back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Këshillat e Sotir Kolesë për pastërtinë e Gjuhës – nga Xhafer Sadiku

Gazeta

Sotir Kolea (1872-1945)
Sotir Kolea (1872-1945)

Këshillat e Sotir Kolesë për pastërtinë e Gjuhës

nga Xhafer Sadiku

Sotir Kolea ka qenë një këshillues i mirë për të rinjtë që kishin dëshirë të shkruanin. Por, meraku i madh i tij ishte të shkruanin mirë gjuhën shqipe. Ai vlerësonte për pastërtinë e gjuhës, Musine Kokalarin, At Gjergj Fishtën, Ali Asllanin. Ja çfarë i sugjeronte një të riu:
“…Sa për gjuhën shkruaj ashtu siç flet, domethënë mejtohu shqip m’u sikundër flet me shokët, me njerëzit e tu, me fshatarët; mos kërko të shkruash ashtu siç e kanë bërë zakon gazetat dhe shumica e atyre që janë vënë të nxijnë kartën e bardhë me një gjuhë të shëmtuarë, të mbytur në një pellk fjalësh të huaja, të cilave nuk ua ka nevojën shqipja, mbasi ka të vetat të bukura dhe të shuma për çdo nevojë të jetës, mos kërko të ngatërrosh toskërishten me mënyra të thëni të gegërishtes. 
Kur është puna për toskërisht, fol dhe shkruaj toskërisht ashtu siç e flasin në fshatin tënd; pa kur është puna për gegërisht fol dhe shkruaj gegërisht sa më kthjellët të mundesh dhe duke u larguar si e si nga të folmet e sotme të Shkodrës që ka humbur gjithë bukurinë e dikurtë. 
Për të kënduar merr vivllën, “Se ç’më thotë nënua plakë” të zonjëzës Musine Kokalari, të shkruar në të folmen e Gjirokastrës, këndoje me kujdes një herë, dy herë, tri herë se për punë gjuhe sidomos e vlen barra qiranë, ke për të gjetur në të mënyra të foluri të rrethit të fshatit tënd që ndoshta i ke harruar dhe do të kujtohen me qindra mënyra të tjera që janë bukurija dhe begatija e gjuhës.
Këndo vjersha të At Fishtës, dhe këndoji me kujdes duke mbajtur dhe shënime, se gjuha e tij është e pastër dhe e kulluarë mu siç e flasin katundarët që s’kanë pasur të bëjnë as me gazetarë as me gazeta. 
Ato mënyra që përdor At Fishta gjenden dhe në Jug, andaj duke i kënduar në vjersha të tija kërko ndër mend aty për aty si i thonë në vise të Jugut dhe mba shënime. 
Nëqoftëse kanë dalur në dritë vjershat e Ali Asllanit këndoji edhe këto një-dy-tre herë se gjuha e tyre është e kulluar shqip… Kështu do të mësojsh të shkruash gjuhë të pastër shqip.  
Mos u var sidomos trastën atyre të rinjve që janë vënë të nxijnë kartë me vjersha dhe novella (rrëfejta) dhe me përkthime romanesh të huaja, se jo vetëm s’ke për të mësuar gjë syresh po do të humbasësh dhe atë të pakë shqipe që të ka mësuar jot’ ëmë dhe yt atë. 
(Leri) të flenë për një muaj, për dy muaj gjithë ato që shkron ti vehtë. Kur t’i marrësh pas kohe prapë ndër duar do të gjesh vetë gabimet dhe do të jesh i zoti t’i ndreqësh, sa herë t’i marrësh kështu ndër duar kaq më të mira do të dalin; është si ai mielli që shkuhet ndër dy- tre sita…”

.
Marrë nga Muri i FB i nga Xhafer Sadikut, 2 janar 2021 
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.