back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Klithma e dhimbjes… nga Ervina Toptani

Gazeta

Kampi i Tepelenës - Mundimi i grave dhe vajzave
Kampi i Tepelenës – Mundimi i grave dhe vajzave

Klithma e dhimbjes…

nga Ervina Toptani

Ka raste kur nëpërmjet të shkruarit, dëshiroj me gjithë shpirt të derdh jashtë gjithë dhimbjen e tmerrshme që më paralizon plotësisht çdo ind e nerv të trupit. Është nga ato herët kur lotët nuk zgjidhin kurrfarë pune e kur pikëllimi arrin kulmin. Ka raste kur njeriu harron plotësisht dhimbjet e veta e madje i duken krejt të kota, të lehta për t’u përballuar e hiçgjë për t’u kallzuar në krahasim me çfarë ta ngre shpirtin peshë prej dhimbjes së tjetrit. Ka raste kur duhet me e nxjerrw shpirtin krejt të lakuriqtë e me e lanë të qajw, të ulërasë pafund, të tretet derisa të mos e ndjesh më.
Po lexoja rrëfimin e znj. Liza Pali, e burgosur në moshën 18 vjeçare, vitin 1947, ndërsa e motra Terezina Pali e burgosur në vitin 1946. Por përpara burgut ishte Hetuesia! Liza 10 muaj e Terezina 17 muaj. E njëjta hetuesi ku lanë jetën në tortura çnjerëzore djemtë e vajzat më të mira të Shqipërisë.
Mundem me përmendw vetëm disa prej këtyre heroinave që provuan hetuesinë, të njëjtë me atë të burrave, prej të njëjtëve xhelatë: Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Shega Këlcyra, Semiramis Verlaci, Rita Koka, Merushe Topalli, Liza e Terezina Pali, Bianka Balliçi, Elsa Cika, Ana Daja, Ganimet Cuka, Viola Beqiri, Hanza Borshi, Xhovana Qatja, Qerime Bome, Drita Ahmeti, Dhora Leka, Adile Boletini, Nexhibe Tabaku, Nurie Koçuli, Elena Preza, Fatime Demce, Vitore Radi, Afërdita Hajrullai, Lindita Beka, Behije Kalaja, Agime Pipa, Marie Levendi, Fiqiret Prishtina, etj, etj. (këto janë vetëm pak emra, historinë e të cilave unë e njoh)
Torturat e metodat që përdorte sigurimi i shtetit ishin prej atyre që dhe mesjeta do i kishte zili. I lidhnin në shtylla me konop (litar) në të gjithë trupin, e këmbët skalavareshin mbi një pëllëmbë mbi tokë. I linin aty për ditë të tëra (Liza Palin e lanë prej ditës së mërkurë e deri të hënën e javës së re pa ujë e pa ushqim, Bianka Balliçin një javë të plotë varur në shtyllë në oborrin e burgut të burrave krejt lakuriq) e zakonisht këtë lloj varje e bënin në oborret e hetuesive e brenda dhomave të troturave. I linin pa ushqim, pa asnjë veshje në trup me ditë të tëra, në birucat në dimrin e acartë derisa trupi kthehej i gjithi në ngjyrë vjollcë të errët e bëhej blu. I rrihnin me litarë të lagur, me shkopinj druri e kur shkelmonin me këmbë mbanin veshur kambale ushtarake, ndërkohë që dikush tjetër hidhte ujë të ftohtë me kova nga lartësia e tavanit mbi trupin e të gjorave. I vinin të hanin krimba, jashtëqitjen e hetuesve e të gardianëve.
Kur vajzat e gratë ishin në ditët e menstruacioneve i linin pa asnjë veshje në trup e pa asnjë mundësi pike uji derisa të mbaronte kjo periudhë. Kur ishte verë ju e imagjinoni tmerrin e grerëzave e mushkonjave prej aromës së gjakut. Nuk kishin asnjë mundësi ku të gjenin një pikë ujë as për të pirë jo më për t’u pastruar. Kishte hetues (të paktën 4 prej atyre në fillim të listës së zezë që qarkullojnë edhe në rrjetet online) që kishin dëshirë që torturat t`i shijonin me një gotë raki përpara, sikur shihnin një film romantik, e nëse ndodhte që pikat e gjakut të të mjerave që shpërkasnin muret, t’u përlyenin gotën atëherë merrnin një darë dhe ua shtrëngonin atë në gjoks (tek pjesa e butë e gjidhënies) derisa gruaja shtrihej në tokë pa ndjenja. U vinin rrymë elektrike në trup, sidomos në vesh. Njeriu hidhej përpjetë nga voltazhi i lartë në krahun tjetër të dhomës me një cyrril gjaku që i dilte jashtë veshit. Ua lidhnin këmbët në dy karrige të ndryshme e me një gjilpërë të trashë u shponin gjithë shputën e këmbës. Gjilpëra hynte në mish në thellësinë e gjysëm gishtit e më pas i linin ashtu për minuta të tëra deri orë. Kur i zgjidhnin i detyronin të ecnin mbi xhama të thyer. Vajzat me flokë të gjatë i lidhnin për flokësh në këmbët e tavolinës e dikush i mbante shtrënguar në bel të mos lëviznin, dikush tjetër tërhiqte tavolinën derisa flokët u shkuleshin me gjithë lëkurën e kokës. U vinin zjarrin me çakmak në organet intime e sqetulla. Ua lidhnin prangat aq fort në kyçe sa ato thërrmoheshin ngadalë.

Krimet e komunizmit me pak shifra
Krimet e komunizmit me pak shifra

Këto janë vetëm disa prej torturave që “shqiptarët trima”, në shërbim të diktaturës, u bënin vajzave e grave të reja në hetuesinë e burgjet komuniste.
Unë nuk kam më as lot të qaj, as frymë të ulëras e as mundësi t’i evidentoj të gjithë bishat e egra që kryenin këto akte barbarie. Ata barbarë prej këtyre, që nuk jetojnë më, as varr nuk meritojnë të kenë e këta që janë ende gjallë, që politikanët e këtyre 30 viteve ua kanë ruajtur më së miri “nderin”, disave duke ua hequr dosjet plotësisht e disa të tjerëve duke mos lejuar t’u hapen deri sot, meritojnë të njëjtin shpërblim siç ua kanë bërë viktimave të pafajshme.
Jam munduar gjithnjë të jem larg politikës, larg asaj që serviret si ushqim për gojëra të liga, larg pisllëkut e gjithçkaje që nuk ka lidhje me kulturën, atë që na mungon më shumë si popull. Por sot dua të ulëras shqip, të shkruaj çfarë nuk kam mundësi ta shpërthej me fjalë para një megafoni gjigand e të bërtas papushim 24 orë në 24 derisa të mos mundem më as frymë të kem. Jo se do të ndryshoja ndonjë gjë, asgjë s’do të ndryshonte, por të paktën të isha e qetë që dhimbjen time munda ta flas e ta nxjerr jashte trupit në njëfarë mënyre. Për të ndryshuar diçka, sado të vogël, duhen vite punë në çdo drejtim, sidomos në atë të pasqyrimit të të vërtetës siç ka ndodhur, por fillimisht fillon duke u ndërgjegjesuar që injoranca e dashakeqësia që i kanë injektuar këtij populli në dekada ështe kaq e thellë sa gjithkush duhet ta fillojë rehabilitimin e mendjes tek vetja.
A ka shqiptar që nuk e di sot, çfarë kanë bërë “etërit” komunistë në 50 vite? A ka shqiptar sot që nuk e di se “politika” ose më mirë bulmeti i helmuar i stanit të kuq që shqiptarët kanë ngrënë për 32 vite, është produkt i po të njëjtave duar vrastare, të së njëjtës diktaturë që vrau sa deshi e si deshi? A ka shqiptar sot që mendon një fije krejt të vogël për cilin prej këtyre palaçove politikë që kemi sot, po i ndërsehet tjetrit e si pa të keq e shpallim shoshoqin armik për faj të miopisë e mendjengushtësisë prej së cilës vuajmë? A ka shqiptar që nuk e di se këtë bulmet të prishur që hamë sot e kemi dhuratë prej atyre që deri dje ishin ministra të diktaturës, sekretar partie, rinie, drejtues të sigurimit, hetuesa, gjyqtarë, djem e vajza biologjikë të vrasësve të shqiptarëve pa faj? Më kanë penguar në dhjetra forma që të shkruaj për njerëzit që njoh, për familjarë të mitë (për të cilët ende nuk kam shkruar asnjë rresht), miq të familjes, të njohur të tjerë e bashkëvuajtës të tyre në biruca hetuesish e burgje. Nuk është e thjeshtë të paguash çmimin e të qenit i vërtetë, në shërbim vetëm të së vërtetës e në mbrojtje të saj.
Ju i njihni të gjithë, njësoj siç i njoh unë, por vendosni, me zgjedhjen tuaj, që në turrën e druve të digjen zërat e lirë e preferoni të promovoni ata që ju shpërlajnë trutë e ju servirin helmin në dozat e duhura!
Nuk mundem, në këtë rast të bëj asnjë arsyetim filozofik a psiko-social sepse s’kam asnjë element të qënësishëm prej mendësie të shëndoshë popullore, ku të mbështetem. Kam vetëm revoltë, vetëm lot, vetëm dhimbje.
Unë kam shpresuar… kam shpresuar… se një ditë ne do të mundemi vërtet të jemi Ne! Si mund të jemi “Ne” kur duam të hamë njëri tjetrin si 47 vjet më parë, si 30 vjet më parë, si sot? Si mund ta kuptojmë ne lirinë kur “trimëritë” më të mëdha shqiptarët e këtij shekulli të fundit i kanë treguar me njëri tjetrin, duke vrarë, torturuar, vjedhur, grabitur, përdhunuar e shkatërruar kë kanë mundur?
Të më ndjejnë ata miq virtualë që lexojnë me dëshirë analizat e prurjet e mia mbi kulturën, filozofinë, artin, poezitë e mia, shkrimet me natyrë psiko-sociale.
Unë sot dua të ulëras shqip, të qaj shqip e të mallkoj shqip çdo përbindësh që i ka duart e lyera me gjak të pafajshëm. Janë po aq fajtorë të gjithë ata shqiptarë që këto kameleonë të së keqes i mbështesin politikisht, i promovojnë duke ditur vjedhjet e vrasjet e tyre të panumërta politike, e duke ditur që kushdo që erdhi në pushtet në 32 vite pati mundësi, nëse realisht do të donte të bënte drejtësi, të hapte dosjet, të paktën ta fillonte këtu drejtësinë. Por këta janë të gjithë me dosje! Përndryshe nuk do të caktoheshin aty ku janë ende sot! Të gjithë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë!!!! Ama torturat makabre, këta bashkëfajtorët, dje e sot, nuk i provuan kurrë!
Mëshirë Zot! Falna ne që s’mundena me qenë më shumë se gishtat e një dore me të zgju Ty Zot nga gjumi me ulërimat e lotët tanë!

p.s. në kujtim e nderim të të gjitha heroinave që kam përmendur më lart në shkrim e qindra të tjerëve që nuk kam mundur të përmend.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.