back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kodi mafioz i një krimi komunist, kufoma në kadavër – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefen Kurti (1898-1971)

Kodi mafioz i një krimi komunist, kufoma në kadavër

nga Kastriot Dervishi

Mafia zakonisht përdor një gjuhë të veçantë për të kërcënuar e vrarë. Kjo shihet në format “do ju rregullojmë”, “do ju sistemojmë”, “do ju zbukurojmë”, etj. Edhe gjatë luftës “Tarasi” i frymëzuar nga gjuha mafioze shkruante vazhdimisht “dekorojeni” filanin, etj. një histori e ngjashme është vënë re te një praktikë ekzekutimi. Vite më parë, nga një fletore e vjetër kam gjetur në Arkivin e Ministrisë së Brendshme një shënim mbi fundin e Dom Shtjefën Kurtin, kufoma e të cilit ishte çuar për eksperiment mjekësor te Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë. Nuk mjaftoi një burgim i gjatë, por u desh edhe një tjetër me dënim kapital.
Dom Shtjefni u arrestua më 11.06.1970.
Operativi i dosjes formulare ishte Qemal Karemani, ndërsa hetues Iljaz Haxhiaj. Nga leximi i të dy dosjeve, del fare qartë se pushkatimi nuk mund të përligjej edhe sipas legjislacionit të kohës. Me vendimin nr.54, datë 30.07.1971 të Gjykatës së Rrethit Krujë, e kryesuar nga Qazim Mani, me pjesëmarrjen e prokurorit Hajredin Fuga u dënua me vdekje për “sabotim” dhe agjitacion e propagandë. U la në fuqi me vendimin nr. 806, datë 08.09.1971, nga Gjykata e Lartë e kryesuar nga Llazi Stratobërdha me relacionin e Jani Vasilit dhe pjesëmarrjen e prokurorit Zaim Myftarit. Më 23.09.1971, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e faljes së jetës. Nga data e këtij vendimi e deri në ekzekutim kemi disa ditë. Vonesa dhe trajtimi nga Dega e Punëve të Brendshme Krujë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, me sa duket është bërë për arsyen e kërkesës nga Fakulteti i Mjekësisë. Urdhri nr. 3285/1, datë 25.09.1971 i ministrit të Punëve të Brendshme, ka vendosur procedurën e veprimit. Ky urdhër është asgjesuar dhe nuk është gjetur.
Kësisoj ekzekutimi është kryer më 29.09.1971 në “vendin e caktuar” në Dajt. Gjatë kësaj kohe, Dom Shtjefni është mbajtur në Repartin nr. 313 në Tiranë. Të pranishëm në ekzekutim kanë qenë hetuesi Vangjel Kote, zëvendësprokurori i Rrethit Krujë – Piro Suli, zëvendëskryetar i DPB Krujë – Ramiz Palmi dhe mjeku Asim Ylli. Pas vrasjes që është kryer, nga njëri prej 3 ekzekutorëve që ka pasur Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë (nuk dimë saktësisht cili nga ata: SH.M, R.K. apo A.K.) është vepruar sipas autorizimit, duke iu dhënë “rezultati” doktor Asim Yllit, njërit prej mjekëve që rezulton edhe në raste të tjera që ka tërhequr kufomat për nevoja të Fakultetit të Mjekësisë. Çudi e madhe është përdorimi i kësaj gjuhe mafioze këtë rast.
Më 20.10.1971, Prokuroria e Rrethit Krujë i dërgoi Presidiumit të Kuvendit Popullor procesverbalin e ekzekutimit në Tiranë, një rast krejt i rrallë ky. Për këtë arsye, ky procesverbal u administrua në dokumentet e fondit përkatës në AQSH.

Proces-verbali i pushkatimit të Shtjefën Kurtit
Proces-verbali i pushkatimit të Shtjefën Kurtit

Nipi i Dom Shtjefën Kurtit,

Nikolin Kurti rrëfen për mënyrat e krimit

Lart është proces verbali i pushkatimit të Axhës Shtjefën. Mjeku që vërtetoi vdekjen dhe e ka marrë trupin për në Morg është përgjegjësi i tij Dr. Asim Ylli. Ky i përdorte trupat për studentë e pedagogë të Fakultetit Mjekësisë. Para disa vitësh vdiq dhe i mori me vete pa i treguar krimet e tij .

Nikolin Kurti - Nipi i Dom Shtjefen Kurtit
Nikolin Kurti – Nipi i Dom Shtjefen Kurtit

***
Doc. Asim Ylli mbahet si kontribues i madh për mjekësinë shqiptare. Lexoje tek postimi lart.
Në postimin e fundit është faqja e një regjistri burgu ku në rresht të parë shkruhet se Shtjefën Kurti është çuar në morg si kadavër për t’u përdorur nga pedagogët e anatomisë, organeve të brendeshme etj.

***
Përdorimi i morgut për zhdukje të kundërshtarëve politike është një pistë kriminale e padëgjuar në botë.

***
Jam interesuar se ç’bëhej me mbetjet eshtrore pas përdorimit dhe kam dëgjuar dy versione: I pari mblidheshin në një thes dhe digjeshin me naftë prapa godinës së Fakultetit të Mjekësisë dhe mbeturinat e djegies hidheshin në kazanet e plehrave, së dyti mbetjet eshtrore çoheshin me thes në varreza Shish-tufinë dhe groposeshin në një vend bashkë…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.