back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Katundi gjen paqen e vet – tregim nga Sami Milloshi

Gazeta

Sami Milloshi dhe Kostandini i Madh
Sami Milloshi dhe Kostandini i Madh

Katundi gjen paqen e vet

tregim nga Sami Milloshi

Katundi u mbush plot me kriminelë. Nuk mbeti shkurre ku nuk fshihej një kriminel. Por, të gjithë ndjeheshin rehat. Aq rehat sa edhe gruaja e shkrimtarit të madh, tha se katundi po jetonte parajsën e vërtetë.
E bija e shkrimtarit të madh i tha mamasë:
-Mama, thuaji babait të shkruajë një roman për lumturinë e katundit, por ta harrojë peisazhin e shkurreve me kriminelë…
-Babai yt as nuk e di se ku ndodhet për vete, jo më të shkruajë romane për lumturinë. Le që kurrë nuk i ka interesuar lumturia. Gjithnjë është pikëlluar për varfërinë e katundit dhe, prandaj edhe e ka veshur si kostum për vete.
-Mama, po ti thuaji një herë se ndoshta ai bëhet,më në fund, shpëtimtari i katundit.
Nuk kaluan as dy muaj dhe shkrimtari i madh e shkroi romanin.
Sipas gruas së shkrimtarit të madh, romani do të ishte shpëtimi i katundit nga kriminelët. Sepse shkrimtari i madh, vërtet nuk kishte shkruar për lumturinë e katundit, por kishte krijuar një prokuror që do t’u kallte datën të gjithë kriminelëve.
Romanin e lexoi e para e bija e shkrimtarit të madh.
-Baba kjo që ke shkruar ti është diçka magjike. Letërsi alla Marquez. Po të buzëqesh lavdia e fundme. Në katundin tonë nuk ka asnjë prokuror të atillë, si ai i romanit tënd. Asnjë për bé. Madje shumë syresh janë bythë e brekë me kriminelët që fshihen ferrave të katundit. Por, kjo nuk ka pikë rëndësie. Prokurorin tënd do ta riprodhojë qeveria me tendera publikë. Ajo do ta klonojë prokurorin tënd, kështu që këmbë krimineli nuk ka për të mbetur gjallë në katundin tonë.
Kur doli në shitje romani i shkrimtarit të madh, pazari i katundit u mbush plot e përplot me njerëz. Donin ta preknin dorën e shkrimtarit të madh kur jepte autografe.
-Tani e tutje ti do t’i thuash lamtumirë varfërisë – i thoshte gruaja e shkrimtarit të madh, çdokujt që merrte romanin.
Tjetri tundte kryet habitshëm.
Shkrimtari i madh po ashtu tundte kryet në shenjë pohimi.
Kishte ardhur më në fund shpëtimi i katundit. Shkrimtari i madh ua kishte falur gjithë lavdinë e tij bashkëkatundarëve përmes heroit të romanit të tij…
-Mama, ruaje babanë nga fama, i kishte thënë e bija e shkrimtarit të madh, kur kishte parë varganin e madh të njerëzve që prisnin me orë të tëra autografet e tij…
Në shkurret e katundit, kriminelët po dridheshin nga frika prej prokurorit të romanit të shkrimtarit të madh.

Katundi po festonte paqen e shumëpritur…

Marre nga Muri i FB Sami Milloshi, 23 nëntor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.