back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kisha e Shna Prendes së Kurbinit – Monument Kulture nga Kastriot Marku

Gazeta

Germadhat e Kishës së Shna Premtes - Kurbin
Gërmadhat e Kishës së Shna Premtes – Kurbin

Kisha e Shna Prendes së Kurbinit – Monument Kulture

nga Kastriot Marku

Më në fund Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës ka shpallur sot Monument Kulture, Katedralen e Shën Prenës në fshatin Gallatë të bashkisë së Kurbinit, dikur seli ipeshkvnore e Dioqezës së Arbënit (1615-1640) dhe seli e Arqipeshkvisë së Durrësit (1640-1653). Këtë status e kishte merituar me kohë ky ansambël historiko-kulturor, tashmë monument kulture, një ndër kuvendet më të rëndësishme benediktine të Shqipërisë veriore që më pas u administrua prej etërve françeskanë, ku edhe u themelua një ndër shkollat e para të gjuhës shqipe (1632), e financuar nga Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide.
Historia shqiptare, kultura shqiptare, shkolla, arsimi, gjuha, libri dhe letërsia shqipe kanë tashmë mes tyre një dëshmi më shumë deri më tash të munguar; një “scriptorium” të kujtesës sonë kombëtare në altarin e identitetit kombëtar shqiptar. Bazilika e Shën Prenës që kishte shenjtëruar përmes dorës së Imzot Gjon Kolesit, Imzot Mark Skurës, Imzot Gerard Gallatës, Imzot Nikollë Radovanit, Imzot Pal Gallatës e Imzot Rafaelo D’Ambrosio-s një univers më vete të botës shqiptare e që u dhunua dhe u përdhos prej regjimit komunist (1945-1990), më në fund ka marrë mbrojtjen formale të shtetit shqiptar. Urojmë që kjo mbrojtje të mos mjaftohet vetëm me një tabelë/pllakat njoftues, por të shoqërohet me projekte konkrete konservimi dhe restaurimi. Historia ime personale është e lidhur me këtë monument që në vitin 1983, kur isha vetëm 13 vjeç, dhe që lanë gjurmë në kujtesën time, e prej andej nuk kanë reshtur kërkimet e shumta dokumentare nëpër burimet të botuara e të pabotuara bibliotekare dhe arkivore nga Tirana në Selinë e Shenjtë në Vatikan e që shpresoj që një ditë t’i shoh në një monografi të botuar enkas.

Kisha me kambanoren në fillim të shek. XX (1901). Fotograf Theodor Ippen.
Kisha me kambanoren në fillim të shek. XX (1901). Fotograf Theodor Ippen.

Relacioni i Mark Skurës për Kishen e Shna Prendes (1641)

nga Jozef Zamputti

Një pjesë e relacionit të Mark Skurës drejtue Kongregacionit të Propaganda Fides me 20.12.1641, ku flet për kishën e Shna Prendes e për shkollën, botue më 1965 në Vëllimin e II të “Relacioneve” nga Injac Zamputti:
“Kisha katedrale, që sot më breve apostolik gjendet në Kurbin, asht nën titullin dhe në pajtimin e Shna Prendes. Motit ka qenë abaci e mitrueme, e cila [kishë] asht e gjitha në gur të gjallë. Pranë kishës janë vorrezat e saja. Ajo ka 3 altare. N’altarin e madh arqipeshkvi ka vendosë me 1640, një tabernakull të bukur prej bakri krejt të praruem dhe të stolisun me gurë të ndryshëm kristali; përmbi tabernakull ka bamë të vendosej një kuadër të madh e shumë të bukur me suaza të prarueme dhe me fytyrën e së Shenjtnueshmes Virgjen, nanës së Zotit. N’altarin e dytë, n’anë të epistullës, një kuadër tjetër të ngjashëm me të sipërthanunin me fytyrën e Shna Prendes. Në të tretin një kryq dhe, pranë tij, faldistorin e vet. Që të tre altarët ka bamë që të kyçen n’atë mënyrë si disa kisha t’Italisë. Ka kumbonaren me një kumbone të madhe. Kisha nuk ka sakresti as relike veçse ato t’altareve të lëvizshëm, dhe veshjet mbahen në dhomën e arqipeshkvit. Ka një shkollë me 12 gjakoj që arqipeshkvi i ushqen me mjetet e veta për të rritë subjekte që të shugurohen meshtarë pastaj kur të jetë koha…”.
Këto fjalë me disa ndryshime përsëriten në relacionin e Mark Skurës të datës: pas 1644. Bie në sy numri i gjakojve 10 që asht ma i ulët se në vitin 1641.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.