back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kazuo Ishiguro, Nobel i Letërsisë për vitin 2017 – Pak rreshta nga Astrit Cani

Gazeta

Kazuo Ishiguro - Nobel për Letërsi 2017
Kazuo Ishiguro – Nobel për Letërsi 2017
Akademia suedeze ka shpallur fituesin e çmimit Nobel për letërsi
për vitin 2017, ai është Kazuo Ishiguro.
Shkrimtari japonezo-britanik, Kazuo Ishiguro
ka lindur në vitin 1954 në Japoni.
Familja e tij u zhvendos në Britani kur ai ishte pesë vjeç.
Romani i tij më i njohur është “The Remains of the Day” (1989),
i cili edhe u shndërrua në film me Anthony Hopkins në rolin kryesor.
Temat që më së shumti trajtojnë veprat e tij janë:
kujtesa, koha dhe vetë-deluzioni.
Ishiguro ka shkruar tetë libra,
si dhe disa skenarë për filma dhe televizion.
.
Botimet e Kazuo Ishiguros - Nobel 2017
Botimet e Kazuo Ishiguros – Nobel 2017

Pak rreshta për Kazuo Ishiguro

Nobel i Letërsisë për vitin 2017

nga Astrit Cani

Kazuo Ishiguro asht shkrimtar i mirë. Mesatar, por i mirë. Ndoshta ky mesatarizëm dhe zhdukja e tij, asht sindromi ma i frikshëm i zhdukjes së letërsisë. Gjenì ka me pasë gjithmonë, por ngrehina nuk mbahet me kulme, mbahet me trarë e me letrarë si Ishiguro.
Vetëm gjakun ka japonez, se letërsinë e ka angleze krejt. Bir legjitim i John Galsworthy-t, nuk ka lidhje me letërsinë gjeniale japoneze të dyshes Kavabata-Mishima. Njiherit, mbrenda letërsisë angleze nuk përban pasurim përsa i tokon novatorizmit letrar, dhe letërsia angleze, me sa shohim, i ka lanë mbas krahëve shkrimtarët avangardistë si James Ballard a ndoj tjetër, të cilët kthehen në skenë vetëm falë pështatjeve kinematografike.
Edhe Ishiguro, shkrimtar i ndjenjave të përimta dhe me dramaticitet të nënzashëm, zotni fundekrye në botën që rikrijon, ka pasë fatin me u përshtatë në mënyrë të përsosun për ekranin e madh, ma shum se njiherë, me interpretimin e shkëlqyeshëm të Anthony Hopkins dhe Emma Thomson. (Kto filma televizioni shqiptar i ka transmetue n’origjinal pak vjet mbas realizimit.)
Poet i nji bote provinciale, por klasike n’esencializmin e vet, ku veprimi asht dramatik ma fort në shkaqet se te pasojat, Ishiguro asht dramaturgu zen që e lidh letërsinë ishullore me kontinentin, tue kthye tonin e narracionit tek thjeshtësia dhe ngrohtësia e nji Galsworthy apo Forsteri. Motoja e tij, po ta kishte, kishte mujtë me qenë ajo e EM Forsterit: “only connect”.
Përveç nji përkthimi të dobët të “Never let me go”, nuk më rezulton të ketë gja prej tij në shqip. Tashti fillon çakallitja e botuesve shqiptarë, kush me ia përla të drejtat, mundsisht tue zhvatë ndër gjyqe të vonuemit apo “abuzivët”. Urojmë t’ia besojnë përkthyesve me shqipe të qetë, pogradecare (meqë shkodranishtja asht non grata), me shpresë që “The Remains of the Day” të mos përkthehet “mbetjet” apo “mbeturinat” e ditës.
Të paktën kte herë Nobelushat nuk e ndanë çmimin me kriterin e të qenit i majtë a shoqnisht i angazhuem, por vlersuen estetikën dhe sinqeritetin e vokacionit. Mungesa e retorikës e ban edhe ma të shijueshëm ktë shkrimtar për të tanë.
5 tetor 2017
Interviste Kazuo Ishiguros - 5 tetor 2017
Interviste Kazuo Ishiguros – 5 tetor 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.