back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Komedia Njerëzore e Honore de Balzac në nji libër aforizmash – Përgatitur nga Vasilika Michalas

Gazeta

Honore de Balzak - Komedia Njerzore (Aforizma)
Honore de Balzak – Komedia Njerzore (Aforizma)

Komedia Njerëzore e Honore de Balzac

në nji libër aforizmash

Përgatitur nga Vasilika Michalas

“Unë kam lindur të thith aromën e luleve,
jo erën e keqe të llumit.
Përse të arrijë në akte të ulta?
Gjithçka mua më nxit drejtë së madhërishmes.
Më merret fryma në rrafshinë,
unë mund të marr frymë lirshëm vetëm në male!
Sa e sa herë e kam menduar këtë gjë!
Jetojmë në epokën e arsyes.
Sunduesit e tokës, mbartësit e forcës brutale
do të larghen nga skena!” Balzac

Vasilika Michalas
Vasilika Michalas

Parathënie

Tashmë, lexuesit tonë në përgjithësi e, sidomos atij më të vëmëndshmit në leximin dhe studimin e kryeveprave botërore, do të jepet në dorë “esenca” e Komedisë Njerëzore, e paraqitur nëpërmjet aforizmave apo pasazheve të vjelura me kujdes nga pothuajse, pjesa më e madhe e veprave të Balzakut të botuara në shqip.
Pa dyshim, kush lexon mirë, mirë… e ndal lapsin të nënvizojë ato që me të vërtetë, u bëjnë mjaft përshtypje. Pa përjashtuar kënaqësinë që mund të provojë lexuesi i zakonshëm, apo ajo pjesë studiuesish të artit e të letërsisë dhe të sociologjisë e psikologjisë, të cilët do ta kenë më të lehtë të shkëpusin nga ky libër fragmente të veçanta, të cilat mund t’i shfrytëzojnë si referenca në zhvillimin e temave të tyre, specifike.

Vëllimi në fjalë është i ndarë në gjashtë kapituj; Gratë; Dashurinë; Burrat; Artistët dhe Letrarët; Gazetarët dhe Politikanët; Të Ndryshme; në të cilat “notojnë”shprehje, koncepte… që prekin thelbin e jetës sonë të përditshme në fusha të ndryshme; prekin apo zgjojnë ata ndjenja e meditimi për të reflektuar mbi të shkuarën, të tashmen, e të ardhmën në mënyrë më të thellë e të pjekur.
Duke marrë parasysh se veprat e Komedisë Njerëzore në gjuhën shqipe, të ofruara nga deri sot, janë prej përkthyesve më të nderuar, në këtë libër janë sigurisht edhe fragmente ndër më të mirat, sipas gjykimit tim. Pasazhet, aforizmat do të paraqiten duke shmangur fjalitë ose fjalët e ndërmjetme.

I dashur lexues,
libri është duke u plotësuar, përmirësuar dhe duke u shtuar pas leximit edhe të disa veprave të tjera të Balzakut.
Vasilika Michalas, Gusht 2015

Grate - Paolo di San Lorenzo
Grate – Paolo di San Lorenzo

Aforizma nga Vepra e Balzakut

Për Gratë

Gratë, pasi e kanë transformuar një burrë në qengj, arrijnë gjithnjë ta bindin se ai është luan dhe se ka një karakter të hekurt.

***
Një grua të shkathët s’e merr dot burri nëpër këmbë, sado i fortë që të jetë.

***
Është e pabesueshme që, të gjitha gratë, madje edhe ato më fanatikët, duan burra që kanë pamjen e një të shthururi.

***
Për gruan do të ishte e tmerrshme të mos besonte në një fe, që t’i jepte mundësinë të dashuronte edhe përtej varrit.

***
Provojeni të dilni shëtitje për krahu me një grua të bukur, të gjithë do t’ju shikojnë, do t’ju ndjekin, do ta dëshirojnë gruan tuaj. Është një sukses që shqetëson shumë burra, që kanë pak dëshirë për të vrarë dashnorët e gruas, sepse, pas së gjithash, vret vetëm njerin prej tyre.

***
O, ç’kënaqësi të arrish, i mbuluar i tëri me borë, në një dhomë të ndriçuar dobët, të veshur në mëndafsh lule-lule e të gjesh aty një grua që shkund edhe ajo vetë borën, se si mund t’i quash ndryshe ato valët prej byryngjyku epshndjellëse nëpërmjet të cilave trupi i saj mezi duket, si një engjëll përmes një reje prej nga ajo del.

***
Të gjitha gratë kanë një sjellje fitimtare, një pozë të studiuar, me të cilën bëhen tej mase të admirueshme. Disa, në sallone, e kalojnë kohën duke rregulluar tylet e dekoltesë ose duke drejtuar supet e fustanit, të tjera qëndrojnë duke vështruar tavanin për të nxjerrë në pah shkëlqimin e pupilave.

***
Të dredhosh nga shtegu i nderit, për gruan e martuar, është një krim i pafalshëm; por, ka mënyra e mënyra për ta bërë këtë krim.

***
Tekat e një gruaje ndikojnë mbi tërë shtetin.

***
Gratë e kanë më të zhvilluar se sa qeveria instiktin e pushtetit dhe ndjenjën e dinjitetit vetjak.

***
Pjesa më e madhe e grave duan ta ndiejnë moralin e tyre të dhunuar.

***
Të hash dru nga dashnori në sytë e shemrës, është një nga poshtërimet që asnjë grua nuk e duron dot, e sa më poshtë shkallës shoqërore që të jetë, aq më e fortë shprehet urrejtja e saj.

***
Vajza e re ka vetëm një naze, dhe beson se i ka thënë të gjitha kur zhvishet, por gruaja ka naze pa numëri, dhe fshihet nën mijra vello. Gruaja i kërkon një djali të ri t’ja kthejë sqimën që ajo ka sakrifikuar për të. Ajo jeton vetëm për të, merret me të ardhmen e tij, dëshiron për të një jetë të bukur, ia urdhëron të lavdishmen. Ajo bindet, lutet dhe komandon, ulet dhe ngrihet, dhe di të ngushëllojë në mijra raste, atje ku vajza e re nuk di, vetëm se të rënkojë.

***
Zoti, nuk i ka krijuar gratë që të mbeten vajza; sepse ato duhet të jenë ose të gjitha vajza ose të gjitha gra.

***
Kur je kusar dhe të dashuron një grua e ndershme, o ajo bëhet kusare, o ti bëhesh njeri i ndershëm.

***
Gruaja që dashuron, e njeh dhe e kupton aq mirë fytyrën e burrit, sa edhe detari detin e hapur.

***
Nënat, për të shpëtuar fëmijët tyre, arrijnë të magnetizojnë luanët, të zbresin në një zjarr gjatë kornizave ku mezi do të mund të qëndronin edhe macet, dhe të durojnë torturat e disa lindjeve të vështira.

***
Gëzimi më i madh për një grua është bindja se dashnori i saj ka dashuruar në kulm vetëm atë.

***
Në shtresat e ulta, gruaja, jo vetëm është më e zgjuar se burri, por, pothuajse gjithmonë e komandon.

***
Bashkëshortja që është vërtet bashkëshorte, me zemër, me mish e me shpirt, i shkon pas atij me të cilin ka lidhur jetën, forcën, lavdinë, lumturinë.

***
Asnjë grua nuk e do atë, të cilën asnjëra nuk e ka dashur.

***
Në çdo çast të jetës, dhembja e prek më thellë gruan se sa burrin, prandaj vuan edhe më tepër.

***
Të gjitha gratë, edhe ajo më e trasha nga mendja, dine ta përdorin dhelpërinë për t’ia arritur një qëllimi të caktuar.

***
Një grua e re nuk ngurron të hapë qesenë për atë që i rrëmben zemrën.

***
Një dorë gruaje, në çastin kur ajo del nga banja e saj e parfumuar, ruan s’di se çfarë freskie delikate, një butësi të kadifenjtë, ndijimi gudulisës i së cilës shkon nga buzët në shpirt.

***
Përbuzja e përgjithshme përbën më të tmerrshmin e gjithë ndëshkimeve, në atë që gruan e prek në sedër. Gratë duan dhe të gjitha duhet… të nderohen, sepse pa vlerësimin ato nuk ekzistojnë më, kjo është ndjenja e parë që ato i kërkojnë dashurisë.

***
Nëse gruaja ka privilegjin e ndritur që ta shtrijë mëmësinë e saj gjatë gjithë jetës së fëmijës, a nuk janë rrezatimet e konceptimit të saj moral që duhet t’i atribohet ajo këmbëngulje hyjnore e ndjenjës? Kur fëmija nuk ka pasur shpirtin e nënës si mbështjellje të parë, atëherë mëmësia merr fund në zemrën e saj, si merr fund te kafshët.

***
Bukuria e grave nga dora e popullit nuk zgjat shumë, sidomos kur ato kalojnë vite të tëra të mbërthyera te pragu i një pijetoreje.

***
Sikur të hapet një vend me ndonjë duhantore, menjëherë ngrihen, si një trup i vetëm, njëqind gra për ta zënë atë vend kush e kush më parë.

***
Gruaja, dhe sidomos gruaja e re, po aq e madhe nga shpirti sa dhe nga bukuria, nuk neglizhon kurrë ta vendosë jetën atje ku natyra, ndjenja dhe shoqëria e shtyjnë ta hedh të tërën. Nëse kjo jetë i mungon dhe nëse qëndron në tokë, ajo heq aty vuajtjet më të tmerrshme, nga arsyeja që e bën dashurinë e parë më të bukurën nga të gjitha ndjenjat.

***
Puthjet e një gruaje të sinqertë kanë një mjaltë hyjnor që duket se e vë një shpirt në atë përkëdhelje, një flakë e ndjeshme nga e cila përshkohet një zemër. Puthjet që nuk e kanë këtë balsam të shijshëm, janë të athëta dhe të athëta.

***
Disa njerëz ndihen më të sigurtë në duel para një njeriu që i kërcënon duke iu vënë thikën në zemër, se sa para një gruaje.

***
Zemra e një nënë është një humnerë në fund të së cilës gjendet gjithnjë Fjala.

***
Ka nga ato gra që i pranojnë vuajtjet kur e lidhin fatin e tyre me njerëz të mëdhenj, ndajnë bashkë me ta varfërinë, përpiqen të kuptojnë tekat e tyre, qëndrojnë të forta në mjerim dhe në dashuri; kurse ka të tjera, që vërsulen pa ngurruar në ndjekje të luksit dhe kapardisen për shpirtin e tyre të pandjeshëm.

***
Ç’i shtyn gratë të shohin, zakonisht, vetëm të metat te një njeri i talentuar dhe vetëm cilësitë te një budalla. Ato kanë simpati të madhe për cilësitë e budallait që lëvdon të metat e tyre, kurse njeriu i talentuar, që ndjehet superior ndaj tyre, nuk u jep aq kënaqësi sa për t’i kompensuar këto të meta.

***
Natyra që krijon të verbër që kur lindin, mund të krijojë fort mirë edhe gra shurdhe, memece o qorre në dashuri.

***
Rrudhja e lëkurës është një fakt i pashpjegueshëm, e prapëse prapë i natyrshëm, i cili qysh nga krijimi i botës, i ka hedhur në dëshpërim mjekësinë dhe gratë.

***
S’do të dashuroja dot një grua, që aktori e puth në skenë përpara publikut, një grua që i flasin me “ti” në prapaskenë, që përkulet përpara platesë dhe i buzëqesh, hedh valle duke ngritur fundet e saj, vishet me kostum burri dhe nxjerr në pah bukurinë që dua ta shoh vetëm unë.

***
Milionerët nuk arrijnë dot kurrë të fitojnë dashurinë e grave.

***
Shpeshherë, një grua gjykohet nga sjellja e dashnorit të saj, ashtu siç gjykohet një dashnor nga sjellja e gruas që i përket atij.

***
Një grua me ngjyrën e qymyrit, nuk mund të dojë tjetër, veç se një flokëverdhë, në ngjyrën e hënës.

***
Kur një grua përfiton shumë favore, nuk tregohet e pabesë ndaj mbrojtësit të saj për ca budallallëqe.

***
Nuk jam dakord që një grua të bjerë në faj për një burrë që nuk është i gjithi i saj.

***
Gratë i kanë për zemër dashnorët që atyre u mohohen, ashtu si burrat i mbajnë fort gratë, që dëshirohen nga shumë bukuroshë të tjerë.

***
Vërëni një krijesë femërore në këmbët e një kali të furishëm, o përballë ndonjë kafshe të tmerrshme. Ajo, sigurisht, do të bjerë në gjunjë duke pritur vdekjen. Por, nëse kafsha është e mëshirshme dhe nuk e vret përfundimisht, ajo do ta dashurojë kalin, luanin..; ajo do të flasë për to krejtë e qetë.

***
Te gratë energjike, dëshira shndërrohet në veprim. Për t`ia arritur qëllimit, ato janë gati të bëjnë gjithçka. Mund të kaloj në nga ndershmëria më e kulluar në poshtërsinë më të neveri tshme.

***
Të ndjesh, të dashurosh, të vuash, t’i jepesh kokë e këmbë tjetrit; ky është libri i jetës së grave.

***
Ka disa gra që, kur i braktisë i dashuri, venë dhe ja rrëmbejnë nga duart kundërshtarës, ose e vrasin atë, ose degdisen në fund të botës; këto gra  i ka rrëmbyer dallga fisnike e pasionit më të lartë nga çdo drejtësi njerëzore; kjo ka bukurinë e saj. Ka gra të tjera që, kur gjenden ballë për ballë me fatkeqësinë, ulin kokën dhe vuajnë në heshtje; në rrugën drejtë vdekjes ato ecin gjysëm të vdekura, të ndrydhura, qajnë dhe e ndiejnë fajtorin, luten për të dhe e kujtojnë gjer në çastet e fundit të jetës; dhe kjo është dashuri, dashuria e vërtetë, dashuria e engjëjve, që ka dhembjen si ushqim dhe prej dhembjes vdes.

***
Ta studiosh mjaft dhe për një kohë të gjatë karakterin e gruas me të cilën do të martohesh. Defekti i të lidhurit në bashkim bashkëshortor dy vetë, për çfarëdo shkaku që të ndodh, po qe gabim, shpie në fatkeqësi të pamëshirshme.

***
Thonë se njerëzit janë të egër, edhe tigrat gjithashtu; por, as mizoritë e tigrave, as të nepërkave, as të diplomatëve, as të përfaqësonjësve të ligjës, as të xhelatëve, as të mbretërve nuk mund të paraqesën me dashurinë plotë vrerë, me ligësinë e ëmbël, me përbuzjen barbare që tregon një vajzë kundrejt tjetrës, kur njëra e quan vetën më të bukur, më të lartë nga fisi e nga pasuria se tjetra, sidomos kur bëhet fjalë për martesë dhe për epërsi; me një fjalë, mizoritë që përmendem, nuk mund të paraqiten me rivalitetin që kanë grate në mes tyre.

***
Një gruaje i pëlqen gjithnjë ta dijë se sa vlen.

***
Në shoqërinë e lartë, një lidhje dashurie që merret vesh nga bota, e njollos emrin e një gruaje më keq se dhjetë aventura të fshehta.

***
Nuk përcaktohet mënyra se si ta mbash kapelën; po ta shtysh pak prapa do të dukesh si e paturpshme; po ta ulesh mbi ballë do të dukesh si tinzare; me kapele menjanë do të dukesh serbese; gratë mondane e mbajnë kapelen si t’u teket, dhe gjithnjë u ka hije.

***
Kur ndodhet në shtëpi një vajzë plakë, qentë e rojës janë të kotë; as ngjarja më e vogël nuk i shpëton asaj nga syri, çdo gjë e shqyrton e nga gjithçka nxjerrë përfundimet e mundshme.

***
Një grua nuk e pranon nga një grua tjetër, si dhuratë, zemrën e burrit të vet, sepse ajo është njëqind herë e lumtur të besojë se ja ka rifituar zemrën.

***
Një grua e cila që prej shumë kohësh ka humbur shpresat tek e ardhmja ose te vetja, një grua e pa zënë me punë, boshllëku i duket humnerë.

***
Një grua e dashuruar është shumë më mendjehollë për të krijuar ndryshime, sesa e shkathët për të ndryshuar, që t’i pëlqejë të dashurit të saj.

***
Midis grave dhe vajzave shpesh ka nga ato vështrime që janë porsi pishtarë në rrënojat e një tragjedie.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.