back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Kelmendi – Mite dhe Legjenda

Gazeta

Kelmend... Lëpusha
Kelmend… Lëpusha

Kelmendi – Mite dhe Legjenda

Lulja Bojësoleke (narcissus)

Lulja bojësoleke, është nji lule e cila lulëzon në bjeshkët e Kelmendit. Për të përshkruar bukurinë e saj, banorët e Kelmendit kanë nji legjendë.
“Zoti u thotë nji ditë bletëve që t’i sillnin atij nga nji lule prej luleve ma të bukura që ai kishte krijue dhe që bletët merrnin nektar në to…
Dhe bletët mblodhën lule gjithandej dhe ia dërguen Zotit, por nji lule, e cila ishte ma e bukura, lulen bojësoleke, e mbajtën për vedi. Atëherë Zoti u thotë bletëve: “Lulet që m’i sollët mue, ju qofshin falë… po at që ma mshehët e keni të ndalueme të shijoni nektarin e saj…!”.

Narcisius
Narcisius

Uji i kuq

Në Vermosh ndodhet nji burim që quhet Uji i Kuq. Në kohën kur në Kelmend po vendoseshin kufijtë, Mali i Zi kërkonte me merrë edhe at pjesë të Vermoshit ku ndodhej ky burim. Gjatë bisedimeve që po baheshin midis krenve të Malit të Zi me krenët shqiptarë, (ndër ta ishte edhe Prekë Cali), malazezët pretendonin që ky vend ishte i tyne dhe donin me e marrë.
Prek Cali u thotë se ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe dhe nga vetë fjala është pjesë e Shqipërisë. Malazezët nuk e pranonin këtë, ata thonin se vendi quhet Bjeshkët e Kuçit dhe se u përkiste atyne.
Atëherë Prekë Cali u thotë: “Ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe sepse aty rrjedh ujë i kuq”. Atëherë malazezët meqenëse u dukej e pabesueshme thanë: “Në qoftë se kjo është e vërtetë, kufijtë do vendosen si të thuash ti. Të gjithë bashkë shkuan te burimi dhe panë që me të vërtetë buronte ujë i kuq. Kështu që kufijtë u vendosën siç e kërkoi Prekë Cali. Dhe sot e kësaj dite në Vermosh ekziston ky burim ku rrjedh Ujë i Kuq.

Prek Cali i ri
Prek Cali i ri

Ujëvara e Sllapit

Në Kelmend është nji vend që quhet Selcë. Në atë vend ndodhet nji ujëvarë që quhet Ujëvara e Sllapit, që buron nga liqeni i Rikavecit, i cili ndodhet në Mal të Zi. Kjo ujëvarë ka dhe nji legjendë.
Nji familje e vorfën nga Selca dërgon djalin shërbëtor te nji familje e pasun në Mal të Zi, ku djali fillon punë si bari delesh. Djali, mbasi e dinte se familja e tij s’kishin asnjë të ardhun, mendoi t’i ndihmonte në kët mënyrë: Për çdo festë ai merrte nga nji dele dhe e hidhte në liqenin e Malit të Zi dhe delja vinte direkt e tek ujëvara e Sllapit, të cilën e prisnin familjarët e djalit në Selcë. Kështu bëri ai për disa vite. Nji ditë pronarët e diktuan çfarë bënte. Në festën e rradhës, pronarët e morën djalin, e mbytën dhe e hodhën në liqen. Familjarët si gjithmonë kishin dalë të prisnin delen, por kësaj rradhe në vend të deles ju erdhi djali i vdekun.

Nora e Kelmendit
Nora e Kelmendit

Nora e Kelmendit

Kelmendi njihet për luftime dhe bëma të mëdha nga trima dhe trimëresha, ndër to bën pjesë edhe Nora. Një malsore, të cilës Zoti përveç bukurisë i kishte falë dhe trimërinë e zgjuarsinë.
Në kohën e sundimit turk, Kelmendi ka luftuar me mbrojtë trojet, por varfëria dhe i ftohti bënin të vetën.
Nji ditë hapet fjala se kushdo që atyne ditëve do të dorëzohej, qoftë burrë apo grua, do të falej dhe do të dëmshpërblehej për dëmet e shkaktuara nga lufta. Por si kusht për këtë marrëveshje kelmendasit do t’i çonin Vuçi Pashës vajzën ma të bukur të kësaj zone.
Në mbledhje për të vendosë se si do t’i përgjigjen Pashës ngrihet Nora dhe thotë: “Vllazën dhe motra unë nuk e mbaj veten për ma të bukurën e këtyne maleve, por jam e gatshme të shkoj tek Vuçi Pasha dhe të kuvendoj me të ashtu siç ai ka kërkue. Dijeni se unë nuk e di se çfarë fati kam, por u betohem për këtë qiell e për këtë tokë se e virgjën po shkoj dhe e tillë do të kthehem”.
Ditën që ajo vendos të bahet gati të shkojë tek pasha zgjedh veshjen ma të bukur që kishte gjithashtu edhe stolitë. Gjithashtu nuk harron që në brez të marrë me vete një thikë të hollë e të gjatë.
Kur shkon tek kampi turk ajo flet me rojën dhe i thotë që ka ardhur të takojë Pashën për marrëveshjen. Pasha e pret me shumë kënaqësi dhe turbullohet nga bukuria e Norës. Fillojnë bisedimet për marrëveshjen dhe Pasha do që të bindë Norën për dorëzim…
Nora e kupton kur është çasti për t’i ngulur thikën drejt e në zemër Pashës.
Pasha as mundi që të pëshpëriste më. Nora shpejt e shpejt pa u vënë re largohet nga kampi turk dhe nxiton që të shkojë dhe t’u japë lajmin e mirë kelmendasve, që Pasha s’është ma.
Ka kaluar shumë kohë, por Nora dhe trimëria e zgjuarsia e saj nuk janë harrue.

Kelmend... Leqet e Hotit
Kelmend… Leqet e Hotit

Ura e Tamares

Gjatë shekujve të kaluar, Kelmendin e përshkonte një rrugë kafshësh që vinte nga Shkodra e Podgorica dhe kalonte në Guci e Pejë.
Si stacion i rëndësishëm për udhëtarët, në një fshat që sot quhet Tamara, ishte një han dhe një urë e pasigurt mbi lum. Ura shkatërrohej shpeshherë nga ujrat e rrëmbyeshëm, saqë Tamara e shoqja e Vezirit të Shkodrës për disa ditë nuk mundi të kalonte për të shkuar në Shkodër, kur po kthehej nga vizita e njerëzve të saj, në Mal të Zi. Për këtë, Veziri i Shkodrës dha nji fond që të ndërtohej nji urë e re mbi lumin Cem të Vuklit. Kjo urë mori emnin e Tamarës, gruas së Vezirit të Shkodrës, dhe po këtë emër mori edhe fshati.
http://www.kelmend-shkrel.org

Kelmendi - Pozita gjeografike
Kelmendi – Pozita gjeografike

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.