Komisioni i Posaçëm Inisiator për thirrjen
dhe Organizmin e Kongresit të Lushnjes – 21 Janar 1920
nga Msc. Kevin Haxhiu*
Një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vendeve fqinje. Në vitin 1915, Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913. Në vitin 1918, në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës – fituese e luftës) dhe vendet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915, të zbatohej. Delegacioni i dërguar nga Qeveria e Durrësit, nuk e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë, duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh. Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte. Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territoret e saj.
Në muajin nëntor të vitit 1919, u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtar” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit, Abdyl Ypi. Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtar, pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh. Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes, pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje, por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi. Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919, patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës. Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë/ Inisiator me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit. Anëtarë të Komisionit Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin: Besim Nuri, Ferit Vokopola, Nebi Sefa, Qemal Mullaji, Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Abedin Nepravishta, Bajram Haxhiu, Taullah Sinani, Llazar Bozo, Emin Vokopola, Zija Mullaji, Mustafa Vokopola, Jonuz Sefa, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Abdyl Aziz, Muntar Luarasi, Hamit Xheka, Reshat (Hysni) Shazivari, Hasan Islam Like.
Më datë 1 Janar 1920, Komisioni i Posaçëm (Komisioni Nismëtar/Inisiator për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes) vendosi që me anën e tij, por edhe të Katundarisë së Lushnjes të njoftonte nëpërmjet një letre të gjitha Katundaritë e Shqipërisë që të zgjidhnin nga 2 Delegatë për në Mbledhjen Kombëtare të Lushnjes (Kongresi i Lushnjes). Kjo Letër e Komisionit të Posaçëm Inisiator për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, AQSH, Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939), Dosja I-I-48, fleta 1 dhe 2. Në këtë Letër shkruhet: “Nga shkaku i ngjarjevet të ndryshme këtu e disa muaj më parë në jetën mbledhore të atdheut tonë, po ndihet një prapashti livrimi, pra sikundër q’asht e ditun prej si çdo atdhetari këto prapshti shkaktojnë prishjen e qetësis së rendit, pa dyshim në fund dhe humbjen e atdheut të dashtun, populli Shqiptar që këto vjetët e fundit tue u ndodhun në fushën e propagandavet damsore, ka marrë mësime të mjaftëshme mbi bazët e shpëtimit të veht, dhe ashtu mbas kësaj për mos me u gabue me thash e theme të kota, e të mshehta ose të veçanta, ka banun marrëveshje tash së voni, dhe asht e ditun që ka vendosun, për një mbledhje të përgjithshme këtu në qëndrën e Lushnjës, ku si Shqipni e veriut ashtu dhe e jugës mundet lehtazi me i bashkue zanet e bisedimit. Pra ky pëlqim i bashkëatdhetarëvet të ndershëm, prej popullit ton u pritën me nderime, me gëzime krejt të zemërta, dhe në emën të popullit Komisioni i jon sot tue u mbledhun me randësin e posaçme, vendosi që me anën e veht dhe të Katundaris bashkërisht të bahen të ditun gjith katundarit e Shqipnisë dhe me anën e këtyne populli Shqiptar mbas programit që u paraqitet ngjitun me i dërgue nga dy delegatë fuqiplotë në këtë mbledhje ku asht për t’u venun i themel i fort një marëveshjes së vërtetë të përjetëshme midis tonë. Ky qëllim kaq i shenjtë mvaret në dëshirat e përgjithshme e jo në mendimet e veçanta. Pra, midis personavet të çdo partie, tue banun një bashkëpunim vllaznor dhe tue lanë mënjanë ndryshime mendimesh personale. Delegatët duhet me u emënue me pëlqimin e përbashkët. Atdheu i dashtun po na fton në bashkim, në besë, në vllazni me të cilat kemi me fitue dhe uratën mëshirore të së Naltës Fuqitarit Krijues Perëndie. 1.I.1920
Në Emën të Popullit të Lushnjes, Komisioni i Posaçëm bashkë me katundarinë e vendit. Besim Nuri, Sheh Ibrahim Karbunara, Emin Vokopola, Mustafa Vokopola, Zija Mullaj, Rasim Hoxha, Skënder Pojani, Abdyl Azis, Qemal Mullaj, Abedin Nepravishta, Bajram Haxhiu, Eshref Frashëri, Jonus Sefa, Muntar Luarasi, Llazar Bozo, etj”.1)
Komisioni Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes, krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje, organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, AQSH, Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912), Dosja 38-2-83 “Projekt-program i Kongresit të Lushnjes nga Abdyl Ypi”, fleta 1, shkruhet:
“Katundarija e Lushnjes Programi i Kongresit
Nye -1- qëllimi i mbledhjes së përgjithshme asht sigurimi i vetqeverimit të plotë të Shqipnis dhe forcimi i bashkimit shqiptar.
Nye -2- në mbledhje kombëtare do të shoshitet gjindja e përbrëndëshme e e përjashtëme e Shqipnisë dhe si në administratën e vendit që siguron bashkim e qetësi ashtu dhe në fitim të besimit të fuqive të mbëdhaja të botës do të rrëfehet gjallnia kombëtare.
Nye -3- mbledhja kombëtare tue marrë parasysh të gjithë mendimet e ndryshme qi kanë shkaktue ndarjen në Shqipëni do të mundohet t’i largonjë mosmarrëveshjet e të siguronjë bashkëpunimin qi forëcon jetën e atdheut.
Nye -4- çdo nënprefekturë do të përfaqësohet prej dy zotnive të zgjedhun prej popullit të qarkut.
Nye -5- çdo përfaqësonjës do të ket një dokument përfaqësimi të vërtetuem prej katundarisë së vendit.
Mbledhja do të bëhet në Lushnje me 21 të muajit kallnuer 1920, të mërkurë ora më 10 para dreke.
Lushnje, më 1 Kallnuer 1920
Letër prej Durrësi,
korrespondenti ynë na shkruan: sot para dreke mrrivi nji post të posatshme prej Lushnje me një shkresë për përlimtaren e Durrësit, me të cilën përlimtarija e Lushnjes e paria e këti vendi në formë të një komisioni të jashtëzakonshëm ftojën Durësin e rrethet e tij me zgjedhë dy delegatë për mbledhjen kombëtare që ka m’u mbajtë në Lushnje më 21-1- po dërgojmë kopjen e kësaj shkrese. Ndihet se Fejzi beu, i vetmi delegat i qeverisë sotme mendon me i kundërshtue realizimit të këtij mendimi, por populli i Shqypnisë Mesme beson se Fejzi beu nuk ka sesi me i kundërshtue dëshirit të miletit”.2)
Disa nga kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu për Kongresin e Lushnjes: “Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes, unë kam qenë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi, por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen. Këtu në Lushnje kishte një lëvizje të gjerë patriotike. Para se të mblidhej Kongresi ne hoqëm një flamur italian dhe e grisëm. Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin… por kot. Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit, ishte Eshref Frashëri. Unë e njihja edhe më parë se kishte qenë këtu si inxhinier. Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës. Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu, veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë. Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari. Rrugës kishte plotë rreziqe, por ne ishim të rinj në atë kohë dhe i kapërcenim. Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare. Ditën kur filloi punimet Kongresi ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë. Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi, kishin ardhur njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Por në Kongres kishte shumë lushnjarë. Unë nuk i kujtoj dot të gjithë, por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat.
Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë. Kudo shifje flamurë kombëtarë, bile flamurë të vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijët e shkollës. Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë, aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve. Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë. E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit.
Në mur qe një flamur kombëtar.
Në Kongres kishte rregull. Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete. Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit. Kishin ardhur njerëz të armatosur. Disa prej tyre i kishin sjellë vetë delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës, por pati edhe nga ata që i thirrëm ne. Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja. Në të njëjtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës, por unë nuk jam marrë me forcat. Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua.
Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje. Disa prej rojeve vinin edhe në qytet. Italianët i shihnin po nuk i ndalonin. Më kujtohet, kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit. Njerëzit nuk i mbanim dot se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë. U nisën disa por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes ja mbathi për nga Vlora.
Qeveria që u zgjodh nga Kongresi, ndenji nja 4-5 ditë këtu, pastaj e përcuallëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët. Vanë mjaft forca nga Lushnja, por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”.3)
Në datën 21 Janar 1920, hapi punimet Kongresi Kombëtar i Lushnjes dhe në procesverbalin e mbledhjes së I-rë shkruhet ndër të tjera: “Sot dit’e Mërkurë 21/I/1920, ora më 10 paradreke, tue qënë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombiare, me gjith që, nga vonesa e Letër thirrjeve, nuk kanë arritun shumica e delegatëvet, Delegatët e arritun u mblodhën në Sallën e Mbledhies në Shtëpi të z. Kaso bej Fugës, e pasi u ba një lutje prej të përnderëshmit Sheh Ibrahim Karbunarës, zotni Ferid Vokopola, n’emën të Komisionit inisjator të Lushnjes mbajti një ligjeratë për mirsëardhjen e Delegatve. Shkëqesia e tij z. Aqif Pashë Elbasani iu përgjigj kësaj ligjërate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësaj ceremonie, Komisjoni i përmëndur u hoq e, Mbledhja fillojë nga punët”.4)
Mbledhja i hapi punimet për herë të II-të në datën 28 Janar 1920, pasi kishin mbërritur shumica e Delegatëve dhe në proçesverbal shkruhet ndër të tjera: “Për nderimin e të ndjerit Abdyl Bej Ypit, që u asasinua mbi qëllim të ndalimit të Mbledhjes Kombiare, u vendos që t’i pushojë Kuvëndi punët në këtë ditë e, t’i shkruhet familjes së ndjerit një letër ngushëllimi nga ana e Mbledhjes”.5)
Në datën 28 janar 1920, Mbledhja Kombëtare e Lushnjes i dërgoi në Durrës një letër ngushëllimi Familjes së të ndjerit inisiatorit Abdyl bej Ypi.
Në këtë Letër të firmosur nga Kryetari i Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes, z. Aqif Pashë Elbasani, ndër të tjera shkruhej se: “Mbledhia Kombiare, për nderin e të ndjerit inisiator, vendosi pushimin e bisedimevet të ditës sotshëme tue ndehun për mbi tryezën e Kryesisë nji napë Zije dhe n’emën t’atdheut m’u tregu ngushëllimet ma të lotushme z. Suaj qi jeni shejat e vlefshëme t’ati patrioti të ndjerë, po i paharruem midis shqiptarvet”.6)
Në datën 31 Janar 1920, Mbledhja Kombëtare zhvilloi mbledhjen e saj të V-të dhe të fundit.
Mbledhja e V-të u zhvillua në dy seanca në orë të ndryshme ku njëra në orën 9 para dreke dhe tjetra në orën 3 pas dreke.
Në seancën e orës 3 të mbledhjes së V-të do të zgjidhej Senati (Parlamenti i I-rë Shqiptar) dhe në procesverbalin e kësaj mbledhje ndër të tjera shkruhet se: “Çelja e V-të mbasdreke 31.1.920…. Mbas këti vendimi z. Xhafer Ypi Deputet i Durrësit propozon që, meqënëse Lushnja mori inisjativën për këtë Kongres, t’i jepet për nderim e drejta m’u përfaqësue veçanërisht në Senat. Deputeti i Lushnjes, i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falenderit mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shpagim, por e qujti për detyrë, atëherë z. Eshref Frashëri, Deputet i Korçës propozon t’i shkruhet popullit Lushnjes një falenderim prej anës së Mbledhies Kombëtare, që të mbetet për kujtim në arqiv të Katundaries së Lushnjes pranohet me trokitje durësh”.7)
Komisioni Posaçëm Inisiator me thirrjen dhe organizmin e Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes (Kongresi i Lushnjes) kreu një akt atdhetar e patriotik për mbrojtjen e Pavarësisë dhe territorin e Shqipërisë.
Referencat
1.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939), Dosja I-I-48.
2.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912), Dosja 38-1-82.
3.“Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, Universiteti Shtetëror i Tiranës,I nstituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit, Tiranë 1970.
4.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939), Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”.
5.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939), Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”.
6.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912), Dosja 38-2-83.
7.DPA (Katalogu Online), AQSH, Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939), Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”.
*Kevin Haxhiu – I diplomuar në Master i Shkencave, në “E drejtë Publike” dhe Asist. Avokat. Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes, Patriotit Bajram Haxhiu.