back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Katoliçeskaja Banda” – Maskë e vrasjeve komuniste – nga Fritz Radovani

Gazeta

Martirët e Prizrenit
Martirët e Prizrenit
Martirët e Prizrenit
Martirët e Prizrenit

“Katoliçeskaja Banda”

Maskë e vrasjeve komuniste

nga Fritz Radovani

 25 Nandor 1946, Prizren…
Vetëm arkivat e Komitetit Qendror të Partive Komuniste zbulojnë të vërtetën e vrasjeve barbare të bame ndër shtetet ku u instalue ai regjim diktatorial, barbar e gjakatar.
Regjim i pangopun me gjak deri n’at masë sa edhe sot mbas 70 e sa vjetësh, ende nuk dihet i saktë numri i fëmijve viktima ndër kampet e interrnimit të atij sistemit.
Historia e PK të Bashkimit Sovjetik, asht kenë modeli i vendosjes së komunizmit ndër vendet e Europës Lindore, dhe ma shumë se kudo në vendet e Ballkanit. Krahas luftës antikombëtare ndër vendet ku kundërshtohej ideologjia skllavnuese komuniste, shtetet e Ballkanit provuen edhe luftën e pamëshirshme fetare, e kryesisht kët komunizmi e ka eksperimentue në qytetin e Shkodrës, ku edhe kinezët zhvilluen “Revolucionin kulturor” në vitin 1967, mbasi ishin të pangopun me krimet e sllavokomunistëve Tito e Stalin.
Një nga modelet e masakrave komuniste asht edhe ajo e Dardanisë, nën maskën e re “Katoliçeskaja Banda”, që u zhvillue në qytetin e Prizrenit, aty ku “Lidhja e Prizrenit”, i dha hov zhvillimeve historike dhe kulturore të krejt Shqipnisë.
Në grupin e montuem nga sigurimi jugosllav në Prizren, përfshihen këta persona: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi OFM, Kol Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj, Isa Cavolli, Masar Begolli, Hamza Begolli, Jusuf Haxhiymeri, Mehmet Vokshi, Viktor Gashi, Frano Civlaku, Jak Krasniqi, Osman Basha, Skënder Rizaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Kamber Pajaziti, Sebë Mateja, Jak Shahini, Gita Mjeda, Luçije Leka, Sebë Kola, Miftar Bala, Binak Dema dhe Gjergj Deda.
Dosjet si gjithkund janë të cungueme e jo të sakta. Megjithatë, pjesa që na intereson për kët shkrim del edhe nga kujtimet e bashkvuejtësve të shumtë të asaj ngjarje. Kryesisht jam ndihmue për këte material nga bashkvuejtësi Shefqet Kelmendi, antar i këtij grupi kur ishte shumë i ri.
Gjyqi i montuem sllavotitist vendosi: Maria Shllaku 24 vjeç, At Bernardin Llupi 60 vjeç, Prof. Kol Parubi 40 vjeç dhe Gjergj Martini 29 vjeç, u dënuen me vdekje, me pushkatim. Vendimi u zbatue me datën 25 Nandor 1946, në të dalun të dritës në Prizren…
Sa u hap dera nga rojet jugosllave, At Llupi pa ju trembë syni, tha: “Gjergj e Kolë, ejani të shkojmë krenarë, lé ta shohin këta se nuk ia kemi frikën plumbit! Duhet të jemi të lumtun se po vdesim për idealet e Kombit!”. U ndigjue zani i Maria Shllakut, Ajo nuk doli nga qelia pa i dhanë fund kangës së trimit maleve Ymer Berisha…
At Llupi i tha: “Të lumtë, o bylbyli i shqiptarizmës! Lé ta marrin vesh Bota si shkon me vdekë femna Shqiptare…me kangë në gojë!”…
Maria u përgjegj: “Rrnoftë Shqipnia e Madhe! Rrnoftë bashkimi i Shqiptarëve!”
 “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!.. Rrnoftë Shqipnia!”
Këto ishin fjalët e Fratit At Bernardin Llupi para plotonit pushkatimit!
E, mbas të shtimëve të automatikut, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e Atij Martiri… Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”
Xhullinjtë ju afruen dhe vazhduen me shti mbi Té, derisa Frati Shkodranë u shtri mbi Tokën Nanë Shqiptare… të Prizrenit, robnuem nga sllavokomunistët barbarë!
Vazhdoi mësuesi Gjergj Martini: “Lamtumirë vëllazën! Tregoni Botës mbarë se Kosova e Shqipnia ka trima, që japin jetën për vatan dhe, nuk ka asnji armik që na tremb! Shqiptari nuk përkulët kurrë!”.
Prof. Kol Parubi me një za të lehtë ashtu si fliste Ai, u tha: “Lamtumirë vëllazën, amanet vajzën. Rrnoftë Kombi ynë Shqiptar, rrnoftë Shqipnia!”.
 .

Prizreni Vjetër
Prizreni Vjetër
***
Asht e vërtetë se koha kalon…
Po, kujtimi i këtyne Martirëve asht sa i Pavdekshëm aq sa i papërsëritshëm.
Figura atdhetare mund t’i vijnë prap Popullit shqiptar, po figura fetare si këta nuk besoj!
E mosbesimi im e ka nji bazë, te vlersimi i At Llupit e shumë të tjerëve që dhanë jetën e vet, pa ju tutë syni para plotoneve të pushkatimit nga barbarët terroristë komunistë.
Edhe shpresat kanë kohën e vet, po harresa… i venit shpesh herë ato!
Kam besim se për Rivlerësimin e këtyne Figurave të Mëdha, asht me mendimin tim edhe Prizreni edhe Shkodra!
Melbourne, 22 Nandor 2017
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.