back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Kolec Topalli: Pse hartova një fjalor të ri etimologjik –

Gazeta

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli

Kolec Topalli: Pse hartova një fjalor të ri etimologjik –

Dhurata Hamzai 13 Shkurt 2014

Profesor Eqrem Çabej ka bërë studime të jashtëzakonshme për etimologjinë e gjuhës shqipe, por nuk mundi t’i plotësonte deri në fund, sepse ka ndërruar jetë prej 34 vjetësh (1908-1980). Hartimi i një fjalori etimologjik “që në të vërtetë i mungon gjuhës sonë do të ndriçonte shumë probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe të fushave të tjera”, shprehet për “Shqiptarja.com” gjuhëtari i njohur Kolec Topalli. Mësuam se ka përfunduar procesin e hartimit fjalorit të ri etimologjik me tre vëllime.
Thotë se autorët e vjetër e kanë ndihmuar shumë me fjalë të lashta të ruajtura. Ka gërmuar që nga Fjalori i F.Bardhit deri te fjalori i Gazullit, Pano Tases, Xhuvanit, Krisforidhit, etj. Dy nga vëllimet e këtij fjalori janë aprovuar për botim nga Instituti i Gjuhësisë. Po cilat janë risitë që sjell Kolec Topalli. Ai rrëfen si i ka zbuluar fjalët dhe cilat janë arsyet që kundërshton etimologët e njohur si Gustav Majerin, Franc Bopin, Vladimir Orelin, etj. Pse ka vendosur të vijojë veprën e papërfunduar të gjuhëtarit të shquar, të ndjerit Eqrem Çabej.
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër që ju po e punoni me pasion, cila është pikënisja? Pikënisja ime është shumë e hershme, kur kam filluar të studioj dhe historinë e gjuhës shqipe. I dhënë kryesisht pas fonetikës historike dhe sidomos etimologjisë, jam detyruar të shikoj shumë nga etimologjitë e fjalëve që janë studiuar nga gjuhëtarët e tjerë në vitet e kaluara. Madje, jam detyruar edhe të bëj disa ndreqje të këtyre fjalëve për arsye se studimet në këto fusha që përmenda më dhanë dorë që të rindreq disa nga etimologjitë e tjera.
Dhe meqenëse unë tashmë kam botuar për Fonetikën dhe Morfologjinë më shumë se dhjetë libra, edhe ndreqjet tek këto etimologji janë të një sasie të konsiderueshme. Ja, të gjitha këto më krijuan idenë e mungesës së një fjalori etimologjik të plotë në gjuhën shqipe. Pasi botova dhe gramatikën historike të gjuhës shqipe, mendova që është e udhës që të fillojë hartimin e një fjalori etimologjik që në të vërtetë i mungon gjuhës sonë, një fjalor i cili do të ndriçonte edhe shumë probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe të fushave të tjera.

Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)
Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)

Kur e filluat konkretisht punën për këtë vepër, sepse janë jo pak, por tre vëllime? E kam filluar para shumë vitesh, që kur jam marrë me gjuhësinë, por në mënyrë intensive jam marrë vetëm tre vjetët e fundit me këtë fushë. Para tri vjetësh unë hartova një projekt të cilin e paraqita në Institutin e Gjuhësisë dhe pastaj fillova punën. Në fillim pata droje, sepse pashë që ishte një sipërmarrje e vështirë, por dalëngadalë dhe me durim e fillova punën dhe sot i kam mbaruar tre vëllimet e kësaj pune. Dy janë miratuar në Këshillin Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe po vijoj tani për vëllimin e fundit, me shpresë se në fillimin e këtij viti unë do ta mbaroj këtë fjalor. Më mbetet hartimi shkencor sidomos i indekseve, si dhe një korrigjim i plotë për të përfunduar botimin e tij në tre vëllime.
Çfarë rëndësie merr për profesor Kolec Topallin etimologjia? Duhet të dallojmë njëherë etimologjinë shkencore nga ajo që është etimologji popullore, sepse etimologjia është shkenca që dallon burimin e fjalës, origjinën nga kanë ardhur fjalët, nga i kemi marrë. Janë fjalë autoktone të trashëguara apo fjalë të huazuara dhe nëse janë të huazuara nga cilat gjuhë, nëpër cilat rrugë kanë hyrë ato, si janë zhvilluar në gjuhën shqipe më tej, ç’produkte kanë dhënë. Të gjitha këto do të ishin objekt i etimologjisë.
Është e vërtetë se edhe njerëzit e thjeshtë kanë dëshirë të merren ndonjëherë me etimologji, por duke mos pasur përgatitje shkencore japin ndonjëherë atë që ne e quajmë etimologji popullore, domethënë japin shpjegime jo të sakta, jo shkencore. Por për gjuhën shqipe ka pasur shpjegime të sakta në këtë fushë. Etimologjia ka qenë dega e parë e lëvruar për gjuhësinë shqiptare duke filluar ndoshta me Franc Bopin.
Ka qenë një kohë kur shkencëtarët në fushën e gjuhësisë krahasuese e gjetën me vend të bëjnë edhe krahasime të fjalëve të shqipes, duke i krahasuar me gjuhë të tjera, duke shpjeguar edhe vendin e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, por edhe duke e spikatur si një gjuhë e vetme që s’ka lidhje me shoqet e tjera. Të gjitha këto të dhëna u bënë të mundura nga studimet etimologjike të shumë gjuhëtarëve në radhët e të cilëve mund të përmendin Gustav Bopin, Franc Majerin, Nobert Joklin, P. Kokun, si dhe Marko Lapjanën dhe Dhimitër Kamardën arbëreshë prej Sicilie. Por mbi të gjitha spikat figura e Eqrem Çabejit.
Ju më thatë se ka pasur edhe fjalorë të tjerë etimologjikë që duhen plotësuar, çfarë mungesash kanë pasur konkretisht këta fjalorë? Në radhë të parë profesor Çabej ka bërë studime për etimologjinë e gjuhës shqipe. Për fat të keq këto nuk arriti t’i plotësonte, sepse nuk pati jetë të gjatë. Megjithatë bërja e fjalorëve etimologjikë është kontributi i tij kryesor. Gjithashtu njihen dy fjalorë të këtillë të hartuar nga dy të huaj. I pari është fjalori i Gustav Majerit i hartuar më 1891-shin dhe që për atë kohë ka qenë një fjalor mjaft i mirë, i cili ka merituar edhe një çmim ndërkombëtar në Paris, por Majeri nuk e njihte gjuhën shqipe nga rrënjët, e mori nga degët pasi ai më tepër u mbështet në diasporën shqiptare në arbërishten e Greqisë dhe Italisë.
Sidoqoftë, sot ai paraqitet i vjetruar se në atë kohë është zbuluar. Pra, ka mangësi të theksuara. Megjithatë Majeri ka pasur një nuhatje shkencore të jashtëzakonshme. Dhe është për t’u çuditur, sepse edhe profesor Eqrem Çabej studimet e tij gjithmonë edhe në mënyrë kritike i fillon edhe me Gustav Majerin. Një fjalor tjetër është hartuar kohët e fundit nga një gjuhëtar në mos gabohem hebre, Vladimir Orel, por edhe ky fjalor nga një i huaj nuk përfshin një pasuri të madhe gjuhësore sepse vetë autori shqipen nuk e njihte mirë dhe nuk kishte pasur rast ta njihte aty ku flitej.
Ai ka një prirje të theksuar për të nxjerrë fjalë rrënjë nga sllavishtja, sepse ai ishte sllavist, e njihte mirë këtë gjuhë, dhe e dyta ka edhe një prirje indoevropianiste. Pra shumë fjalë që mund të shpjegohen fare lehtë me mjete të brendshme të shqipes, ai i merr për fjalë indoevropiane dhe i krahason me gjuhë të tjera. Edhe ky fjalor është një kontribut dhe e kam pasur parasysh tek studimet e mia.
Të kthehemi tek surprizat. Çfarë risish ka në këtë fjalor etimologjik dhe fjalët e reja ku i keni gjetur? Kam pasur parasysh në këtë fjalor të gjitha studimet etimologjike që kam pasur për gjuhën shqipe, por edhe studime krejt të veçanta siç është fjalori i Eqrem Çabejit, por edhe fjalori i Majerit, Nobert Joklit, për shembull, ka kushedi sa mijëra faqe që merret me etimologjinë e shqipes. Po kështu edhe autorët e tjerë. Pra, ajo që më ka tërhequr është se unë në radhë të parë kam studiuar autorët e tjerë për të krijuar ide të sakta, të qarta për burimin e fjalëve të shqipes.
E dyta është materiali që kam mbledhur. Këtë material e kam mbledhur duke marrë në dorë Formulën e Pagëzimit që është dokument i parë i gjuhës shqipe, dhe për çdo fjalë që unë vë në fjalor, vë në dukje edhe se kur është përdorur fjala për herë të parë. Me një fjalë ky fjalor etimologjik ngërthen në vetvete edhe fjalorin historik të gjuhës shqipe, prej të cilit pastaj është shumë më lehtë që të nxirret më vete.
Veç kësaj, unë kam vënë në dukje edhe produktivitetin e fjalëve në gjuhën shqipe, sepse shpeshherë një fjalë mund ta kemi marrë nga një gjuhë tjetër, sepse shqipja ka pasur pushtime të shumta nga popuj të tjerë, por mund të jetë marrë vetëm fjala bazë, kurse rrjedhojat e saj janë krijuar me mjete të shqipes, me gjuhën e parë si zhvillime të veçanta të gjuhës sonë. Ka pasur edhe statistika që janë përpjekur të vënë në dukje raportin e fjalëve autoktone me fjalët e huaja, por kjo duhet parë si një prizëm shumë i gjerë, sepse kur një fjalë ka hyrë në gjuhën shqipe, është treguar shumë prodhimtare dhe më pas ka krijuar kushedi sa fjalë të tjera të shqipes.

Vladimir Orel
Vladimir Orel

Topalli: Ja disa nga fjalët e rralla të shqipes

Ajo që e ka intriguar gjithnjë gjuhëtarin Kolec Topalli janë emrat e bimëve dhe kafshëve si një pasuri të jashtëzakonshme e shqipes. Duke kërkuar gjetjen e rrënjës së fjalës ai thotë se: “Për këtë më është dashur të mbledh fjalorë nga të gjitha gjuhët kryesore, deri tek gjuhët që kanë lidhje më të pakta me gjuhën shqipe, por edhe këto më kanë ndihmuar të gjej burimin”. Profesor Topalli ka zbuluar edhe disa fjalë të rralla të shqipes burimore të përfshira në fjalorin e ri etimologjikik. Ai zgjedh për “Shqiptarja.com” fjalët më domethënëse me rrënjë të shqipes si më poshtë:

VÂTH/ VËTH m. “stoli ari a argjendi në formë rrethi, që i varin në vesh gratë e vajzat”, “rezhdat e dhisë”. Fjalë e mbarë gjuhës me forma të ndryshme dialektore. Formim i brendshëm nga vang / vëng “rrethi i drunjtë i rrotës së qerres, ku mbërthehen rrezet që dalin nga bucela; gavyell”, në kuptim të përgjithshëm “rreth”. Ka marrë prapashtesën deminutive-th, që ka shkaktuar rënien e bashkëtingëlloreve të tjera. Zanorja hundore e të dy dialekteve dëshmon praninë e bashkëtingëllores hundore -n të vang-ut. Rrjedhoja të fjalës janë: vathor e vathator “që ka vâthë a rezhda, rezhdak”, vathe e vathore “dhi me vâthë”. Përdoret si antroponim e patronim në truall gegë. (Tagliavini Strat. 151, Walde-Hofmann II 763, Orel AED 496).
ÚRË f. “mbikalim prej druri, betoni, guri etj.”. Fjalë e mbarë gjuhës, e trashëguar nga fondi indoeuropian. Ura e ka marrë emrin prej harkut të saj, pra, si një objekt i përkulur, një lakesë, meqenëse urat e vjetra bëheshin me hark. Prandaj urë lidhet me rrënjën ie. er-/ or- “vihem në lëvizje”, që në gjuhën shqipe ka dhënë, nga njëra anë foljen prier “anoj, kthej, sjell” (për- + er) dhe nga ana tjetër, mbiemrin i urtë (ur + -të), domethënë “i sjellshëm, i përkulshëm”. Raporti -e- : -u- është ai i apofonisë kualitative, që del më shpesh në sistemin foljor (khs. vê ~ vuna/ vura, shpie ~ shpura). Lidhjet e tjera: me udhë (Jokl), me gr. βέφυρα “urë” (Barić), me osk. Veru “derë” (Çabej), me got. Warjan “me parandalue, me mbrojtë”, paraqesin vështirësi, ose kuptimore, ose fonetike. Me prapashtesë deminutive është formuar urëz “pjesa e poshtme e parmendës, që mbështetet në tokë; kular”, “druja e poshtme e zgjedhës së qeve”, “pjesë e qerres mbi shtizën, që lidhet me zgjedhën”. Ura përdoret si patronim (Shkodër). (Jokl Stud. 92, Walde-Pokorny I 249, Barić ARS I 110, Demiraj AE 403, Orel AED 488).
VDJERR fol. “humb.”. Fjalë e gegërishtes, që dëshmohet së pari te Budi. Formim i brendshëm nga folja bjerr “humb”, që ka marrë parashtesën dë- dhe ka ndjekur evolucionin e fjalëve me grupin bashkëtingëllor -db-: dëbjerr> dbjerr> bdjerr (me metatezë) > vdjerr (me hapjen e njërës mbylltore)> djerr (me rënien e njërës bashkëtingëllore në grup). Të gjitha këto forma gjenden në të folme të ndryshme e tek autorët e vjetër sipas prirjeve dialektore. Buzuku: mos bdiretë, por të ketë gjellënë e amëshuome; Budi: desh qenë vdjerrë frike e tmērje (SC); Bardhi: Me djerrë arësynë; lat. “obrutescere”; Bogdani: po ende dvjerrënë shpirtinë; Kuvendi i Arbënit (si Buzuku): A asht për t’u bdjerrë moti; Kazazi (si Bogdani): nieri nuk e dvier hīrnë e Tinëzot. Prej foljes është formuar mbiemri i vdjerrë “që vjen duke u ngrënë (për hënën), i dobësuar, i tretur, i humbur, i vdekur”. Një burim prej ie. *awa-derna “lë, iki” prej rrënjës *der- “vrapoj” (Orel) s’ka as mbështetje fonetike, as kuptimore. (Meyer AS III 73, Mann Lg. 28, 1952, 33, Çabej SG VII 204, Orel AED 496, Topalli Fërk. 123).
Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
(d.d/shqiptarja.com) http://www.shqiptarja.com/kultura/2730/kolec-topalli-pse-hartova-nje-fjalor-te-ri-etimologjik

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.