Kishat e braktisura të Roskovecit*
nga Lindita Komani
Pak ditë më parë u gjenda për punë në Roskovec dhe vizitova kishën e Shën Nikollës dhe kishën e Shën Gjergjit, dy vendndodhje fetare të krishtera, që në mendim të parë as do të më shkonte mendja që do t’i gjeja aty, sepse sikurse ma konfirmuan vendalinjtë që takova, Roskoveci sot nuk ka të krishterë. Mbase nuk ka të deklaruar si të tillë, por roja i kishës së parë e vuri në dukje që në shumë pika të kishës, banorë të Roskovecit vendosnin qirinj dhe luteshin për porosi, me shpresë që do të gjenin dëgjim.
Kisha nuk është e hapur për besimtarë.
Në brendi ka vetëm një altar të thjeshtë. Afresket në mure nuk janë në gjendje të mirë dhe ndonëse kisha është monument kulture nuk duket se ka ndonjë përpjekje për t’i mirëmbajtur ato. Ndërsa mjedisi jashtë saj ishte si nuse me tela. Prej aty, gjithë zona mund të shihej në një rrotullim mbresëlënës 360 gradë. Jo më kot aty festohet çdo vit festa e ullirit, ku fabrikat e prodhimit të vajit konkurojnë me njëra-tjetrin dhe ulliri shtypet live para pjesëmarrësve në festë.
Kisha e dytë ishte e lënë në pikë të hallit. Shenjat e fundit të restaurimit në të ishin nga viti 1935. Edhe të afroheshe duhet ta mendoje mirë.
Po vrisja mendjen se pse i kanë lënë në këtë gjendje, sidomos kishën e dytë. Mendimet që kisha në kokë ishin vetëm të zymta. Pavarësisht kësaj, nuk do të thotë që gjendja nuk mund të ndryshojë. Për këtë shpresë më dha biseda e shkurtër që pata me rojen e kishës…
Ndërkohë që disa nxënës shkolle, të cilët ishin ngjitur për shëtitje në kodrën ku ndodhej kisha, më kishin thënë bindshëm që aty ka vetëm myslimanë, roja ua ktheu bindshëm:
-Unë për shembull nuk jam mysliman. Nuk më ka tërhequr kurrë si fe…
*Titulli redaksional nga radiandradi.com
Marrë nga Muri i Fb i Lindita Komani, 25 dhjetor 2022