Kol Mjeda (4 dhjetor 1895 – 24 prill 1951)
nga Doc. Dr. Zyhdi Zekja & Namik Kruja
-Kol Mjeda, deputet monarkist dhe sindikalist i njohur i Shkodrës
-Kol Mjeda, atdhetar me përmasa kombëtare
Një person i harruar, por që meriton të kujtohet është edhe Kol Mjeda. Duhet përmendur se disa pjestarë të fisit Mjeda janë të njohur në qytetin e Shkodrës për kontributin e tyre në çështjet patriotike dhe fetare, si edhe në lëmin e gjuhës e të artit, si Ndre Mjeda dhe Imzot Lazër Mjeda.
Kol Mjeda ka lindur në Shkodër më 4 dhjetor 1895. Mbaron në Shkodër shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme teknike e kryen në Drezden të Gjermanisë, ku më pas mbaron edhe shkollën teknike superiore në Stilistikë (Moda e veshjeve për burra). Ndonëse larg atdheut, mban lidhje rregullisht me familjen, të afërmit dhe shokët e tij, pa përjashtuar edhe miq, të rinj e të huaj. Me kthimin në Shqipëri, fillon të ushtrojë profesionin e stilistit në zejen e rrobaqepsisë, duke hapur një sallon mode për burra, ku qepeshin e nivel stilistik të lartë veshje për burra: Bonjeure, Rontigeau, fraqe të modës së fundit etj…
Gjurmët e ekzistencës së këtij salloni made, ekzistojnë në udhërrëfyesin ose në Guidën e qytetit të Shkodrës së asaj kohe; ku pasqyrohet adresa dhe reklama e tij.
Ekzistenca e këtij salloni mode bëri që shkodranët të fillojnë të kenë një “revolucion” në veshjet e tyre qytetare, ku filloi të lihej moda e vjetër tradicionale dhe filloi veshja e re që shkodranët e quanin “alla franga”.
Tani, aristokracia, tregtarët, shtetarët apo intelektualët e studentët që drejtoheshin në Perëndim, ishin në gjendje të bënin një “Bella figure” në të gjitha nivelet e shoqërisë perëndimore dhe aristokratike.
Qyteti i Tiranës, edhe tani, në vitin 2004, nuk e ka një zeje të tillë, por as stilistë mode të liçencuar dhe të njohur si të tillë. Ka gjithkund tregtarë që ekspozojnë prodhime të të tjerëve, por jo prodhim mode “alla-shqiptar”.
Çdo gjë e tillë, pra moda në veshjet tona, është e diktuar nga sallonet të tjera perëndimore apo lindore dhe VIP-at i drejtohen vendeve të tjera dhe për një pullë xhakete.
Në saje të aftësive të tij profesionale, Kola e zgjeron zejtarinë duke punësuar deri 6 punëtorë, me profesionistë të shquar të asaj kohe në Shkodër si Kol Tivari, Gjon Laca etj..
Kol Mjeda arriti ta zmadhojë aktivitetin e tij me një punëtori të madhe për atë periudhë, deri në 60-80 punëtorë. Duke qenë i diplomuar në Gjermani në këtë fushë, si dhe duke shfrytëzuar referencat nga Drezdeni, Kola arriti që nga Shkodra të lidhë kontrata pune me sipërmarrës austriakë për qepjen e veshjeve me porosi të klientelës së huaj.
Kjo shoqëri, për hir të së vërtetës, kur u formua e gjeti Kolën të ri, por, pas kthimit të tij nga studimet dhe emigracioni, e gjeti të kompletuar dhe me vizion të ri. Në vitin 1919 Kola bëhet kryetari i saj, ndërton statutin e saj sipas rregullave perëndimore dhe demokratike. Kjo shoqëri krijoi bordin e saj, ka nënkryetarin dhe dy sekretarë, kasjerin, llogaritarin dhe mjekun. Më pas kjo shoqëri bëhet bërthama e krijimit të një shoqate, në të cilën arrijnë të aderojnë deri në 60 mijë persona, si punëtorë, zejtarë, tregtarë të vegjël e të mesëm.
Kjo shoqatë u vinte në ndihmë anëtarëve të saj në raste hidhërimesh (vdekje) e gëzimesh (martesa); në raste sëmundjesh e deri në kriza falimentimi apo në rast fatkeqësie si zjarr e përmbytje.
Kjo shoqatë u bë edhe promotor i lëvizjeve punëtore në Ballkan, si në Mal të Zi, Mitrovicë, e deri në Kroaci, duke u mësuar edhe shoqatave të tjera se si të kërkojnë të drejtat e tyre nga punëdhënësit. Me gjithë politizimin e qëllimshëm, Kristaq Misha, në librin e tij “Lëvizja Punëtore”, nuk mundet të argumentojë e paraqesë Lëvizjen Punëtore në Shkodër si “revolucionare”. Kola është ndër të parët të rinj shkodranë, nismëtarë të organizimit të Lëvizjes sindikaliste. Me iniciativën kryesisht të punëtorëve shkodranë, që kishin punuar kryesisht në Austri, Itali, Bosnje, Mal të Zi etj., u përhapën ide sindikaliste dhe demokratike. Punëtorët dhe zejtarët e ndryshëm e që punonin në kushte të vështira pune, shtruan herë pas here kërkesat e tyre për ngritje pagash, për një orar të reduktuar pune. Për realizimin e kërkesave të tyre, ata organizuan edhe greva, si ato të vitit 1901, e pastaj në vitin 1905 e në vazhdim.
Më 1 prill 1907, u krijua “Shoqëria Ndihmëtare e Punëtorëve” në Shkodër, me në krye Simon Rranxin, Kol Mjedën, Kol Lukën, vëllezërit Daia dhe Dajçi, Hilmi Drishtin, Anastas Zaqorën, Gjon Lacajn, Et’hem Behrin, Kel Marubin, Abdyl Jasharin etj… Aktiviteti i kësaj shoqërie, me ndërprerje të vogla, sipas kushteve politiko-shoqërore, vazhdoi deri me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939.
Për të sensibilizuar opinionin publik, aktiviteti i kësaj shoqërie është pasqyruar edhe në shtypin e kohës.
Kol Mjeda ka qenë një nga themeluesit kryesorë të Lëvizjes sindikaliste të Shkodrës dhe, në periudha të ndryshme ka qenë edhe sekretar, nënkryetar dhe kryetar i kësaj shoqërie. Ai është iniciatori i veprimeve dhe aktiviteteve dobiprurëse, sikurse është rasti i krijimit të shoqërisë artistike muzikore “Rozafa”.
Në vitin 1918, Kola i binte klarinetës dhe me grupet orkestrale jepnin shfaqje për popullin në festat kombëtare. Për aftësitë e tij dhe reputacionin që gëzonte në masën e punonjësve, shoqëria e zgjodhi edhe anëtar të këshillit të bashkisë së qytetit, ku me shumë përkushtim ai mbrojti të drejtat qytetare.
Për mëse 20 vjet, Kol Mjeda ka punuar pa u lodhur si një nga drejtuesit e kësaj shoqërie, deri në triumfin e Legalitetit. Me eksperiencën e fituar në Lëvizjen sindikaliste, çka e ndihmoi të njihet me problemet sociale të vendit, Kol Mjeda, qysh në vitin 1924, filloi t’i përkushtohet edhe politikës dhe të merret edhe me qeverisjen e shtetit shqiptar, në detyra të ndryshme. Në fillim ai kryen funksionin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Për disa legjislatura ai ka qenë deputet i Shkodrës dhe arrin të zgjidhet deri zv/president i Asamblesë kombëtare. Vlen të kujtohet se në zgjedhjet e deputetëve të Prefekturës së Shkodrës në vitin 1925 dolën 8 vetë, njerëz të dëgjuar si Maliq Bushati, Tef Gera, Ndrek Kici, Zenel Mandia etj., dhe në mesin e tyre ishte edhe Kol Mjeda, i cili mori numrin më të madh të votave. Në fund të karrierës së tij (rreth 3 vjet), Kola ka qenë prefekt i Qarkut të Dibrës.
Kol Mjeda do t’i përgjigjesh emërimit në detyrat shtetërore me seriozitet dhe me angazhim, duke fituar jo vetëm simpatinë e bashkëqytetarëve por edhe të të gjithë atyre me të cilët bashkëpunoi.
Kol Mjeda, falë talentit dhe përkushtimit, ka dhënë edhe një kontribut modest në publicistikën e kohës. Në vitin 1925, Kola ka drejtuar me kompetencë për një kohë të gjatë fletoren e përjavshme “Zani i Popullit”, qe dilte në Shkodër. Gjithashtu, ka bashkëpunuar dhe shkruar artikuj publicistikë në revistën prestigjioze “Leka”.
Nga artikujt e botuar, përmendim “Ekonomi Kombëtare e Bujqësi”; “Si t’i shpëtojmë inondatave”; Mbi edukatën e ndjesisë së atdheut etj… Kol Mjeda sëbashku me kushëririn e tij, Dom Ndre Mjeda, në qershor të vitit 1930, vizituan vendlindjen e Budit (shkrimtarit të moçëm), ku u njohën nga afër dhe bënë studime mbi trojet, fisin, gjuhën e Imzot Pjetër Budit. Këtë vizitë, Kol Mjeda e pasqyron shumë bukur në revistën “Leka” në korrik të vitit 1930, nga ku del qartë personaliteti dhe madhështia e këtij matjani mendjendritur. Jeta e Kol Mjedës është një shembull i mirë që vërteton se ambicja të nxit për të ecur në jetë. Ai, nga një zejtar arrin të bëhet një intelektual që zotëronte 4 gjuhë të huaja si gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht dhe turqisht, madje edhe drejtoi me kompetencë gjatë detyrave të rëndësishme shtetërore.
Bindja politike e Kol Mjedës ishte se Monarkia është forma më e mirë e regjimit. Ai shprehej se “vetëm Ahmet Zogu mund ta drejtonte shtetin shqiptar, falë aftësive të tij të rralla prej politikani dhe ushtaraku” dhe se “vetëm Ai mund ta çojë vendin drejt përparimit, nën shembullin e shteteve më të zhvilluara…”
Më 25 gusht të vitit 1925, në seancën e parë të Asamblesë Kushtetuese, deputeti i Shkodrës Kol Mjeda kërkoi fjalën në të cilën tha: “Në këtë stinë, pesë shekuj më parë, prijësit shqiptarë ishin mbledhur në Lezhë, në Kuvendin e Madh historik, për me i dhurue të Madhit Skënderbej Kurorën e Shqipërisë. Unë sot propozoj që Asambleja Kushtetuese të përcjellë dëshirën e popullit e T’i dhurojë Shpëtimtarit të Kombit Kurorën e Mbretërisë së të Madhit Skënderbe… Ja, stërnipi yt, Zogu, po ze vendin tand, bash Ai që, me gjoks e shpatë, u ba shpëtimtari i Kombit. A je kund Naim? Po ti o Vaso Pasha, ku je? Ejani këtu e shkruani dy vargje prej zemrës suaj, dhe rrëfejini botës se populli shqiptar, që e ruajti mes luftrash Fronin e të Madhit Skënderbe, sot po krenohet, po naltësohet me të madhin Zog – Mbretin e Shqiptarëve…”
***