back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Kolë Ashta si kritik letrar – nga Dr. Gëzim Puka

Gazeta

Kole Ashta (1918-1997)
Kole Ashta (1918-1997)

Kolë Ashta si kritik letrar

nga Dr. Gëzim Puka

Forcimi i pozicionit të prodhimit letrar, qëështë një pjesë e rëndësishme e trinomit prodhim-traditë-import në një sistem letrar dhe që e bën atë më të fortë, solli si pasojë edhe rritjen e ndjeshmërisë së institucionit të kritikës, e cila filloi të konsolidohej sidomos në vitet ’30, kur shtypi shqiptar tashmë i kushtonte një hapësirë më të madhe faqeve të kulturës dhe të letërsisë.
Në librin e tij “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, akademiku Ibrahim Rugova, në kapitullin kushtuar kritikës së kësaj periudhe, një vend të veçantë i ruan edhe kritikut Kolë Ashta, që në këtë periudhë ishte herë pas here i pranishëm në jetën letrare dhe kulturore. Këtë kritik ai e rendit së bashku me Pashko Gjeçin dhe Jolanda Kodrën, si kritikë që i afrohen metodës së interpretimit sidomos në vështrimin e poezisë. Rugova në fakt justifikohet me faktin: “Nuk patëm mundësi t’i njohim të gjitha shkrimet e tyre të shpërndara nëpër revista dhe gazeta, po simbas atyre pamë po themi disa fjalë për orientimet dhe pikënisjet e tyre”[1].
Më tej ky studiues evidenton dy interpretime të Kolë Ashtës për “Vaji i bylbylit” dhe “I tretuni” të Mjedës”, ku tregohet përpjekja e kritikut për t’i dhënë një vend të rëndësishëm Mjedës si poeti që“natyrën e ban mendim e mendimin e ban natyrë”,një përfundim ky tipik sipas një qasje kritike romantike. Sipas Rugovës tek Ashta vërehet një pikënisje e impresionit gjatë interpretimit.
Kolë Ashta si kritik do të jetë në vëmendjen e Nasho Jorgaqit në ribotimin e përmirësuar “Antologji e mendimit estetik shqiptar. 1504-1944”, ku në faqen 356-366 është përfshirë artikulli: “ ‘I tretuni’ i Ndre Mjedës” së bashku me një jetëshkrim të shkurtër të Kolë Ashtës.
Studiuesi Enver Muhametaj tek vepra e tij studimore “Mendimi letrar shqiptar 1939-1944” do të bëjë edhe një përpjekje serioze për klasifikimin e artikujve të Kolë Ashtës. Ky studiues ka qenë shumë i vëmendshëm në gjurmimin e shkrimeve të këtij autori, duke i sistemuar sipas çështjeve të mëposhtme. Tek zëri: “Për çështje e dukuri të ndryshme të përgjithshme letrare e kritiko-letrare” gjejmë tre artikuj të Kolë Ashtës, ndërsa tek ndarja “Për autorë e vepra të letërsisë shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare”, studiuesi Muhametaj gjen shtatë artikuj, “Për letërsinë shqiptare midis 2 luftërave” përmend njëmbëdhjetë artikuj, ndërsa “Për letërsinë dhe mendimin kritiko-letrar të LANÇ” kemi një artikull.
Në fakt kësaj liste të gjatë artikujsh studimorë ekritikë të Kolë Ashtës, Instituti i Studimeve Albanologjike pranë USH-së, që po ndjek prej disa vjetësh veprën studimore të Ashtës, i ka shtuar edhe shumë artikuj të tjerë duke arritur nëtridhjetë e shtatë. Së fundi, kësaj liste edhe unë i shtova një artikull të botuar tek “Tomori i vogël” i datës 7 mars 1943 me titull: “Shenjim rreth epikës së Hjeronim De Radës”. Rilindësit të madh arbëresh, përveç artikullit që sapo cituam, Ashta do t’i kushtojë edhe tre artikuj të tjerë, duke lënë të kuptojë se krijimtaria dhe personaliteti i këtij shkrimtari e magjepsi për shumë arsye, ku ndër më kryesorët veçon mbështetjen në frymën popullore, stilin, tematikën shqiptare, por edhe frymën romantike evropiane e panjohur për letërsinë tonë. De Radës romantik, Ashta i qaset me konceptet e kritikës romantike. Sipas tij, De Rada e ka kaluar konceptin klasicist të imitimit të njëmendësisë, ai si poet nuk prodhon veç botën e jashtme, por shpreh edhe botën e brendshme. Ashta si kritik me metodë romantike hyn brenda veprës së këtij autori dhe i ndihmon efektet e saj që të dalin në dritë. “De Rada, – shprehet kritiku,- prej epikës zbret në subjektivizëm lirik”. Ai vë në dukje se si romantik parapëlqen “gjendjen poetike të tmerrshme, të dëshirueshme”.Si njohës e mirë i teorisë së kritikës, e cila i pozicion romantikët në kundërvënie me klasikët, ku të parët parapëlqejnë gjendjen e tensionuar, në lëvizje, kundrejt gjendjes së qetë të të dytëve. Në vlerësimin që i bën secilës prej poemave të De Radës, Ashta shton një gur peshe më shumë në peshoren e sistemit letrar shqiptar, për këtë poet, qëndodhet edhe sot e gjithë ditën në bërthamën e këtij sistemi.
Epika e këtij shqiptari të madh e krijueme prej nji fryme poetike ruen rëndësin e vet për ndjesin atdhetare të shprehur estetikisht. Ajo krijon Rilindjen e shqiptarizmit, ngazullimin e shllimit kombëtar”.[2] Edhe në të dy artikujt e tjerë, De Radës ia lë kryet e vendit në poezinë italo-arbëreshe, kësaj here me instrumentet e një kritiku që njeh raportin mes letërsisë dhe historisë, i ndikuar mbase nga filozofia hegeliane dhe nga mendimi i Francesco De Sanctis, sipas të cilit nuk është historia që i përshtatet kthesave të ideve, por është ideja që shpërfaqet sipas kushteve të vendosura nga gjendja historike.[3] Vizatimi i tij historik vë në qendër mbi të gjitha problemin e ndryshimeve kulturore, të përpunimit të një kulture të re. Citojmë: “Rryma romantike drejtoi pinjollin e njomë të poezisë italo-arbëreshe. Shkolla e re u përftue me themelet e vueme në trollin shqiptar. Me zgjimin e saj diçka artistike nisi m’u ndie, ç’ka nuk ishte ndie ma përpara. Arti u përdorue si kristalizues i vetdijes kombëtare, si mjet për të hapun iden atdhetare, për të europianizue njoftunin e nji populli qi jeton në bregoren tjetër t’Adriatikut”.[4]
Revista “Tempo-Koha” e datës 17 dhjetor 1942 boton një pjesë tëtemës sëlaurës të Kolë Ashtës, që trajton me gjerësi aspektet të shumëllojshme të poemës epike “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës. Në tërësi janë gjashtë artikuj studimorë për krijimtarinë e Fishtës, që ky studiuesi i botoi në disa gazeta e revista të kohës. Qasja ndaj këtij epiku është e një natyre pozitiviste. Ashta si studiues vihet përpara veprave të Fishtës si para fakteve letrare, për të cilat është e nevojshme të hetohet, për të gjetur shkaqet e lindjes së tyre. Hapi i parë është ai i rrethanave historike duke u nisur nga pikënisja që vepra nuk është një fakt i veçuar, por është e lidhur me veprat e tjera të autorit, me shkollën, me kulturën dhe me shijen e një epoke. Për ta kuptuar saktësisht duhet që të kemi një ide rreth gjendjes së përgjithshme të shpirtit dhe zakoneve të kohës, që janë shkaku themelor i prodhimit të kryeveprave letrare.
Citoj: “Dy vepra “Kanuni i Lekë Dukagjinit” e “Lahuta e Malcis” shprehne vetinat e njeriut shqiptar për mbajtjen e të cilave ai shtyhet edhe m’u flijue me nji përbuzje deke. Deka për shqiptarin ka ma randësi se jeta e përlyeme me marre”[5]. Krijimet e imagjinatës njerëzore duhet të gjejnë vendin dhe mënyrën për t’u justifikuar, ndaj Ashta si studiues thotë se veprimi i parë i historianit është të futet në lëkurën e epokave të shkuara dhe kjo nuk ka se si të mos ngjallë simpati. Gjykimi i vlerës është rimarrë nga pozitivistët duke pohuar që vetë tiparet natyrale mund të rregullohen në mënyrë hierarkike, disa janë më të dallueshme dhe më përcaktuese se të tjerat. Veprat do të vlerësohen sipas tipareve që ato kryesisht përmbajnë. Ashta si pozitivist na ofron 3 shkallë referimi.Sipas rëndësisë, ai gjurmon elementet antropologjike etnike shqiptare tek “Lahuta e Malcis”, të cilat kanë shërbyer si elemente tematike në thurjen e këtij teksti epik; dobia morale e tipareve, të cilat sipas tij janë: besa, nderi, burrëria, gjuha, kanuni, trimëria, urtia që rrjedhin që prej lashtësisë ilire dhe që pasqyrohen në vepër; kombinimi i elementeve në vepër dhe i efekteve të stilit. Ashta evidenton edhe elementet folklorike e mitike. Ndalet tek personazhet: orë, zana, shtojzovalle, kulshedra, dragojtë, rite pagane që janë shtresëzim i lashtë i kulturës popullore dhe që janë reflektuar në vepër. Në të gjithë artikujt për prodhimin letrar të Fishtës, në të gjitha gjinitë që ai lëvroi, Ashta duket se e paralelizon gjeniun letrar të tij me malin e shenjtë, për t’u admiruar në tërësi.“Lirikë-epika i dhuron poetit kombëtar nji vëlerë të re. Satirika i shenjon vendin e parë. Dramatika e nderon si krijues. Epika e njeh për ma të madhin epik të perjudhës heroike e ndoshta për ma të mbramin epik qi lind në treven europjane”. [6] Për prodhimin letrar të Fishtës në shkrimet e tij ai gjendet midis një kritike historiciste dhe një kritike impresioniste, midis kritikut akademik dhe kritikut të gazetës, duke e parë këtë pozicioni e dytë si këshilltar publik për të drejtuar lexuesin drejt krijimtarisë së këtij shkrimtari.
Tre artikuj shumë interesant do t’i kushtojë ky studiues edhe prodhimit letrare të Ndre Mjedës. Përmes një qasjeje kritike komentuese Ashta vijon me zbërthimin e kuptimit të poemave të Mjedës duke u ndalur tek tematika, struktura dhe veçanërisht tek stili. Interpretimi i tij duket se kërkon të bashkëndajë me lexuesin atë lloj katarsisi apo emmatie që i ngjallin kritikut vargje të tilla. Në këtë pozicion duket kritik i një natyre ekspresioniste, që i është bashkëngjitur lexuesit. Këtë e vërejmë edhe nga citimi i zgjeruar i vargjeve duke shprehur njëherazi magjepsjen që ka marrë nga leximi i këtyre vargjeve që kanë hyrë prej kohësh në memorien ikonike të lirikës shqipe. Ashta si interpretuesi i tekstit e udhëheq lexuesin drejt shijimit të kësaj lirike dhe duket se edhe ligjërimi i tij kritik amplifikon atë që ai e quan “jehu” i poezisë. Citojmë: “Në çastin e frymëzimit Mjeda kap pendën e prodhon shprehjet qi do t’u apin trajtë frymë vizatimit menduer. Ai thellohët e imiton ndjenjat e veta tue i dhanë sejcilës fjalët e përshtatuna. Lindë atëherë një pamje lirike qi të ndryen shpirtin me nji rreth poetik ku edhe lexuesi shqyrtues mundet të punojë me fantazinë e vet. Kritiku, të cilit s’do t’i mungojë poezija vren në Mjedën poetin që don ti flasi mendeve të lavrueme me nji pasuni të haptë shpirtnore, me thjeshtësin e bukur. Poeti i ynë lirik klasik me ambëlsin e shprehjes, me lumtunin e përshtypjeve, me vetvetin e paraqitjes e mbushë poezin “I tretuni” plot dritë, qi depërton pa vështirësi. Dendunija e mendimeve dhe e trajtave bahet nji mjet estetik i fuqishëm qi na prodhon të bukrën, at pikë ku lexuesi unjisohet me Poetin, ku shpirti i tij ndarrehet në nji mëndyrë të mbrekullueshme e n’ato çase zevendsohet me shpirtin e Poetit. Mjeda te “I tretuni” na jep nji vijimsi parafytyrimesh e ndjesish të lidhuna ngushtazi mes vedit”. [7]
Në rastin e Mjedës duket se Ashta është në rolin e vlerësuesit estetik, pasi shpall treguesit e poetikës së Mjedës sipas njësisë matëse të “së bukurës”. Duket se në këtë rast ai ka një ndikim nga Benedeto Kroçe, mendimin estetik të të cilit ai e njeh mirë, pasi kur nuk analizon thjesht procesin se si shkohet nga përmbajtja tek forma, por kur që të dyja anët nxjerrin plotësinë, të gjithën, bashkësinë e krijimit letrar. Në vlerësimin që i bën Mjedës, edhe Ashta ashtu si Kroçe,do të zgjedhë termin “poezi” që bëhet kështu sinonim i “së bukurës”, por përkrah së bukurës ai kërkon të gjurmojë edhe të veçantën e poetit.
Një tjetër lirik që i tërheq vëmendjen Ashtës është edhe Vinçens Prennushi, por ajo që bie në sy tek artikulli për tëështëmetoda e një kritike impresioniste, që konsiston në arritjen e rezultatit pas takimit me tekstin letrar. “Landa lirike e Fishtës u ngroftësue prej nji natyre të butë melankonike e porsi e tillë Prennushi qendron në mes të plastiçitetit klasik të Mjedës e të preçizjonit modern të Koliqit”[8]. Kritiku i jep zë efekteve që teksti krijon tek ai dhe përcakton se kënaqësia apo pakënaqësia që ka paralajmëruar duhet të provohet edhe nga lexuesit e tjerë. Duke transmetuar përshtypjet e veta, kritiku i drejtohet një shkrimi që duhet të bëjë përshtypje dhe të zgjojë interesimin e lexuesit. Lëvizjet kryesore retorike janë: evokimi, përmes të cilit prezantohet në mënyrë të gjallë skena dhe rrethanat e veprës; paralelizimi, me anën e të cilit sjellja e autorit kapet përmes një imazhi dhe ndërhyrjes vetjake, ku “uni” i kritikut shfaqet për të treguar rrethanat që kanë shoqëruar leximin e tij.
Vrohet kjartas nëdikimi i Fishtës, qi ka lanë nji jehim në botën e Prennushit, ku kan bijtë ndiesit atdhetare. Por poeti ka zbritë prej atyne viseve, ku jetojnë njerz epikë, me nji rreth shoqnuer, në të cillin ka hartue botën e vet. Ndërtoi botën lirike në qytetin e Shkodrës, ku u krijuen institute letrare, u ngjallen të përkohshme, u përmblodhen fuqit e pendave shqiptare, u trajtuen akademi letrare të vogla. Natyrisht nder këto u takuen mendime të njajta artistike, u shoshiten qëllimet e poezis arbnore e të studimeve shqiptare. Gati të gjithëshkrimtarët, qi jetuen në Shkodër, vetvetiu sollën nji shej të veçantë në veprat e veta, u priren në nji “izëm” dallues, qi mund ta emnojmë “shkodranizëm”. Kjo rrymë nziti shkrimtarët të thellohen në shpirtin e popullit shkodran e në prodhimin e tij letrar, ku lulzuen të gjitha gjinitë letrare popullore: valle, satira popullore, kangë trimnije, darsmash, vaji, djepi. Ky popull krijues shtyni shkrimatrët gegë qi të zbulojn vfshehsit e popullit nordik ilir”.[9]
Evokimi i Shkodrës si rrethanë dhe skenë e gjallë për prodhimin e një vepre letrare na shfaqet edhe tek shkrimi “Ngjyrat e vendit te Filip Shiroka”[10]. Në këtë rast kemi edhe pikëvështrimin e një studiuesi krahasimtar që synon të zbulojë analogji dhe dallime. “Naim Frashëri e Filip Shiroka afrohen shpirtnisht mes tyre: Kanë të njëjtin agor (presencë), ruejnë të njëjtin shllim ndër poezit e veta. Por mes tyne bahet një dallim vlerash, përse poezia e Shirokës nuk shikon kah kundrojat e hapta të poezisë, siç dallohet ajo e Frashërit. Kjo botë e vogël e Shirokës në krahasim me kundrojën kozmike të Frashërit, paraqitet shumë e ngushtë. Këtu spikat merita e Shirokës, i cili, tue u shprehë me terma letrare të hueja, i ngjyen poezitë e veta me nji “color locale” të Shkodrës. Kështu mbahet si nji poet i qytetit”.[11
Ky kritik e sheh sistemin letrar si dinamik, që vlerëson bërthamën ikonike, por edhe sfidën që i bën periferia sistemit. Ashta i qaset edhe disa autorëve që patën një ndikim kulturor në atë periudhë letrare, disa autorëve që prodhonin rishtas. Të tillë janë edhe artikujt për krijimtarinë e Kolë Thaçit, Gasper Palit, Nexhat Hakiut. Ndër të tjera, për këta poetë, ai shkruan: “Kolë Thaçi bjen në poezin shqiptare nji karakter të ri. Këcimet pindarike, të cilat përmbajnë njëshej dallues të poezis thaçjane, stili i naltë lirik, shllimet e rralla, të cilat nuk ulen kurr nder sende të zakonshme, përdorimet e vargjeve në nji mënyrë të vergjiltë, qëllimi i tij porsi purist i gjuhës, i japin vendin e merituem”. [12]Ndërsa për krijimtarinë e poetit Nexhat Hakiu ai shprehet se “krijimtaria e këtij poeti është e ndikuar nga rrymat moderne letrare, tek ajo“shprehet një tansi motivesh ndiesore të thella psikologjike të natyrshme”.[13]Tek artikulli “Vdekja e një letrari të ri. Gasper Pali”[14] ndihet dëshpërimi i kritikut për humbjen e parakoshme tëkëtij poeti shkodran. “Disave i duket e pakuptueshme poezia e Gasper Palit. Asht e natyrshme. Çdo gja e re letrare, çdo stil i ri poetik pritet në fillim me ftohtësi. Vetë Fishta në nji bisedë më dha nji gjikim mohemik mbi poezinë e ti, por secilli shkrimtar ka botkuptimin e vet e sejcilli shkruen mbi subjekte të ndryshëm. Në Gasper Palin shifet sidomos ndikimi i letërsisë së re italiane”. [15] Në këtë rast Kolë Ashta si kritik i ri i ngjan pozicionit të një prej themeltarëve të kritikës impresioniste, Sainte-Beuve-it. Ashta pajton dhe përdor në mënyrë të moderuar kritere të ndryshme. Kalon nga erudicioni në përshtypje, nga historia në psikologji, nga klasifikimi në vlerësim. Tek ai kemi pozicionin e shumëshkrimeve të zhdërvjellëta, por edhe pozicionin e dakordësuesit me kritikën akademike. Interesi për lindjen e talenteve të reja nuk bie në kundërshti me funksionin vëzhgues për ruajtjen e traditës. Shkrimtari, tek i cili ky studiues sheh më shumë se kudo risi, është Ernest Koliqi. Tek artikulli “Personaliteti poetik i Koliqit”[16], Ashta nuk e fsheh magjepsjen që ka nga krijimtaria e këtij autori, si një krijues letrar novator. “Poezia koliqiane e shikon botën përherë me sy të ri, me nji sensualizëm D’Anuncian, me sy veprimi”. Më tej kritiku vështron aspektin formal të kësaj poezie, duke lënë për të kuptuar se ka një njohje shumë të mirë të shkollave formaliste që kishin filluar të shfaqnin idetë e tyre mbi poezinë. Citojmë: “Te Koliqi, si te çdo poet tjetër nuk mund t’a lamë në nji anë trajtën…Te Koliqi vërejmë nji simfoni poetike, qi prekë kodhrat ma të dridhshme e ma të hollat të poezisë së re e n’artin e ri të Koliqit, qi nuk ka qëllim tjetër, veç vetvedin, farfuritë shkelximi i nji shpirti poetik të ri e veprues. Arti i ri i pruem në letërsinë arbnore prej Koliqit me kritere të shndoshta shqyptare krijoi një perjudhë të veçantë, që ndikoi në personalitetin ende të pa-kristalizuem të shkrimtarve të rij”.[17]
Edhe vështrimi retrospektiv mbi traditën në sistemin letrar, si element i rëndësishëm, nuk kalon pa vëmendjen e kritikut Ashta. Tek artikulli “Poezija popullore”[18], autori pasi përcakton në aspektin teorik dhe historik rolin që ajo ka brenda sistemit letrar, thekson se ishte romantizmi ai që ringjalli poezinë popullore. Nga ana tjetër mbështet konceptin që poezia popullore është vepër individuale. Ashta në këtë rast e merr me rezerva konceptin e Kroçes për poezinë popullore që e klasifikon atë si më të voglën pjesë të poezisë së një kombi. “…nuk asht e thanun se frymzimi i thjesht kur asht i fuqishëm mos të mbërrijë shprehjet ma të nalta e përfytyrimet madhështore”.[19]
Duke iu referuar prodhimit poetik të popullit shqiptar, Ashta pohon se ky prodhim është i madh dhe vazhdon t’i përkasë kulturës gojore. Është pikërisht studimi i kësaj tradite që do ta ndihmonte edhe kritikën letrare në interpretimin e shumë poetëve “…të cillët nuk iu shkoqnë kurrë, gjuhës e poezisë së popullit si fjala vjen De Rada, Fishta, Çajupi, etj. Sidomos poezija reflekse shqype qi u ndërtue mbi shtresën e poezisë popullore, si shumica e letërsive Ballkanike, nuk do të mujshim me e shqyrtue po nuk patmë parasysh poezinë e madhe popullore të vendit t’onë”[20].
Në shkrimin “Gjergj Elez Alija”[21] vlerëson aspektin tematik dhe stilistik të kësaj perle të eposit shqiptar, ndërsa në shkrimit që i kushtohet gjurmuesit dhe studiuesit të zellshëm të kulturës shqiptare, Shtjefën Gjeçovit, të bën përshtypje stili eseistik argumentues i Ashtës. Pasi vlerëson punën monumentale të mbledhjes, sistemimit dhe shkrimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, ai evidenton edhe përkimet kulturore mes shqiptarëve dhe grekëve të lashtë. Vlerëson elementet e jetës pagane ndër shqiptarë, gjuhën, fjalët e urta, jetën me nder. “Ky njeri i heshtun, udhtar i palodhun i maleve veriore, mbath me opanga e me pushkë mbas krahi ndalet nder kolobat e vobta malsore, hyn nder dhomat e tymosuna, shtrin shtratin mbi firin e hapun në tokën e lume, kafsjon bukën e kollomoqit së bashku me ata banorë që i njef. Ndalohet dhe i pyet par t’a thadrue gjallsisht shpirtin shqiptar, për t’a diktue fillin e jetës së tyne të lidhun me tokë”.[22]
Edhe importi ose prurjet e kryeveprave të letërsisë botërore në shqip nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kritikut që po marrim në shqyrtim. Një vlerësim maksimal merr nga Ashta përkthimi i poezisë “Korbi” të Edgar Allen Poe-s nga Fan Noli. Ashta admiron shqipërimin mjeshtëror të Nolit, sipas të cilit ai ka një thjeshtësi shprehjeje. “Në përkthimin e Nolit, lexuesat gjinden para një vepre shqiptare, para një elegjie që populli arbnuer din ta shprehë e ta kuptojë. Noli përkthen frymën e poezisë në tetërrokëshin populluer e shortoi me natyrën e gjuhës shqipe në trajtë të re andjeje estetike qi na ndrydhë e na nalton”. [23]
Një recension ai bën edhe për përkthimin e romatin “Të fejuemit” të Aleksandër Manzoni nga at. Mark Harapi, ku përkrah përpjekjen e këtij përkthyesi për ta sjellë në shqip këtë roman që pati një jehonë të gjerë në Evropë. Ai vlerëson faktin se ai mund të shijohet edhe në gjuhën shqipe si prurje e rëndësishme, e cila ruan shijen e origjinalit, por vëren se për të pasur një përkthim sa më të mirë kemi nevojë për një gjuhë letrare. “Përkthimi i Harapit ka mbetë nji dokument i pasun i nenfolmes shkodrane”[24], përfundon Ashta. Edhe marrja e në shqyrtim e këtyre përkthimeve tregon thelbin impresionist të kritikut i cili shpreh përshtypjet e tija duke mbetur nja “arbitër i shijes”.
Tek artikulli “Për një kritikë të poezis” botuar në gazetën “Drita” të datës 12 janar 1939, Ashta vëren se sistemi letrar ka nevojë për një kritikë të poezisë. Autori është kritik me kritikën boshe, që zhvillohet sipas modeleve. Duhet të lindë kritika estetike, pa paragjykime, një kritikë që merret me veprën e jo me autorin. Sipas tij, shtypi i asaj periudhe kishte një kritikë me klishe dhe përcaktime standarde. “Fjalë që nuk janë aspak të denja për nji kritikëtë poezisë; a thua se arti ka rregulla e ligje që mund të xehen përmendësh sikurse një mathematikë a kimi. E bukura asht e bashkueme me njerin e nuk asht nevoja me kenë i madh me moshë”.Ai vëren se duhet të ruhemi nga recensionet e përcipta, subjektive, plot fyerje. Kritiku duhet të dijë të orientohet edhe përsa i përket prodhimit jo shumë cilësor letrar. Vlerësim-gjykimet e kritikës duhet të ruajnë gjakftohtësinë. Kritika ka për detyrë që përmes kulturës dhe ndjeshmërisë artistike të bashkojë zërat me krijuesit në soditjen e shpirtit njerëzor. “Kritika e poezisë nuk merret as me lëvdata të pavend, as me fjalë bombastike…Nuk ka ma mirë se me e dhanë gjykimin poezis sinqerisht”.Më tej ai vijon me idenë se kritika duhet të jetë e duruar dhe jo të kërkojë perfeksionin e kryeveprave në një sistem letrar relativisht të ri, siç ështëai shqiptar. “Na mbasi kemi një prodhim letrar të vogël, çdo vepër arti që del prej jetës sonë shqiptare, do të shikjohet me sy të mirë…do të mundohena me i përkrahë prodhimet artistike rinore, të cillat, edhe në qoftë se kanë të meta, nuk duhet me ba që prodhuesat e rij letrarë të thyejnë pendën”[25].
Në artikullin “Çashtje mbi çashtje”[26] duke trajtuar teorikisht problemin e letërsisë si pjesë e kulturës vijon të mbështesë argumentin për shkencorizimin e letërsisë me pjesët e saj përbërëse: teoria e letërsisë, historia e letërsisë dhe kritika letrare. Ai shtron idenë që edhe në Shqipëri të bëhetndarja e madhe mes letërsisë dhe kulturës në përgjithësi, pasi kjo fjalë e përdorur si sinonim po e dëmton prodhimin letrar. Tani që letërsia dhe prodhimi i saj jeton në kushtet e lirisë, ka nevojë për kritikën që të bëjë vlerësimin e këtij prodhimi letrar. “Zgjimi i një kritike ka qenë shumë i nevojshëm për ngjalljen e këtij shpirti kritik letrar, jemi në gjendje të vorejmë se në çë shkallëarrin kultura dhe qytetënimi ynë e në çë pikë gjendemi në krahasim me popujt e tjerë. Kritika e re nuk lëshon brohoritje shuplakash, përse këto ia ka lanë sportistave dhe kërcimtarve që bajnë nojma (gjeste) miklimi. Me lavdata dhe me fyemje, të cilat janë lanë jashtë fjalorit kritik, nuk përmirësohet letërsija shqipe. Me krijuem idhuj me dashje kur nuk janë, me zbritun vëlera me dashje nuk asht gja e arsyeshme”.[27]Kuptohet këtë autori ia parashtron kritikës letrare, por duke mos kërkuar që ajo të ndërhyjë në lirinë e trillit letrar. Ashta parashikon se zhvillimi i romanit si lloj letrar do të ketë një ndikim tek realiteti shqiptar dhe tek vetë gjuha shqipe. Ky parashikim i tij do të vërtetohej në sistemin letrar shqiptar të viteve ’60. ’70, ’80 kur romani do të bëhej dominant në këtë sistem. “Zhvillimi i madh që ka bam gjuha gjatë shekullit t’onë ia ka përgatitun fushatën romancit shqiptar dhe me anë të pasunimit të fjalorit, me anë të konkretizimit të një stili analitik, me anë të trajtimit të një gjuhe të mesme, romani ka për të marrë frymë lirisht, pasi letërsia e re i ka thyem kallepet e formulat e vjetrueme ku nder novela…Lypset romanci i ri shqiptar që ta pasqyrojë jetën t’onë shoqnore me të mira e me të këqija, përse duhet dijtun se jeta nuk na çfaqet gjithmonë si parrais dhe bota nuk paraqitet përherë e përkryeme, përse e bukura e përkryeme gjendet vetëm në mbretnin e Platonit”[28].
Duke përfunduar mund të thuhet se kontributi i vyer i këtij studiuesi të gjuhës shqipe, nuk ishte i parëndësishëm edhe në lëmë të kritikës letrare, të cilën e pasuroi me pikëvështrime interesante për letërsinë e kohës. Kolë Ashta zë një vend të spikatur në mendimin kritik dhe estetik shqiptar.
.
Kol Ashta, Arshi Pipa e Menduh Derguti
Kol Ashta, Arshi Pipa e Menduh Derguti

Bibliografi

Rugova, Ibrahim: “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, f.167
Ashta, Kolë: “Shenjim rreth epikës së Hjeronim De Radës”, “Tomori i vogël”, 7 mars 1943
Muzzioli, Fancesco:Le teorie della critica letteraria.
Ashta, Kolë: “Shenjim rreth epikës së Hjeronim De Radës”, “Tomori i vogël”, 7 mars 1943
Ashta, Kolë: “Shpirti shqiptar në epikën kombëtare”, Revista “Shkëndija”, nr. 2, gusht 1940, f. 37
Ashta, Kolë: “Vrojtime mbi poezinë e Gjergj Fishtës”, Gazeta: “Balli i Rinisë”, f. 3
Ashta, Kolë: “ ‘I tretuni” i Ndre Mjedës”, Revista: “Shkëndija”, nr.3, viti III, Kallnduer 1943, fq. 26
Ashta, Kolë: “Bota lirike e Prennushit”, Revista: “Hylli i Dritës”, nr. 7-8-9, 1940, f. 374
Ashta, Kolë: “Ngjyrat e vendit te Filip Shiroka”, Revista letrare, viti I, nr. 5, 15 prill 1944, f. 2
Ashta, Kolë: “Nji vegim i veprimtaris letrare të nji shkrimtari shqiptar. Kolë Thaçi”, Kumbona e së Diellës, nr. 36, 6 shtator 1942, f. 433-434.
Ashta, Kolë: “Ndjeshmëria e re lirike te Nexhat Hakiu”, Revista: “Shkëndija”, nr.6, prill 1943, f. 23
Ashta, Kolë: “Vdekja e një letrari të ri. Gasper Pali”, Revista: “Tempo – Koha”, nr. 20, 18 tetor 1942, f. 28-29
Ashta, Kolë: “Personaliteti poetik i Koliqit”, Gazeta: “Rinija Fashiste”, 4 shtator 1939
Ashta, Kolë: “Poezija popullore”, Gazeta: “Fashizmi”, 30 shtator 1939
Ashta, Kolë: “Gjergj Elez Alija”, Revista: “Shkëndija”, nr. 1, korrik 1941
Ashta, Kolë: “Rrmuesi i shpirtit shqiptar”, Revista: “Shkëndija”, fruer-mars, I, 1941, nr. 8-9, f. 58-60
Ashta, Kolë: “Korbi”, Revista: “Shkëndija”, tetor 1940, viti I, nr.4, f. 53-55.
Ashta, Kolë: “Aleksandër Manzoni- Të fejuemit”, përkthim i At Mark Harapit S.J. Revista: “Shkëndija”, Tiranë, mars, III 1943, nr. 5, f. 46-48
Ashta, Kolë: “Për një kritikë të poezis”, Gazeta: “Drita”, datë 12 janar 1939
Ashta, Kolë: “Çashtje mbi çashtje”, Revista: “Shkëndija”, nr. 11, shtator 1943, f 1-3
.
Profesor Kol Ashta (1918-1997)
Profesor Kol Ashta (1918-1997)

Footnota te shkrimin

1] Rugova, Ibrahim: “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, f.167
2]Ashta, Kolë: “Shenjim rreth epikës së Hjeronim De Radës”, “Tomori i vogël”, 7 mars 1943
3]Muzzioli, Fancesco:Le teorie della critica letteraria. 
4]Ashta, Kolë: “Shenjim rreth epikës së Hjeronim De Radës”, “Tomori i vogël”, 7 mars 1943 
5]Ashta, Kolë: “Shpirti shqiptar në epikën kombëtare”, Revista “Shkëndija”, nr. 2, gusht 1940, f. 37
[6]Ashta, Kolë: “Vrojtime mbi poezinë e Gjergj Fishtës”, Gazeta: “Balli i Rinisë”, f. 3
7] Ashta, Kolë: “ ‘I tretuni” i Ndre Mjedës”, Revista: “Shkëndija”, nr.3, viti III, Kallnduer 1943, fq. 26
8]Ashta, Kolë: “Bota lirike e Prennushit”, Revista: “Hylli i Dritës”, nr. 7-8-9, 1940, f. 374
[9] Ashta, Kolë: “Bota lirike e Prennushit”, Revista: “Hylli i Dritës”, nr. 7-8-9, 1940, f. 375
10]Ashta, Kolë:“Ngjyrat e vendit te Filip Shiroka”, Revista letrare, viti I, nr. 5, 15 prill 1944, f. 2
11]Ashta, Kolë:“Ngjyrat e vendit te Filip Shiroka”, Revista letrare, viti I, nr. 5, 15 prill 1944, f. 2
12] Ashta, Kolë: “Nji vegim i veprimtaris letrare të nji shkrimtari shqiptar. Kolë Thaçi”, Kumbona e së Diellës, nr. 36, 6 shtator 1942, f. 433-434.
13] Ashta, Kolë: “Ndjeshmëria e re lirike te Nexhat Hakiu”, Revista: “Shkëndija”, nr.6, prill 1943, f. 23
14]Ashta, Kolë: “Vdekja e një letrari të ri. Gasper Pali”, Revista: “Tempo – Koha”, nr. 20, 18 tetor 1942, f. 28-29
15]Ashta, Kolë: “Vdekja e një letrari të ri. Gasper Pali”, Revista: “Tempo – Koha”, nr. 20, 18 tetor 1942, f. 28-29
[16]Ashta, Kolë: “Personaliteti poetik i Koliqit”, Gazeta: “Rinija Fashiste”, 4 shtator 193 
17]Ashta, Kolë: “Personaliteti poetik i Koliqit”, Gazeta: “Rinija Fashiste”, 4 shtator 1939
18]Ashta, Kolë: “Poezija popullore”, Gazeta: “Fashizmi”, 30 shtator 1939
19]Ashta, Kolë: “Poezija popullore”,Gazeta: “Fashizmi”, 30 shtator 1939
20]Ashta, Kolë: “Poezija popullore”, Gazeta: “Fashizmi”, 30 shtator 1939
21]Ashta, Kolë: “Gjergj Elez Alija”, Revista: “Shkëndija”, nr. 1, korrik 1941
22]Ashta, Kolë: “Rrmuesi i shpirtit shqiptar”, Revista: “Shkëndija”, fruer-mars, I, 1941, nr. 8-9, f. 58-6 
23]Ashta, Kolë: “Korbi”, Revista: “Shkëndija”, tetor 1940, viti I, nr.4, f. 53-55.
24]Ashta, Kolë: “Aleksandër Manzoni – Të fejuemit”, përkthim i At Mark Harapit S.J. Revista: “Shkëndija”, Tiranë, mars, III 1943, nr. 5, f. 46-48
25]Ashta, Kolë: “Për një kritikë të poezis”, Gazeta: “Drita”, datë 12 janar 1939
26]Ashta, Kolë: “Çashtje mbi çashtje”, Revista: “Shkëndija”, nr. 11, shtator 1943, f 1-3
27] Ashta, Kolë: “Çashtje mbi çashtje”, Revista: “Shkëndija”, nr. 11, shtator 1943, f 1-3
28] Ashta, Kolë: “Çashtje mbi çashtje”, Revista: “Shkëndija”, nr. 11, shtator 1943, f 1-3
.
Marrë nga gazeta mapo.al
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.