back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Kjo dashni… poezi nga Jacques Prevert

Gazeta

Jacques Prevert - Poezia  "Cet Amour"
Jacques Prevert – Poezia “Cet Amour”

Kjo dashni…

poezi nga Jacques Prevert

përkthyer Jozef Radi

Kjo dashni
kaq e dhunshme
kaq e brishtë
kaq e ambël
kaq e trishtë

Kjo dashni
e bukur si drita
e shëmtuet si koha
n’ditë të kjametit

Kjo dashni kaq e vërtetë
kjo dashni e bukur
e lumtun
e hareshme
e trembun
si frika e nji fëmije të mbetun n’terr
e sigurt n’vetvedi
si njaj njeriu i paqmë
nëpër shpirtin e natës

Kjo dashni që i frikëson tjerët
e që i shtyn me folë
e që i ban me u zbehë

Kjo dashni e përgjueme
prej nesh e përgjueme
e përndjekun, e plagosun, e shkelun, e vrame, e mohueme, e harrueme
sepse vetë ne e përndiqnim,
e plagosnim, e shkelnim, e vrisnim, e mohonim, e harronim

Kjo dashni e gjitha nji cope
ende njashtu e gjallë
e përdiellun

Asht jotja

Asht imja

Asht ajo çka ishte

Diçka gjithnji e re
që kurrnjiherë s’ndryshoi

Kjo dashni... Jacques Prevert
Kjo dashni… Jacques Prevert

E vërtetë, njashtu si nji bimë
flatruese si nji shpend
e ngroftë e plot shend si vera

Si ti edhe unë mundemi
me shkue dhe me u kthye
mundemi me harrue
e mandej me ju rikthye gjumit

Me u rizgjue, me vuejtë e me u mplakë
e me ju rikthye gjumit sërish
veç me andrrue vdekjen
e me u rizgjue, me buzqeshë, me u shkri gazit
e me u përtëri

Dashnia jonë asht atje e s’luen vendit
kryefortë si nji mushkë
e gjallë si pasioni
mizore si kujtesa
torollake si keqardhjet
delikate si kujtimet
e ftoftë si mermeri
e bukur si dita
e brishtë si nji fëmijë

Na vështron me buzqeshje
e flet pa na thanë asgja
dhe unë e ndigjoj i drithruem.

Dhe bërtas

Bërtas për ty

Bërtas për vedi

Dhe lutem
për ty e për vedi, e për krejt ata që dashurojnë
e krejt ata që dikur janë dashtë

Po, unë ulëras
për ty, për vedi e për krejt tjerët
që as i njof e as i di…

Ndalu atje,
njatje ku je
njatje ku keni qenë edhe tjera herë
ndalu
mos luej vendit
e mos u tret larg

Ne që dikur ishim të dashuruem
ne sot të kena harrue
ama ti s’duhet t’na harrosh

S’kishim asgja mbas shpirtit n’kët botë veç teje
e mos lejo që t’bahena shtylla akulli

Edhe pse shtyhesh larg e ma larg
s’ka randësi se për ku
ti veç na e lsho nji shenjë jete

Ma vonë, shumë ma vonë, diku natën
n’pyllnajë të kujtesës
çohu vrik n’kambë
e na e shtrij dorën
e pshtona tanëve.

Përktheu Jozef Radi, Janar 2016

Shpesh e përdishmja e mbarë njerëzimit asht mjaft toksike… përplot me materie, zhurma, e kërcënime që ia bajnë ma të vështirë ditën dhe natën… çastin dhe vitin… të vërtetën dhe andrrën… dashninë dhe zhgënjimin… Prandaj asht poezia si shpëtimtare, prandaj ftohet nji poet si Prevert, që në thjeshtësinë e këtyne 400 fjalëve, ku askujt s’i nevojitet as shumë kulturë e as fjalor, me e marr aromën e këtij mesazhi, që gjithsesi ta ban pak ma të bukur ditën dhe natën… çastin dhe vitin… të vërtetën dhe andrrën… dashninë dhe zhgënjimin…  Mbasi i ke lexue këto pak vargje sublimë, të duket sikur ke nji pasuni, dhe se ja vlen me e pritë, me e mbrritë dhe me e jetue si duhet të nesërmen… j. r.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.