back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kirurgia e parë gjinekologe femër në Shqipëri – Qamuran Toptani e njohur nga të gjithë si Lona Toptani – nga Ervina Toptani

Gazeta

Kirurgia e Pare Lona Toptani
Kirurgia e Pare Lona Toptani

Kirurgia e parë gjinekologe femër në Shqipëri

Qamuran Toptani e njohur nga të gjithë si Lona Toptani

nga Ervina Toptani

Lona Toptani lindi në Tiranë në vitin 1911. Bijë e Myzafer dhe Behije (Tirana) Toptani, mbesë e Fuat bej Toptanit. Ajo ishte fëmija i tretë në familje. Babai i saj largohet përkohësisht nga Shqipëria dhe fëmijët shkollën e mesme e kryejnë në Vjenë, Austri. Lona kreu shkollën e mesme mjekësore në Austri ku doli me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht në Vjenë e “pagëzuan” me emrin Lona, të gjithë shoqet, shokët e mësuesit i thërrisnin me këtë emër në pamundësi për të shqiptuar saktë emrin e vërtetë Qamuran e me këtë emër, Lona, e njohën të gjithë deri ditën që mbylli sytë përgjithnjë në Tiranën në 8 maj 1981.

Qemoran Toptani (1912-1981)
Qamoran Toptani (1912-1981)

Universitetin e mjekësisë e vazhdoi në Trieste të Italisë duke u diplomuar dhe aty me maksimalen e rezultateve. Në fillim të viteve ‘40 e diplomuar tashmë dhe me dëshirën më të madhe për të shërbyer në Shqipëri, kthehet në Atdhe. Fillimisht nga vitet ‘43-’44 punoi me Prof. Dr. Locin e më pas me Prof. Dr. Frederik Shirokën deri në vitin ‘49. 
Në vitin 1949, familja e Lona Toptanit shpërngulen në Dibër ku fillimisht iu komunikua si transferim (e jo internim) meqë Lona Toptani ishte ndër të vetmet gra kirurge në profesionin e saj e përgjatë atyre viteve në Tiranë kishte shpëtuar shumë jetë nënash e fëmijësh.
Po e vazhdoj këtë shkrim me kujtime miqsh e familjarësh, kujtime të njerëzve të thjeshtë të cilëve ajo iu shërbeu deri në fund e që në fakt mbeten gjithnjë kryefjala e jetës së çdo individi që jetën e vuri në piedestalin më të lartë duke i shërbyer pareshtur asaj në kuptimin e parë të fjalës.
Lona Toptani përveç se një mjeke e kirurge e shkëlqyer ishte dhe një grua shumë e dhembsur. Duke qenë se nuk u martua kurrë si rrjedhim nuk pati fëmijë, vendosi të adoptojë një vajzë të vogël të mbetur jetime të cilën e rritën, sëbashku me dy motrat e tjera me Qemoran Toptani (1912-1981)të cilat Lona jetonte, si të ishte vërtet vajza e tyre deri ditën që ato u shuan përgjithnjë.
Në Dibër, Lona shërbeu pa njohur orare pune, apo vështirësi që kishin të bënin me mjetet e pamjaftueshme të punës, me vështirësitë e motit etj. Ka shkuar në çdo fshat ku kishte nevojë për mjek kirurg, shpesh në këmbë nga pamundësia e udhëtimit me çfarëdolloj mjeti. Madje shpesh duke qenë se mjekët ishin vërtet të paktë, u ka shërbyer të gjithë njerëzve, përfshirë këtu dhe burrat e ushtarët kur nuk mund të merrnin ndihmë tjetër të specializuar nga mjekë të tjerë, gjithnjë në mungesë.
Në vitin 1958, Lona Toptani sëmuret rëndë dhe bën një operacion të ndërlikuar në zemër. Nuk ishte e mundur që ajo të përmirësohej në kushtet e vështira ku jetonte në Dibër dhe në vitin 1960, me një urdhër të veçantë nga Manush Myftiu, ish Byroja Politike e kohës (Lona kishte shpëtuar jetën e mjaft njerëzve dhe fëmijëve përfshirë këtu edhe të atyre që Lonën politikisht e konsideronin armike) ajo dhe dy motrat e saj që jetonin bashkë u kthyen në Tiranë, ndërsa vëllanë e familjen e tij e lanë në Dibër deri në fund.
Në Tiranë i vendosën në një shtëpi të vjetër në rrugën e Kavajës me një dhomë ku varfëria ishte ekstreme. Aq shumë në vështirësi ishin motrat, mbesat e Fuat bej Toptanit sa mbuloheshin me qilima të vjetër por kjo gjë ishte normale për to, madje motra e vogël e doktoreshë Lonës punonte tek markata e vjetër e Pazarit të Ri në ngarkim-shkarkim. Asnjë punë tjetër nuk i jepnin përveç kësaj ose ndërtimit.
Lonën e thirrën për të vazhduar profesionin dhe shërbimin në maternitetin e Tiranës, punë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1976 me Prof. Dr. Ilir Gjylbegu derisa doli në pension.
Lona kujtohet jo vetëm për kurimin e shpëtimin e njerëzve por edhe për kurat e famshme që ajo iu jepte grave që nuk kishin pasur mundësi për vite me rradhë të bëheshin nëna, edhe pse martuar prej dekadash. Një ndër këto gra ishte dhe Vitore Lleshi, vajza e Haxhi Lleshit që sado që Lona ishte Toptanse dhe mbiemra të tillë nuk duheshin përmendur përpara “të rëndësishmëve” të komunizmit, ajo nuk reshtte së përmenduri sepse pas shumë vitesh u bë nënë e një vajze falë përpjekjes e kurave të Lona Toptanit. (Mbesa e dr. Lonës kujton: “Ne kishim frikë që emri i familjes tonë të përmendej nga ata sepse do të kujtoheshin që ishim gjallë e do të na merrnin dhe atë copë shpirti që na kishte mbetur…”
Nuk ka ditur njwherë Lona të thoshte jo, nëse dikush i trokiste ditën apo natën për ndihmë. Nuk donte të dinte aspak nëse njerëzit që kishin nevojë për ndihmë vinin nga fshati, nga qyteti, nëse ishin komunistë, armiq të partisë apo njerëz me me pushtet. Ajo e dinte se duhet t’i shërbente jetës dhe asgjë tjetër nuk kishte rëndësi në varfërinë dhe ekstremin e vështirësive ku ata jetonin.
Edhe kur doli në pension ajo vazhdoi të shërbente njësoj për çdo njeri që trokiste në derën e saj, edhe pse e sëmurë e me probleme të mëdha. 
Në vitin e fundit të jetës, i shkon një nuse nga fshatrat e Durrësit dhe meqë kishte shumë vite martuar me një djalë të vetëm ishte shumë e dëshpëruar se nuk kishte fëmijë. Iu lut doktoreshë Lonës ta ndihmonte e t’i përshkruante një nga kurat e saj. Sigurisht doktoresha e butë, “tironsja pamuk-sheqeri” e ndihmoi dhe i tha të kthehet pas 3 muajsh bashkë me rezultatin e analizave që do të bënte në vazhdim. Dhe gruaja ashtu bëri, vetëm se ditën kur u kthye tek shtëpia e Lona Toptanit, më 8 maj 1981, pa një turmë njerëzish jashtë e brenda, mjekë e infermierë, qytetarë e miq e nuk po kuptonte se çfarë kishte ndodhur.
-Më falni që ju shqetësoj – foli zonja tek dera e shtëpisë së motrave Toptani – doja të takoja doktoreshë Lonën. Kam diçka shumë të rëndësishme për t’i thënë. Ajo më pret se sapo janë mbushur 3 muajt.
– Më vjen keq, – i thotë kolegu i doktoreshë Lonës me lot në sy. -Lona Toptani na la, e sot bëhet varrimi i saj.
Gruaja për pak humbi ndjenjat dhe u detyruan ta fusin brenda e ta qetësojnë. Ajo filloi të qajë kur e mori disi veten dhe me ngashërim i thotë të pranishmëve: “Unë erdha t’i them doktoreshës, që mbas 10 vitesh jam shtatëzanë dhe vetëm ajo mundi të më lumturojë kaq shumë e tani as nuk mund ta përqafoj e ta falenderoj siç doja! 
Ajo iu drejtua nga motra e vogël e doktoreshë Lonës dhe i thotë: 
“Ku ishte krevati i doktoreshës? A mund të ulem një moment e ta qaj aty siç më do zemra se nuk mund ta mbaj këtë dhimbje e ngashërim përbrenda”. 
Sigurisht e lejuan. Ajo qau e qau me fjalë për gruan që i dhuroi atë që ajo nuk e priste të ndodhte më e me sytë e shkëlqyer nga lotët thotë: “A më jepni leje që nëse fëmija që mbaj në bark është vajzë t’ia vë emrin Lona?”

Nuk do të mjaftonte një libër i tërë për të treguar gjithë mirësitë që Lona Toptani bëri sa ishte gjallë, por nëpërmjet këtij shkrimi sot, dua t’i dedikoj një falenderim të veçantë njeriut, gruas, mjekes e mikes së mrekullueshme të shumë bashkëkohësve të saj. 
Shpirti dritë të pastë, doktoreshë Lona Toptani!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.