back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Koliqi magjik dhe virusi totalitar – nga Shpëtim Kodra

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975) - Shejzat
Ernest Koliqi (1903-1975) – Shejzat

Koliqi magjik dhe virusi totalitar

nga Shpëtim Kodra

Nisa me shfletue përsëri veprat e dy shkrimtarëve tanë të mëdhaj që, ashtu si shumë klasikë të tjerë, mbeten aktualë e mësimdhanës të kandshëm e tërheqës. Në parathanie te “Gjurmat e stinëve” Ernest Koliqi shtron pyetjen retorike e përgjigjet po vetë: “Pse ky nderim i të huejve ndaj poetëve? Se poetët njehen si flamujt e gjallë të breznive në kapërcim. Poezia asht qëndresë. Poezia asht kryengritje. Kryengritja e dëshirit të rilindjes kundra jetës së plakun e të kalbun, kundra padrejtësisë së fateve. Kryengritja e titajve djalosharë që kanë prendverën në gjak. Këta i predikojnë djelmënisë se me jetue don me thanë me u djegun për një ide”Poezia. Kjo ishte motoja e poezisë dhe e jetës së tij si misionar i lirisë e drejtësisë që shprehet: “Unë dashunoj lirinë që then çdo cak të padrejtë”. I përkundun në djepin e kulturës klasike, edhe ai i drejtohej muzës frymëzuese: “Zana ma dha ngushullimin e shfrimit muzikor të fjalëve. E Zana më shtyni me i ba të miat vuejtjet e të tjerëve. Por nuk mjafton një za me zgjue shqipet e fjetuna mbi çerdhet maje maleve. Sa ma tepër bylbyla në terr të natës, aq ma tepër afrohet agimi i pritun”. Koliqi i kushtoi një poezi tingëllimit (sonetit me 14 vargje) dhe bukurisë së tij, që shkëlqeu te Dante e te Petrarka. Shkroi “Tingëllimat e dashunisë”. Tingëllima plot frymëzim i kushtoi mallit për vendlindjen, Shkodrën. Te “Vetvetes” shkruen: “Me shpresë u nise|mbi udhë të gjata nën qiella t’hueja, por, si dallandyshat kthyen mendimet tueja”.
Bota magjike, në vargëzimin dhe narracionin koliqian asht mjaft e pasun. Ai rrëshqet ambëlsisht e poetikisht në pistën frymëzuese e frymëdhanëse të folklorit tonë aq të pasun, të begatë e plot art. Përulet poeti e pi ujë te gurra popullore, fuqinë kolosale të së cilës Kadare e konsideron “më shumë se art, më të nevojshëm se një brez shpëtimi, të aftë për të dyzuar jetën e që përtëritet shekull më shekull”. Koliqi përfytyron Zanën që “në krue pi/ e në kroje këndojnë t’bardhat najade”. Frymon në vargjet e tij dashunia për jetën, njeriun, natyrën, atdheun. Monologon me optimizëm: “Largo zymnimet e lene dritën e shpresës të derdhet në shpirtin tand prej syve të një hyjneshe, Poezisë, hirin e së cilës as zhgënjimet ma mizore s’mujtën me cënue”.
Po në tingëllimë, si Migjeni, i kushton vargje plot pasion rinisë “stinës tri herë hyjnore, rinisë zjarm idealesh që kurrgja s’i fikë”. Ashtu si Fishta, Naimi, Asdreni, Kuteli etj., i kushtoi vargje zemre gjuhës shqipe, “gjuhës së folun n’botë ende ferishte,/ gjuhës së folun për trimijë prendvera,/ e tok na mbajti ndër pushtime t’hueja”. Përveç gjuhës, lashtësinë e shqiptarëve e pasqyron edhe tradita pagane, si pjesë e ndërtimit të identitetit kombëtar, me festimin e Ditës së Verës etj. Paganizmi si fe parakristiane, bazohet në nderimin dhe dëgjimin e natyrës. Në vargjet e Koliqit shfaqet kulti i natyrës, animizmi, harmonia dhe bukuria e stinëve, njësimi me elementet e natyrës. Ai shprehet: “Paganizmi i pyllit ngadhënjen në mue. Për një ças e ndjeva veten bimë, landë, bre. Langjet e dheut shqiptar ngjiten e rrëshqiten gjatë mishit tim. Isha pjesë e pandame e shkambit arbnor. Paganizmi bimor i pyllit më pushtoi përsëri. U shndërrova në bimë, në gur”. Bie në sy kontrasti i së bukurës me të shëmtuemen, i mrekullive të natyrës me pasojat e prapambetjes, kur personifikon Thethin: “Kot e derdh bukuria/ mbi ty, brinin e hireve,|kur skami e bestytnia/ e pushka ahmarrëse u shtjen për ore tuten”. Përpos lashtësisë ilire, krenohet edhe për Motin e madh e heroin e madh kombëtar që mbrojti lirinë e atdheut dhe qytetnimin evropian, përmes pasthirrmës aq shpirtnore e fisnike: “Ah, andërr e një dashunie rrëmbyese/ për Mbretin, 400 vjet para dekun/ e në emën të të cilit/ dheu shqiptar u ringjall”. Ndërsa te “Kepi i Rodonit” evokon Mamicën “që ndërtoi kështjellë në atë kep vetmie”. Proza. Në atmosferën magjike të mitologjisë ndjehemi, kur lexojmë tregimet refleksive poetike, apo poemat në prozë që i përshkon simbolika e mitit të Narçizit. Dikush harmonizimin e lirizmit në prozë e quan edhe proezi që nxit fantazinë, mpreh arsyen e fisnikon shpirtin. E vërteta, kur ndërthuret me mitet e simbolet, fiton forcë emocionale, nxit të menduemit e thellë e të figurshëm. Në ndërthurjen e fantazisë me mitin në jetën e përditshme, të reales me imagjinaren e të zakonshmes me të jashtëzakonshmen, personazhi magjik bahet i zakonshëm, madje përdoret e përgjithësohet si emërtim a cilësim i një karakteri njerëzor, apo një luleje, si Narçizi. Mitet dhe simbolet janë element i shëndetshëm ushqyes për prozën moderne bashkëkohore.
Ernest Koliqi - Vepra 1-6
Ernest Koliqi – Vepra 1-6

Elementet e realizmit magjik te Kuteli e Koliqi, si themelues të prozës moderne shqipe, por edhe te Kadareja me “Kush e solli Doruntinën” etj., ishin burimore, të linduna në ambientet ku ata u rritën e u formuen, nga tradita folklorike dhe rrëfimet e të moshuemve. Kur ndesh me elemente magjike në letërsi, lexuesi nuk e humbet sensin e realitetit. Edhe andrrat, ku shpesh ndeshim qenie e ngjarje të jashtëzakonshme, janë pjesë e jetës sonë. Përmes Narçizit, miti aq i njohun shndërrohet në një biografi poetike, në një meditim të të riut intelektual, i cili përjeton evolucionin shpirtnor e mendor, përvojën jetike të ndryshimit: “Vetëm urtia, hyjnesha hijerandë e moshës së pjekun na shpëton prej rrëmbimeve të trillit e na qet në hullinë e arsyes. Por pjekunia që e sjell, paguhet me shumë lot e therorizime. Nuk e thërras unë veten Narçiz sot, që krenin s’e njoh si virtyt timin kryesor. Nuk e adhuroj si dikur mitin, por prap nuk e përbuz, sepse më ka ndihmue me gjetë fytyrën time të vërtetë. Kërkova vetveten, tue rrahë shtigjet e ashpra të jetës”. Vështrimi tërheqës, psikologjik e filozofik përmblidhet në sentenca sinjifikative si: “Në fytyrë i lexohej vuejtja, një vuejtje fisnike, pastruese, përtrise; një dashuni, pastrue nga vuejtja për të tjerë. Vetëm vuejtja i dhuron dritë përvojës, jo krenia”.
Puna e palodhun dhe e ndritun studimore, e pasqyrueme në vëllimet e “Visareve të kombit” i ka shërbye Koliqit dhe narracionit të tij tërheqës, ku gjallojnë zanat, najadat, shtojzovallet, orët e malit, por edhe heronjtë e kangëve legjendare, si Muji e Sokol Halili. Shtrohet pyetja: “Orët e malit janë bestytni a besime të rrejshme?” Te “Kërcimtarja e Dukagjinit” personazhi real, mbesa e Lekë Dukagjinit, Lula jepet në një kontekst e transformim irreal. Ndërsa Lekë Binaku, shejtari ma i zoti, asht i pagojë, se i tregoi nanës martesën me shtojzovallen. Këtu kemi ndërthurjen e andrrës me realitetin, personazhin fantastik, shtojzovallen, në kontekstin real, në jetën e një familjeje malësore. Kurse te “Zanat e fundme” Koliqi thotë: “Përrallat janë tisa të hollë që mshefin të vërtetën. Zanat kangëtare ishin mbrojtëset e Shqipnisë. Në ditët e ngadhnimit ishin përbri poetëve që këndonin hymnet e lavdisë. Zanat qajnë e këndojnë vetëm mbi sende të bukura e të mëdha. Por madhnia dhe e bukura kishin mbarue në dheun e shqipeve, qyshse bijt e saj s’e njihnin ma njani-tjetrin për vlla. Trimninë e trashëgueme filluen me e përdorë ndër vrasje me shoqi-shoqin. Kush ka me i ngjallë zanat? Flejnë ato dhe andrrojnë lumnitë e ardhshme të kombit tonë”. Dhe përfundon, si gjithnji optimist: “Lavdia e fatbardhësia kanë me mbretnue ndër ne. – Dhe shkrimtari ynë i madh vijon e flet për shartimin e traditës sonë me atë pozitive perëndimore: – Ne s’duem të përbuzim atë visar urtie gojëdhanore që mshefet në themel të dokeve tona. Zakonet e vjetra duhen nderue, por vetëm ato që s’na pengojnë në jetë, në përparim. Njofim hiret e lumnisë së huej, por gjaku ynë lyp një lumni origjinale shqiptare, e cila mund të lulëzojë atëhere, kur të xamë me shartue urtisht filiza të njomë qytetnie perëndimore në trungun e vjetër të dokeve që kanë rranjët në shkamb të shqipeve”. Vetëm një poet patriot e thellësisht kombëtar, mund të artikulonte mesazhe të tilla, aq jetike e të nevojshme, edhe sot; veçanërisht për brezin e ri, të zhgënjyem thellë nga politika shqiptare dhe që kërkon me ngulm e me dëshirë, me braktisë vendin, tue përbuzë gjithçka shqiptare e tue mësue ma mirë gjuhët e hueja sesa shqipen.

Edhe axha Filip dhe dy hallat i flasin Netës për traditën e muzikës popullore shkodrane, nga e cila mund të frymëzohet gjithnji për krijime të reja, tue zhvillue ma tej traditën e tue mos u dhanë vetëm mbas muzikës së huej. Dhe konkludon: “Vetëm muzika e ban jetën të bukur. Jeta pa muzikë asht si pranverë pa lule”. Mahnitjen nga natyra shqiptare e bjeshkëve, që e ka provue kushdo, kur ka kalue andej, e ka përshkrue me mjeshtri të rrallë Koliqi: “Iu ngjita luginave të blerta, ku jehon qartë kanga e Kirit dhe arrita në kërthizë të Dukagjinit. Qe një darsëm për shiset e mia. U shkrina në një lumni të freskët e të lulëzueme, që më përpini shpirtin e korpin”. Por i cënon shpirtin e shikimin kontrasti i së bukurës me të shëmtuemen: “Matilda ime arbënore u avit kah na, me hap të randë, sepse barte në shpinë një ngarkicë drush. Aty mbaroi kremtja e syve të mi. Gjithë ajo bukuri natyrore, ai blerim, ajo njomësi, ai qiell i kulluet, ajo dritë e gjallë, banin me spikatë shëmtimin e asaj krijatyre kërrutëzue nën peshë që barte. Na përshëndeti me za të kthielltë. Ajo vashë mali ish verevërte e bukur. Dy vetulla porsa të theksueme, harkoheshin anash me përsosje të pashoqe, ndërmjet ballit të kulluet e syve të mëdhaj e të gjallë. Ah, duert e saj të adhurueshme, të holla e të zbehta! Rrinte shtrembnueshëm, gërmuç prej brezit e përpjetë nën peshë… Mue një ndijesi e errtë më lëvizte përmbrenda. Këto male, një muze i gjallë me argëtue shqiset e me gjetë një burim kangësh të bukura-shpatet e lulëzueme, pyjet plot mistere të blera, krojet kangatare, janë një suazë e mrekullueshme, por rreth një pikësimi të mjeruem!” Këtu prozatori poetik ia ka lanë vendin piktorit që ndërthur përshkrimin tërheqës të peizazhit mahnitës, me ngjyrat e gjalla e plot detaje të portretit të malësores së bukur.
Tema sociale trajtohet në disa aspekte dhe nëpërmes analizës psikologjike, tue evidentue kontrastin e mentaliteteve në shoqni e në familje. Te “Diloca” sjell një tjetër portret të përsosun, tue përdorë dhe pyetjen retorike: “Pse kanë fytyrë kaq aristokratike këto vajzat tona malësore?” Ma tej pohon: “Shpesh ndër male tona dashunia e vdekja janë sinonime!” Këtu përshkruen një nga pasojat tragjike të një zakoni të prapambetun: “Dilocës ia kishte shkretue rininë një dashuni e përgjakun. Zemra i kishte hy ne dhe bashkë me atë të të dashunit të vramë, kur prindët e kishin martue në djep me një tjetër”. Ndërsa te “Të tre lisat” gdhendet portreti i Mrikës 16 vjeçe që dashunonte Gecin. Por vëllai i tij vret vëllain e saj, për gurë kufini. Vritet kështu dashunia nga hasmënia. I vetëdijshëm, Koliqi shprehet: “E di që këtu sundon terri e trishtimi i do zakoneve të vjetrueme. Por ky asht dheu i të parëve të mi e në të thellohen rranjët e qenies sime”: Asht i ndjeshëm, i besueshëm, i vërtetë. Nuk idealizon e nuk lustron, as në përshkrimet romantike. Në gjak ndien një trishtim të natyrshëm, por nuk rrëshqet në pesimizëm.
Sufa vret vajzën, Minen që kish flirtue me të dashunin, emnin e të cilit nuk e nxjerr, tue mendue pasojat. Autori: “Vdekja kapak ari. Zakoni i maleve asht ma i fortë se dashunia atnore”. Edhe në ditët tona ndodhin akte tilla barbare injorance. Edhe gjakmarrja nuk asht shue plotësisht. Doda i thotë të dashunës: “Me i sjellë qytetnimin nji kombi, zhytë në errësinën e padijes, asht misioni i madhnueshëm që duhet të kryejë çdo shqiptar i kulturuem e veçanërisht nji mësues si unë. Nxanësit e kanë shpirtin virgjin, si kjo bora e pashkelun. Vetëm kultura i ban njerëz”. Vrasja e Zekës, vëllait të tij, për gjakmarrje, nxjerr në pah kontradiktat e papajtueshme të Dodës me babain dhe me opinionin e prapambetun e kambëngulës në brutalitetin e vet. Ata e gjykonin të zhburrnuem intelektualin e shkolluem në perëndim. Autori, ndikue nga Frojdi, gjykon mentalitetin e egër që i shtyn njerëzit me zhytë duert në gjak, për një keqkuptim të ndiesisë së nderit. E vijon: “Zgjohej në shpirt të tij diçka që deri atë ditë kish fjetë në fundet e errta të pandërgjegjes”. Doda: “Plumbi që del nga pushka, shkon e vret idealin e jetës, që kam ushqye me mundin e studimeve të njizet vjetëve. Unë s’do t’i përulem këtij mentaliteti të egër”. Përballë babait që e mohonte si djalë dhe opinionit mizor, Doda merr gjakun e të vëllait dhe nuk fshihet, por dorëzohet në gjendarmëri për me diftue në gjyq se fajtorët ma të mëdhaj në këtë vrasje janë autoritetet.
Tue kombinue, simbas situatës, rrëfimin në të tria vetat, gjithnji me humanizëm, mban parasysh ndikimin te lexuesi: “Motra e vllazën tuej vuejnë nën këtë eden rrezesh, ujnash, erëzash. Ajo dritë lilash që vezullon në agim me hare virgjinore mbi maja të guximshme e derdhet si lumë i dridhshëm lugjeve, vështirësisht depërton nëpër kulla të errta, që kanë frengjijat për dritare; ku në tym e në ajër të pandrruem, gjallojnë këta banuesa malesh. Jashtë ajër i shëndetshëm, plot amësim pishe e lule të puthuna prej flladit; mbrendë duhma frymësh të ndryshme, ku bin fara e sëmundjeve. M’u tërqeth shtati. U lëshova në një rrymë mendimesh të trishtueshme. Mendova bestytnitë që turbullojnë krojet ma të kullueta të gëzimit, zakonet mizore që thajnë sa jetë të reja, virtytet e keqkuptueme që shkaktojnë gjaqe e vaje. Randonte mbi mue nji barrë e padukshme. Po, mbasi pafuqia e vjershës nuk mundet me zbutë mjerimin e tyne. Vuej me ta, poet, qaj me ta”.
Në një kontrast të thellë me “tregtarin e flamujve”, aforizmi i të cilit ishte se “veç ai që s’ka nevojë për të tjerë, asht i lirë”, vihet pasunia shpirtnore e intelektualit e andrrimtarit të ri, që përbuz paren e mbron idealet pozitive. Sa aktual edhe ky mesazh, kur njerëz pa kapacitet e dinjitet, por me xhepat plot pare të pista bahen deputetë, kryetarë bashkie. Kundërvihet njeriu i idealeve me atë të dëshirave landore. Humori e sarkazma përshkojnë tregimin “Djepi i arit”, ku Bajrami mashtron mjaft qytetarë për gjoja zbulimin e një thesari të moçëm. Këndej rrjedh konkluzioni: “Ai s’asht vjedhës i zakonshëm. Edhe ai ban tregti. Shet andrra”. Migjeni: “Politika s’ka rregulla, s’ka moral; asht kameleon”. Dhe politikanët e sotëm shesin andrra e premtojnë parajsën, kur janë në opozitë dhe shesin propagandë përditë, për arritje fiktive, kur janë në pushtet. Dhe rezultati asht që të rinjtë, intelektualët braktisin çdo ditë vendin, me kontribue në dhena t’hueja, ndërsa pensionistët e huej vijnë me jetue këtu me pensionet e atjeshme.
Dashunia pa kufi për atdheun që iu mohue në komunizëm, përshkon tejendanë veprën e Koliqit që personifikon atdheun: “Shqipni, nuse e ujnave! Ambëlsia jote e gjallë freskon andrrat e netëve të mia, kur qielli vlon plot me yje! Dhe përmes një paralelizmi figurativ, me trajta hiperbolike, sjell Matin, Erzenin, Semanin e Vjosën “tue endun valle si krushq djalosharë, kanga e të cilëve kurrë nuk menë. E ai asht gjaku shqiptar që nuk shter ret kurrë, por, ashtu si ecin valët e Drinit, edhe ai rrjedh prej katragjyshave ndër nipa”. Apostrofon Koliqi plakat arbnore që, “me dritë ari përrallash, me tregim gojëthanash krenare, ia banë të madhe zemrën këtij populli të vogël”. Dashunia për vendlindjen rrezaton fort në shkrimet e në veprimet e tij: “Shortia (magjia) e jetës madhështore shkodrane, më kapi e më robnoi. Em-amë heshtëte tue më mbështjellë në dritën e një shikimi të ambël, por plot kujdes, shoqnue nga puthje plot përmallim të dridhun”. I pushtuem nga malli e krenaria për atdheun, ai shkruen: “Visare t’panjehuna mshefen në gji të kësaj toke dhe në jetën plot pamje të lashta që ajo ushqen”. I drejtohet në vetën II edhe lexuesit: “Mos e kërko fisnikin ngjeti. Rrëmo këtu e ke për ta gjetë”. Ma tej, në një dialog virtual, pyet e po vetë përgjigjet: “Dashunon atdheun anembanë? Ma fort don malet apo detin? -Nuk di shka me thanë”.
Analizon, përshkruen e shpjegon: “Liria e gjanë e detit. Nëpër kaltërinë e shkulmeve, të valavitun kah largësitë plot avuj bardhullorë, qielli ulet e puth detin. Deti shqiptar më ban me andrrue. Kur këtë Shqipni e dashunoja njomësisht, me një zemër poeti 16-vjeçar, shpesh mue ma grabitnin fantazinë e dalldisun nga leximet historike, anijet ilire. Andrrat e mia valëzonin me anije ilire mbi një det epopeje. As mali, as deti nuk të ngopin kurrë me të pame”. Ja ndryshimi: “Udhët e lira të detit na bijnë ide të reja. Mbi valën e tij rreh fryma e gjanë e oksidentit. Ndërsa mali, me madhninë krenare e të amshueme të shkambinjve që nuk ndërrjnë, na flet për qëndresën titanike të fisit dhe për themele të patrandshme të traditave. Mali asht e kaluemja që ka rranzat e shtrime thellë në tokë të të parëve. Deti shëmbëllen ardhmëninë plot fitime dhe ugurë lavdie. Kombi ynë duhet të ndëgjojë kangën e detit, pa u zhgulë nga traditat e malit. Lypet çilë një rrugë e re që të na nxjerrë prej gropës ku kemi ra”. Edhe sot flitet për gropë borxhesh, për krizë ekonomike. Shkaku asht korrupsioni i politikanëve të pasun me biznese, prona e me rroga të nalta.
Mali – mburojë natyrale e fatit të shqiptarëve, tempull shprese. Mali-simbol i shpirtit dhe i jetës së shqiptarëve, mishnim i karakterit të tyne, shprehje e forcës, trimnisë, pamposhtësisë. Në bjeshkët e Dukagjinit janë prapsue shpesh herë armiq të ndryshëm pushtues. E fundit kryengritja e parë antikomuniste në gjithë Lindjen që nisi me 5 janar 1945 në Tamarë e u shtyp egërsisht gjer më 1948. Koliqi shkruen: “Gjatë mija vjetësh shkëlqeu gjaku shqiptar. Mbi këto naltsina rreh zemra e kombit. Emni i një mali të thikshëm len në buzë një shije ilire”. Koliqi i këndoi Skënderbeut, theksoi shpesh herë edhe prejardhjen ilire. Emni i Skënderbeut, i njohun e i nderuem në gjithë botën, asht shndërrue në mit. Po ashtu edhe prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve, tezë e mbrojtun që më 1774 nga J. Thunman e shumë shkencëtarë të tjerë, asht shndërrue në mit. Janë dy boshtet (parimet) themelore të ideologjisë sonë kombëtare.
Mitet, si fryt i fantazisë kolektive, janë mjet i fuqishëm i bashkimit të kombit dhe ekzistojnë sa të ketë komb. Mitet e simbolet që ushqejnë ndërgjegjen tonë kombëtare, identitetin shqiptar, janë ba shpesh objekt kryesor i kërkesës për çmitizim nga shovinistë e detraktorë vendas.
Mitomania, tendenca me falsifikue të vërtetat, me seleksionue të dhanat arkivore e dokumentare, me qëllime denigruese, tue përbaltë, shpifë e poshtnue këdo e kurdo, ndodh sepse nuk dënohen nga drejtësia jonë e korruptueme. Frojd: “Drejtësia asht kushti i parë i qytetnimit”. Ne nuk e realizojmë ende këtë kusht. Po përjetojmë një demokraci totalitare, zhgënjyese, depresive, të kontaminueme me mendësi diktatoriale. Kadare: “Mënyra si po largohet Shqipëria nga komunizmi, favorizon amnezinë e krimeve dhe amnistinë e kriminelëve”. Vepra si ato të Koliqit e Camajt, që sjellin dritë, dituni, art, estetikë, moral e dashuni humane, janë antidoti real ndaj virusit totalitar.
Kadare më 2005 shkruente: “Në veprën letrare të Koliqit nuk ka asgjë fashiste, madje as gjurmë simpatie për Italinë e kohës. Ai ishte ithtar i një Shqipërie moderne. Lidhjet historike me Italinë i janë dukur atij si e vetmja mundësi e Shqipërisë për t’u rikthyer në Evropën e krishterë. Shqipëria (në diktaturë) kish mallkue vetveten. Për habi mallkimet kundër Koliqit, Fishtës etj. nuk zinin vend (pra kishin imunitet ndaj virusit totalitar, siç kanë të gjitha veprat e vërteta të artit – shënimi im). Damka e tradhtarit nuk zinte vend mbi Koliqin që kish hapur (në shtator 1941) 200 shkolla shqipe në Kosovë, atje ku gjuha shqipe kish qenë e ndaluar. Hapja e tyre ngjante me një mision të shenjtë. Reabilitimin, këtë ëndërr e makth që e ka përndjekur në 30 vitet e mërgimit të tij, ai e ka përshkruar në dramën e pikëllueshme “Rrajët lëvizin”. Atje ai parashikonte rënien e regjimit më të egër e më të pafe”.
Koliqi përgatiti më 1941, botimin e shkëlqyer e të pakonkurueshëm deri sot “Shkrimtarët shqiptarë”, në dy pjesë, si tekst shkollor, nën redaktimin e Namik Resulit dhe Karl Gurakuqit. Pjesa II me 554 faqe (të cilin e disponoj) përmban shkrimtarët shqiptarë nga Lidhja e Prizrenit deri më 1941. Ka tre kapituj: 1. Shkrimtarët e Rilindjes (28). 2. Shkrimtarët e kohës (20). 3.Shkrimtarët arbëreshë (11). Pjesa ma e madhe e atyne autorëve nuk u përfshinë në tekstet e Shuteriqit etj. Po më 1941, Zyra e ndihmës së trupave italiane në Shqipni, botoi një material të dokumentuem e të argumentuem për historinë (që nga ilirët), arkeologjinë, gjuhën e letërsinë në Shqipni. Para pak ditësh gazetari dhe studiuesi mjaft i përkushtuem, elokuent e patriot Marin Mema, në emisionin investigativ “Gjurmë shqiptare” rrëfente vizitën në Itali. Shprehte dhe përcillte shqetësimin edhe të studiuesve të sotëm italianë, të cilët habiten që studiuesit shqiptarë nuk interesohen për arritjet e reja në fushën e marrëdhanieve të mesapëve me ilirët e brigjeve tona. De Simone: “Origjina e mesapishtes vjen nga ilirishtja”. Presim nga të huejt të na bajnë historinë.
Marre nga 26/10/20 |mapo.al.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.