back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Koliqi: Vetëm një popull i kulturuar ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta dhe t’u imponohet të tjerëve… Intervistë e Dr. Lazër Radi (23 janar 1993)

Gazeta

Ernest Koliqi dhe Lazër Radi
Ernest Koliqi dhe Lazër Radi

Koliqi: Vetëm një popull i kulturuar

ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta

dhe t’u imponohet të tjerëve…

Intervistë e Dr. Lazër Radi (23 janar 1993)

Një histori e kulturës shqiptare
që nuk përfill veprat e saj më të mira,
nuk mund të jetë veçse një histori mashtrimi.
Lazër Radi
 
Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998) foto m. xhemaili

Kush është Dr. Lazër Radi nga Xhemail Mustafa

Në verën e nxehtë të vitit që shkoi, (1992 shen.im j.r.) me kënaqësi të veçantë takuam në shtëpinë e tij në Tiranë, intelektualin nga Prizreni, të persekutuar për 46 vjet me rradhë, krijuesin e mbi nëntë veprave (asnjë e botuar), njeriun shpirtgjerë, plakun e urtë, tolerant e mendjekthjelltë – Lazër Radi.
Dr. Lazër Radi u lind më 29 janar 1916, në Prizren. Që në vitin 1930, u emigrua në Shqipëri. Gjimnazin e kreu në Shkodër në vitin 1938, dhe Fakultetin e Drejtësisë e kreu në Romë, në vitin 1942, në Universitetin “La Sapienza”.
Që në bangat e shkollës është marrë me letërsi dhe me publicistikë. Mbas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte 26 vjeç, për veprimtarinë e tij publicistike, u dënua në Tiranë me “Gjyqin Special” (të udhëhequr nga Koçi Xoxe, kryetar gjyqi dhe Bedri Spahiu, prokuror), me 30 vjet burg. Pa ndërprerë ka mbajtur 10 vjet burg, 20 vjet internim dhe 16 vjet dëbim. Shok dhe mik i Migjenit dhe Ernest Koliqit dhe i mjaft personaliteteve të tjera të asaj kohe. Sot jeton në Tiranë, në një shtëpi përdhese. Tash ka 73 vjet, dhe, anipse krijon në kushte të vështira (banjon e ka përshtatur në dhomë pune), flet me optimizëm për të ardhmen, pret e përcjell miq të shumtë, daktilografon dorëshkrimet e tij që ka arritur t’i shkruaj me dorë dhe t’i ruaj gjatë persekutimit 46 vjeçar.
Ka shpresë se do t’i botojë gjithë librat që tash i ka gati: “Memorialin” (kujtime në tre vëllime e veçanërisht ato për Prizrenin); “Ato vite të paharruara tridhjetë”, (fakte dhe materiale interesante për vitet tridhjetë); “Kandila në errësirë”; “Mesazhe” dhe “Këngët e vendlindjes” (poezi); “Kujtime për Migjenin” (kujtime); “Vitet e fundit të Mirash Ivanajt”; “Murgesha dhe poeti” (novelë kushtuar Migjenit); “Apologjia e tretë e Sokratit në Shqipëri”, etj.
Mbas bisedave të gjata e interesante për të shkuarën e të ardhmen, veçanërisht për krijimtarinë dhe poezinë, me Dr. Lazër Radi, biseduam për Koliqin, mikun e tij të ngushtë, për të cilin tha se është i gatshëm ta prezantojë më gjerë veprimtarinë e tij. Ne dëshiruam të bisedojmë edhe për jetën e tij të rëndë dhe të “humbur”, nëpër 46 rrathët e ferrit që kaloi nëpër burgje dhe internime.
Ai, i çiltër dhe shpirtgjerë, na tha se nëse është e mundshme të dalim në dritë të dhëna për Koliqin, si krijues, letrar, poet, prozator, novelist e përkthyes, por edhe si Ministër i Arsimit gjatë pushtimit fashist. Ai nuk mund ta fshihte edhe një debulesë të mbështetur ndaj mikut të tij Ernest Koliqit. Gjithsesi, edhe ne na u duk shumë më produktive që të ndriçohet, sadopak, jeta dhe veprimtaria letrare e publicistike e Koliqit, qoftë edhe përmes një interviste siç është kjo, që Lazër Radi na e dha me kënaqësi për t’u botuar në shtypin publicistik të pavarur të Kosovës.
(Zëri Kosovës, Nr 9, 23 janar 1993)
.
Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

Bisedë me Dr. Lazër Radi – Luiza Musta e Mustafë Xhemajli

 Me Dr. Lazër Radin biseduam për Ernest Koliqin, të cilin e ka patur mësues dhe mik. Në fakt, Dr. Lazër Radi është për t’u marrë në intervistë për veten e vet dhe 46 vitet e persekutimit të tij politik nëpër burgje, kampe, internime e dëbime si dhe për prodhimet e tij letrare gjatë kohës së përndjekjes së tij politike. Apo jo Dr. Radi? -Së pari ju falenderoj për këtë intervistë dhe për faktin që po më nxirrni edhe një herë nga heshtja, dhe më jepni rastin të flas këtu për shqiptarët e jashtëm. Mendoj se do të qe më e drejtë që këtë intervistë për Koliqin ta kishim bërë në kushte të tjera. Këtu brenda Shqipërisë, mendoj rininë shqiptare, studentët tanë universitarë që nuk dijnë asgjë për këtë artist të madh, për këtë poet e prozator që ishte një ndër ata që i vuri bazat letërsisë sonë moderne. Përjashta dhe në diasporë, Ernest Koliqin e njohin shumë më mirë se sa e njohim ne këndej. Ata që kanë jetuar në një botë të lirë, kanë patur rast t’ia lexojnë veprat, ta njohin dhe ta dëgjojnë drejtpërsëdrejti atë. Rinisë sonë shkollore një gjë e tillë i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë…
.
Ç’mund të na thoni diçka në përgjithësi, si fillim për Ernest Koliqin? – Në vitet ’30, letërsia jonë nisi të ketë një lulëzim të madh, por pushtimet e huaja, e më vonë diktatura komuniste, përgjithësisht këtë literaturë, me përjashtim të Migjenit e hodhi në rrugë dhe e la krahëprerë. Rreth Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptare nisi të dëgjohej zëri i shurdhër i disa shkrimtarëve që kishin harruar virtytet e pastra arbërore, që na çuan nëpër disa shtigje të ngrira dhe shterpe, ku i thuresh lavdi një diktatori, të cilit nuk ia kishim dëgjuar zërin veçse për të keq. Emigrimi i tretë i Ernest Koliqit, mbas Luftës së Dytë Botërore, largimi i tij nga Shqipëria qe një fat i madh, si për vetë Ernestin, ashtu edhe për kulturën dhe letërsinë shqipe.
.
Ernest Koliqi ne rini
Një plejadë e tërë e shkrimtarëve të viteve ’30, megjithatë i dha vulën letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare. Sipas mendimit tuaj, ç’përfaqëson Koliqi në kulturën dhe letërsinë shqiptare dhe në cilat fusha të saj provoi aftësinë e vet prej krijuesi? – Pa dyshim Ernest Koliqi është një ndër figurat e mëdha të letërsisë moderne shqiptare. Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci janë pionierë të vërtetë të letërsisë sonë. Migjeni u afirmua pak ma vonë, atëherë ishte vetëm në hapat e parë. Veprimtaria e Koliqit është poliedrike: ai njihet si publicist, si gazetar, si prozator i hollë, si folklorist i shquar, si përkthyes i zoti, si poet i thellë, si studiues gjuhe e si novelist i dorës së parë. Pa droje, së bashku me Anton Logorecin, një tjetër disident i asaj kohe, njeri kulture dhe arti. Pa kontributin e shkrimtarëve si Ernest Koliqi, letërsia shqipe do të mbetej e varfër, një pemë e cunguar për tharje. Një histori e kulturës shqiptare që nuk përfill veprat e saj më të mira, nuk mund të jetë veçse një histori mashtrimi.
.
Dr. Radi, ju e keni njohur mirë Ernest Koliqin, keni qenë shok dhe mik i tij. Domosdo ju e njihni më mirë jetën dhe veprimtarinë e tij. Deri tash njihen pak të dhëna për të, së paku të publikuara. Ju lutemi na thoni diçka më shumë nga jeta dhe veprimtaria e Koliqit? – Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj 1903. Filloren e kreu në qytetin e lindjes, kurse të mesmen në Brescia të Italisë. Në vitin 1919, mbasi kreu maturën – kthehet në Shkodër, ku vjen në kontakt me Luigj Gurakuqin, i cili e nxit të thellohet në mësimin e gjuhës shqipe dhe t’i përkushtohet letërsisë. Në vitin 1923, vetëm njëzetvjeçar, merr pjesë në një konkurs letraro-poetik ku fiton çmimin e parë. Aftësinë e tij poetike e zbuloi një komision i përbërë nga Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri dhe Luigj Gurakuqi. Pas kësaj në vitin 1924, botoi veprën e parë poetike “Kushtrimi i Skënderbeut”. Në vitin 1925, i përfshirë në valët e Revolucionit të Qershorit qe bashkë me Qeverinë e Nolit, pas dështimit të saj, arratiset edhe Koliqi. Në fillim në Bosnjë e më vonë në Bari dhe në Zarë. Vepra që e afirmoi atë si prozator dhe e bëri të njohur si novelist qe “Hija e Maleve”, botuar në vitin 1929, në Zarë. Që nga ky botim, u pa se një shkrimtar serioz po shfaqej në horizontin e letërsisë shqiptare. E reja te Koliqi, krahas modernitetit të prozës, qe edhe thyerja e gjuhës, ajo i afrohej më tepër asaj të Shqipërisë së Mesme dhe ishte më e kuptueshme për gjithë shqiptarët. Pra gjuha e Ernestit, ndërmjet shkrimtarëve të tjerë shkodranë, ishte më gjithëpërfshirëse, më e përpunuar, më e lehtë, kishte një stil të ri, modern, një gjuhë të ëmbël dhe të lakmueshme, të begatë, tërheqëse, e cila për bukurinë dhe forcën e shprehjes po u afrohej gjuhëve më të përpunuara dhe më të mëdha të botërore, të cilat kishin dekada e shekuj që ishin stërholluar ndër vepra letrare. Në vitin 1929, ai kthehet nga mërgimi i parë në Shqipëri ku fillon punën si mësues i gjuhës shqipe, fillimisht në Tekniken Vlorë e më pas në Gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1933, e ndërpret punën dhe shkon në Itali, në Padova, për të vazhduar studimet universitare që i kish lënë përgjymë. Në vitin 1937, mbrojti doktoratën shkëlqyeshëm mbi tezën “Epika popullore shqiptare”. Po në këtë vit hap edhe Katedrën e Albanologjisë në Unviersitetin e Romës, dhe në vitin 1939, Ernesti caktohet profesor ordinar i kësaj katedre.
.
At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
“Katërshja e madhe” e letrave…
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni
Dimë se Koliqi është poet dhe novelist. Ju më së miri e keni të njohur veprën e tij, veçanërisht poezinë dhe novelistikën që krijoi ai. Deri më tash ato nuk e panë dritën që të bëhen pronë e publikut të gjerë në Shqipëri dhe Kosovë. Na flisni ju lutemi, më gjerësisht për veprimtarinë e tij letrare. – Si poet, e thashë edhe më lart u afirmua nga një konkurs nga poema “Kushtrimi i Skënderbeut”, por në mënyrë të veçantë mbas librit të tij poetik “Gjurmët e stinëve”, 1933. Për atë kohë ishin poezi kontrastesh, qe si të thuash një lëndë e re bazuar në motivet e vjetra. Pra eksperienca dhe vetë jeta shkodrane në këtë poezi vjen e kristalizohet dhe mbushet me emocione. Gjithnjë është paraqitur një dëshirë për të renë, për të vlerën, për një jetë më të bukur që duhej të dilte nga gërmadhat. Këtë poezi e përshkon tejetmbanë një optimizëm dhe dëshirë për fitoren e traditave më të mira të stërgjyshërve iliro-shqiptar. Ndër ato poezi has edhe dhimbjen shpirtërore të njeriut që në moshë të re ka pirë kupën e hidhur të mërgimtarit, të atij që ka mbetur pa atdhe dhe sillet rrugëve të botës. Si prozator Ernesti është i mrekullueshëm. Shkëlqen në parathënien e librit “Gjurmët e stinëve” me “Autodafen” e tij mrekullueshme.
Përsa i përket novelës, mund të themi se Koliqi është ndër krijuesit më të mirë të novelistikës moderne shqiptare. Që kur ishte i mërguar në Tuzëll, i “shkrepi” të paraqesë në novela episode nga jeta e malësive shqiptare dhe me të vërtetë e paraqiti dhe e analizoi jetën e atyre maleve në gjithë bukurinë e tragjizmin e tyre. Me këto mendime erdhi në Zarë dhe aty i konkretizoi në vitin 1928, në veprën e tij të parë në prozë: “Hija e Maleve”. Këtu paraqet jo vetëm episode dhe ngjarje, nga malësitë tona të Veriut, por edhe bëma e ngjarje nga jeta qytetse e Shkodrës, me rryma Kanuni. Në mendjen e tij tani po vërtitej edhe shtjellimi i një proze më të gjerë, dhe po i bëhesh gati shtrati romanit, të cilin do të botonte në mërgimin e tretë “Shija e bukës së mbrume”. Në vitin 1935, Koliqi na fali edhe një libër të dytë novelash “Tregtar flamujsh”. Në këtë libër Koliqi shfaqet me një eksperiencë të madhe njerëzore, me një pjekuri artistike me të thekur. Analizohet jeta e qytetit të Shkodrës me një mprehtësi psikologjike. Ai e paraqet jetën e qytetarëve e si të gjallë, gati-gati të prekshme me dorë. Libri ka një problematikë shoqërore, karakterisitikë e viteve tridhjetë, paraqitur në mënyrë të veçantë nga të dy poetët shkodranë Koliqi dhe Migjeni.
Me prozën e Koliqit, gjuha shqipe fitoi mundësi të reja shprehjesh.
.
Ernest Koliqi në Romë
Ernest Koliqi në Palermo

Ernest Koliqi njihet edhe si veprimtar i shquar për kulturën dhe artin shqiptar në përmasa kombëtare, duke i bërë kësaj kulture jehonë edhe jashtë Shqipërisë, pra edhe në përmasa ndërkombëtare. Mund të na thoni diçka më konkretisht, Dr. Radi? – Koliqi ishte njeri i kulturës. Veprimtaria e Koliqit në vitet ’30, veçanërsiht në redaksinë e revistës “Illyria” ishte shumë e madhe. Më pas si profesor ordinar në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në vitet 1939-1942 – punoi me tekstet shkollore “Visarët e Kombit”, grumbullimi rreth dikasterit të arsimit të njerëzve më të shquar të kulturës shqiptare, krijimi i Institutit të Studimeve Shqiptare. Sigurisht më vonë botimi i revistës “Shkëndija” dhe në mërgimin e tretë botimi i revistës “Shejzat” si dhe Katedra e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Romë, të cilën e ktheu në Institut të Studimeve Shqiptare, mund të konsiderohen ndër momentet e pazëvendësueshme të kulturës shqiptare. Mjafton të shfletohet koleksioni i revistës “Shejzat” për të njohur mendimet e Koliqit dhe dimensionet e tija intelektuale….

.
Shumë figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare gjatë sundimit 45 vjeçar të komunizmit në Shqipëri janë shikuar në klishen bardhezi, një klishe që ka qenë shkatërruese për shumë figura të historisë sonë kombëtare. Jeta e Koliqit gjatë pushtimit fashist ishte (sëpaku kështu dihet deri tash) konservatore. Kjo pjesë e jetës së tij, pra, është një periudhë e errët kur ai punoi një kohë ministër i arsimit nën qeverinë shqiptare që u formua në kohën e pushtimit fashist, kohë të cilën mund ta quajmë periudhë e ngrirë. Ç’dihet më shumë për këtë periudhë rreth figurës së tij? –Nëqoftëse e gjithë jeta e Ernest Koliqit ka qenë një përkushtim i plot i atdhetarizmit dhe i kulturës shqiptare, mendoj se periudha e shkurtër e qenies së tij si ministër i arsimit gjatë kohës së pushtimit fashist, ka qenë periudhë kulmore si për atdhetarinë e tij të mirfilltë, ashtu edhe për kulturën e arsimit shqiptar në veçanti. Ja përse: Në atë prill të vitit 1939, para se të nisej për Tiranë kaluam një natë pa gjumë me Koliqin në shtëpinë e tij në Via Parioli. Ishte fort i zhgënjyer. Disa ditë më parë i kishin thënë se Shqipërisë do t’i jipej një status Kommonuellti, kurse më 16 prill u soll kurora mbretërore e Skënderbeut me shumë pompozitet në Romë. Tashmë “zaret ishin hedhur”, ato qëndronin mbi tavolinë dhe askush nuk mund t’i lëvizte. Ai tha: “Sot Shqipëria ka nevojë për ne më fort se kurrë. Për hirë të Atdheut do të sakrifikoj reputacionin tim!”.
Koliqi shkoi në Shqipëri Ministër i Arsimit. Për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se asnjë herë ai dikaster nuk ka punuar aq shqiptarisht se sa në kohën Ernestit. Ministri Koliqi, nga dikasteri i vet, punonte jo për të shpëtuar në stilin “të shpëtoj ç’mund të shpëtohej”, por, për të lulëzuar dhe për ta çuar përpara kulturën shqiptare. Asnjë nga paraardhësit e tij as nga Luigj Gurakuqi, as të tjerët më vonë si poeti Hilë Mosi, apo eruditi Mirash Ivanaj, nuk e bënë dot atë ministri që ta kapërcente pragun e një institucioni administrativ. Me Koliqin ky dikaster, në dukje funksionote si administratë, në fakt qe një vatër e fuqishme e kulturës kombëtare dhe një shtysë për inisiativat private të kulturës. Ernesti pati shkëndijën gjeniale të krijonte pranë ministrisë zyrën e “inspektorëve”, ku punonin pa ndërprerje për të gjetur mënyra e metoda për ta përhapur e për ta zhvilluar sa më shumë arsimin kombëtar e kulturën tonë kombëtare. Në këtë zyrë u thirrën njerëzit më të zot dhe më të afirmuar të kulturës shqiptare të asaj kohe: Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Odhise Paskali, Namik Resuli, Eqerem Çabej, Vangjel Koça, Ndue Paluca, Prof. Papakristo, Selman Riza etj., etj. Këta nxorrën një seri shumë të pasur tekstesh shkollore. Nxorrën kolanën “Shkrimtarët Shqiptarë”, “Visarët e Kombit”. Në ato vite u themelua “Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare”. Në të gjithë historinë e kulturës shqiptare, as para kësaj kohe e as më mbas, një purizëm, një pastërti kaq të thellë gjuhësore, si në kohën e Koliqit, nuk kishte pasur. Ai humbi pak nga reputacioni i emrit të tij por, duke vënë në ballancë këtë humbje, pra diçka nga prestigji personal dhe të përfitimin kombëtar që pati gjithë vendi ynë në atë periudhë, del se flijimi i një reputacioni personal është i papërfillshëm dhe se e tërë veprimtaria e Koliqit e kësaj periudhe ka ngjyra dhe vlera atdhetare.
.
Tokat Shqiptare - Kosova -“Centro Studi per l'Albania”  1942
Tokat Shqiptare – Kosova -“Centro Studi per l’Albania” 1942
Kosova e di se Ernest Koliqi, ka dhënë një kontribut të çmueshëm për arsimin në këto troje shqiptare të pushtuara e grabitura me dhunë nga pushtuesit shekullor serbosllavë. Pushtimin e Jugosllavisë Mbretërore, populli në Kosovë e viset e saj i ka quajtur “Tri ditë Shqini”. Ju, Dr. Radi, jeni nga Kosova, Prizreni, e, keni qenë edhe në korrent të këtyre ngjarjeve si dhe kontributeve të Ernest Koliqit. A mund të na elaboroni më gjerësisht këtë periudhë? –Një rol të rëndësishëm në arsimin gjithëkombëtar ka luajtur ministri Koliqi në vitet 1941-44. Siç dihet në fazën e parë të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941 me ndërhyrjen e fuqishme të aviacionit dhe të ushtrisë gjermane, Jugosllavia Mbretërore u shkatërrua mbrenda pak ditësh. Kjo qe një periudhë e shkurtër, por e lumtur për popullin tonë sepse më në fund e pamë veten të bashkuar në një trup të vetëm, e pamë të realizuar bashkimin dhe bashkëjetesën vëllazërore të popullatës shqiptare që ishte nën Jugosllavi me popullsinë e shtetit amë. Gjatë sundimit serb mbi ato treva, qeveria e Beogradit e kishte ndaluar edukimin shkollor të shtetasve të vet me kombësi shqiptare duke ndaluar në mënyrë të veçantë mësimin e gjuhës shqipe. Ministria e Arsimit, e detyruar nga Koliqi, u gjend përballë një problemi shumë të vështirë, sepse në atë kohë, pothuajse 90 për qind e popullsisë ishin analfabetë, për pasojë në vend nuk mund të gjendeshin njerëz që mund të jepnin mësim. Posa rrethanat u bënë më të favorshme, vetë Koliqi e mori përsipër organizimin e arsimit të njerëzve të atyre trevave. Hapësira e viseve ku banonin shqiptarët ishte e madhe. Që në ditët e para u organiza një kurs i shpejtë dhe i përgjithshëm për të mësuar elementet e para të gjuhës shqipe, pastaj u organizua hapja e vitit shkollor 1941-42. Me përpjekje u gjendën 200 mësues dhe mësuese dhe personeli tjetër arsimor dhe u nisën urgjent për në Kosovë. U hapën një numër i madh shkollash fillore, një gjimnaz i plotë në Prishtinë, 3 gjimnaze me nga katër klasë në Prizren, Gjakovë e Pejë, një shkollë bujqësore në Tetovë dhe një shkollë qilimash në Prishtinë. Këto shkolla vazhduan të funksionojnë dhe me shumë sukses deri në vitin 1944. Këto shkolla dhe kjo përpjekje arsimore në trevat tona të pushtuara nga Jugosllavia dha një fryt të shkëlqyer dhe vunë bazën e shëndoshë për zhvillimin dhe lulëzimin e arsimit dhe të kulturës në ato vise.
.
Ernest Koliqi ishte edhe një përkthyes, apo më mirë të themi një shqipërues i zoti. Ai përktheu klasikët italianë si Danten, Petrarkën, Arioston, Tasson, Karduçin…, por edhe shqipëroi edhe nga gjuha frënge si vepra të Bodlerit, Maeterlinkut, etj. Megjithatë këto përkthime pak janë të njohura në kohën e sotme. Ç’mund të na thoni për Ernest Koliqin si përkthyes? – Koliqi zë një vend me rëndësi edhe si përkthyesi më kompetent që kemi pasur nga italishtja e frëngjishtja në shqip si dhe nga shqipja në italisht. Koliqi qe i pari që përballoi përkthimin në shqip të poetëve të mëdhenj të Italisë si Dante Aligierin, Françesko Petrarkën, Ludoviko Arioston, Torkuato Tasson, Ugo Foskolon, Xhosue Karduçin, Xhovani Paskolin, Gabriele d’Anuncion, po edhe Bodlerin, Maeterlikun, Verhanien, etj. Për Koliqin ose për çdo shkrimtar tjetër do të qe më e lehtë të bënte diçka të vetën origjinale se sa të mundohej të sillte në shqipe të kulluar artistike vepra të vështira si ato të Dantes apo d’Anuncios. Fishta për përkthimet e Koliqit pat thënë: “…asht përnjimend një fat i bardhë për literaturën kombëtare që ky letrar i ri, i pajisur me të gjitha cilësitë e nevojshme për një përkthyes të mirë ia ka hy përkthimit të copave të zgjedhuna prej veprave të katër klasikëve më të parë të Italisë. Kështu kombi ynë ka me pas një ide mjaft të kjartë e të përshtatshme mbi letërsinë e këtyre kolosave të letërsisë botnore…”
Instituti Shqiptar i Studimeve - Tirane 1942
Instituti Shqiptar i Studimeve – Tirane 1942
Eqerem Çabej, Aleks Buda e bashkëpunëtorë të tjerë të Koliqit në Ministrinë e Arsimit gjatë kohës së pushtimit fashist, pas ’44, dihet, mbetën në Shqipëri, ndërsa Koliqi u emigrua dhe u anatemua. Dr. Radi, në rrethanat ku gjendeshit, i persekutuar dhe i dënuar, interesimi juaj i veçantë për Koliqin a ka mundur të përfshijë Koliqin si patriot dhe si veprimtar jashtë Atdheut. Çfarë mund të na thoni për këtë? – Po. Unë jam interesuar vazhdimisht për të, ani pse gjendesha në rrethanat që më rëndonin psiqikisht dhe fizikisht. Koliqi në mërgim ndonëse i zënë me punë të ndryshme, nuk rreshti asnjëherë së punuari për idealet e shenjta të jetës së tij, për një të ardhme më të mirë të Atdheut, ideale që ai i kishte thellë në zemër. Gjithmonë shqetësimet e tij kanë qenë për çeshtjet e kulturës shqiptare dhe problemet kombëtare, probleme që kishin si objektiv arritjen e çlirimit të vendit nga murtaja komuniste. Askund dhe në asnjë vend ai s’e kurseu fjalën dhe veprën e tij të autoritetshme për të sqaruar të vërtetat nëpër të cilat kalonte populli shqiptar nën sundimin e diktaturës. Edhe bashkëatdhetarët e tij, të cilët përpiqej t’i trimëronte e t’i frymëzonte me shpresë e besim, se Shqipëria shumë shpejt do të lirohej nga kjo murtajë e rrezikshme.
Veprimtaria e tij në fushën publicistike është e madhe. Mjafton të përmendim këtu gazetën “Ora e Maleve” që është një shembull i shkëlqyer i publicistikës luftarake, demokratike shqiptare; Koliqi është aktivizuar dhe ka bashkëpunuar me revista të ndryshme, të cilat kanë mbetur sot e kësaj dite shtylla të publicistikës shqiptare. Përsa i përket veprimtarisë në shkolla Tahir Zajmi thotë: “Merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare pa dyshim i përket ministrit të arsimit të asaj kohe profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe shpirtin e tij idealist, nuk i kurseu energjitë për të pajisur sa më mirë aparatin arsimor në viset e lirueme me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallni shkollës shqipe.”
Koliqi edhe në ditët e vështira të mërgimit, s’e ka pushuar as interesimin e as veprimtarinë e tij të frytshme për punët e emigracionit shqiptar, të diasporës dhe të shqiptarëve që jetonin nën pushtimin serbosllav. Ai ka ndjekur me kujdes dhe interesim të vazhdueshëm zhvillimin e shkollës dhe të kulturës shqiptare në ato treva dhe këshillonte se ajo punë e madhe, e filluar aq mbarë, jo vetëm të mos ndërpritej, por të shtohej e të lulëzohej gjithnjë e më shumë, sepse “vetëm një popull i kulturuar ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e vetë dhe t’u imponohet të tjerëve”.

.

Varri i mjeshtrit Koliqi - Romё 23 korrik 1991
Varri i mjeshtrit Koliqi – Romё 23 korrik 1991
Në Kosovë, përkundër rrethanave në Shqipëri, kemi patur mundësi, megjithatë të njohim Fishtën, Ivanajn, Nikajn, Prenushin, e të tjerë nga “trungu katolik” i Veriut dhe jemi “ushqyer” si të themi me letërsinë që krijuan ata. Për shembull që në vitet 70-ta, studentët e Letërsisë dhe Gjuhës shqiptare në Universitetin e Kosovës, në bibliotekën e tyre kanë pasur liri të lexojnë ekzemplarët e revistës “Shenjzat” që vinin nga Italia. Mund ta shprehni Ju, Dr. Radi mendimin tuaj se si e konsideron rinia shqiptare e Kosovës, Ernest Koliqin dhe a jeni në dijeni më konkretisht se çfarë ndikimi ka patur vepra e Koliqit tek kjo? – E theksova se veçanërisht në Shqipëri është bërë çmos për të vënë në indeksin e harresës dhe për t’i lënë në heshtje veprat e Ernest Koliqit dhe të disa shkrimtarëve të tjerë. Edhe në Kosovë, natyrisht për arsye ideo-politike ka ndodhur afërsisht e njëjta gjë. Mirëpo, ata zotërinj nuk e dinin se e bukura dhe e përjetshmja nuk mund të prangohet dhe të mbahet përjetësisht në errësirë. Rinia studentore në Kosovë ka patur fatin ta shijojë një pjesë të letërsisë koliqiane. Frymëzimet e disa qarqeve studentore universitare që merren me letërsi e kulturë mund të shihen edhe në disa letra që i kanë dërguar profesor Koliqit në Romë. Në njërën prej tyre thuhet: “Dishka po ju them, dishka që është e vërtetë dhe e thjeshtë e që nuk lyp argument: shkrimet e juaja janë tue e frymëzue zemrat e reja kosovare, e njerëzit vrapojnë mbas fjalës suaj, sepse aty ndeshin perëndeshën tonë: shqipen, të pastër, të njomë e të virgjër, porsi Pranvera e Botiçelit.” Në një letër tjetër ndër të tjera thuhet: “Kemi patur shumë takime na të rinjtë kosovarë, doemos tema dominuese e atyre bisedave, vinte e bëhej arti i juaj që pranohej pa rezerva si i përsosur në letrat shqipe. Intelektualët e rinj të Kosovës ju përshëndesin dhe ju adhurojnë, mrekullohen me bukurinë e fjalës suaj, dhe frymëzohen prej saj”.
Besoj se të njejtën gjë do të thotë edhe rinia universitare shqiptare në Shqipëri, mbasi të njihet dhe t’i shijojë veprat e Koliqit…

(Botuar te Zëri i Kosovës, Nr 9, 23 janar 1993)

 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.