back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kohë e pafundme… – (ose epitaf i mirmidonëve, për Sibilat e Orfeut…) – Poemë nga Emi Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi

Kohë e pafundme…

(ose epitaf i mirmidonëve, për Sibilat e Orfeut…)

Poemë nga Emi Krosi

I
Në tokën e qeltë,
shira të nxehta malli,
me aromë pjepri,
kurmet e lagështa të trungjve të pemëve pa fruta,
ka pjerruar si drita,
se mistika e ngjyrave,
zgjatet deri tek kindet e largëta të botës,
ku sibila cumaene gjijnxehtë pyet:
– shko biri i njeriut, shko,
në tokën e Luginës së Uqërve,
se pema e së keqes,
mitet e besimeve i ka zhveshë,
se bota dhe koha ka humbur ekuilibrat e saj,
në marrëdhënien e shekujve të Fillesës,
me duar prekim jetën.
me fjalën shkruajmë fatin,
me këmbë ecin stuhive,
kur eshtra e deteve,
vdekjet i shpëtojnë nga rrënojat e gurëve,
(e një maje mali,
që mendueshëm shkruan nekrologjinë me një barkod të ri,
në fundmbrëmje),
se tepricat e bisedave të çuditshme,
copëtohen në tempujt e reja të blasfemive,
mbi përrallën e ringjalljes sërishmi,
përtej heshtjes së një samuraji,
përpara shpatës,
duke mëkuar globin,
kur Agatha zgërthihet,
me shpitrat e shveshur organikë,
përtej deteve të Zi, të Kuq, të Ngrirë,
ku njerëzit si skllevër të veckël binden,
si Zhvejku, në rrjedhën e fundme të jetës,
s’ka më akullnaja,
as dinosaurë,
as Xhebraili,
nuk është më perëndi i vdekjes,
në ngadhnjime jetësh,
mund të jetë Konfuci,
që na tërheq nga adhurim,
i thirrjes përtej mjegullimit,
përtej verbërisë,
në vorbullat e plogështisë,
ninullat e Rozafës,
muzgjeve zgjojnë pikëllime,
për nusen e murimit,
për një djep,
për një gji,
për një Kala,
e veshur me modën e turbullirave të kujtesës virtuale,
vetëm në balada e poezi!

 

"...vdekjet i shpëtojnë nga rrënojat e gurëve..."
“…vdekjet i shpëtojnë nga rrënojat e gurëve…”

II
Kur muzgjet zbresin,
në tokat e lagunave të vesuara,
vrima e Zezë Ozonike,
nuk prodhon më ajër të pastër,
se janë veshur edhe mjegullat me minifunde,
(se edhe minifundet janë demode)
se në modë janë xhinset e grisura,
në paradën e fundit të Rio de Zhanejros,
botës një modë e re iu imponua:
modelet e maskave të reja fare,
(domethënë maska kundër maskës së covid-19)
nga modeli i bllokut të Tiranës,
nëpër kaosin e çmendur,
ku një thertore qentë kishte vendosur,
të varte në çengelin e mishit,
se kriza e Botës nuk preku,
vetëm duart e përgjakura të Ponc Pilatit,
se kriza e fundit e Kurbanit,
s’ka gjak,
s’ka bukë,
s’ka naftë,
se pluhuri i udhëve të gushtit,
përvëlon si llavë,
kur nuk dua që të tymosem,
në agim,
sypalarë,
sypatharë,
kërleshur,
me mbetjet e spermës së burrit të panjohur,
drita ka derdhur aromën e djersës së këmbëve të enjtura,
kur heq atletet “Adidas”,
se tani s’ka më dallim,
kur shija e kripës dhe rigonit,
në makaronat me tartuf të zi,
më qenkan mykur,
në sirtarin e ëndërrave të grisura!

III
Ka mbetur varur një yll,
në verigën e agimit,
trushkulur një gazetar i BBC-së,
më idjot se ai i CNN-it,
se feja e tij nuk lejoka përmendjen e fjalëve:
testikuj, tredhje, jashtëqitje,
por mut… mut, akoma nuk qenka ndaluar,
se kur të zënë sëmundjet veneriane,
as menopauza,
as andropauze,
nuk ndërkallin më erosin e ditëve të nxehta të verës,
ku saherë rrëzohet Sibila,
rigon një shi u kuq,
flakë si kupa e darkës së fundit,
me gjakun e Gralit të Shenjtë,
u derdh,
u shterua,
u pataks.
se shpatullat e malit të shenjtë,
(kanë njolla të kuqe,
të gjelbra si semaforët,
që normojnë shpejtësinë dhe matin hapat njerëzorë),
përtej tempujve,
me shkronja dhe vula të shenjta,
ku ligjet dhe kodet,
e parlamenteve që rrëfejnë vrasjet e Kainit,
se për dashurinë s’ka mort!

 

Fantazi me re
Fantazi me re

IV
Dhe unë nuk dua më,
të flas për ngrohjen globale,
për Biblën e fundit,
për Profetët e rremë,
për teknologjinë robotike,
për ninxhat e Himalajave,
për Birin e Birit të Njeriut,
për sanduiçët e MacDonalsit,
se përqafimi i djallit,
shkruan në oazin e barit të njomë,
putra trëndafilash,
në kërkim të shpirtit mistik,
duke iu përvjedhur britmave të lypsave të rremë,
me BMV-të e zeza,
ku një radhë e madhe njerëzish përmes vapës,
përsëritin: euro po bie, euro po bie!
Dhe radhtarët njëherazi presin afër ExChange të këmbejnë para:
– poshtë shën euro, – bërtasin në turmë,
– poshtë shën dollari, – poshtë,
– poshtë shën leku, – jo! Rroftë… rroftë,
se unë me doktrinën e shpirtit të butë letrar,
përplasem me një pemë të dehur,
por katërkëmbëshi im,
(se paterica janë aksesorët e mi të preferuar),
nuk më anoj në trotuar,
drejt kthimit tim,
ku Sibila ime,
më la një vegim të largët në ikje… në ikje,
pa kthim, drejt detit të fundit të paqes së saj!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.