back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Klithëm për shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës – refleksion kritik nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi & Idriz Lamaj, Bronx 2 qershor 2023
Jozef Radi & Idriz Lamaj, Bronx 2 qershor 2023

Klithëm për shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës

refleksion kritik nga Jozef Radi

Me Idriz Lamaj, ndër figurat me kontribute tejet pozitive prej vitesh në diasporë, një arkivë e gjallë e pesëdhjetë viteve të fundit e historisë dhe kulturës shqiptare në mërgatë, na është bërë thuajse e zakonshme ta pijmë bashkë një “kafe të gjatë”, diku në Arthur Aveny të Bronx-it, ku gjuha shqipe e dyqanet shqiptare janë tashmë familjare, e ku edhe një italian i hershëm me mustaqe, i quajtur Xho, me origjinë abruceze, që prej një jete shet fruta-perime, me foli gjithë qejf me fraza shqipe emocionuese, refren i një Amerike, ku komuniteti shqiptar vërtet bëhet përditë e më i madh, po edhe trishtimet mbas vetes i ka po aq të tilla!!
Bisedat me zotin Lamaj, më japin kënaqësinë e veçantë të ndejtjes bashkë, sepse mëson çdo herë diçka të të re, kupton se në historinë e Vatrës, ai ka kontribute që i quan “modeste”, kurse unë ia konsideroj tejet të spikatura, bile kësaj here, në bisedë e sipër, ndërsa flisnim për “Diellin” e Konicës, “Shejzat” e Koliqit dhe “Koha Jonë” e Lec Shllakut, kur i dëshmova për punën që po bëja për dy nga revistat më të rëndësishme të botuara në Itali, gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, ai më ftoi ta gjejmë pak kohë e të shkojmë ta vizitojmë Bibliotekën e Vatrës, duke më sugjeruar se mund të gjeja materiale me mjaft interes aty në bibliotekë. Zoti Lamaj me premtoi se mund të gjenim gjëra të rëndësishme, duke shtuar se: “Vatra vazhdon të ketë një bibliotekë mjaft të pasur, edhe pse kushtet në të cilat ndodhet, lenë shumë për të dëshëruar…!”
Kështu, të premten e datës 2 qershor 2023, së bashku me zotin Lamaj me vullnetin e zotit Sokol Paja, prej pak kohësh kryeredaktor i “Diellit”, që u tregua dashamir për t’na ofruar ndihmë, (edhe pse i ftuar në Festivalin e Ulsterit,) na e dha mundësinë që së bashku me zotin Lamaj për rreth një orë e gjysëm, ta vizitoja e të krijoja një ide rreth Bibliotekes së Vatrës, edhe pse ajo çka po interesohesha më rezultoi tejet e vështirë për t’u gjetur, për arsyen e thjeshtë: Biblioteka e Vatrës, më e madhja pasuri e organizatës, e keqkatandisur, po përjeton prej kohësh një indiferencë të frikshme prej drejtuesve të saj!!

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Duke krijuar një ide trishtues, për mos të thënë klithëse, vërejta se prej kohësh ajo kishte probleme të sistemimit, të magazinimit, të kodifikimit, të vlerësimit, po edhe të krijimit të hapësirave për lexime e studime, të një raporti ndryshe me komunitetin shqiptar, gjithnjë në zgjerim e në shkollim të vazhdueshëm… Simbas mendimit tim, besoja se do të gjeja një Bibliotekë Vatre, e cila mund të shërbente si qendër studimore që mund të funksiononte në ditë të caktuara të javës, jo vetëm për anëtarët e saj, po edhe për studentë, për dashamirës të librit, për njerëz të kulturës, për studiues që bëjnë punë kërkimore, po edhe thjesht për kureshtarë që mund të dëshironin të bënin qoftë një vizitë kënaqësie, te kjo pasuri e shumë brezave, atyre që e krijuan Vatrën & Diellin, dy marka ende të patjetërsueshme të kulturës e historisë shqiptare… të këtyre dy shekujve.
Ndërsa ishim në bibliotekë me zotin Lamaj, ndjemë një ambient tejet të ngushtë, të lagështitur, jo komod, një rrëmujë biblike, mbasi biblioteka ndodhet në beismenin e ndërtesës, ku prej vitesh ndodhet e vendosur Vatra, mbasi një përmbytje e librave ka ndodhur, e askush s’ka ndonjë inventar të asaj çka është hedhur apo asaj çka është shpëtuar…!!
Në të njëjtën kohë vërejtëm se asnjë dorë e kujdesshme, asnjë sy dashamirës s’paska kaluar nëpër bibliotekë. Ajo sot është thjesht një hangar pa inventar, një fatkeqsi ende e pashpallur, një dhimbë e fshehur, një klithëm pezull!
Fati tragjik, që ashtu siç ndodhi vite më parë me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ka ndodhur edhe me Bibliotekën e Vatrës. Mbasi të dyja “i kanë shetitur përroje ujrash të zeza…”  ndaj edhe kemi parë jo vetëm libra të nderuar nëpër tela, por shumë prej tyre të përfundojnë pa dhimbje ndër kazanët e zinj plehrave…

Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023
Biblioteka e Vatrës, 2 qershor 2023

Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat…!!
Ndërsa zoti Lamaj përpiqej diçka të më shpjegonte, të më ndihmont e diçka nisëm ta sistemojmë…  në at gjendjen trishtuese të së vërtetës së bibliotekës, ne besojmë se diçka jo duhet rregulluar, por patjetër kjo duhet të ndodhë sa më shpejt!!!  Ishte sinqerisht e trishtë, ndërsa i shprehja ndonjë opinion zotit Lamaj, ai ma miratonte në heshtje, me atë ironinë e tij të hollë… duke theksuar se: “diçka e mirë ka me ndodhë me siguri”, (e kishte fjalën për ndonjë shëndritje të mendjes sonë kolektive, prej ndonjë Zoti ende të paefektshëm…)
Po zakonisht kjo “diçka e mirë” ndër ne ka hap të ngadaltë, të patrazuar edhe kaq indiferent, sa nuk mbrrin kurrë!!!
Kështuqë, ideja e shpëtimit të bibliotekës së Vatrës, bëhej si ajo e shpëtimit të “Ushtarit Rayn”, e kur shtrohet pyetja për fajtorë e një situatë të tillë, të gjithë shfaqen si poncpilatër, e duke rrudhosur buzët të gjenjejnë me njëmijëenjëqindenjizetenji justifikime, veç për mos ta pranuar, apo anashkaluar atë çka është e vërteta tragjike e Bibliotekës së Vatrës sot… Ku jo indiferenca, po krimi ndaj kulturës dhe historisë sonë të përbashkët, ndjehet i ulur këmbëkryq, bile shfaqet sfidues…!!
Kur dolëm prej aty, ndjeva një dhimbje të thellë, një ulërimë që nëse s’mbrrin te lexuesi, ka mbetur mbrenda meje. Çdo lloj bisede dhe çdo lloj kuptimësie e bisedës bëhet e palezetshme, sepse ndodhesh përballë rrudhosjes së shpatullave apo ngritjes së duarve përpjetë, si për të dëshmuar se fajësia është ndër të tjerë e aspak te ndonjëri prej nesh.
U ndjeva fajtor, at çast që dola prej Bibliotekës së Vatrës, ashtu siç u ndje edhe zoti Lamaj, dashamiri i ftesës, ashtu siç u ndje edhe zoti Mark Merrnaçaj, i cili mbas një ore, erdh aty e tha: “Të gjithë ata libra n’etazherë, janë të sistemuar prej meje. Gjithë çka shihni në këmbë, është puna ime dhe punëtorëve të mi, e askush s’ka shprehur qoftë edhe mirnjohjen më të thjeshtë për kët që kam bërë…!” – sepse të shpëtoje librat e Vatrës, për Markun kishte qenë përgjegjsi e përkushtim, që tashmë i ka shkuar hupë…!!
Unë mendoj se Biblioteka e Vatrës sot, është fytyra e Vatrës!…

Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat...
Një tragjedi e përhershme, që vazhdon ta ndjekë kulturën shqiptare, sa herë është fjala për librat…

Poshtë e mbushur me rrëmujë, me pluhur dhe çorodi… e lart përlot me grindje, përjashtime dhe intriga… Gjithkah gëlojnë njerëz që kërkojnë ta grabisin historinë e saj, lavdinë e saj dhe Markën e saj 111 vjeçare e jo të merren dora-dorës me zgjidhjen e problemeve që e kanë kapur për fyti. Duket sikur “Vatra” është luftë për pushtet dhe jo një organizatë mitike, në kryerjen e disa shërbimeve modeste komunitetit shqiptaro-amerikan. Askush aty nuk merret me zgjidhjen dora-dorës të mjaft problemeve të mbartura në kohë, me mungesën e demokracisë së brendshme dhe mungesës totale të gjetjes së një konsensusi, për ta çuar përpara atë e për t’i ruajtur atë fytyrë që e ka fituar në një shekull e një dekadë jetë aktive…
Gjatë qëndrimit në NY, pata rast të ndiqja edhe pjesë nga Festivali treditor i Ulsterit; nga kremtimin e dhjetëvjetorit të Degës së Vatrës në Queens, me Dr. Skënder Myrtezani, po edhe Festivalin Shqiptar që organizohej në Greenburgh, të cilat më dëshmuan me konkretësi se kur punohet seriozisht, e kur realitetin shqiptar të emigracionit e dominon qytetaria, dashamirësia dhe përkushtimi dhe jo intriga, prapaskena e fyerja… gjithçka mund të bëhet më mirë, e gjithçka mund të ecë më shpejt.
Bisedën për gjendjen e Bibliotekës së Vatrës, e bëmë edhe me Sokol Pajën, në disa seanca. Ai e mbështeti mendimin që Biblioteka është në kushte dëshpëruese, por theksoi se: “Unë jam i vetëm edhe i pambështetur për të bërë diçka më mirë e diçka më shumë!” Atëhere çeshtja shtrohet: A mund të mos lihet i vetëm ai dhe a mund t’i krijohet një mbështetje e vërtetë?! A mundet dikush të vihet në dispozicion Bibliotekës së Vatrës që ajo të funksionojë së paku dy ditë në javë, për lexuesit e studiuesit, sepse duhet patjetër të jetë dikush me përgjegjësi ligjorëe morale per ruajtjen, katalogimin dhe mirëmbajtjen e gjithë materialeve të Bibliotekës, për ta çuar përpara e ta ngjitur me lart këtë mison të shenjtë…
Që e vërteta e kësaj historie të mos mbyllet këtu: A është ndokush vullnetmirë që të mund të ndërmarrë një fushatë për shpëtimin e Bibliotekës së Vatrës, që të gjithë si bashkësi, qoftë edhe me shifra modeste të kontribuojmë, e të mos kalojmë nëpër kanalet e errta të intrigave apo interesave personale të çastit, por të shkojmë drejt ruajtjes, mirëmbajtjes dhe shpëtimit të Bibliotekës së Vatrës, që mbetet pasuria më e madhe kombëtare e kulturore, jo vetëm e shqiptarëve të Amerikës…
Unë besoj se shqiptarët do ta gjejnë një mënyrë për ta shpëtuar jo vetëm Bibliotekën e Vatrës…!!

Yonkers, 3 qershor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.