back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Kjo është edhe fotografia e martesës, mor’ burrë…” – nga Namik Mehmeti

Gazeta

Ibrahim Sokoli & Shanisha Dosti
Ibrahim Sokoli & Shanisha Dosti
“Kjo është edhe fotografia e martesës, mor’ burrë…”
nga Namik Mehmeti
Një shkrim domethënës për dajën tim, Ibrahim Sokoli
dhe bashkëshorten, Shanisha Dosti*
Artan Kafexhiu

Një foto e munguar në kohën e martesës që u realizua kur Ibrahim Sokoli dhe Shanisha Dosti ishin 70 e ca vjeçarë. Gazetari Namik Mehmeti tregon për kujto.al si e ka njohur Shanisha Dostin dhe bashkëshortin e saj, Ibrahimin, kur ata jetonin në Shkodër, pas shumë vitesh burg dhe internim. Dy intelektualë nga familje që janë të dëgjuara për kontributet e tyre, por edhe për përndjekjet gjatë diktaturës. Një burrë e një grua, që pavarësisht vuajtjeve, nuk hoqën dorë nga vlerat e familjeve të tyre…

Me familjen Sokoli kishim një miqësi të hershme e në veçanti me Ibrahimin, pasi babai im, Et’hem Rrema (Mehmeti) kishte qenë në burgun e Shkodrës me intelektualin që kishte studiuar për drejtësi në Beograd. Bile kujtoj që kur baba u lirua nga burgu në vitin 1953, atëherë unë isha 12 vjeç, një nga vizitorët e parë që erdhi për ta uruar e për të pirë kafen e rastit ishte i ndjeri, Ibrahim Sokoli.
Por me ardhjen e Demokracisë, takimet me familjen Sokoli ishin edhe më të shpeshta. Ibrahimi, pasi ishte kthyer nga internimi, me gjithë moshën e tejkaluar, krijoji familjen e tij. Dhe bashkëshortja e tij ishte një bijë e një dere po aq të njohur sa Sokolët, Dosti nga Gjirokastra: vajza e patriotit e nacionalistit, Hasan Dosti, familje e njohur per idealet e saj për Ballin Kombëtar. Shanisha Dosti, me të cilën jam njohur në shtëpinë karakteristike të Sokolëve, në lagjen Dergut, në fillimin e viteve ’90, më ka mbetur e fiksuar në kujtesë, fisnikëria e saj, zgjuarësia dhe biseda e ngrohtë. Shtëpia ku jetonte Ibrahimi dhe Shanoja, ishte një hyrje me një kuzhinë në katin e parë dhe një dhomë gjumi.
Mjaftueshëm, do të thotë dikush, për një çift pensonistësh, por duke kujtuar vitet e burgjeve dhe të internimeve, një ndryshim si dita me natën.
Tash po hyj në temë, me ato aspekte që kam përjetuar nga ky çift nacionalistësh (Ibrahimi i derës zogiste dhe Shano e derës balliste) e në mënyrë të veçantë nga e bija e Hasan Dostit. Me ardhjen e Demokracisë, zogistët e Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” të organizuar nga kryetari i saj Dr. Fuad Myftija, pas gjysmë shekulli në mërgim, befasuan të gjithë administratën e aeroportit të Tiranës, kur hynë në tokën shqiptare me pasaportat Mbretërisë, pa pranuar të merrnin çertifikatat apo pasaportat shqiptare. Një nga objektivat e OKLL-së ishte edhe zyrtarizimi i kësaj organizate partiake në Shqipëri. Për këtë, duheshin ndërmarrë shumë procedura juridike dhe të formohej një grup legalistash shqiptarë për të përgatitur Kongresin e kësaj Organizate në Tiranë.
Si të ardhurit nga Diaspora, Amerika, Belgjika, Kanadaja, Franca etj., së bashku me zogistët e liruar së shumti nga burgjet e internimet, ishin të një mendimi që këtë grup përgatitor, pra të një partie të re në Shqipëri, provizorisht ta drejtonte juristi i nderuar, Ibrahim Sokoli. Me gjithë moshën e sëmundjet që ai kishte hequr në vitet e diktaturës komuniste, pranoi detyrën. Për disa takime të rëndësishme unë dhe Ferid Lluja me taksi e shoqëronim në Tiranë, por më tepër zogistët trokitnin në derën e shtëpisë së Sokolajve, ku Shanoja ishte ajo që u hapte portën, i priste dhe u servirte kafet me një zemër të hapur dhe respekt për të gjithë: si ata që kishte njohur në burg apo në internim në Savër të Lushnjës, si edhe ata më të rinjtë që njihte për herë të parë, por për familjet e tyre kishte njohje dhe kujtesë të saktë. Nga ata që vinin te kjo shtëpi, mjaft ishin bashkëvuajtës me Ibrahimin e Shanon, ose të arratisur nga regjimi komunist, si: Ramiz Mena, Hamit Kurti, Ahmet Kolgjini, Sait Preni, Akil Basha, Gafur Spahia, Enver Shaska, Skënder Kalaja, Lin Martini.
Këtë familje e nderonte dhe e respektonte e gjithë shpura e emigracionit politik që vinin në Shqipëri, herë pas here, si dhe përfaqësuesit e Oborrit Mbretëror, si Abedin Mulosmani, ish-ministër i Oborrit Mbretëror, Skënder Zogu, Ylli Spahiu etj., por Dr. Fuad Myftija dhe përfaqësuesit e OKLL, hynin e dilnin në këtë shtëpi, duke marrë me vete atë ngrohtësi që u afronte Shanoja, si gjithnjë me zemër të gjerë, duke servirur kafetë dhe, ashtu pa u ndier, me librin në dorë, kalonte në katin e dytë dhe përsëri, kur miqtë largoheshin, ajo do të ishte e para në përcjelljen e tyre.
Në bisedat që zhvilloheshin duke shijuar kafetë, unë mesova nga kujtimet e këtyre zogistëve të plakur para kohe nga vuajtjet e regjimit diktatorial të Enever Hoxhës. Ata flisnin për vajzën gjirokastrite me shumë respekt për qëndrimin e saj burrëror, me gjithë fatkeqësitë që kishte kaluar familja Dosti.
Më ka takuar të bisedoj vetëm për vetëm me këtë çift nacionalistësh. U ofroja dëshirën për t’i bërë të njohura vuajtjet e tyre nën diktaturë, por gjithnjë me një refuzim që përmbante një kulturë qytetare, ata iu shmangeshin këtyre ofertave, biles edhe daljes në ekranet televizive. Nga bisedat me bashkëvuajtësit e tyre, kisha mësuar se Shanoja kishte qenë shoqe në Institutin “Nëna Mbretëreshë” me Nexhmie Hoxhën, e cila edhe kishte hyrë në shtëpinë e Dostëve.

Artan Kafexhiu adoleshent me çiftin Sokoli në shtëpinë e të parëve.
Artan Kafexhiu adoleshent me çiftin Sokoli në shtëpinë e të parëve.

Unë me shumë kujdes, prisja sa të mbyllte faqet e librave që lexonte, i kërkoja të më thoshte diçka nga jeta e saj rinore. “Kam shumë për të treguar, por unë nuk dua të bëhem dëshmitare sot për ato vite aq të bukuara në rini, pas fatkeqësisë me humbjen e nënës e të vëllait. Unë nuk dua të shfaqem si një heroinë që kërkon të përfitojë nga vendosja e Demokracisë”, – më përgjigjej me një gjuhë të ëmbël dhe me modesti.
Po ashtu edhe Ibrahimi, si në marrëveshje me bashkëshorten, ngurronte të fliste për veprimtarinë e tij në kohën e Mbretërisë (kishte qenë edhe në Mukje, ku është nënshkruar marrëveshja e njohur me të njëjtin emër, thoshte, si korrier) dhe për vuajtjet e burgut e internimit.
Por Shanoja kur ishte në një ditë të qetë, pa problemet shëndetësore që pleqëria ia rëndonte më shumë si asaj dhe bashkëshortit, nuk rezervohej të fliste edhe për vuajtjet në burgun e Kuçovës dhe internimet në Lushnjë.
“Edhe sot kur i kujtoj ato vuajtje them me vete se Zoti na paska falur dy jetë. Gratë e vajzat e familjeve më të njohura, nga Shkodra deri në Gjirokastër, të shkolluara e me kulturë perëndimore, trajtoheshim si në kampet naziste, me orë të tëra në llucë dhe ujë. Ajo që na mbante të gjallë ishte shoqëria dhe miqësia që kishim njëra me tjetrën. Ishim të njohura si familje që në vitet e rinisë dhe këtu në kampet e internimit, kjo miqësi e shoqëri, u bë si të ishim të një familjeje. I vinim në ndihmë njëra-tjetrës si gjatë punës apo kur bëheshim të sëmura.”
Atë ditë kur kinooperatori, Ilia Terpini shkrepi atë fotografi, Shanoja iu drejtua Ibrahimit:
-Kjo foto është edhe fotografia e martesës, mor’ burrë.
Unë e ngacmova:
-Po dasma ku u bë?
Ibrahimit i shkëlqyen sytë.
“Në kampet e internimeve e sidomos në Savër të Lushnjës janë krijuar disa familje dhe ne të moshuarit e ndiqnim shembullin e njëri-tjetrit dhe unë pata shumë fat me Shanon pasi më inkurajonte dhe më shërbente pa njohur lodhje pasi unë bëhesha shpesh i sëmurë”, – më tha Ibrahimi.

Artan Kafexhiu adoleshent me çiftin Sokoli në shtëpinë e të parëve.
Artan Kafexhiu adoleshent me çiftin Sokoli në shtëpinë e të parëve.

Operatori i mirënjohur i ish-Kinostudios Shqipëria e Re, i ndjeri Ilia Terpini bëri shumë plane regjistrimi në shtëpinë karakteristike shkodrane të Sokolëve. Pat regjistruar dhe çiftin e moshuar, përfshirë këtë foto që më pat dhuruar në mes shumë të tjerave. Kjo foto e vitit 1994, shpreh rrezatimin e dy intelektualëve që përfaqësonin dy dyer të mëdha në Shkodër e Gjirokastër, edhe pse mbi supet e tyre rëndonin jo vetëm vitet e pleqërisë, por edhe vuajtjet që u shkaktuan shoqet e shokët e tyre të rinisë sapo morën pushtetin. Jo vetëm që iu kthyen shpinën, por as donin t’i njihnin.
Në lagjen Dergut, ku banojnë shumë familje me mbiemrin Sokoli, gra të moshuara e të reja, përpara se të kalonin në shtëpitë e tyre, kthenin e takonin Shanon, i ofronin dhe përkujdesje dhe si gjithnjë, ajo me buzëqeshjen e saj karakteristike nuk mungonte që kafen e mëngjesit ta pinte me kojshitë e saj, që edhe sot e kujtojnë me mallëngjim e respekt, por jo vetëm këtë grua që u shkodranizua shpejt me zakonet e traditat e Shkodrës. Ato, po të njëjtin respekt treguan dhe për një çift tjetër që jetonte, ashtu në heshtje, por krenar: motër e vëlla, Safeten dhe Hodon. Ai kishte kaluar një jetë në burgjet e Burrelit, ndërsa motra kishte marrë rrugët e Shqipërisë për të qenë pranë vëllezërve të saj, në burgje apo në kampe internimi.

*Fotoja me ngjyra është realizuar nga Ilia Terpini më 30 qershor 1994. Në fotot e tjera, Artan Kafexhiu në adoleshencën e herëshme me çiftin Sokoli në shtëpinë e të parëve, jo shumë kohë pas lirimit nga burgu, e më pas nga internimi të gjatë.

Marrë nga Muri i FB i Artan Kafexhiu, 24 maj 2024

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.