back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ernest Koliqi: “Për hir t’Atdheut… Sakrifikoj reputacionin tim…”

Gazeta

Ernest Koliqi (1901-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

“Për hir t’Atdheut… Sakrifikoj reputacionin tim…”

Dr. Lazër Radi mbi  figurën e Ernest Koliqit

Intervistues Luiza Musta & Mustafë Xhemajli

“T’rrëzuemin due ta çoj nga balta,
due m’u ngjit’ m’i maje t’nalta
me shtegtar qi kërkojnë dritën…” ernest koliqi

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Me Dr. Lazër Radin biseduam për Ernest Koliqin, të cilin e ka patur mësues dhe mik. Në fakt, Dr. Lazër Radi është për t’u marrë në intervistë për veten e vet dhe 46 vitet e persekutimit të tij politik nëpër burgje, kampe, internime e dëbime si dhe për prodhimet e tij letrare gjatë kohës së përndjekjes së tij politike. Apo jo Dr. Radi? – Së pari ju faleminderit për këtë intervistë dhe për faktin që më nxorrët edhe nji herë nga heshtja. Më jepni rastin të flas këtu për shqiptarët e jashtëm. Mendoj se do të qe ma e drejtë që këtë intervistë për Koliqin ta kishim bërë në kushte të tjera. Këtu brenda Shqipërisë, mendoj rininë shqiptare, studentët tanë universitarë që nuk dijnë asgjë për këtë artist të madh, për këtë poet e prozator që ishte nji ndër ata që i vuri bazat letërsisë sonë moderne. Përjashta, e në diasporë, Ernest Koliqin e njohin shumë ma mirë se sa e njohim ne këndej. Ata që kanë jetuar në nji botë të lirë, kanë patur rast t’ia lexojnë veprat, ta njohin dhe ta dëgjojnë drejtpërsëdrejti atë. Rinisë sonë shkollore një gjà e tillë i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë…

Ç’mund të na thoni diçka në përgjithësi, si fillim, për Ernest Koliqin?Në vitet ’30, letërsia jonë nisi të marrë një lulëzim të madh, por pushtimet e huaja, e ma vonë diktatura komuniste, përgjithsisht këtë literaturë, me përjashtim të Migjenit, e hodhi në rrugë dhe e la krahëpremë. Rreth Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptare nisi të dëgjohej zëri i shurdhër i disa shkrimtarëve që kishin harruar virtytet e pastra arbërore, e që na çuan nëpër disa shtigje të ngrira e shterpe, ku i thuresh lavdi një diktatori, të cilit nuk ia kishim dëgjuar zërin, veçse për të keq. Emigrimi i tretë i Ernest Koliqit, pas luftës së dytë botërore, largimi i tij nga Shqipëria qe një fat i madh, si për vetë Ernestin, ashtu edhe për kulturën dhe letërsinë shqiptare.

Një plejadë e tërë e shkrimtarëve të viteve ‘30, megjithatë i dha vulën letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare. Sipas mendimit tuaj, ç’përfaqëson Koliqi në kulturën dhe letërsinë shqiptare dhe në cilat fusha të saj provoi aftësinë e vet prej krijuesi?Padyshim, Ernest Koliqi është nji ndër figurat e mëdha të letërsisë moderne shqiptare. Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci janë pionierë të vërtetë të letërsisë sonë. Migjeni u afirmua pak ma vonë, atëherë ishte vetëm në hapat e parë. Veprimtaria e Koliqit është poliedrike: ai njihet si publicist, si gazetar, si prozator i hollë, si folklorist i shquar, si përkthyes i zoti, si poet i thellë, si studiues gjuhe e si novelist i dorës së parë, së bashku me Anton Logorecin, nji tjetër disident i asaj kohe, njeri kulture dhe arti. Pa kontributin e shkrimtarëve si Ernest Koliqi, letërsia shqipe do të mbetej e varfër, nji pemë e cunguar për thamje. Nji histori e kulturës shqiptare që shpërfill veprat e saj ma të mira, nuk mund të jetë veçse një histori mashtrimi.

At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni

Dr. Radi, ju e keni njohur mirë Ernest Koliqin, keni qenë shok dhe mik i tij. Domosdo ju e njihni më mirë jetën dhe veprimtarinë e tij. Deri tash njihen pak të dhëna për të, së paku të publikuara. Ju lutemi na thoni diçka më shumë nga jeta dhe veprimtaria e Koliqit? – Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj 1903. Filloren e kreu në qytetin e lindjes, kurse të mesmen në Brescia të Italisë. Në vitin 1919, pasi kreu maturën – kthehet në Shkodër, ku vjen në kontakt me Luigj Gurakuqin, i cili e nxit të thellohet në mësimin e gjuhës shqipe dhe t’i përkushtohet letërsisë. Në vitin 1923, vetëm njëzetvjeçar, merr pjesë në një konkurs letraro-poetik dhe fiton çmimin e parë. Aftësinë e tij poetike e zbuloi një komision i përbamë nga Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi. Pas kësaj në vitin 1924, botoi veprën e parë poetike “Kushtrimi i Skënderbeut”. Në vitin 1925, i përfshimë në valët e Revolucionit të Qershorit, qe bashkë me Qeverinë e Nolit, e mbas dështimit të saj, arratiset edhe Koliqi. Në fillim në Bosnjë e ma vonë në Bari e në Zarë. Vepra që e afirmoi atë si prozator dhe e bëri të njohur si novelist qe “Hija e Maleve”, botuar në vitin 1929, në Zarë. Që nga ky botim, u pa se nji shkrimtar serioz po shfaqej në horizontin e letërsisë shqipe. E reja te Koliqi, është se krahas modernitetit të prozës, qe edhe thyerja e gjuhës, ajo i afrohej ma tepër asaj të Shqipnisë së Mesme dhe ishte ma e kuptueshme për gjithë shqiptarët. Pra gjuha e Ernestit, ndërmjet shkrimtarëve të tjerë shkodranë, ishte ma gjithëpërfshirëse, ma e përpunuar, ma e lehtë, kishte nji stil të ri modern, nji gjuhë të ambël dhe të lakmueshme, të begatë, tërheqëse, e cila për bukurinë dhe forcën e shprehjes po u afrohej gjuhëve ma të përpunuara dhe ma të mëdha të botërore, të cilat kishin dekada e shekuj që ishin stërholluar ndër vepra letrare. Në vitin 1929, ai kthehet nga mërgimi i parë në Shqipëri ku fillon punën si mësues i gjuhës shqipe, fillimisht në Vlorë, e ma vonë në Gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1933, e ndërpret punën dhe shkon në Itali, në Padova, për të vazhduar studimet universitare që i kish lanë përgjysmë. Në vitin 1937, mbrojti doktoratën shkëlqyeshëm mbi tezën “Epika popullore shqiptare”. Po në këtë vit u hap Katedra e Albanologjisë në Unviersitetin e Romës, dhe në vitin 1939, Ernesti caktohet profesor ordinar i kësaj katedre.

Lasgushi - Asdreni - Gjergj Fishta - Koliqi
Lasgushi – Asdreni – Gjergj Fishta – Koliqi

Dimë se Koliqi është poet dhe novelist. Ju më së miri e keni të njohur veprën e tij, veçanërisht poezinë dhe novelistikën që krijoi ai. Deri më tash ato nuk e panë dritën që të bëhen pronë e publikut të gjerë në Shqipëri dhe Kosovë. Na flisni ju lutemi, më gjerësisht për veprimtarinë e tij letrare. Si poet, siç e thashë edhe ma lart u afirmua nga nji konkurs dhe nga poema “Kushtrimi i Skënderbeut”, por në mënyrë të veçantë pas librit të tij poetik “Gjurmët e stinëve”, 1933. Për atë kohë ishin poezi kontrastesh, qenë si të thuash nji lëndë e re bazuar në motivet e vjetra. Pra eksperienca dhe vetë jeta shkodrane në këtë poezi vjen e kristalizohet e mbushet me emocione. Gjithnjë është paraqitur nji dëshirë për të renë, për të vlertën, për nji jetë ma të bukur që duhej të dilte nga gërmadhat. Këtë poezi e përshkon tejetmbanë nji optimizëm dhe dëshirë për fitoren e traditave ma të mira të stërgjyshërve iliro-shqiptar. Ndër ato poezi has edhe në dhimbje shpirtërore të njeriut që në moshë të re ka pirë kupën e hidhur të mërgimtarit, të atij që ka mbetur pa atdhe dhe sillet rrugëve të botës. Kurse si prozator, Koliqi është i mrekullueshëm. Shkëlqen në parathënien e librit “Gjurmët e stinëve”, në “Autodafne”-n e mrekullueshme.
Përsa i përket novelës, mund të themi se Koliqi është ndër krijuesit ma të mirë të novelistikës moderne shqiptare. Që kur ishte i mërguar në Tuzëll, i “shkrepi” të paraqesë në novela episode nga jeta e malësive shqiptare dhe me të vërtetë e paraqiti dhe e analizoi jetën e atyre maleve në gjithë bukurinë dhe tragjizmin e tyre. Me këto mendime erdhi në Zarë dhe aty i konkretizoi në vitin 1928, në veprën e tij të parë në prozë: “Hija e Maleve”. Këtu, ai paraqet jo vetëm episode e ngjarje, nga malësitë tona të Veriut, por edhe bëma e drama nga jeta qytetare e Shkodrës, me rryma Kanuni. Në mendjen e tij tash po vërtitej edhe shtjellimi i nji proze ma të gjerë, dhe po i bëhesh gati shtrati për romanin, të cilin do të botonte në mërgimin e tretë: “Shija e bukës së mbrume”.
Në vitin 1935, Koliqi na fali edhe nji libër të dytë novelash “Tregtar flamujsh”. Në këtë libër Koliqi na del me nji eksperiencë të madhe njerëzore, me nji pjekuri artistike ma të thekun. Analizohet jeta e qytetit të Shkodrës me nji mprehtësi psikologjike. Ai e paraqet jetën e qytetarëve e si të gjallë, gati-gati të prekshme me dorë. Libri ka nji problematikë shoqërore, karakteristikë e viteve tridhjetë, paraqitun në mënyrë të veçantë nga të dy poetët shkodranë: Koliqi dhe Migjeni. Me prozën e Koliqit, gjuha shqipe fitoi mundësi të reja shprehjesh.

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

Ernest Koliqi njihet edhe si veprimtar i shquar për kulturën dhe artin shqiptar në përmasa kombëtare, duke i bërë kësaj kulture jehonë edhe jashtë Shqipërisë, pra edhe në përmasa ndërkombëtare. Mund të na thoni diçka më konkretisht, Dr. Radi? Koliqi ishte njeri i kulturës. Veprimtaria e Koliqit në vitet ’30, veçanërisht në redaksinë e revistës “Illyria”, ishte shumë e madhe. Ma pas si profesor ordinar në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në vitet 1939-1942, ai punoi me tekstet shkollore “Visarët e Kombit”, grumbullimi rreth dikasterit të arsimit të njerëzve ma të shquem të kulturës shqiptare, krijimi i Institutit të Studimeve Shqiptare. Sigurisht ma vonë botimi i revistës “Shkëndija” dhe në mërgimin e tretë botimi i revistës “Shejzat” si dhe Katedra e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Romë, të cilën e kthehu në Institut të Studimeve Shqiptare, mund të konsiderohen ndër momentet e pazëvendësueshme të kulturës shqiptare. Mjafton të shfletohet koleksioni i revistës “Shejzat” për të njohur mendimet e Koliqit dhe dimensionet e tija intelektuale…

Shumë figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare gjatë sundimit 45 vjeçar të komunizmit në Shqipëri janë shikuar në klishen bardh e zi, një klishe që ka qenë shkatërruese për shumë figura të historisë sonë kombëtare. Jeta e Koliqit gjatë pushtimit fashist ishte (sëpaku kështu dihet deri tash) konservatore. Kjo pjesë e jetës së tij, pra, është një periudhë e errët kur ai punoi një kohë ministër i Arsimit nën qeverinë shqiptare që u formua në kohën e pushtimit fashist, kohë të cilën mund ta quajmë periudhë e ngrirë. Ç’dihet më shumë për këtë periudhë rreth figurës së tij? Nëse e gjithë jeta e Ernest Koliqit ka qenë nji përkushtim i plot ndaj atdhetarizmit dhe kulturës shqiptare, mendoj se ajo periudhë e shkurtër e qenies së tij si ministër i Arsimit gjatë kohës së pushtimit fashist, ka qenë periudhë kulmore si për atdhetarinë e tij të mirfilltë, ashtu edhe për kulturën e arsimit shqiptar në veçanti. Ja përse: Në atë prill të vitit 1939, para se të nisej për Tiranë, kaluam nji natë pa gjumë me Koliqin në shtëpinë e tij në Via Parioli. Ishte fort i zhgënjyer. Disa ditë ma parë i kishin thanë se Shqipërisë do t’i jipej një status Kommonuellti, kurse më 16 prill u soll kurora mbretnore e Skënderbeut me shumë pompozitet në Romë. Tashma zaret ishin hedhë, ato qëndronin mbi tavolinë dhe askush nuk mund t’i lëvizte. Ai tha: “Sot Shqipnia ka nevojë për ne ma fort se kurrë. Për hirë të Atdheut, do ta sakrifikoj reputacionin tim”.

Ernest Koliqi - Instituti i Studimeve Shqiptare
Ernest Koliqi & Instituti i Studimeve Shqiptare

Koliqi shkoi në Shqipëri, Ministër i Arsimit. Për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se asnji herë ai dikaster nuk ka punuar aq shqiptarisht se sa në kohën Ernestit. Ministri Koliqi, nga dikasteri i vet, punonte jo për të shpëtuar në stilin “të shpëtoj ç’mund të shpëtohej”, por, për të lulëzuar dhe për ta çuar përpara kulturën shqiptare. Asnji nga paraardhësit e tij as nga Luigj Gurakuqi, as të tjerët ma vonë si fjala vjen poeti Hilë Mosi, apo eruditi Mirash Ivanaj, nuk e bënë dot atë ministri që ta kapërcente pragun e një institucioni administrativ. Me Koliqin ky dikaster, në dukje funksionote si administratë, në fakt qe një vatër e fuqishme e kulturës kombëtare dhe një shtysë për inisiativat private të kulturës. Ernesti pati shkëndinë gjeniale të krijonte pranë ministrisë zyrën e “inspektorëve”, ku punonin pa ndërprerje për të gjetur mënyra e metoda për ta përhapur e për ta zhvilluar sa më shumë arsimin kombëtar e kulturën tonë kombëtare. Në këtë zyrë u thirrën njerëzit ma të zot dhe më të afirmuar të kulturës shqiptare të asaj kohe: Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Eqerem Çabej, Vangjel Koça, Ndue Paluca, Prof. Papakristo, Selman Riza etj., etj. Këta nxorën nji seri shumë të pasur tekstesh shkollore. Nxorrën kolanën “Shkrimtarët Shqiptarë”, “Visarët e Kombit”. Në ato vite u themelua “Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare”. Në të gjithë historinë e kulturës shqiptare, as para kësaj kohe e as ma mbas nji purizëm, nji pastërti kaq të thellë gjuhësore, si në kohën e Koliqit, nuk kish pasur. Ai humbi pak nga reputacioni i emrit të tij por, duke vënë në ballancë këtë humbje, pra diçka nga prestigji personal dhe atë të përfitimin kombëtar që pati gjithë vendi në atë periudhë, del se flijimi i nji reputacioni personal është i papërfillshëm dhe se e tërë veprimtaria e Koliqit e kësaj periudhe ka ngjyrë dhe vlerë atdhetare.

Ernest Koliqi - drejtues i "Shejzave"
Ernest Koliqi – drejtues i “Shejzave”

Kosova e di se Ernest Koliqi, ka dhënë një kontribut të çmueshëm për arsimin në këto troje shqiptare të pushtuara e grabitura me dhunë nga pushtuesit shekullor serbosllavë. Pushtimin e Jugosllavisë Mbretërore, populli në Kosovë e viset e saj i ka quajtur “Tri ditë Shqipni”. Ju, Dr. Radi, jeni nga Kosova, Prizreni, e, keni qenë edhe në korrent të këtyre ngjarjeve si dhe kontributeve të Ernest Koliqit. A mund të na elaboroni më gjerësisht këtë periudhë? Një rol të rëndësishëm në arsimin gjithëkombëtar ka luajtur ministri Koliqi në vitet 1941-44. Siç dihet në fazën e parë të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941 me ndërhyrjen e fuqishme të aviacionit dhe të ushtrisë gjermane, Jugosllavia Mbretërore u shkatërrua brenda pak ditësh. Kjo qe nji periudhë e shkurtë, por e lumtur për popullin tonë, sepse ma në fund e pamë veten të bashkuar në nji trup të vetëm, e pamë të realizuar bashkimin dhe bashkëjetesën vëllazërore të popullatës shqiptare që ishte nën Jugosllavi me popullsinë e shtetit amë. Gjatë sundimit serb mbi ato treva, qeveria e Beogradit i kishte ndalur edukimin shkollor të shtetasve të vet me kombësi shqiptare duke ndaluar në mënyrë të veçantë mësimin e gjuhës shqipe. Ministria e Arsimit, e detyruar nga Koliqi, u gjend përballë nji problemi shumë të vështirë, sepse në atë kohë, pothuajse 90 për qind e popullsisë ishte analfabete, për pasojë në vend nuk mund të gjendeshin njerëz që mund të jepnin mësim. Posa rrethanat u bënë ma të favorshme, vetë Koliqi e mori përsipër organizimin e arsimit të njerëzve të atyre trevave. Hapësira e viseve ku banonin shqiptarët ishte e madhe. Që në ditët e para u organiza nji kurs i shpejtë e i përgjithshëm për të mësuar elementet e para të gjuhës shqipe, pastaj u organizua hapja e vitit shkollor 1941-42. Me përpjekje u gjendën 200 mësues dhe mësuese dhe personeli tjetër arsimor dhe u nisën urgjent për në Kosovë. U hapën një numër i madh shkollash fillore, një gjimnaz i plotë në Prishtinë, 3 gjimnaze me nga katër klasë në Prizren, Gjakovë e Pejë, një shkollë bujqësore në Tetovë dhe një shkollë qilimash në Prishtinë. Këto shkolla vazhduan të funksionojnë dhe me shumë sukses, deri në vitin 1944. Këto shkolla dhe kjo përpjekje arsimore në trevat tona të pushtuara nga Jugosllavia dhanë nji fryt të shkëlqyer dhe vunë bazën e shëndoshë për zhvillimin dhe lulëzimin e arsimit dhe kulturës në ato vise të pushtuara.

Ernest Koliqi ishte edhe një përkthyes, apo më mirë të themi një shqipërues i zoti. Ai përktheu klasikët italianë si Danten, Petrarkën, Arioston, Tasson, Karduçin…, por edhe shqipëroi edhe nga gjuha frënge si vepra të Bodlerit, Maeterlinkut, etj. Megjithatë këto përkthime pak janë të njohura në kohën e sotme. Ç’mund të na thoni për Ernest Koliqin si përkthyes? Koliqi zë një vend me rëndësi si përkthyesi ma kompetent që kemi patur nga italishtja e frëngjishtja në shqip si dhe nga shqipja në italisht. Koliqi qe i pari që përballoi përkthimin në shqip të poetëve të mëdhenj, të Italisë si Dante Aligierin, Françesko Petrarkën, Ludoviko Arioston, Torkuato Tasson, Ugo Foskolon, Xhosue Karduçin, Xhovani Paskolin, Gabriele d’Anuncion, Sharl Bodlerin, Moris Maeterlikun, Verhanien, etj. Për Koliqin ose për çdo shkrimtar tjetër do të qe ma e lehtë të bënte diçka të vetën origjinale se sa të mundohej të sillte në shqipe të kulluar artistike vepra të vështira si ato të Dantes e d’Anuncios. Fishta për përkthimet e Koliqit pat thënë: “…asht përnjimend nji fat i bardhë për literaturën kombtare që ky letrar i ri, i pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme për nji përkthyes të mirë ia ka hy përkthimit të copave të zgjedhuna prej veprave të katër klasikëve ma të parë të Italisë. Kështu kombi ynë ka me pas nji ide mjaft të qartë e të përshtatshme mbi letërsinë e këtyre kolosave të letërsisë botnore…”

Koliqi midis malsoreve te Veriut
Koliqi midis malsoreve te Veriut

Eqerem Çabej, Aleks Buda e bashkëpunëtorë të tjerë të Koliqit në Ministrinë e Arsimit gjatë kohës së pushtimit fashist, pas ’44, dihet, mbetën në Shqipëri, ndërsa Koliqi u emigrua dhe u anametua. Dr. Radi, në rrethanat ku gjendeshit, i persekutuar dhe i dënuar, interesimi juaj i veçantë për Koliqin a ka mundur të përfshijë Koliqin si patriot dhe si veprimtar jashtë Atdheut. Çfarë mund të na thoni për këtë? – Po. Unë jam interesuar vazhdimisht për të, ani pse gjendesha në rrethanat që ma rëndonin psiqikisht dhe fizikisht. Koliqi në mërgim ndonëse i zënë me punë të ndryshme, nuk rreshti asnjiherë së punuari për idealet e shenjta të jetës së tij, për nji të ardhme ma të mirë të Atdheut, ideale që ai i kishte thellë në zemër. Gjithmonë shqetësimet e tij kanë qenë për çeshtjet e kulturës shqiptare dhe problemet kombëtare, probleme që kishin si objektiv arritjen e çlirimit të vendit nga murtaja komuniste. Askund dhe në asnji vend ai s’e kurseu fjalën dhe veprën e tij të autoritetshme për të sqaruar të vërtetat nëpër të cilat kalonte populli shqiptar nën sundimin e diktaturës. Edhe bashkëatdhetarët e tij, të cilët përpiqej t’i trimëronte e t’i frymëzonte me shpresë e besim, se Shqipëria shumë shpejt do të lirohej nga kjo murtajë e rrezikshme.
Veprimtaria e tij në fushën publicistike është e madhe. Mjafton të përmendim këtu gazetën “Ora e Maleve” që është nji shembull i shkëlqyer i publicistikës luftarake, demokratike shqiptare; Koliqi është aktivizuar dhe ka bashkëpunuar me revista të ndryshme, të cilat kanë mbetur sot e kësaj dite shtylla të publicistikës shqiptare. Përsa i përket veprimtarisë në shkolla Tahir Zajmi thotë: “Merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare pa dyshim i përket ministrit të Arsimit të asaj kohe profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe shpirtin e tij idealist, nuk i kurseu energjitë për të pajisur sa më mirë aparatin arsimor në viset e lirueme me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallni shkollës shqipe.”
Koliqi edhe në ditët e vështira të mërgimit, s’e ka pushuar as interesimin e as veprimtarinë e tij të frytshme për punët e emigracionit shqiptar, të diasporës dhe të shqiptarëve që jetonin nën pushtimin serbosllav. Ai ka ndjekur me kujdes dhe interesim të vazhdueshëm zhvillimin e shkollës dhe të kulturës shqiptare në ato treva dhe këshillonte se ajo punë e madhe, e filluar aq mbarë, jo vetëm të mos ndërpritej, por të shtohej e të lulëzohej gjithnjë e më shumë, sepse “vetëm nji popull i kulturuar ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta dhe t’u imponohet të tjerëve”.

Profesorat Koliqi dhe Alarupi mes korit te vashave arbereshe te Shn Gjergjit
Profesorët Koliqi dhe Alarupi mes korit të vashave arbëreshe të Shën Gjergjit

Në Kosovë, përkundër rrethanave në Shqipëri, kemi patur mundësi, megjithatë të njohim Fishtën, Ivanajn, Nikajn, Prennushin, e të tjerë nga “trungu katolik” i Veriut dhe jemi “ushqyer” si të themi me letërsinë që krijuan ata. Për shembull që në vitet ’70, studentët e Letërsisë dhe Gjuhës shqiptare në Universitetin e Kosovës, në bibliotekën e tyre kanë pasur liri të lexojnë ekzemplarët e revistës “Shenjzat” që vinin nga Italia. Mund ta shprehni Ju, Dr. Radi mendimin tuaj se si e konsideron rinia shqiptare e Kosovës, Ernest Koliqin dhe a jeni në dijeni më konkretisht se çfarë ndikimi ka patur vepra e Koliqit tek kjo? E theksova se veçanërisht në Shqipëri është bërë çmos për të vënë në indeksin e harresës dhe për t’i lënë në heshtje veprat e Ernest Koliqit dhe të disa shkrimtarëve të tjerë. Edhe në Kosovë, natyrisht për arsye ideo-politike ka ndodhur afërsisht e njejta gjë. Mirëpo, ata zotërinj nuk e dinin se e bukura dhe e përjetshmja nuk mund të prangohet dhe të mbahet përjetësisht në errësirë. Rinia studentore në Kosovë ka patur fatin ta shijojë një pjesë të letërsisë koliqiane. Frymëzimet e disa qarqeve studentore universitare që merren me letërsi e kulturë mund të shihen edhe në disa letra që i kanë dërguar profesor Koliqit në Romë. Në njërën prej tyre thuhet: “Dishka po ju them, dishka që është e vërtetë dhe e thjeshtë e që nuk lyp argument: shkrimet e juaja janë tue e frymëzue zemrat e reja kosovare, e njerëzit vrapojnë mbas fjalës suaj, sepse aty ndeshin perëndeshën tonë: shqipen, të pastër, të njomë e të virgjër, porsi pranvera e Botiçelit.” Në një letër tjetër ndër të tjera thuhet: “Kemi patur shumë takime na të rinjtë kosovarë, doemos tema dominuese e atyre bisedave, vinte e bëhej arti i juaj që pranohej pa rezerva si i përsosur në letrat shqipe. Intelektualet e rinj të Kosovës ju përshëndesin dhe ju adhurojnë, mrekullohen me bukurinë e fjalës suaj, dhe frymëzohen prej saj”.
Besoj se të njejtën gjë do të thotë edhe rinia universitare shqiptare në Shqipëri, mbasi të njihet dhe t’i shijojë veprat e Ernest Koliqit…

p.s. Intervista u botua fillimisht te Zëri i Kosovës, Nr. 9, 23 janar 1993, me pak ndryshime i është dhënë Radios së Jashtme, ku punonte gazetarja Luiza Musta dhe gazetari Mustafë Xhemajli.  j.r.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.