back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Koha kur u njoha me Aristidh Kolian – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Studjuesi Aristidh Kola (1944-2000)
Studjuesi Aristidh Kola (1944-2000)

Koha kur u njoha me Aristidh Kolian

nga Artan Gjyzel Hasani

Kam pasur fatin e madh ta njoh nga afer këtë njeri të çmuar gjatë viteve që jetoja në Athinë.
Ka qenë një koincidencë me kohëzgjatje një javore. I kisha çuar disa poezi të miat në greqisht me një mikun tim arvanitas ca ditë më parë dhe miku më kish thënë që i kanë pëlqyer dhe do më rregullonte një takim me Aristidhin dhe më dha edhe numrin e tij të telefonit.
I telefonova Kolias, folëm ca për poezitë e mia, por mesa kuptova e kishte me ngut dhe kështu nuk e zgjata telefonatën duke menduar për një tjetër herë nga afër, e më thotë nëse mundem rreth orës 6 pasdite, të shtunën që vinte, të shkoja te banesa e tij… Por takimi u bë atë të shtunë, në të tjera rrethana.
Ishte periudha e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd dhe të premten Kolia ishte i ftuar në një studio televizive përballë disa eksponentëve serbë dhe serbofile greke… Emisioni kishte edhe telefonata nga shikuesit…Telefonova edhe unë dhe lashë numrin e celularit tim në redaksi… Nuk më lidhen me studion, por të nesërmen e emisionit më telefonon vetë Kolia dhe e lamë të takohemi në shtëpinë e tij, diku në fund të Leoforos Aleksandras drejt rrugës për Zografou… Dhe unë i dhashë të njohur që jam ai poeti që folëm të hënën në telefon dhe e kishim lënë që më parë të takoheshim të shtunën… Qeshi dhe bëri një “ahaaaa”. Jetonte në një pallat, në mos gaboj, kati i katërt. I telefonova dhe i thashë që jam para pallatit… Ndërsa prisja të më hapte derën shoh në krah tim Aristidhin të ngarkuar me shumë qese me zarzavate. Vinte nga tregu aty afer. U përshëndetëm dhe me tha “ndihmomë pak sa të hap derën”. Apartamentin e përdorte edhe si studio të shtëpisë së vet botuese “Thamiris” (që do të thotë “Tha të mira”, pra që boton vec gjëra të mira).
.
Aristidh Kola (Kolia)
Aristidh Kola (Kolia)
Mbi murin e studios ishte një poster i madh i Thimi Mitkos, ndërsa mbi tavolinë kishte nga ato bustet e vegjël të Skënderbeut që kemi pasur të gjithë në shtëpitë tona dikur… Folëm goxha… Fillimisht folëm greqisht dhe në një moment ma ktheu me një shqipe herë arvanitçe e herë shqipe të pastër letrare. Gjuhën shqipe letrare ai e quante si të cunguar, pasi i mungonte elementi geg dhe ai arbëresh dhe arvanitas (pasi në studimet e tij të shumta gjuhësore Kola dallonte ndryshime të shumta mes gjuhës arvanitase si pararendëse e gjuhës së arbëreshëve të Italisë.) Folëm nja 2 orë të mira mbi letërsinë, historinë dhe sigurisht edhe mbi emigracionin shqiptar në Greqi…Për gjuhën shqipe, arvanitasit, Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, për protestat e përnatshme të grekëve kundër bombardimeve mbi Beograd, etj etj…. Në mos gaboj, kishte në dorë një dorëshkrim të një poeteje shqiptare Majlinda Zeneli, një emër i padëgjuar për mua, dhe më tha që i kishin pëlqyer dhe do t’ia botonte… Kishim edhe kundërshti në pikëpamjet tona respektive në lidhje me shqiptarët dhe arvanitasit, për gjuhën shqipe dhe arvanitase… Kur e pyeta nëse ndjehej shqiptar, më tha ndjehem arvanitas, duke folur për arvanitasit si të ishin një lloj tjetër i racës shqiptare… Folëm edhe për librin tim poetik Misioni Paranoik (të shkruar në origjinal në greqisht e që më pas e botova të përkthyer në shqip)… U takuam edhe dy herë të tjera duke parë mundësinë e botimit të librit tim, gjë që nuk u realizua pasi Providenca e bëri që une pak ditë më pas të kthehesha në Shqipëri për të mos shkuar më në Greqi veçse si turist shumë vite më vonë… Kur u ndamë herën e fundit, Aristidhi më dha një koleksion të revistave Arvanon dhe Besa, si edhe një kopje me dedikim të botimit në greqisht të librit te tij “Greqia në grackën e serbëve të Miloshevicit”…
Aristidh Kola (Kolia) meriton të nderohet maksimalisht nga shteti shqiptar, me një emër rruge, shkolle, përmendore, asgjë nuk do tingëllonte e ekzagjeruar për të nderuar atë që une e kam quajtur Rilindasi i Fundit…
Pas vdekjes së tij, nga disa miq të përbashkët arvanitas aludohej që leucemia i ishte shkaktuar nga kobalti i vënë në dorezën e derës së tij nga qarqe greke që e donin të vdekur. Nuk e di sa e vërtetë është kjo gojëdhënë e tyre…Edhe mbase… Nuk do çuditesha të ishte e vërtetë… Në profesion ai ishte jurist dhe mbaj mend që më kish thënë që do e mbyllte zyrën e tij juridike pasi ndjehej shumë i penguar dhe i kërcënuar nga qarqet antishqiptare. Ishte koha kur Kola me dinjitet dhe guxim të jashtëzakonshëm replikonte në studiot e televizioneve greke përballë gazetarëve dhe audiences totalisht antishqiptare dhe proserbe në mbrojtje të Kosovës…
Kur mësova për vdekjen e tij isha kthyer në Shqipëri dhe kështu ngushëllimet ia shpreha në telefon të bijës së tij.
Ishte vërtet një shqiptar i madh!
Por si gjithnjë harresa tradicionale shqiptare e ka lënë akoma të panjohur këtë figurë të madhe për publikun shqiptar. Shpresoj dhe uroj që një ditë Aristidh Kol(i)a të zërë vendin që meriton në Panteonin e vlerave shqiptare edhe zyrtarisht.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.