back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Klara Buda: Si e “ringjalla” Mitrush Kutelin në Francë Intervistoi: Irini Meçe

Gazeta

Mitrush Kuteli & Klara Buda
Mitrush Kuteli & Klara Buda

Klara Buda:

Si e “ringjalla” Mitrush Kutelin në Francë

Intervistoi: Irini Meçe

Mund ta konsiderojmë një nga “aventurat” letrare,
pothuaj shpresëhumbur, sa herë bëhej fjalë
për të përkthyer letërsinë e Mitrush Kutelit,
e sidomos rrëfenjat në gjuhën frënge.
Kuteli atje mbërriti vonë. Në fillim shkurt, të këtij viti,
për herë të parë me rastin e 110 vjetorin e lindjes së Kutelit,
botohet në Francë një prej tregimeve më të mira të tij,
me përkthimin në gjuhën frënge nga Klara Buda,
emër që e kemi të njohur si gazetare dhe autore.
Por ja që tani firmos nje sfidë në fushën e përkthimit.
Rrëfenja është me parathënie të firmosur nga Christian Gut,
albanolog dhe latinist i njohur, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Kuteli është ende i pazbuluar për publikun botëror,
francez e madje edhe atë shqiptar,
ndaj ky botim në sesonin letrar francez,
është në radhë të parë një festë, për letërsinë shqipe.
Në këtë intervistë për gazetën “Standard” Klara Buda tregon
pse ajo vendosi që të përkthejë Kutelin dhe pikërisht këtë rrëfenjë.
.
Klara Buda
Klara Buda
Ju sillni lexuesve francezë rrëfenjën e Mitrush Kutelit “Fshati im e pi rakinë” në gjuhën frënge. Çfarë iu shtyu që të merrnit këtë vendim për të përthyer Kutelin? Në radhë të parë Kuteli ka qenë gjithmonë një autor shumë i dashur dhe që kur kam qenë në Shqipëri e kam lexuar, por e kam zbuluar në shumë dimensione kur u botua përmbledhja e viteve ’90. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht, sidomos pasuria e leksikut, stili i veçantë. Për shembull “Vjeshta e Xheladin Beut” është një perlë dhe jo vetëm e letërsisë shqipe, por edhe e letërsisë botërore. Mendoj se grotesku i Kutelit i ushqyer me parodinë dhe tregimet gastore popullore, është shumë i veçantë. Sidomos stilin që do ta quaja oral apo ligjërues. Gjithmonë Kuteli në rrëfenjat e tij rrëfen duke iu drejtuar lexuesve dhe kjo është shumë specifike. Kjo ka qenë një prej arsyeve se pse zgjodha Kutelin si autor.
 
Mitush Kuteli është një përfaqsues i letërsisë moderne shqiptare dhe i njohur për stilin e tij të veçantë, ku numërohen shumë vepra të tij. Ju pse zgjodhët për të përkthyer pikërisht veprën “Fshati im e pi rakinë”? “Fshati im e pi rakinë” është një vepër e frymëzuar nga Rilindja Europiane apo franceze por është shkruar në një kohë më vonë, në kushtet që vendi ynë fazat e rilindjes i kaloi shumë herë më vonë. Ka një stil që i flet lexuesit europian, sepse është i ngjashëm me autorëtsi italiani Bokaçio, francezi Rablai, apo spanjolli Servantes. “Fshati im e pi rakin” m’u duk më i përshtatshëm për lexuesit francezë sepse ka të njëjtin grotesk me Rablai-në, duke përdorur parodinë, por e veçanta e Kutelit është që përdor ngjyrat lokale dhe nëpërmjet këtij stili përçon diçka që është vërtet shqipo-shqiptar si ta thuash, rrëfenja e Kutelit ka një markë shqiptare. Por megjithë këtë kjo rrëfenjë arrin t’i flasë lexuesit francez me një gjuhë universale. Këtë e ndihmon edhe fakti që Kuteli flet për diçka që nuk është specifike shqiptare. Pasi, alkoolin e pijnë gjithë kombet dhe duke qenë se është një diçka e përbashkët dhe që e përdorin në forma të ndryshme, kjo e bën të lehtë kuptimin e rrëfenjës. Të gjithë pijnë alkool dhe është një lloj pije universale. Në këtë pikë historia është shumë e lehtë e kuptueshme, e transpozueshme në një kulturë tjetër.
 
Pse mendoni se Kuteli nuk është përkthyer në Francë më përpara? Pse kaq histori e gjatë? Kuteli është përkthyer nga përkthyes të tjerë, por nuk është botuar kurrë në një libër më vetë, në një shtëpi botuese tradicionale. Prozat e Kutelit janë përkthyer në një antologji bashkë me autorë të tjerë shqiptarë, por përkthimi i Kutelit në këtë antologji ka qenë firmosur nga një pseudonim. Unë në fillim jam marrë me Kutelin për stilin e tij në kuadër të studimeve universitare dhe jo nuk kam pasur qëllim fillestar përkthimin e rrëfenjës. Përkthimet e mëparshme që kanë ekzistuar nuk janë marrë në konsideratë nga Katedra për shkak se janë gjykuar të dobta. Kjo mendoj se është dhe arsyeja se pse ato përkthime nuk janë botuar dhe kanë ngelur në nivelet e antologjive. Normalisht ai duhet të ishte përkthyer shumë kohë më përpara. Unë tani pata përkushtimin që të merresha me përkthimin e tij dhe ta botoja, dhe këtë e kam bërë për vlerat që ka ky autor. Më tepër ka ardhur si një iniciativë e imja personale që ta botoj Kutelin në Francë dhe unë vetë e kam kërkuar dhe gjetur botuesin. Pra, nuk ka patur një kërkesë apo porosi që të përktheja Mitrush Kutelin.
Mitrush Kuteli - Fshati im e pi rakine
Mitrush Kuteli – Fshati im e pi rakine
Në momentin që ju vendosët që të përkthenit Kutelin, a keni patur një komunikim me familjarët e tij për t’ia paraqitur idenë që kishit dhe për të marr leje që të përkthenit këtë rrëfenjë? Po sigurisht që kam kërkuar leje prej tyre. Lejen e kanë dhënë këtë verë dhe sa kam marr lejen unë menjëherë e kam botuar, sepse këtë rrëfenjë e kisha përkthyer gjatë studimeve universitare dhe ka shumë kohë që rri në sirtar. Madje pasi fola me familjen më sugjeruan që të konsultoja versionin original dhe këtë bëra. E kontrollova dhe përfundimisht përktheva versionin original të rrëfenjës, i cili është më i bukur, më i fuqishëm sepse ka edhe referancat biblike, që mungojnë në botimin e shtëpisë Naim Frasheri.
 
Si mendoni se do të pritet kjo vepër nga lexuesit francezë dhe a do të kenë interes për të lexuar këtë rrëfenjë? Mendoj se është një rrëfenjë që lexohet lehtë. Të gjithë ata që e kanë lexuar, kryesisht miq francezë, e kanë pëlqyer shumë. Në këtë rrëfenjë Kuteli flet për dëshirën për t’iu larguar jetës përmes alkoolit. Në një farë mënyre ai përpiqet që t’i jap rakisë një rol paksa nobël duke mos e trajtuar si pije të mjeranëve, si ta themi. Në këtë rrëfenjë Kuteli e kontrollon shumë mirë narracionin, linjën treguese, sikur e merr lexuesin prej dore dhe e ndalon në të gjitha stacionet ku do ai që ta ndalojë. Humori është shumë i hollë, ka shumë figura që janë jashtëzakonisht të bukura. Për shembull, kur tregon një njeri që është i pirë dhe i vjen koka rrotull e transpozon këtë dhe thotë “e shikonte derën dhe dera vinte e shkonte dhe kur dera iu afrua, ai hop doli përjashta.” Pra, ka një bukuri shprehje që është e jashtzakonshme. Plus kësaj tema është shumë universale në këtë rrëfenjë dhe mendoj se kjo do të ngjallë interes.
 
A keni patur vështirësi ju si përkthyese për ta përkthyer këtë rrëfenjë në gjuhën frënge. A ka qenë e vështirë për ta sjell në gjuhën frënge stilin origjinal të Kutelit? Po ka patur vështirësi. Në përgjithësi rrëfenjat dhe shkrimet e Kutelit janë të veçanta pasi kanë një leksik shumë të pasur, një leksik lokal të zonës së Pogradecit meqënëse ai ka qenë dhe etnolog dhe ka mbledhur shume histori gojore. Ka shumë fjalë shqipe që unë nuk i kam ditur dhe i kam mësuar nga Kuteli, pra fjalë të papërdorshme sot. Pra leksikui pasur dhe i rrallë ka qenë një nga vështirësitë. Vështirësi tjetër është stili i Kutelit, është i papërsëritshëm dhe grotesku i tij është tepër i rrallë, dhë të gjithë këtë duhet ta japësh në atë finesën e tij. Nuk ka qenë punë e lehtë. Përkthimi ka përfituar dhe nga komentet dhe sugjerimet e albanologut shumë të njohur Christian Gut dhe nga profesor Remzi Përnaska një nga personalitet e njohur të albanologjisë, si dhe njohës i mrekullueshëm i të të dy gjuhëve.
Për sa i përket stilit ka qenë shumë e vështirë dhe vështirësia qëndron në dy elementë. E para është që epoka nuk është e njëjtë, ku dhe sot francezët nuk lexojnë as autorët e tyre që kanë shkruar në kohën e Kutelit sepse ata i kanë lexuar dhe i kanë trajtuar në shkollë. Merre me mend që këtij francezi t’i paraqitësh një vepër të shkruar në Shqipëri, të shkruar me nje leksik dhe një specifitet shqiptar. Mund të them që kam bërë një përshtatje, duke shtuar edhe shumë shpjegime në fund të faqes. Kuteli në këtë rrëfenjë flet për gjëra lokale dhe është e vështirë që lexuesi francez t’i kuptojë këto. Aty ka qenë vështirësia më e madhe që të gjesh pikërisht dozën e shënimeve që duhet të japësh sepse shumë shënime në fund të faqes e lodhin lexuesin. Lexuesi do që të lexojë diçka që shkon rrjedhshëm. Teksti i Kutelit, çdo fjalë është e matur, e peshuar me miligramë, nuk i shton dot Kutelit edhe një shprehje tjetër që të shpjegosh. Të mbash ose ruash stilin e tij dhe njëkohësisht të jesh i kuptueshëm kjo ka qenë vështirësia më e madhe. Mund të kem kaluar, mund të kem bërë 18 ose 19 versione të ndryshme nga njëri tek tjetri, dhe po të shohësh shënimet e mia me versionet e ndryshme të përkthimeve të Kutelit në kompjuter nuk do t’ju besosh dot syve. Kuteli ngelet autori shqiptar më i vështirë për t’u përkthyer dhe jo vetëm në frëngjisht.
.
Kuteli - Prozë dhe vargje të zgjedhura 3
Kuteli – Prozë dhe vargje të zgjedhura 3
A janë njohur familjarët e Kutelin me përkthimin e rrëfenjës që ju keni realizuar dhe cili ka qenë mendimi i tyre? Po e kanë lexuar veprën në frëngjisht dhe e kanë pëlqyer. Kjo është arsyeja që ma dhanë të drejten që ta përkthej. Kanë qenë shumë të kujdesshëm sepse e njohin shumë mirë veprën e Kutelit. Vajza e tij Atalanta e ka parë dhe besoj se ka kontrolluar në paralel, pasi më ka bërë sugjerime, të cilat ja kam shpjeguar. Për shembull ka patur një vërejtje për sa i përket kohëve të foljeve që janë ndryshuar në frëngjisht, nuk janë identike siç kanë qenë në gjuhën shqipe. Për këtë më ka pyetur se pse nuk kam qenë “besnike” në këtë pikë, por ja kam shpjeguar se pse është e nevojshme një tjetër formë në frëngjisht. I kam marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, iu kam dhënë argumentat e mia si dhe propozimet dhe i kanë pranuar. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe e respektojnë veprën e babait të tyre dhe kjo është një gjë shumë e mirë pasi ata duan që vepra që përkthyehet dhe botohet të ketë cilësinë e origjinalit.
 
“Fshati im e pi rakinë” Mitrushi flet per realitetin shqiptar, ku roli i rakisë është përcaktues, shoqëron brengat gëzimet, lindjet, dasmat e vdekjet. Ju si e gjykoni këtë rrëfenjë si lexuese për sa i përket subjektit por dhe vetë stilit të autorit? Kuteli është një nga shkrimtarët shqiptarë më eruditë. Ai kur e shkroi këtë rrëfenjë e njihte letërsinë botërore. Ishte një njeri që shkruan në këtë gjuhë popullore dhe shkruan për këtë lloj zakoni të fshatit të tij që është në kohën e feudalizmit, po ama është një njeri që di kaq shumë dhe është ulur në këtë nivel. Pra, njohës i prodhimit letrar bashkëkohor, ai është një autor që ka qënë në lartësinë e kohës së tij, dhe Kuteli ka ditur të përshtatet në kushtet e vendit të tij dhe të përdorë një gjuhë të thjeshtë. Dhe mënyra se si ai e trajton është shumë moderne. Kuteli e bën nobël rakinë, këtë pije që i mrekullon të gjithë sa dhe nënat ua hedhin fëmijëve tek qumështi, por nga ana tjetër luan me një lloj grotesku, me një lloj parodie si dhe duke stigmatizuar ata që e teprojnë me rakinë. Nga ana tjetër, kemi përshtypjen që ai flet edhe për surrealistët. Në një momtent Kuteli thotë që “këtu në këtë tavolinë ku jam e po shkruaj po pi këtë raki”. Pra, ka një paralelizëm me shkrimin nën ndikimin e eksitantëve, të shkruarit duke respektuar rrjedhën automatike të mendimit.
 
Letërsia shqipe është një nga letërsitë më pak të përkthyera në botë. Përveç librave të shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, që tashmë është i përkthyer e lexuar në shumë gjuhë të botës, shumë pak shkrimtarë kanë patur fatin të përkthehen në gjuhë të tjera këto vite. Pse mendoni se ndodh kjo, si ta thuash “çalon” puna tek letërsia jonë që s’do ketë interes në botë apo tek mungesa e mbështetjes dhe financimit nga shteti për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera? Unë mund të them që letërsia shqiptare është për t’u përkthyer. Ka disa boshte. Në rradhë të parë ne kemi një letersi të realizmit socialist që nuk është gjë tjetër përveç letërsisa e propagandës. Dhe këto vepra të krijuara në atë periudhë kanë vështirësi për t’u përkthyer sot në botë sepse askush nuk dëshëron të lexojnë letërsi të ndikuar nga pushteti totalitar. Përsa i përket letërsisë post-komuniste mendoj se letërsia shqipe është një letërsi e mrekullueshme dhe ka autorë të vlefshëm për eksport, por që është një punë e gjatë. Nuk mendoj se është shteti që pengon në përkthimin e veprave, por letërsia duhet ta gjejë vetë rrugën e përkthimit. Kjo është një pyetje shumë e thellë që do të donte një intervistë të tërë për ta trajtuar.
Marre nga http://www.standard.al/2017/02/21
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.