhenj të shoqërisë së degraduar shqiptare që jo vetëm harrojnë ç’ju ka ndodhur por edhe dashurohen me xhelatët e tyre ndaj ky mut vend do ketë gjithmonë këtë mut fat që ky mut popull i vesh vetes!
Ndërkohë kruajtja është tërbuar!
28 tetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.