Klora… – E mbijetuemja e Kampit të Tepelenës
nga Dafina Sinani
E gjeta Kloren në shtëpinë e saj në rrugën “Vllazën Huta”.
E qeshun, e mbështetun në shkopin e saj po me sytë plot me dashni e me dëshirën për me tregu…
E në fshatin e saj të fminisë, në Iballën e saj don me e nis rrëfimin gjithmonë Klora.
Iballa në sytë e Klorës asht vend zanash, ma i bukri vend, ka dëshire me diftu për fisin Mirakaj gjithmonë me modesti.
E lindun n’at “vend të bekum”, siç thot ajo vetë, në mars të vitit 1934, fëmija i parë i Pashuk Bibë Mirakës dhe Cube Pales. Flet me adhurim për babën e saj edhe pse ishte vetëm 12 vjeçe kur nuk e pa ma. E për Nanë Palen siç e thrret ajo, (e jo vetëm ajo po i gjithë kampi ashtu e thirrshin) përdor një shprehje që Kolë Bibë Mirakaj i ka thanë Mustafa Krujes (vjehrrit të Klorës kur janë ba miq)… “gru ma e mirë nuk ka mujtë me e veshë xhubletën…!”
E jo vetëm për nanë e babë flet me adhurim Klora, po edhe për gjyshen e saj të bardhë. Në çdo rrëfim të saj gjyshja asht pranishme si person shumë i dashtun për të. E gjithmonë në sytë e Klorës ka lot për këtë gjyshe e një peng, për një amanet të pambajtun, që ta rivarrososnin në Iballë, por e pamujtun pasi regjimi komunist merrej jo vetëm me të gjallët po edhe me të vdekunit.
E gjyshja e Klorës u zhvarros 3 herë në Tepelenë, e për herë të fundit u varros buzë Bënçes… dhe lumi e mori me vete duke e lan pa vorr plakën e shkretë që fati i keq e çoj me e dhanë frymen e fundit, në Tepelenë!
11 vjeçe ishte Klora kur provoi për herë të parë internimin, me përparësen e shkollës hypi në makinë më të gjithë të afërmit e saj që nga gjyshja e deri te kushrini i saj foshnje në djep.
I çuan në Shkodër përballë shtëpisë së Gjon Marka Gjonit pa marrë asnji gjà prej shpije, veç nji tas – siç e kujton Klora – e nji batanije…
Na kan pru grosh e kena ngjy kafshatat e bukës misrit n’at tasin qe kishim marrë prej shpijet se lugë as që bahej fjalë më pas.
E kalvari vazhdon…
Pas do kohësh i nisin për diku, pa e dijtë se ku…
Në mëngjes i zbresin në breg të Osumit. “Qënkemi në Berat”, thanë “bashkëudhetarët” tonë – kujton Klora.
Berati në kujtesën e Klorës tash 88 vjeçe asht gjithmonë respekt… e mirënjohje.
Beratasit na kanë dashtë fort – thotë ajo – na kan dhanë bukë njisoj si fmive të vet, po nuk na lenin në një lagje po na ndrronin vend sa e shifnin se kishim ndihmë nga familjet beratase apo nga tregtarët e qytetit e kështu i provuam te gjitha lagjet Kala, Mangalem, Murat Çelepije.
Por nuk mbyllet këtu kalvari për këtë vajzë të vogël… kalvari sapo ka fillu!
E tmerri i radhës asht nji vend mes malesh. Turan i thoshin…
Turani e Tepelena
Në Turan ishin kazermat e italianëve e diku aty vorret e ushtarëve italianë të vrarë në luftën italo-greke. Aty u vendosën këto familje “armike” ku shumica ishin pleq e plaka, gra e fmi.
Eh… ça të them ma parë për Turanin – tregon Klora, vetëm bukë misri kishim racion, epidemitë që shpërthyen ban atë që edhe sot më mbushen sytë me lot kur me vjen ndër mend vdekja e mbi 20 fmive në diku 48 apo 72 orë!!
Mungesa e ujit, uria ishin prezent në ate vend të mallkum.
E Turanin e ndjek Tepelena e tmerrshme. Kampi i rrethum me tela, me 2 porta hekurit, nji e madhe që hapej sa herë vishin makina të mbushuna me të internum e ndërsa dera e vogël hapej çdo ditë për me dal gratë e vajzat për punë.
Punë??? Çdo ditë niste për këto gra e vajza një kalvar i tmerrshëm pa lind mirë dielli, me u ngjit në mal me prè dru e me i pru në kamp.
E po mos të plotësohej norma me një rrugë, do t’u ngjitshin prap e pamundësia për mos ta ba çdo ditë ketë punë të tmerrshme e sfilitëse nuk ekzistonte.
E po t’i thoshe policit jam pa terezi – rrëfen me lot në sy Klora, ai merrte një dru ku të ishte më i madhi dhe ta ventë mbi shpinë.
O Zot… A mund të jenë njerëz këta!
-Uria ishte tmerri i Kampit të Tepelenës, duket e pabesueshme por asht e vërtetë, kishte arritë halli deri aty sa kohë dimnit njerëzit vdisnin e familjarët nuk tregonin veç me marrë racionin e bukës e të gjellës.
Gjella… një torturë me vedi, gjellë kazani thirrej, bollgur me kryma, grosha me miza, buka e mykun pa përmend kazanat që ma parë kishin pas naftë në to. Një rast i tmerrshëm e tregon ma së miri ku kishte mrrit uria… kur nji t’interumi i plasi mina në dorë e u plagos e kur po e çoshin në infermieri thoshte… kam me marr racionin e bukës… e mbas pak orësh ai dha shpirt.
Kam pa me sytë e mi, – thotë Klora, – fmi por edhe pleq që shkoshin aty ku laheshin kazanat me mbledhë ça mund të kishte tepru për me thy sado pak urinë!!
E ky kamp i tmerrshëm, Klores i kujton një ngjarje që nuk e harron kurrë, historinë e Zefit vllait të saj të vetëm, diku 7-8 vjeç që e kishin lidh për çezmen e ujit në kamp pasi kishte ba nji “faj të madh”, kishte pru në kamp do miell që ja kishin falë.
Tanë natën djali i lidhun, e na që nuk kishim forcë me ba asgja veç me e pa tuj qa – tregon Klora, e na tu qa bashkë me të… e veç nadje kur i ka ra të fikët e kanë zgjidhë.
…E për Kloren kjo ishte luftë e kjo luftë bahej me gra e fmi.
Kur kryva shkollen 7-vjeçare u bana për punë, do shkojsha edhe unë në mal për dru – rrëfen Klora, edhe sot kur e shof mali përkarshi them me vedi – a me të vërtetë unë e kam ngjitë njat mal me dru në shpinë çdo ditë dimën e verë…?!
Nga këtu ndahet për herë të parë nga nana, e çojnë në Tiranë në Fabrikën e Tullave. Në mes të dimnit me kambë në ujë pa çizme, punë nga ma të vështirat, me sitë ranën, me thy tulla, me pjek tulla për ndërtime speciale.
Klora kujton: Ju lutshim Zotit me ra ndonjë ditë shi e me mujtë mos me punu. E nga fabrika e tullave u bashkova me nanën,vëllanë e motrën po këtë radhë në një tjetër kamp të krijuar në Myzeqe.
Në fushat e Myzeqesë
Këtë radhë Klora nuk do shkonte ma në Tepelenën e largët po në do baraka internimi në Lushnje. Savra, Plugu, Grabiani, Gradishti e fshatra të tjerë ishin kthyer në kampe pune ku i grumbullonin të internuarit.
Puna në Myzeqe ishte punë bujqësie e shpesh herë i çonin në fushata të ndryshme në fshatra të tjerë. Të internuarit nuk kishin të drejta, apeli bëhej çdo ditë, për të dalë nga kampi duhej leje dalje e një arsye bindëse për “operativin”.
Klora me familjen e saj u caktua në Savër, e për vajzën nga Iballa filloi një jetë tjetër…
Fejesa me djalin e ish kryeministrit Mustafa Kruja
Rastësia sjell që Klora një ditë që kishte dalë për pazar të takojë znj. Caje Merlika, një zonjë që një bashkëvuajtes në një intervistë e ka cilësuar “një konteshë të vërtetë”.
Zonja Caje shoqërohej nga i biri Fatosi, që sapo kishte dalë nga burgu politik. Me zonjën Caje ishin njohur më parë pasi në vitin 1954 që ishte mbyllur kampi dhe u vendosen në Lushnje, zonja Caje kishte jetuar ca kohë në të njejtën barakë me familjen Mirakaj.
Klora kujton: Në momentin që jemi taku dhe prezantu me Fatosin unë vetëm e përshëndeta si djalin e zonjës e ndërsa ai më ka thanë mbrapa se… që në momentin kur me prezantoj mama me ty, thashë me vedi vetëm këtë do marr për grue…
E kështu ndodhi… Fatosit i ishin vu familja duke i kërku të martohej e ai kishte shprehë dëshirën për të marrë Kloren. E pasi “delegacionet familjare” bisedojnë në pranverën e vitit 1958, çifti fejohet e Klora vjen nuse në Gradisht.
Dita e dasmës
Kishte ditë që binte shi… e sektori i Gradishtit ishte mbyt në baltra. Familja Merlika kishte dasëm. Do merrnin nusen e Fatosit, Bardh Kupi (i biri i Abaz Kupit) do ishte krushku e Xhana (kunata e Mustafa Krujës) italiane do ishte krushka.
Taksia nuk hynte në Gradisht, një pjesë e rrugës do bahej me taksi e pjesa tjetër me karrocë, po balta nuk e lente karrocën, duhej me e shty e kështu – thotë Klora, dhandri e krushku shtyshin karrocën e ndërsa unë që isha me fustan nusërie vesha çizmet e përkrahu me krushkën kaluam përmes baltrave.
E kështu nusja mbërriti në sektor Gradisht ku e pritën dasmorët tu këndu: “Sa bukur na ka dal nusja” e këtu sërish Klora edhe përlotet edhe qesh… nusja me çizme me baltë.
Kështu filloi jeta e çiftit Merlika që do zgjaste jo pak… po mbi 55 vjet!!
…Muaji i mjaltit i Klorës dhe Fatosit do të ishte mbulimi i teshave për t’i shpëtu shiut që binte pafund në ditët e para të marteses së tyne.
Zoti e bekoi çiftin më një vajzë që u lind e u rrit në Gradisht.
Klora vazhdon të tregojë: …vajzën e kam rritë me shumë peripeci, tu u mundu shumë se nuk dosha që vajza të vuante siç kisha vujtë vetë.
Për ta la vajzën kam përdore ujin e kënetës, ku laheshin rosat tanë ditën, e mbushja në darkë e zija, nadje e kulloja për me la vajzën.
Puna në fusha ishte sfilitëse e Fatosi e Klora mundoheshim shumë, shpeshherë Fatosit nuk ja jepnin rrogën tue i thanë: “Prish njiherë ato lekët që të kanë lanë baba!”
***
Kampet e punës në Myzeqe ishin ba për këta njerëz shtëpia e tyre. Asnjëherë nuk mendoshin se mund të ktheheshin në shtëpitë e tyne. E siç kujton ajo, “Vjehrra jeme nuk e përmendte kurrë shtëpinë që kishim në Tiranë pasi thonte se ne këtu do vdesim e në të vërtetë Caje Merlika vdiq në Gradishtë, në vitin 1982.
Ndërkohë, ditët kalonin dhe Klora mendonte që vajzën ta shkollonte ndodh e papritura. Kloren e thërrasin në Degën e Brendshme.
…E Klora kujton me një kthjelltesi që të duket sikur ka ndodhur dje: Nxora nga 100 palat e një portofoli një foto të Shna Ndout e iu luta të më mësonte si t’i përgjigjesha djallit…
E Zoti më dha forcë, shkova e më dukej se po shkosha me lypë llogari e jo me dhanë llogari.
E në këtë takim Klores i kërkohet të bashkëpunojë me ta e në këmbim do t’i lejohej ta shkollonte vajzën. E për Kloren kjo ishte hera e dytë që i kërkohej, edhe më herët i ishte kërkue që të lidhej me “ata te malit” e konkretisht me Ndocin djalin e axhës që u vra në mal, e Klora si atëherë e vogël, e si sot iu përgjigj njësoj: “Nuk jam nga ata”
…E kështu vajza e Klorës nuk u shkollua, sepse e ëma mendonte se vajza e saj nuk mund të bënte shkollë në fatkeqësinë e të tjerëve.
Në Gradisht, Klora humbi njeriun e saj të shtrenjtë, nanën, të cilës Klora që e vogël i kishte premtu se që pas vdekjes së babës nuk do i ndahej asnjëherë, do ishin gjithmonë bashkë.
Në emisionin “Baraka ime e internimit” të gazetares Admirina Peçi, Klora e tregon me detaje sikur ta ketë fotografu, nji ditë të zakonshme në atë kamp.
***
Kalvari jem, – thotë Klora, është i gjatë 1945-1992. Nga Gradishti dola 3 herë gjyshe, pasi në vitin 1980, vajzën e martova në Shkodër.
Në internimin e gjatë të Klorës ka lënë gjurmë dhimbja, humbja e njerëzve të dashur, mundimet, por një gjë thotë: “Në ato kampe ne ishim ba një me njeri-tjetrin si të ishim një familje”
E sot Klora duke iu afru 90 viteve të jetës së saj ka gjithmonë dëshirën për me tregu për atë jetë të vështirë me detaje që brezat e rinj të kuptojnë çka ka ndodhë në ato kampe.
Sot, një gjyshe e lumtur, ka dashurinë e të gjithëve si nga njerëzit e vet ashtu edhe të Fatosit e siç i thonë “Ti je diamanti i dy familjeve të mira Mirakaj – Merlika!”