back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kënga e verbër (1962) poezi nga Trifon Xhagjika

Gazeta

Poeti pa varr Trifon Xhagjika
Poeti pa varr Trifon Xhagjika

Duke lexuar “Këngën e Verbër” të Trifon Xhagjikës

nga Jozef Radi

Kjo poezi e Trifon Xhagjikës, titulluar “Kënga e verbër”,
është shkruar në vitin e largët 1962, nji vit para masakrimit të tij,
por edhe sot e kësaj dite kur lexohen këto vargje të rrënqethin…
Sepse sot, nën nji kontekst tjetër lirie ose shprehje të lirë mendimi…
asaj mund t’i ketë humbur tensioni i kohës
e mund të duket si diçka e zakontë dhe krejt normale…
sepse shumë prej lexuesve të rinj (sepse ka edhe lexues të rinj!)
mund të mos gjejnë asgjë të guximshme e aq më pak të llahtarshme në keto vargje…
E llahtarshme ajo shfaqet vetëm nëse vesh zhgunin e asaj kohe të errët
dhe futesh thellë nën lëkurën e saj, dhe prek botën e krimit shtetëror
dhe ndjen se ai shpërthim i ndezur në shpirtin e Poetit
bëhet stuhi zemërimi ndaj çdo padrejtësie që vriste dhe shkretonte Njeriun…
Kjo poezi e nji guximi të pabesueshëm e pothuaj hyjnor
e kam lexuar dhe rilexuar, dhe do ta lexoj dhe rilexoj sa të kem frymë…
sepse ajo mbetet nji poezi e pashoqe e letërsisë shqipe
për shpirtin heroik të kundërshtimit të së Keqes dhe Qëndresës…
Në 50 vite komunizëm dhe 26 vite postkomunizëm,
ajo ende qëndron si nji dëshmi e gjallë e shpirtit shqiptar
që s’e pranoi dhe nuk e pranon aq lehtë nënshtrimin, as përdhosjen…
Prandaj Trifon Xhagjika do të shfaqet gjithherë si nji shqipe e lirë
që herë mbas here i ngul kthetrat dhe sqepin,
mbi përgjumjen, çorodinë dhe indiferencën tonë…
4 dhjetor 2013

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Kënga e verbër (1962)

poezi nga Trifon Xhagjika

E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.

Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.

Ata të kthyen në metelik!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.

Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.

O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç ejani me mua,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.

O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.

Turp,
Atdhe!
S’dua të di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.

Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe ti, o Republikë,
e gjora Republikë,
do të jesh përsëri me mua.

Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.

Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:

“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”
Prill 1962

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.