back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Katër stina – katër çapa Poezi nga Ali Asllani

Gazeta

Ali Asllani - Vidi - Vidi Pëllumbeshë
Ali Asllani – Vidi – Vidi Pëllumbeshë

Katër stina – katër çapa

Poezi nga Ali Asllani

Vetëm kur vargjet e Ali Asllanit
të shkruhen nëpër muret e qytetit të Vlorës,
Vlora do të bëhet një qytet lirik…
jozef radi

I

Vjeshtë…
Nëpër hije s’ka më shije,
lot’i par’ dhe më i thjeshtë
është fletë e gjor’ që bije!
 
Nëpër dega, nëpër gjethe,
dor’e erës po trokit:
me rrënqethje si në ethe,
fillon pema pëshpërit!
 
Sosi kënga në fole,
hyri reja në kufirë,
dallandyshja, ler’e le,
ja nis këngës lamtumirë!
 
Dallandyshja ime, haj!
do më lër e do më shuaj;
ku do shkeli këmbë e saj,
loti im do jetë i huaj!
 

II

Shkoi dhe vjeshta me sa pati…
vargje vargje varet reja,
zbriti drër’i madh nga shtrati,
po andej nga zbret rrufeja!
 
Bota mbytet nga një mjegull,
dita thyhet, nata rritet,
në oborr e shkreta pjergull,
sa po vete po ronitet!
 
Qielli ulet, ulet, ulet
rreth e rrotull tym e ujë,
reja, vjen mbi supe ngulet,
er’e egër bën rrëmujë;
 
era vjen me duf si plumbi
dhe nuk le folé në vënd,
dallandyshja ime humbi
edhe unë i humba mënd!
.
Vangjush Mio - Varka në Gjirin e Vlorës
Vangjush Mio – Varka në Gjirin e Vlorës

III

Kalon koha dal’ nga dal’
nata thyhet, dita rritet;
diell’i dimrit rrall për mall,
si sorkadh me çap vërtitet!
 
Mbi një degë e mbi një tjegull
nanurit një zog i gjor’,
në oborr e shkreta pjergull
merr një hov parwveror!
 
Ja dhe shkurti shkurtabiq
s’lë dy gurë në një qoshe,
po vesh trupin lakuriq
të bajames bukuroshe!
 
Mars, o mars me huqe shumë,
një rremall e një nopran,
aty vaj e aty shkumë
aty qesh e aty qan!
 
Është e gjër’ sa ësht’ një botë
dhe në vjen me ca rrëmbime,
është i thell’ sa ësht’ një lotë,
po i holl’ si zemra ime!
 

IV

Kur bën koha diell e shi
merimanga paska dasëm,
s’di, për zotin, po tashi
un’ dhe zemra ime shkasëm!
 
Mëndja vete ku nuk vihet…
e më tej, e më përtej…
një pullumb që di e ngrihet
ai di se ku do vej’!
 
Ku nuk vete mëndj’e shkretë
bënet shkum dhe mbi tallas,
un’ po varem tatëpjetë…
ajo shkon e shikon pas!
.
Ismail Lulani - Nusja
Ismail Lulani – Nusja

 

V

Parëvera me bilbila
koha qesh dhe buza qesh,
diçka thon’ për trëndafila
goj’ për gojë e vesh për vesh!
 
Kridhet bota në stoli,
në stoli e në sedefe,
dridhet zëri në vjoli;
dor’e vajzës rreh dy defe!
 
Ngrihet kupa me dolli,
një dolli me tre shëndete,
rrotull zoga meskalli,
dy për zogën, një për vete!
 
Pjesa ime tepër pakë;
pi dy pika, heth një sy,
mezi marr një pikëz flakë
sa për zemër… gjer aty!
 

VI

Thon’ se shiu muajt maj
nëpër dete bën sedefe
dor’e vajzës punon paj’,
dor’e majit bën gjergjefe!
 
Pik’ ergjëndi vjen me fate
e çdo pik’ me këmb’ të mbarë,
nëpër llëra, nëpër shtate
tingëllin si pika ar!
 
Erdhi vera përsëri
kalipeç mbi shtiza dielli,
bejk’e stanit buz’ flori
del e pret me kënga fyelli!
 
Përsëri dhe përsëri
përqafonen flladi, fleta,
ah, kjo kënga dashuri
ësht’e ëmbël shum’e shkreta!
 
Ngrihet kupa me dolli,
me dolli e me shëndete,
un’ po rri e vërshëlli…
as për zogën, as për vete!
 
Pjesa ime një puqer
rrall’ një vetull, rrall’ një sy,
dhe si drita në uj’ thyer
ca kujtime… gjer aty!
.
Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë
Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë

VII

Shkoi dhe vera me aq bujë,
shkoi me gjith’ ato stolira,
plaç, moj ver’, që për pak ujë
thave lulet më të mira!
 
E një vit i gjithi shkoi,
katër stina, katër çapa,
un’ kërkoj, kërkoj, kërkoj…
djalërin’ që mbet prapa!
 
Aty brënda kam ormisur
me kujtime, me gatime,
thellë e thellë i kam stolisur
në bërtham’ të zemrës sime!
 
S’kalon koha, kaloj unë,
jet’, o jeta e flamosur,
jam në gusht, dhe gusht e gunë…
plaça un’ që paskam sosur!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.