back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Kevin Higgins shkruan për poetin Visar Zhitin

Gazeta

Kevin Higgins gjate nji leximi letrar
Kevin Higgins gjate nji leximi letrar 

Kevin Higgins shkruan për poetin Visar Zhitin

U promovua në Irlandë libri me ese dhe kritika “Mentioning the war” (“Duke përmendur luftën”), shkruar prej poetit, studiuesit dhe botuesit irlandez Kevin Higgins, krijimtaria e të cilit i ka kaluar kufijtë e vendit të tij duke u bërë e njohur dhe në vende të tjera si në Angli, (K. Higgins ka lindur në Londër), SHBA, Zelandë e Re, Belgjikë, etj. Shqetësime të kohës, tendenca dhe kundërtendenca, ide, poezi, estetikë, politikë, dhunë, emra të njohur diktatorësh të kuq, ideologësh, shkrimtarësh, estetikë, gjithë kjo përzierje, etj, ngërthehen në këtë përmbledhje prej 217 faqesh. Poeti irlandez Kevin Higgins ka përfshirë në këtë libër dhe esenë e tij për poetin tonë Visar Zhiti, “The condemned apple”, (“Molla e dënuar”, faqet 113-116), ku tregon mbresat, vlerat dhe porositë që dalin nga leximi i poezive të Visar Zhitit, botuar në Los Angeles, SHBA me përkthim të albanalogut të njohur kanadez Robert Elsie.

Visar Zhiti “The condemned apple”
Visar Zhiti “The condemned apple”

“Molla e Dënuar”

“Molla e dënuar” është libri me poezi, më turbulluesi që kam lexuar ndonjëherë.
Visar Zhiti u rrit në Durrës, port në bregdetin Adriatik. Poezitë e para i botoi në revistat letrare, teksa përgatiste vëllimin e parë të poezive “Rapsodi e jetës së trandafilave“. Nëse do të jetonte në Irlandë apo Angli, Visarit do t’i jepej çmimi “Forward” apo dhe do të ftohej të paraqiste vëllimin e tij në Festivalin Letbury apo në Cuirt. Edhe mund të ndodhte të bënin sikur ta harronin dhe, në një rast të tillë, pa dyshim kjo mund të përflitej me miqtë. E tillë është jeta e poetit. Të paktën nga ajo që dimë. Po Visar Zhiti nuk jeton në Brighton apo në Galway; ai mbijeton në një vend që ishte nën regjimin absolut të Stalinist fanatik Enver Hoxha, që e bënte Nikolae Çausheskun të dukej një liberal i mirë në krahasim me të. Enver Hoxha ishte një maniak me proporcione të hatashme. Pasi u prish me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushovi pranoi gabimet e bëra nga Stalini, dhe më pas me kinezët, të cilët pas vdekjes së Maos ndërprenë të ashtuquajturin Revolucion Kulturor dhe nxorën në gjyq “bandën e të katërve” ku përfshihej edhe gruaja e Maos, Hoxha dënoi Bashkimin Sovjetik, Republikën Popullore të Kinës (dhe satelitë të tjerë të tyre, që nga Kuba e deri te Korea e Veriut) si “revizionistë borgjezë”. Nga mesi i viteve ’70 Shqipëria ndërpreu kontaktet diplomatike dhe ekonomike me pjesën tjetër të botës komuniste dhe zyrtarisht ishte “i vetmi vend socialist në botë”, por në të njëjtën kohë ishte edhe vendi më i keq në botë. Vetëm regjimi i Polpotit ia kalonte regjimit shqiptar.
Pra nuk ishin rrethanat që të mund të botohej koleksioni i parë i poezive të Zhitit, megjithëse kishte paraqitur dorëshkrimin e tij të parë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, kur filloi “spastrimi i liberalëve” në Sesionin Plenar të Partisë Komuniste në Tiranë. “Liberalët” në fjalë ekzistonin më shumë në fantazinë e Enverit, por kjo nuk kishte rëndësi, duhej bërë një spastrim medoemos.

Visar Zhiti - Kopertine
Visar Zhiti – Kopertine

Dhe Zhiti e vuajti si pasojë: Vepra e tij u zbulua si “nxirje e realitetit socialist”. Dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve – emrat e tyre janë dhënë vetëm me iniciale R. V. dhe P. K. – përgatitën një “akt-ekspertizë“ mbi veprën poetike të Visar Zhitit, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy lakejtë me shumë zell i dorëzuan autoriteteve më 24 tetor 1979 relacionin prej 12 faqesh të kësaj akt-ekspertize. Dy javë më pas Visar Zhiti u arrestua.
U lirua nga burgu më 28 janar 1987, pasi qe flakur në gulagun shqiptar, i detyruar të punojë si skllav në ferrin e minierës së Spaçit. “Akt-ekspertiza” është ribotuar e plotë në fund të librit. Të rrëqethet mishi kur e lexon, sepse ndëshkimi më mizor i bëhet “gjuhës së errët” dhe natyrës “hermetike” të poezive të Zhitit, gjë që më kujton ato që kam dëgjuar të thuheshin nga miq socialistë, disa prej tyre tani ish-miq, për veprat e poetëve si Medbh McGuckian dhe John Ashbery. Një pjesë e mirë e kritikës letrare të majtë, sidomos, siç duket në shtypin e vogël, është e lidhur ende me qëndrimet staliniste. Tani kanë mbetur pak stalinistë dhe midis tyre padyshim, ka edhe në letërsi që flasin si Trocki “nuk ka vijë partie në art”, por veprojnë si Stalinër, gjithë ndëshkime dhe zilira të zeza, kur flitet për poezinë që i tejkalon apo nuk i shërben çështjes së tyre.
Me të këqijat dhe të mirat, ne që jetojmë në botën perëndimore, jemi të paktën të lirë të shkruajmë atë që duam. Poezitë tona mund edhe të injoroheshin, kjo është çështje tjetër, po Medbh McGuckian nuk rrezikonte të denoncohej nga Ministria e Brendshme për faktin që ai nuk është Adrian Mitchell apo Linton Johnson.
Por ata arritën ta përndjekin Visar Zhitin për obskurantizëm në poezi. R.V dhe P.K. të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e dënojnë pse thotë atë që ata s’duan të dëgjojnë, ja p.sh: “Në poezinë “Xhulisë”, një vajzë malësore shkon në shkollë, e veshur me një xhaketë të vjetër ushtarake, që ia dhanë vëllait, kur u lirua nga ushtria. Synimet e poetit janë të qarta këtu. Në këto poezi ai kërkon të nxijë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si për gjithë popullin, edhe malësorëve tanë.”
E vetmja kritikë që kam për këtë libër është se poezitë goditëse, ato të cilave u referohen R.V. dhe P.K. në akt-ekspertizën e dënimit nuk përfshihen të gjitha. Do të ishte shumë interesante të na jepej mundësia të lexoheshin. Në këtë vëllim mbizotërojnë poezi që Visar Zhiti i shkruajti gjatë viteve në burg. Kur nuk kishte të drejtën për të patur letër e penë në qeli, ai krijoi me mend dhe i nguliti në kujtesë të gjitha poezitë duke u përpjekur kështu të mos humbiste dhe mbamendjen. Përkthimi i vëllimit nga shqipja në gjuhën angleze, pa dyshim, ka humbje. E megjithatë përkthimi i Robert Elsie-së është i fuqishëm dhe prekës. Nga poezitë më të bukura ndoshta është dhe “Çastet ikin”:

Ikin çastet si morrat nëpër trupin tim.
Në këtë llogore burgu plot baltë vuajtjesh rri dhe pres.
Sa keq të jesh luftëtar pa luftra.
(1982)

Në poezinë e shkëlqyer “Banjoja e të burgosurve”, e krijuar kur ai ndodhej në burgun e Qaf-Barit në korrik të vitit 1983, Zhiti tregon se si edhe në rrethanat më të tmerrshme njeriu kapet pas sensacioneve që mund të të japin edhe kënaqësi, sado vogëlane:

Më lëpin me gjuhë uji i dashuruar                         
u lehtësova i tëri.                                       
Hija e telave me gjemba                                  
si tatuazh skllavi                                        
nxin mbi lëkurën time.                                    
Po unë po lahem,                                          
e humba peshën si në një realitet tjetër.

Në poezinë që ka marrë dhe titullin vëllimi, Zhiti kapet pas humanitetit nga fija më e brishtë: “Unë, si i marrë, ulërij në heshtje:/ Ej, ti, botë!/ Dhe në më ke harruarr,/ unë jo…” Dhe në njëfarë mënyre, profetikisht, kështu ndodhi, sepse regjimi ra më 1990 dhe Visar Zhiti doli nga gulagu, pra ky është një libër, për fat, me një fund të lumtur: Poeti ruajti shëndetin e mendjes dhe mbijetoi.
Në poezinë “Zyra e dikurshme e diktatorit, pranë së cilës punoj” ai arrin madje të vizitojë zyrën e torturuesit të tij dhe – jehonat e Hannah Arendt – sheh se ai ishte një vend shkretimisht zymtan, jashtë imagjinatës: “As humnera dënimesh. Nga sirtarët/ s’dalin tyta armësh/ si sy detektivësh metalikë. Rri i heshtur./ Fytyrëzbardhur. Sikur të kem dalë nga një sëmundje e gjatë.”
Ky libër poezish lindi si realiteti i një makthi tejet të keq. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditshme.
Përktheu nga anglishtja: Mira Xhiku
marre nga Tirana Observer 19/04/2012

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.