back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kënga e Çelo Mezanit në folklorin çam nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Autori Gëzim Zilja

Kënga e Çelo Mezanit në folklorin çam

nga Gëzim Zilja

Mu ne Pusi i Sulejmanit/
Seç thirri Çelo Mezani/
Sako Budan i pabesë/
O kulishi i kahpesë/
Pse s’bëre zë të të presë/
Martinën në krah e keshë/
Me njëqind e një fushekë… “Pusi e Çelo Mezanit”

Kënga e Celo Mezanit
Kënga e Celo Mezanit

Kënga e Çelo Mezanit u këndua aty nga vitet shatëdhjetë në një nga festivalet e bujshme të Gjirokastrës. Njerëzit u mrekulluan nga kënga e kënduar nga grupi çam. Marrësi dhe hedhësi i këngës nuk kishin nevojë të shoqëroheshin nga violina se zëri i tyre gati hyjnor qante, këndonte dhe përjetësonte heroin në vargje të papërsëritshme. Nuk dinim gjë atëherë për trimin Çelo Mezani dhe bëmat e tij. Teksti ishte i shkurtër, aq sa lejon një këngë e kënduar në tre minuta sipas rregullave të festivalit. Shumë fjalë ishin të “reja” dhe të padëgjuara më parë. Në librin “Mbledhës të Folklorit”, Vëllimi 3, botuar në vitin 1983, nga Akademia e Shkencave të RPSSH-së, mbledhur dhe përgatitur nga i palodhuri dhe i pavdekshmi Fatos Mero Rrapaj, gjenden dhe dy këngë për Çelo Mezanin: Njera me titullin e këngës “Pusi e Çelo Mezanit” dhe tjetra “Ra dielli Malës Vigël”.
Sipas historisë, por edhe si e theksojnë këngët popullore, Çelo Mezani ishte nga Mazrreku i Margëllëçit, i arratisur maleve, (firar) sepse kundërshtoi të shkonte ushtar në shërbim të Turqisë, një fenomen shumë i përhapur ato kohë. Përfaqësuesit e Perandorisë i ndiqnin firarët këmba-këmbës. Në rast se i kapnin i dërgonin ushtarë (nizamë) me forcë. Në rast të kundërt i vrisnin, që shëmbulli i tyre të mos pasohej nga të tjerë. Burrë trim dhe i zakonit Çelua, shkon për vajrënkimë (ngushëllim) në Arilë te Haxhi Duli. Në këngë thuhet:

Ra dielli malës (majës) Vigël/ xbriti Çelua në Arilë/
Për të shkretën vajrënkimë…

Duhet theksuar se në këngën e kënduar në festival, fjala e mrekullueshme çame Vajrëkimë është zëvendësuar me fjalën “pajgorimë” që mendohet të ketë lidhje me fjalën greke parigoria (ngushëllim).
Trimi Çelo Mezani mbaron ngushëllimin dhe largohet megjithë lutjet e Haxhi Dulit dhe merakun e tij se mos i kishin bërë pusi. I thotë Haxhi Duli, mirë:

Qëndro Çelo të rrimë/ Se mos të zënë pusinë/
Po Çelua nëk qëndroi/ Bë vajrëkimnë e shkoi.

Nuk ishte hera e parë që trimit i bënin pusi por ai i përgatitur dhe i rregjur në luftime, kishte me sa duket besim në aftësitë e veta. Por këtë herë nuk ia doli. Kënga thotë:

Mu ne pusi i Sulejmanit/ Pusi e Çelo Mezanit/
Nga dy qën të kajmekamit/ Shtinë mbi Çelo Mezanë/ Izra me Sako Budanë.

Shpesh këngët folklorike janë dokumenta që kanë një vërtetësi rëqethëse. Nuk ka asnjë dyshim që kështu ka ngjarë: dy shqiptarë të shitur, të blerë, thënë ndryshe tradhëtarë, pabesisht qëlluan mbi trimin. Dhe kënga jep një tjetër informacion të besueshëm, por me një art e thjeshtësi që nuk lë pikë dyshimi.

Mu ne pusi i Sulejmanit/ Seç thirri Çelo Mezani/
Sako Budan i pabesë/ O kulishi i kahpesë/
Pse s’bëre zë të të presë/ Martinën në krah e keshë/ Me njëqind e një fushekë…

Kënga çame
Kënga çame

Tre herë u qëllua nga afër trimi i Margëllëçit.

Kur i ra martina e tretë/ Çelua ra me të vërtetë/
Di afije, di rrufjanë/ Turpëruan Vrohonanë/
Vrohonanë dhe kazanë/ Çamërinë anë e mbanë.

Interesant janë vargjet e fundit të këngës kur i thonë nanës se Çelon e kanë zënë të gjallë. Ka një përgjigje, lapidar do ta quaja të nanës çame, që bën krenar çdo shqiptar dje dhe sot.

Vanë nanës e i thanë/ Çelon ta zunë të gjallë/
Koshadhet me kajmekamnë/ Nana u tha këto fjalë/
Në kloftë fjal’e vërtetë/ E kam për ta vrarë vetë…

Në këngën e dytë lajmi për vrasjen e Çelo Mezanit jepet me thjeshtë, i drejtpërdrejtë, me një dhimbje të thellë dhe të përmbajtur.

Vanë nanës e i thanë/ Djalinë ta kanë vrarë/
Del në shkallë t’i shohiç varrë/ Del në portë e shi qivurë/ Ta vranë Çelo bilurë!

Refat Sulejmani në Këngën e Celo Mezanit
Refat Sulejmani në Këngën e Celo Mezanit

Në këngët popullore të folklorit çam, jepen ngjarje e heroizma të popullsisë çame gjatë gjithë historisë para dhe pas pushtimit turk e grek e më tej. Është një rezistencë dhe një luftë që të le pa frymë, kur lexon këto këngë. Ndoshta herën tjetër do të japim një tabllo të një lufte heroike të çamëve dhe lebërve në vitin 1913, për mbrojtjen e Janinës nga forcat greke, luftë që çuditërisht është lënë në harresë.

O Bezhan, i zi Bezhan/ Gjashtë muaj n’istikam/
I pakartë, i paduhan/ Bukë dhe faì s’të dhanë/
Po luftën më këmbë e mban/ Vure grekun në nishan/…
Vajmedet për Çamërinë/ S’e lanë me Shqipërinë
17.09.2016

Botuar në gazetën ”Telgraf” date 19.09.2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.