back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kolazh mbi figurën e Frederik Rreshpjes – nga Anton Çefa

Gazeta

Frederik Reshpja - Portret nga Aleksander Vreko
Frederik Reshpja – Portret nga Aleksander Vreko

Kolazh mbi figurën e Frederik Rreshpjes

nga Anton Çefa

Kanë thanë për Frederik Rreshpen

“…vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë të kalibrit europian.”
Hans Joakim Lankch (Gjermani).
 
“…që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës…”
Robert Elsie (Kanada)
 
“Poezia e Frederikut, mua si njohës i letërsisë shqipe më është dukur poezi e kalibrit të madh, vërtet…”
Haze Rivera (Poet, kritik – Spanjë)
 
“…është poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon.”
Henri Izrael (Botues, SH.B.A)
 
“…Do të kisha dashur që Frederiku të ishte rus dhe unë shqiptar, pasi jam shumë i dashuruar me poezinë e tij jashtëzakonisht inteligjente dhe e ndjeshme. Ne kemi Pushkinin, Eseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë.”
Ivanov (kritik rus)
 
“…u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit.”
Leo de Rua (Kritik – Francë)
 
“…Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë dhe mënyra e të shkruarit të tij impulsive dhe spontane, të kujton Moxartin….”
Ismail Kadare
 
“…Poezia e Frederikut më ka pëlqyer gjithmonë për mjeshtërinë e veçantë.”
Dritëro Agolli
 
“…nuk kam parë ndonjëherë njeri më të talentuar dhe më fatkeq se Frederik Rreshpja.”
Moikom Zeqo
 
“..Frederik Rreshpja është një poet i pazakontë dhe i çuditshëm, i cili ka vendin e vet ndër poetët e gjallë dhe të vdekur.”
Ali Aliu
 
*Marrë nga libri i Frederik Reshpjes “Vetmi”, Botues Alfred Ziu, “Medaur”, 2004.
.
Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Poezi kushtuar Frederik Reshpjes

nga Anton Çefa

Ike mbas dyersh mermeri
Ike mbas dyersh mermeri
e rrasash të ftohta,
i le muret e vetmisë së botës.
I heshtun në nji botë të huaj.
për ty mbajnë jazë
zogjtë e drujtë,
të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.
Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës
nën shinat qi s’pushojnë.
.
Frederik Reshpja dhe Mark Simoni
Frederik Reshpja dhe Mark Simoni

Perla poetike nga Frederik Reshpja

Rapsodi

Shqipëri, kur të dëgjoj kushtrimin tënd,
Portreti im u shpërdaftë në vjeshtë dhe në hënë,
Bronxi i vdekjes sime do të kthehet përsëri te mineralet
Ku vringëllijnë armët e Lirisë.
Tokë e dashur, ku prehen eshtrat e martirëve
Dhe fle mermeri i perëndive ilire,
Tokë e miteve dhe e kështjellave të pafundme,
Zërin tim bëj kurorë për ty, enise!
Fole e fluturimeve të mia
Që asnjë qiell tjetër i botës nuk i zë,
Zëri im bie në gjunjë para teje,
Enise, enise!
.

Poezia

Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollën vjeshta.
Bile të gjitha stinët janë fqinj,
Një beng si stradivarius,
Më mëson mua folklorin e zogjve.
Kasolle prej hëne! Nën qiellin tërë shi
Pikë-pikë mbi çatinë e kaltër
Trishtimi i djalërisë…
Mbeti te xhami i plasur i dritares sate
Vështrimi im i thyer.
Unë vetëm u bëj nga një vizitë stinëve, o njerëz,
Kurse zemrën e kam te ju.
.

Fëminia

Aso kohe edhe ngjyrat ishin shpirtra.
Në fund të kopshtit banonte mitologjia
Në një olimp prej trëndafilash.
Këndonin lulet dhe tregonin legjenda.
O! Tërë trëndafilave të botës do t’u bie në gjunjë,
Por ato legjenda s’kam për t’i dëgjuar më kurrë.
Yjet bëheshin trishtila në dritare,
Ngjyer me magjinë e pyjeve të largët.
Por fluturuan ato yje cicëronjës,
Yje tjerë u ngritën mbi kubenë e kohës
Dhe olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë,
Si perënditë e rrëzuara ilire.
Ajkuna pas betejës
Me rubën e zezë mbi sy
Thur ngadalë
Nën mjegullën e hollë të yjeve, në një dekor guri
.

Elegjitë epike

Dhe era thërret me kuje nëpër shkëmbinj: Omer!
Dhe ortekë rrokullisën nga dhembja: Omer!
Dhe vjeshta shkul flokët e gjetheve: Omer!
Dhe rrufeja ikën duke shtrënguar plagët: Omer!
Dhe hëna bën vetvrasje nëpër përrenjtë malorë: Omer!
Shtyu tutje, bir! Bëmë vend në varr, o shpirt…
.

Rozafa e flijuar

Ule nga supet këtë qytet, memëzo!
Kështu lutej foshnja tek floknaja e gurit.
Tutje pas mjegullës, perënditë ilire
Dëgjonin ankthin e gurit: Imzot,
Si më këmbeve me një qytet,
Ti që s’më këmbeje as me zotat?
O Medaur!
Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,
Tani që ra hëna e syve të mi.
.

Mane

Mane, të varrosën në pyll:
Bari ka mbështjellë sytë e tu,
Vesa ka mbushur pikë pikë
Qytën e koburës së komitit.
Mane të varrosën në këngë:
Telat zgjaten përmbi ty.
Mane të varrosën në muzg:
Kali yt që u bë vjeshtë
Hëngri gjelbërimin e pyllit
Edhe befas u bë dimër.
Mane me ballin prej hëne,
Ke mbuluar qiell e tokë.
.

Bjeshkët e Namuna

Bjeshkët e Namuna,
Magji e gurtë, vizatuar me shqetësim.
Dhembja e një rapsodi të harruar
Rënkon brenda erës, diku.
Dhjetori pikon nëpër pishat
Që mbinë mbi rininë e Omerit
Retë mbi hone
Tundin patërshanat e shiut,
Zbardhin në fund të përrenjve eshtrat e vetëtimave.
.
Liriku i pashoq Frederik Reshpja (1940-2006)
Liriku i pashoq Frederik Reshpja (1940-2006)

Rreshpja si stilist i poezisë popullore

Rreshpja është shquar jo vetëm për vargun poetik të klasit të parë, por edhe për aftësitë e tij në fushën e stilizimit të poezive popullore.
Poezia e kultivuar është ushqyer gjithnjë prej këngës popullore. Poetët tanë më të mëdhenj, De Rada, Fishta, Poradeci, janë frymëzuar prej saj, janë shquar për stilizimet që i kanë bërë poezisë orale, kanë huazuar prej saj tema, subjekte, përbërës të tjerë të teknikës poetike folklorike, dhe kanë krijuar kështu xhevahire artistike me kënaqësi estetike të rralla.
Në këtë hulli, nga breznia e poetëve të sotëm, si një nga më të talentuarit, veçoj Frederik Rreshpen.
Në vëllimin poetik “Vetmi”, botuar në vitin 2004, në Tiranë, në shtëpinë botuese “Medaur”, gjejmë pesë stilizime: “Ajkuna pas betejës”, “Mane”, “Iso”,“Rozafa e flijuar”, “Bjeshkët e Namuna”; tri të parat nga këngë popullore, dy të fundit nga legjenda.
Ja stilizimi i Rreshpes për këngën elegjiake “Mbeçë, more shokë, mbeçë”:
 
Iso
Endrra e kaut të zi vërtitej mbi duna
Nën qiellin e Ixhasit të trishtuar.
Koka e trimit në dhëmbët e erës,
Shpata në duart e shiut.
Dunat e erës, tutje Urës së Qabesë,
Hëngrën sytë e nizamit të ri
Dhe E Bukura në Ballkanin me borë
Ndjeu në buzë puthjen e shkretëtirës.
Një natë të fjetur, një puthje në sy…
Iso për kontinentet: oi; oi!
 .
Çdo lexuesi që njeh sadopak folklorin tonë kjo poezi i kujton elegjinë aq të njohur popullore “Mbeçë, more shokë, mbeçë”.
 
Mbeçë, more shokë, mbeçë
Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë.
Falëm me shëndet nënesë,
Kaun e zi le ta shesë.
Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori.
Në pyestë se ç’kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat e hanë.
.
Kadare, që e ka komentuar këtë elegji aq bukur në veprën e tij “Autobiografi e popullit në vargje”, e ka cilësuar “pa dyshim më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë botërore në përgjithësi.”
Duke stilizuar pikërisht këtë këngë, poeti i talentuar Frederik Rreshpja na ka dhënë një tjetër margaritar të çmuar poetik, që qëndron me dinjitet në rrafshe të epërme të poezisë europiane e botërore. Stilizim është një fjalë e varfër për të paraqitur mënyrën se si është mbështetur poeti tek gurra popullore, si e ka konceptuar ai veprën e poetit anonim, shndërrimet që ka bërë në tekstin e elegjisë orale, risitë me të cilat e ka pasuruar subjektin dhe sidomos kontekstin me të cilin e ka veshur. “Iso-ja” e Rreshpes është një model i rangut më të lartë të rikrijimit të një poezie popullore.
Frederiku i ka qëndruar dhe nuk i ka qëndruar besnik subjektit dhe mesazhit artistik të kësaj elegjie madhore. Ai i ka pasuruar e përsosur ato sipas kodit të tij të veçantë poetik, që është një kod krejt i veçantë në gjithë poetikën shqiptare, një kod kristalin në formë dhe ekzistencial në mesazhin filozofik.
Shndërrimet në teknikë lidhen me modernitetin poetik edhe në këtë fushë. Nëse tek “Ura e Qabesë” është ushtari, pra heroi që flet dhe na tregon gjëmën e tij, tek “Iso-ja” është vetë poeti që e merr fjalën. Poezia është zhvendosur në vetën e tretë, duke u pajisur me një ngjyrim të fortë poetik. Kjo për t’iu përshtatur shndërrimeve në subjekt, dhe, më së shumti, sepse natyra e figuracionit të poezisë së stilizuar është tepër moderne për ta vënë në gojë të muzës popullore: “Koka e trimit në dhëmbët e erës”. Kjo vetë e tretë këtu dhe, në vargun tjetër, “Shpata në duart e shiut”, përballë vargjeve “Mbeçë, more shokë, mbeçë/ Përtej Urës së Qabesë”, nëpërmjet këtij stilizimi mjeshtëror, modern dhe të befasishëm, na njohin me fatin tragjik të ushtarit të mbetur në shkretëtirat arabe. Situata bëhet më e qartë dhe efekti artistik më i madh me vargjet pasuese: “Dunat e erës, tutje Urës së Qabesë / hëngrën sytë e nizamit të ri”.
Dëshira e fundit e nizamit në agoninë e pragvdekjes, e shpallur që në vargun e parë me një tonalitet alarmues: “Endrra e kaut të zi vërtitej mbi duna/ nën qiellin e Ixhasit të trishtuar” është amaneti që kërkon të çohet në vend. Ç’është kjo ëndërr për një ka të zi? Duke shmangur çdo hollësi sqaruese, lexuesit i është lënë detyra e interpretimit, hamendësimi për ëndrrën që mund të ëndërrojë në momentet e fundit një fshatar i rekrutuar me dhunë që e di gjendjen e keqe ekonomike që ka lënë në familje. Një ëndërr përmasash të tilla, aq sa të vërtitet në qiell mbi dunat.
E gjithë sa komentuam është pjesa e parë e poezisë. Pjesa e dytë e “Iso-s” është një fiksion krejt origjinal i poetit.
Duke bartur të njëjtin motiv, fatin tragjik të nizamëve shqiptarë të rekrutuar nga Perandoria Osmane, që luftojnë dhe mbeten në shkretëtirat arabe dhe pasojat ekonomike e shpirtërore që pësojnë familjet e tyre në atdhe, në këtë pjesë, poeti i jep hapësirë temës, tregohet i kursyer në kuadrin e tragjikës së ushtarit që ka dhënë poeti popullor në “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, dhe e zhvendos ato në tragjikën e nuses, që mbetet pa dashurinë, pa gëzuar jetën familjare dhe në mjerim ekonomik. E gjitha kjo e dhënë përmes dy vargjeve lapidare të ngarkuara me një kontekst tejet të pasur:
Dhe e Bukura në Ballkanin me borë
Ndjeu në buzë puthjen e shkretëtirës.
Në gjirin e një antiteze madhështore të natyrës, në malet me borë të Ballkanit, plot dritë e madhështi përballë shkretëtirave arabe të hirta e të zymta me rërë, na shfaqet E Bukura që e parandjen gjëmën, duke ndjerë në buzë puthjen e shkretëtirës. Ajo që ëndërronte kthimin e burrit, puthjet e tij mbas kaq kohe largimi, vijimin e idilit të dashurisë së posafilluar, atmosferën e ngrohtë të jetës familjare, ndjen puthjen e vdekjes që ia bie shkretëtira ku ka ndodhur gjëma.
Me dy vargjet e fundit, “Iso-ja” i jep mesazhin kontinenteve, jo vetëm Europës dhe Azisë, por gjithë botës, mesazhin e zezonës së tragjedisë së pushtimeve, mesazhin tragjik të shkatërrimit të familjeve, të dashurive të vrara:
Një natë të fjetur, një puthje në sy
Iso për kontinentet: oi; oi!
Për t’u vënë re këtu dallimi: puthjen e shkretëtirës e ndjen në buzë, është një ndijim sensual, epshor; ndërsa puthjen e ndjenjës e përjeton në sy, një ndijim sentimental,shpirtëror. Art i vërtetë që jep aq bukur dy rrafshet e dashurisë!
Në rrethana të tjera, këtë “një natë të fjetur” e gjejmë edhe në këngët tona legjendare. Kështu ndodh me Aga Ymerin që “veç nji natë ma s’fjet me grue”. Rreshpja bën një “kryqëzim” motivesh.
 
***
Përveç “Iso-s”, Frederiku na ka dhënë, siç e çekëm më lart, edhe katër stilizime tjera nga folklori, njërin më të bukur se tjetrin dhe të të katërtit, të përkryer: “Ajkuna pas betejës”, frymëzuar nga rapsodia e eposit tonë të kreshnikëve “Ajkuna kjan Omerin”; “Mane”, frymëzuar nga një këngë komitësh; “Rozafa e flijuar”, nisur nga legjenda e murimit të Rozafës; “Bjeshkët e Namuna” me zanafillë nga legjenda që i ka dhënë emrin këtyre bjeshkëve.
Frederiku me gjithë modernizmin e tij të shquar, dhe edhe pse në poezinë e tij mbizotërojnë motivet erotike, aq sa me të drejtë është quajtur poet i dashurisë, ai mbetet një poet i lidhur me traditën, historinë, kulturën, folklorin tonë, një poet që këndoi aq bukur e me aq dashuri për popullin e tij, për vendin e tij, një poet që u thuri himne bukurive të natyrës së vendit; shkurt, një poet i lidhur ngusht me atdheun. Këtë fakt e dëshmojnë edhe poezitë e tij të stilizueme, që përmendëm më lart.
Pa u zgjatur në komentet e këtyre perlave të pavdekshme, mbasi çdo koment vetëm do ta hijezonte bukurinë e poezive, po theksojmë vetëm ndonjë element të mesazhit që lidhet me etnosin shqiptar.
“Ajkuna pas betejës” fillon me vargjet që i atribuojnë asaj, gruas së prijësit të kreshnikëve, krijimin e elegjive epike, çka aludon tek autorësia shqiptare e eposit:
Me rubën e zezë mbi sy/ Thurë ngadalë/
Nën mjegullën e hollë të yjeve, në një dekor guri
Elegjitë epike.
Në “Rozafën e flijuar”, poeti ka ndërtuar një strukturë teksti semantik dhe poetologjik krejt të ri nga kënga legjendare e murimit të Rozafës “I ra mjegulla Bunës” dhe, po ashtu, me nëntekst jashtëzakonisht të pasur dhe me mesazhe origjinale, të ndryshme nga legjenda dhe kënga e saj.
Teksti me 9 vargje gjithsej është i ndërtuar në tri pjesë. Në pjesën e parë, ravijëzohet një lutje-kërkesë e birit-foshnje të Rozafës: “Ule nga supet këtë qytet, memëzo!”; sikur don t’i thotë: “Nxirre nga legjenda në realitet këtë qytet!”
Në pjesën e dytë është Rozafa që proteston ndaj të shoqit për dashurinë e mohuar: “…Imzot,/ si më këmbeve me një qytet,/ ti që s’më këmbeje me zotat?” . Është një ankth guri që dëgjohet prej perëndive ilire. Një mesazh krejt i ndryshëm nga ai i legjendës së murimit, në të cilën nusja e re flijohet për ndërtimin e një kështjelle, pra për të mirën e përgjithshme. Në mesazhin e Frederikut, nuk ka flijim më të madh se dashuria njerëzore në universalitetin e saj. Jemi në vijën e qenësisë së kodit poetik të Rreshpes. Në një kuptim më të gjerë, jemi te katarsa aristoteliane që si funksion të artit poetik, sidomos të atij tragjedian, njeh ndikimin e fisnikërimit moral dhe të pasurimit vetëdijësor, intelektual.
Dhe pjesa e tretë është një lutje që bën poeti: “O Medaur!/ bekoje këtë qytet që lindi nga një grua…”. Është mesazhi i dashurisë së poetit për vendlindjen.
(Me interes është të hapim këtu një ndër kllapa (parentezë): Frederiku i përmend sa e sa herë perënditë ilire. Kjo sintagmë është një nga fjalët kyçe të poezisë së tij aq sa, në dukje, është një obsesion poetik, por, në përgjithësi, nuk është kështu. Ky insistim i poetit i kujton lexuesit shqiptar origjinën e tij lire dhe lashtësinë e popullit tonë dëshmuar prej mitologjisë pagane. Në rastin tonë, në këtë poezi poeti i drejtohet Medaurit, perëndisë ilire të luftës, jo me kot, por sepse, siç na e ka treguar Karl Patsch, Medauri kishte në qytetin ilir Risinium, qyteti i vendlindjes së mbretëreshës Teuta që ka sunduar në Kështjellin e Rozafatit, një faltore të përmendur).
Mbas lutjes drejtuar Medaurit, poezia përfundon me vargun: “Tani që ra hëna e syve të mi”, një nga kapërcimet e papritura dhe befasitë figurative, që i hasim aq shpesh dhe që janë karakteristike për mjeshtërinë poetike të Rreshpes.
Shumë poetë janë frymëzuar nga Rozafa. Për mendimin tim, teksti poetik, nënteksti i tij konotativ dhe mesazhet tek Reshpja janë nga më origjinalët dhe nga më të pasurit.
Poezia “Bjeshkët e Namuna”, frymëzuar nga bjeshkët me të njëjtin emër, këndon dhembjen e një rapsodie për bjeshkët që, për shkak të një nëme, kanë humbur blerimin e tyre dhe janë bërë një “Magji e gurtë, vizatuar me shqetësim”.
Dhembja e një rapsodie të harruar
Rënkon brenda erës, diku.
Dhembja dhe keqardhja e rapsodit për Bjeshkët që në kumtin e poetit, në vend të një nëme, marrin ngjyrime qortimi, zemërimi e proteste, shpërthejnë në dy vargjet e fundit, në një pyetje të fuqishme retorike:
O, ku je tretur ti që bëre këtë kob të zi
Veç për një puthje të lënë përgjysmë?
Ky kumt i poetit është në përputhje me frymën e përgjithshme të mesazheve që lidhen të shumtën e herës me ndjenjën universale të dashurisë, siç e pamë edhe tek “Rozafa e flijuar”.
Në poezinë “Mane”, poeti i këndon një komiti dëshmor, duke himnizuar lavdinë e komitit që ka luftuar për atdheun a për ndonjë çështje tjetër po aq të lartë. Është një stilizim që i afrohet më shumë stilizimeve tradicionale. Mesazhi i përjetësisë për atë që ka dhënë jetën për atdheun a për një ideal të fisëm jepet në vargun: “Mane të varrosen në këngë”. Kënga është lavdia sublime e përjetësisë në psikologjinë etnike të popullit tonë.
 
***
Duke u nisur nga elementet më të dukshme që karakterizojnë mjeshtërinë artistike të Rreshpjes në stlizimet, po shënoj këtu disa konsiderata të përgjithshme, që vlejnë pothuajse për krejt poezinë e tij.
1.Reduktimi i ngjarjes nëpërmjet shmangies së hollësive (detajeve), çka është një nga kërkesat themelore të poezisë moderne.
2.Shndërrimi i subjektit, ndonjëherë një transformim i plotë i tij, por që gjithnjë zë fill nga origjinali. Ndonjëherë, pasurimi i tij vjen nga një “kryqëzim” motivesh.
3.Dendësisa e skajshme që karakterizon shprehjen e sidomos figuracionin. Një tekst modern nënkupton një kontekst të pasur, çka jetëson shumëkuptimësinë (poliseminë) e tekstit poetik.
4.Figuracioni tejet i gjetur, zotërim klasik i asaj që Roland Barthes e ka quajtur “vetëdije për një gjuhë të dytë”.
5.Befasia e ide-figurës, që krijon një imazh krejt të papritur me një bukuri të rrallë. Na kujton në poezinë tonë De Radën, Azem Shkrelin dhe, në poezinë botërore, Pindarin me “kapërcimet” e tij të njohura.
6.Edhe pse në hulli epike, poezia e tij rrjedh me tonalitete lirike, gjë që sjell një komunikim të ngrohtë me lexuesin, më së tepërmi, në rrafsh emocional dhe shpesh me nuanca dramatike.
7.Gjuha poetike e qartë dhe e thjeshtë, gjuhë shqipe pa fjalë të huaja. Poeti që arrin të shprehë me një gjuhë të pastër një botë të pasur e të lartë ndjenjësore është poeti që e ndjen dhe e çmon gjuhën e nënës dhe e ngren atë në nivele sipërane të mjeshtërisë artistike. I tillë është Reshpja.
 
Këto përbëjnë linjat kryesore të mekanizmit të tij poetik, që e bëjnë atë një poet të shquar në fushën e poezisë moderne shqipe. Me poezinë e tij poezia shqipe ka fituar një shkallë të lartë origjinaliteti dhe përkryerjeje artistike, duke e ndjerë veten të denjë përkrah poezisë së sotme europiane.
Nëse i besojmë aforizmës që “artisti i vërtetë e ndërton jetën si vepër arti”, pa mëdyshje do ta pohoja një gjë të tillë për Frederikun. Dhe nëse e pranojmë sentencën filozofike të Niçes “Vetëm si fenomene estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”, mund të pranojmë që poezia e tij është dëshmi e kësaj sentence.
Nga të gjitha vlerësimet që i janë bërë Frederikut, po veçoj një të Moikom Zeqos: “…Reshpja është… mitër e poezisë së shqetësuar të kombit.”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.