back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kështjelli – poeme nga Arshi Pipa

Gazeta

Kështjella e Gjirokastrës
Kështjella e Gjirokastrës
Kështjelli – U shkruejt në gusht 1950.
N’atë kohë bahej shumë zhurmë prej grekve mbi t’ashtuquejtunin “Epir të Veriut”.
As edhe një vjet ma parë ushtria qeveritare greke në luftën e vet kundra njësive komuniste greke,
ishte futë në tokën shqiptare tue ra në përpjekje me ushtrinë shqiptare.
Me politikën e vet të shtypjes she të përdhunimit,
t’ushtrueme sidomos mbi pjesën e veriut të Shqipnisë,
Partia Komuniste hapi nji plagë, e cila ishte mbyllë tashma:
Atë të dasive krahinore dhe fetare. N’urrejtjen e vet globale të komunizmit,
njeriu i thjeshtë i popullit në Gegëni fillojë të mos bajë ma dallimin mes qeveritarёve komunistё
dhe vendeve prej kah ata ishin. Vetё komunistёt janё pёrgjegjёs pёr kёt aberracion.

.

Arshi Pipa student në Itali
Arshi Pipa – student në Itali

Kështjelli – poeme nga Arshi Pipa

Kush e mendonte se prej ktij kështjelli
do të soditsha rishtas pamjen tande,
o vend i njoftun1 kur me prindin erdha
te shpija e etënve! Shif, mbi sahatin2
qi kuq e ngjyejnë tash rrezet e prendimit,
(mirë e kujtoj) aty asht shpija e madhe
qi s’len me u pa e rrepave gjethnaja.
Nji verë t’kandshme kalova n’ato hije
ku shpërthejnë prej shkambijsh gurrat e shpeshta
qi e bajnë ndër viset rrotull Libohovën
me qenë stolia e maleve, nji kopësht.
Por sot aty ti pasunin e moçme
do ta kërkojshe kot. Ato pallate
qi dukeshin prej larg mes gjelbrimit
sot janë gërmadha. Koha shumë i prishi,
si u lanë mbas dore e kush ma nuk i ndreqi
kur ngeli fshati roje kufitare.
E shumta u dogjën. Nuk i dogj i hueji,
Greku, Italiani, por banori i tyne
gjatë luftës qytetare3 qi kto vise
t’vorfnueme ma vorfnoi. E sot katundi
nji grumbull asht rrënojash e kolibash,
nji vend i vdekun qi me pà t’merr vaji.
 
Natën kur shokët flejnë e veç ndigjohen
hapat e rojes nalt përmbi çimenton
e budrumit,4 ndërsa hijet prej harqesh
mbi t’iruna kryqzohen faqet tona
ngjyrue si muret ku: nuk futet dielli,
natën sa herë mendimi mi kto vise
m’ndalet ankueshëm për fatin e tyne.
.
Kështjella e Libohovës
Kështjella e Libohovës

.

Na thonë se sot na miq i kemi Grekët,
se jemi lidhun kundër komunizmit,
me ta për nji qëllim! …Shqiptarë, a i njifni?
Harruet Hormovën5? Kristo Negovanin.6
shërbtorin e Zotit e t’atdheut
therun me thika? Egzotin7 çam harruet?
Jo, nuk e due lirinë qi m’falë anmiku!
Ma parë kalbem e vdes ndër kto budrume
se me shpërblye kamatën e lirimit
me turpin e nji heshtjeje tradhtare.
 
Rrezik për vdekje atdheut sot i kanoset!
Leni mënit e vjetra e leni t’rejat!
Shpëtimi ynë asht vetëm te bashkimi.
Kujtoni qysh u ba dikur Shqipnia!
At’herë si sot pat gegë e toskë e pati
krishtenë e muslimanë! Por s’i përfillën
para njisis kombtare ata ndryshimet!
Nji hyll i ndriti, i ngrohu: atdhedashnija,
u prini nji qëllim i shenjtë, nji flamur.
E thanë: Ja vdekje ja liri! E vdiqën.
Rroftë Shqipnija. Ky qe betimi i tyne,
ky e asnji tjetër. E ashtu u ba Shqipnija.
 
E s’mundemi na sot, na bijtë e tyne,
me ndjekë at shembull, sot mbas plot dy brezash?
E bamë at’herë kur kishte fanatizëm,
padije trashamanash, kaos gjanash:
kur quhej njeni “turk” e “kaurr” tjetri:
kur shkruhej gjuha shqype nëpër shkronja
qi njeni i donte “arabçe” e tjetri “rumçe”;
kur s’kishim libra e puna e agronomit,
çmohej ma pak se puna e nji nallbani;
kur ishte mjek berberi e ish muzika
zanati i jevgut, kur nuk kishte shkolla,
spitale, rrugë (as rrugë); kur kishte qerre
për mjete bartse, hane për hotele;
kur s’dihej ç’asht domatja, ç’asht panxhari
e s’kishte nji fabrikë e tanë Shqipnija!
 
I mrekullueshëm qe ai vrull lirije,
ajo dëshirë e flakët qytetnimi,
qi mbi kët djerrë gjithë ferra edhe gërmadha
nji jete s’re ja vu plot shpresë themelet,
e syt tue prirun etshëm kah perndimi
përpara u nis me at hov qi popujt virgjën
kanë kur nga prangat shkunden shekullore…
Kështjella - Burg - Gjirokastër
Kështjella – Burg – Gjirokastër

.

Nuk them se jemi ma t’mirë se bota,
s’urrejmë na fqinjët se ngelëm mbrapa tyne,
e anmik tue pasë ku duhet çmojmë anmikun,
Por s’kemi arsye ta poshtnojmë vehtveten,
Pse t’ulim qafën, zgjedhën tue pranue.
Kemi virtyte t’epra qi veç racat
fisnike i kanë. E n’paskemi plot vese
burrnisht i njofim. Faji ynë qi ndofta,
pse katër shekuj rresht n’errsinat ngelëm
e nji robnije shterpe prapanike?
E duam pamvarsinë! Rrebeshi i kohës
romake, sllave e turke ndër pushtimet
e njimbasnjishme shekullore s’mundën
me na përpi. E humbëm shumë, por s’humbëm
fare. Fise plot tjera u shkrinë: na mbetëm.
A s’asht kjo provë? Kur ngrejti krye Greqia
mbarë u çue peshë për me i ndihmue Europa.
E ashtu patën kombsinat e Ballkanit
shtylla fuqitë e mdha. Na cilin patëm?
Europa ne na quejti turq, ne nipat
e Skandërbegut! Kundër nesh i nxiti
fqinjët e i majmi ato me copat tona,
e në fund grabitjet ua vulosi! E vetëm
kur ma nuk pat Shqipnija si t’mohohet,
pa u ba me turp e gaz diplomacija.
na fali, sikur bahet me nji lyps,
nji kockë, nji kurm prej mishit tyne e trupit.
Kjo qe Shqypnija e tyne! Se ajo e jona
ka qenë gjithmonë nji tjetër, kudo flitet
kjo e ambël gjuhë arbnore e ku i mërguemi
fshan n’dheun e huej me gjetun vorr te i veti.
 
S’jam idhtujtar i putave të fisit,
S’jam idhujtar i kurrnji gjaje, e rritun
asht ndija ime, n’shembujt e lavdishëm
kudo mendja ndriçoi filozofike.
E qoftë ma e nalta ndonjiherë qi ngrejta
kanga qi ktu ndër gjinj pret me shpërthye
Për nder e ugur t’Europës së Bashkueme.
Por jam shqiptar, bir i ktij vendi t’idhun
qi ka provue (jo nji herë) me flije
t’egër lakminë e fqinjve, thojtë e tyne.
Ndofta nji ditë, jo larg, kufinjtë do të hiqen.
Kur mendja e ç’veshun prej idhujve t’fundëm
t’bahet e zonja kthjelltas me gjykue
me sympathi ma t’gjanë njimend njerzore.
Por der at ditë na, bijtë e ktij vatani,
t’u dalim zot kufinjve e trashëgimet
t’i ruejmë e pengjet qi na u lanë jetike.
 
E ju vise t’Avniut e të Çerçizit,
Naimit e Çajupit, Negovanit
ju troje t’ashpra ku trimnija e hershme
epirote u përmend ndër ditët tona
motër e denjë e asaj qi skuqi shkrepat
sa herë lavdishëm t’Ilirisë kreshnike,
ju çerdhe shkabash qi na bani burra
krenarë e t’rreptë e syshgjetues si shkabat,
o vise që mbi krye sot keni pezull
rrezikun me u coptue nga trupi i kombit,
deh, mos leni ndër ju qi t’përsritet
krajata çame! Jo askurrë Shqipnija
s’ka me durue qi fajet ju t’i lani
t’nji grushti dhemohuesish e trathtarësh.
Dorën n’rrezik ju mbarë jua zgjat vatani.
Mos kini frigë, nuk ngulë kurrë ktu i hueji.
Shqipni ktu ka me qenë e përmbi maje,
flamuri i Skandërbegut do t’valvitet,
derisa flamujt tjerë do t’njofi bota!
.
Gjinokastër, Burgu i Kalasë (gusht 1950)
Rrapi në Libohovë
Rrapi në Libohovë

1.Libohova gjendet nё JL tё Gjinokastrёs. Prej kalàsë ajo dallohet me sy fare mirё, por, doemos, jo me hollёsitë e radhituna nё poemё, tё cilat janё mà fort tё pёrfytyrueme.

2.Im at qe nga Libohova. Shtёpia atnore àsht nё lagjen Krakur, tё vendosun nё shpat tё malit. Nёn shtёpinë àsht nji kullё guri, dikur sahat.
3.Libohova qe njena nga vendet e Jugut, ku u ndez mà keq lufta mes ballistёve dhe komunistёve.
4.Nё periudhёn monarkiste tё Shqipnisë u ndёrtue nё kёshtjellin e Gjinokastrёs nji burg pёr kriminelёt e rrezikshёm. Nё kёt burg u dёrgue nji pjesё e tё burgosunve politikё nё verё 1950. Pёr ndonji muej tё burgosunit, ordinerё dhe politikё, ndenjёn nё katin e sipёrm tё ndёrtesёs. Mandej ky ju la ordinerёve, dhe politikёt u zbritёn nё bodrumet e katit pёrdhes, nё dy salla tё mёdha. Vendi i pakёt (rreth 50 centimetra pёr njeri), lagёshtina e madhe (muret dimnit kullojshin ujë), mungesa e ajrit (njena sallё, ku flijshin rreth 200 vetё, kishte tri dritare; tjetra, ku flejshin rreth 150 vetё, kishte vetёm nji dritare), mungesa e zjarmit (aq mà e ndieshme nё kёt çimento tё qullёt), mungesa e pastёrtisë (sa qeshё aty morrat s’u ndanё ndonjiherё), dhe, mbi tё gjitha, mungesa e ushqimit (merrshim 650 gram bukё ditёn dhe dy lugare çorbё pa pikё undyre pothuej): tё gjitha kto, tё kombinueme me atmosferёn mbytёse tё budrumit, banё qi nji numёr i madh tё burgosunish tё vdisshin mbrenda nji kohe tё shkurtё.
5.Nё periudhёn mes luftёs ballkanike dhe luftёs botnore, grekёt kryen mizori nё Shqipninë e Jugut: nuk harrohet çka ata banё nё fshatin Hormovё tё Tepelenёs, ku therёn “si dhentё nё shtrungё”, thotё kanga popullore, nji pjesё tё mashkullis sё fshatit, tё mbledhun nё kishё.
6.Grekёt vranё me thika priftin atdhetar dhe shkrimtarin shqiptar, At Kristo Negovanin, nё 1905.
7.Nji pjesё e madhe e Çamёve u arratis dhe u fut nё kufinin shqiptar, kah mbarimi i Luftёs sё Dytё Botnore, pёr t’u shpёtue ndjekjeve tё grekёve, tё cilёt i vranё e prenё pa dhimbё.
Marre nga “Libri 1 Burgut” Arshi Pipa, (faqja 113-119)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.