back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Koineja – Poemë Nikoll Daka

Gazeta

Nikollë Dakaj
Nikollë Dakaj

Poemë kundër Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe nga latinisti Nikoll Dakaj me 1972, nji nga 20 gjuhëtarët të përjashtuar nga Kongresi i PPSH 50 vite më parë.
Poemat me motive sociale kanë qenë pak të popullarizuara në vitet ’70 të shekullit të kaluar, mbasi realizmi socialist nuk i lejonte polemikat e thelluara në fushën e artit. Funksioni socio-politik i poemës “Koineja e gjuhës shqipe” e bën Nikollë Dakajn të shprehë një dallueshmëri në kontekstin e gjinisë së poezisë, e cila lëvrohej rëndom brenda kornizave të mirë dallueshme të politikës së ditës caktuar nga ideologjia mbizotëruese e marksizmit, vënë në praktikë edhe në shkencën e gjuhësisë, në Shqipërinë e viteve ’70.
Ndalimi i publikimit të shkrimit në dialekt, u bë një pengesë më shumë për shpresat e publikimit të prodhimit letrar të Nikoll Dakës gjatë komunizmit dhe politikat kulturore dhe linguistike, lanë gjurmë më të thella në krijimtarinë e tij sesa vuajtja e tij në burgjet komuniste deri në vitin 1987.
Poema Koineja, ka qarkulluar në formë Samisdati, në rrethin e shkrimtarëve Shkodranë, duke ndikuar në ruajtjen e një qendre disidence kulturore krahas mendimit shkencor alternativ për gjuhën, që më pas u quajt “gjuha standart”. Vijues të kësaj shkolle të shkrimit të gegënisht, u bënë poetët Primo Shllaku, Zef Zorba dhe përfaqësuesit e klerit si Imz. Frano Illia, Imz. Zef Simoni, At Benedikt Dema, At Zef Pllumi, Gjergj Simoni, të cilët botuan veprat e tyre mbas vitit 1990. Gjithashtu në diasporë tradita e shkrimit vijoi me Arshi Pipën e Martin Camajn dhe në Kosovë me Anton Pashkun.
Kjo temë pati ndërvepruar edhe në debatet e shkrimtarëve duke u ringjallur mbas viteve ‘90. Në kohën e shkrimit të Dakës, autorët e njohur të viteve ’30 dhe ’40, të lëvrimit të gjuhës letrare gegënishte ishin më skeptikët në pranimin e standartit të ri. Ndër ta Nikollë Dakaj mund të jetë i vetmi autor që la një vepër letrare artistike, si dëshmi e oponencës ndaj vendimit për të vendosur “Koinenë” siç e quan autori të gjuhës shqipe.
Argumentet e tij historike, logjike, ato objektive dhe subjetive arrijnë të transmetojnë nëpërmjet artit të retorikës, bindësinë e autorit të pavarur nga ideologjia. Duke lëvruar vargun klasik, ai shfaq njëkohësisht pasurinë leksikore, sintaktike dhe frazeologjike të gjuhës letrare gege. Nëpërmjet këtij autori mund të shihet dhe historia e zhvillimit të gjuhës letrare gege në fazën e fundit të saj. Mjeshtëria e vargjeve të Dakajt me kadencat, eufoninë dhe rimimet befasuese, shfaqin intertekstet e letërsisë së madhe të përkthyer e të përvetësuar nga ai.
Përveç interteksteve të Homerit, Dantes, Petrarkës dhe autorëve të tjerë lirikë, në poetikën e Nikoll Dakës, funksioni i mendimit bashkëkohor dhe kritika ndaj politikave arsimore vulgare, i bashkohet disidencës së tij, si një prej autorëve më të spikatur të letërsisë dhe pedagogjisë kombëtare.
Leka Ndoja

Kongresi i Drejtshkrimit - Tiranë 20-25 Nëntor-1972
Kongresi i Drejtshkrimit – Tiranë 20-25 Nëntor-1972

Koineja

Poemë Nikoll Daka

Të ndritur, Kostallari, Çabej, Domi,
e ju lavruesa të fjalës shqiptare,
sot flamurtarë të koinesë kombtare,
që me rilindas i vegoi simptomi,
për ta naltuar me lavdí ke stomi
kët ushtimë burrash rrufé shigjetare,
që nëpër shekuj pa u tronditur fare
mbajti shqiptarin gjallë deri te i somi,
syni do ngritur kahë malet kreshnike,
liri e gjuhë ku shqipja arbërore
me krahë e kthetra ruajti virgjëresha
e lulëzim, e përparime t’shpesha
e jone t’ambla përhapi kumbore,
shijes s’përbashkët kurdoherë besnike.

***
Atje ku Dedë Gjo Luli Kuqezí
nga pluhri shekullor flamurin nxori
e n` flakë të pushkve bota vesh e mori
se nuk rron dot shqiptari pa liri,
kur Skënderbeu na pati veshë në zi,
mburojë çeliku erdh’e gjet jugori
e u përqafua me të bashkë malsori,
e u shkrinë dy t’folurat përbukuri.
Atje bashkuar si kokrrat në shegë
e vllazërisht të rrokur si shqiptarë,
gjuhë të përbashkët flasin toskë e gegë
dhe ambël vezullon shkëndija e parë,
që na rrëfen se si duhet me i djegë
shkurret që gjuhës na i kanë mbijtë në arë.

***
Të mos u themi pallavrave dije,
as të mos kapemi për gemba fyla,
as vllau të vllanë tu’e mënjanua me brryla
kurrë t’mos e përjashtojë trashigimie,
por të dy bashkë me dashuri e shije
t’këndojnë së bashku porsi dy bylbyla
e manushaqe t’mbjellin zymbyla
në kopshtin e ksaj gjuhe Perendie.
Thjeshtia t’mbretërojë e bukuria
e t’jehojë fjala me gojë rrumbullake
si gurgullima e krojeve ndër male
e n’pah moria e trajtave të dale:
malore, qytetare, fusharake
dhe veshë e mendje t’i lurtojë larmia.

***
Mbet shtang atdheu, papritmas kur drejtshkrimi
na doli koiné, që tjetër s’ishte,
veç plot toskrishtja plus fjala ranishte.
Kongresi mbarë u tund nga shungullimi
e arbreshë, e kosovarë, që lodhë mërgimi
e malli për atdhenë këputë i kishte,
brohoritën me tjerët si ferishte
pa ua pré mendja se ku ishte synimi.
Gjuha e tri t’katrave të kombit tonë,
gegrishtja e lashtë, e humbi aty shtetsinë
pa të drejtë shkolle, shtypi, skene e fjale
as s’iu desh gja që bani aq jehonë
e n’kulme shqipes ia çoi letërsinë:
nji prej kryesisë e shpalli klerikale.

***
S’ka atdhetár që s’asht për koinenë,
për shqipen e njësuar vezullore,
ku t’përpajnohen t’folmet krahinore
e ku secili ta ndjejë gjallë të venë;
ku e vjetra t’gërshetohet me të renë
e veriore t’ecin e jugore
të rrokura si motra dorë për dore
me n’ballë si ideal gjithmonë atdhenë.
Por kur koineja t’jetë vetëm fjalë goje
prapa së cilës me dredhi Mineja
kambën e ndyrë edhe ma lart ta çoje,
çdo atdhetár do brofë porsi rrufeja
nga rrokullima gjuhën ta shpëtoje
e përpjetë shtigjeve t’i prijë të reja.

***
S’ecë para gjuha me ligjë e dekrete,
as me vendime gjuhtarësh gjysmakë,
që vetë të zbetë fjalën e kanë e t’pakë
e s’u shkon proza as vargu nuk u vete.
Mjeshtria e fjalës, zotësi në vete,
thithet në vogëlí nga gjyshja plakë,
merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë
e n’gojë t’poetit buron si mjaltë blete.
Poeti lule n’lule porsi bleta
fjalët qëmton e shprehjet e vetishme
që nëpër popull tingullojnë ma bukur
e thurë me to kangët e madhërishme
përmbi atdhenë e anët që ka jeta
me nji gjuhë flakë që fluturon si flutur.

***
Themelet gjuhës ia ngulit poeti:
në bark e n’shpinë ai t’folurat i kthen
tue zgjedhë çka trillit ma për shtat i bjen,
që t’mos përkundet turbull si dallgë deti,
po qartë të vezullojë ashtu si mjeti.
Popullit e letrarvet u rrëfen
çka vret në vesh e veshit çka i pëlqen,
ç` asht krunde e huaj dhe ç’asht miell i veti.
E nuk ven ligje, por zgjon e kalitë shijet;
nuk urren t’folmet as nuk përbuzë fiset,
ngado të shtrihen skajeve t’atdheut;
hollë i përzien ai dritat e hijet
e n’kraharor i ngrohë tëtana viset,
si dielli, rrezet që ia hapë mbarë dheut.

***
Ç’ka paskajorja që të përjashtohet
nga gjuha si nepërkë, kur e përdorë
shumica e kombit? Si, vallë, kambë e n’dorë,
larmia e tingujve të varfërohet?
Për çka theksimi turk nuk zëvendsohet
nga tonet tona të bjeshkve me borë,
atdheut e gjuhës që na i rrinë kurorë,
po gjuhve t’huaja jona urë u shtrohet?
Pse shqipja jonë me plot lavdí e nderë,
titanike si populli që e foli,
t’mos i rrahë flatrat me u ngjitë dhe nji herë
n’fronin e bukurisë ku motit ishte,
kur gjuhët tjera n’at Europë ferishte
për bukuri asnjena nuk ia doli

***
N’djep kur belbzonte fjala helenike
e ligjerata endè s’kish lé romake,
në trevat gjelbrore ballkanike,
nga vala e Jonit tek alpet verjake,
pinjollë e landës s’hershme pellazgjike,
njomzë e kërthnestë e degve iliro-trake,
kjo gjuha jonë e bukur e fisnike
në gojë t’Orfeut ushtonte fluturake
e i shkonin mbrapa t’mallëngjyera pyjet
e ndaleshin lumejt veç ta dëgjonin,
e bashkë jehonë i banin toka e qielli,
me lár e lule edhe ia thurnin fronin
e bukurisë mbi dhé tok hana e dielli
e brohorisnin: “Rroftë!” së larti yjet.

***
Ajo qiellorve e kreshnikve u këndonte,
Diellit e Hanës kreshtave tue lé
e dragojve ndër djepa e nuses s’re
e Tokës nanë, të mirat që prodhonte.
E gojë në gojë jehona fluturonte
nga Deti i Zi në Tunë e në Dioklé
e dikohej luginave rrëké
si gurrë hyjnore, që n’Auzonie e çonte
e në Heladë ujin e gjallë e t’kthiell,
gojën e artë ku njomë e pat Homeri,
mëninë e Akilit për ta ngritë në qiell.
Kjo qe lavdia e gjuhës sonë e nderi
dhe për ta ngjitur përsëri ke gurra,
nuk don kërthingla, por sokola e burra.
Shkodër, më 1972

nga libri i Nikoll Dakës “Koineja e gjuhes shqipe” Tiranë, 2008, përgatitë nga Anton Dakaj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.