back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Komunisti i Fshatit – nga Vehbi Skënderi – Shkrime nga koha e diktaturës

Gazeta

Kooperativistët duke çelur terraca
Kooperativistët duke çelur terraca

Komunisti i Fshatit

nga Vehbi Skënderi

Shkrime nga koha e diktaturës

Ne kishim bërë rrugë të gjate, na kishte tronditur maqina, kishim kaluar një vigtë ngushtë dhe kështu kishim krijuar në mendjen tonë një portret të veçantë. Kishim menduar se njeriu që do të takojmë duhet të ketë shpatulla të gjera, shtat të gjatë si div dhe ndonjë zë të trashë prej basi. Ndaj mbetëm pak të stepur kur takuam Bajram Lleshin, me atë shtatin e tij të hollë, ndën mesataren, me dhe me atë çap të lehtë, si të ndonjë bariu dhishë. Mbetëm pak të stepur…
-E ç’mund të dalë nga ky njeri i pakët, që duket gjithmonë i nxituar, sikur e presin ndokund? E ç’mund të dalë nga ky njeri, që mezi vihet re midis kalimtarëve? Dhe të vjen të mos besosh kur mendon se dikur kraharori i tij i ngushtë nuk mjaftonte për të vendosur të 26 “S”-të, shenjat e titujve “Sulmues”, që kishte, marrë nëpër aksionet e rinisë. Dhe të vjen të çuditesh, se si nuk plasi ky kraharor i vogël nga ajo dhembje e madhe, kur iu vra në një nga aksionet e rinisë, Fetah Bllaha, shoku i tij më i dashur i fëmijrisë.
Oh, sa e ka dashur ay atë shok!
Kishim bërë rrugë të gjatë, kishim kaluar nëpër baltë e nëpër llucë, nëpër ditët e mvrejtura të shkurtit, duke menduar të shkruajmë një portret për komunistin më të mirë të Cerenecit, Gjoricës së Poshtme dhe Gjoricës së Epërme. Dhe ja tek e kemi atë përpara syve, ndonëse na vjen të mos u besojmë syve.
Komunisti më i mirë i fshatit? Jo, i tre copë fshatrave! “Ka luftuar, ka treguar heroizëm, ka marrë plagë?” Jo nuk ka luftuar dhe nuk ka marrë plagë. Ka lindur nja tridhjetë vjet më parë në një kasolle buzë Drinit, dhe më tepër m’i kanë nanuritur këngë djepi valët e Drinit, se sa nëna e tij. Është rritur po ndër këto brigje. Nga sa na kujtohet, në gushtin e vitit 1943, çeta jonë kaloi përpara një kasolleje buzës së lumit në Gjoricën e Poshtme. Dikush nga ne kërkoi ujë. Një çunak këmbëzbathur me fytyrë të verdhë malarike, me këmishë të grisur dhe me pantallona çadre të arnuara, na solli duke vrapuar një shtambë me ujë. Ne e pimë të gjithë shtamën. I thamë fjalë të mira, i lëmuam flokët, i buzqeshëm dhembshurisht… Veç nuk na shkoi ndërmend se ky do të bëhej komunisti më i mirë i tre copë fshatrave.
Bajrami ka trup të pakët. Ndofta, po ta kishte njeri tjetër shtatin e tij, mund të kërkonte të hynte roje gjëkundi, magazinier, bari, ose ndonjë privilegj tjetër. Kurse ky kërkon si privilegj punën më të rëndë.
Ka njeri që fyhet kur i murtehet sadopak jaka e këmishës nga djersa, kur nuk e ftojnë në ndonjë gosti, kur nuk e zgjedhin në presidiumin e ndonjë mbledhjeje, kur e kritikojnë ose kur e caktojnë në ndonjë punë të rëndë. Ka disa njerëz, që punën e rëndë e quajnë si përçmim.

Vehbi Skenderi - Komunisti i Fshatit
Vehbi Skenderi – Komunisti i Fshatit

Përkundrazi, ay fyhet kur e caktojnë në ndonjë punë të lehtë. I vjen turp të zerë ndonjë rrëzë ndënë strehë ose ndënë hije.
Dhe kur disa nga kooperativistët nuk kishin qejf të punonin këtë dimër në kanalin Cerenec-Tuçep, ai shkoi pa ngurim, ndonëse nga shtëpia e tij e re, deri në vendin e punës, duhej të bënte 2 orë rrugë çdo ditë. Dhe me gjithë ngricat e kushtet e vështira (shpesh herë duhesh të punonin nëpër ujë) gjatë dyzet ditëve që vazhduan punimet, ay nuk bëri asnjë mungesë.
E ku nuk e gjen Bajram Lleshin?
Herë duke bërë qilizmë dhe duke çelur terraca në pllajën plot dushqere, që shtrihet nga Gjorica e Epërme deri në Çerenec. Herë në Gjoricën e Poshtme, zbathur deri në gju në lerë, duke çelur vijat kulluese atje tek rrezikohen arat e kooperativës nga përmbytjet. Herë duke prashitur e duke mbathur misrat dhe herë duke mbjellë ose duke korrur. Gjithkund!
Nëpër punët më të rënda, nëpër frontet më të vështirë. Dhe ndonëse flet mjaft shpejt (kështu e ka të folurit) Ay nuk ka gjetur kohë të ankohet. Ay nuk ka gjetur kohë të kërkojë ndonjë lehtësi. Ay e di mirë, se nuk mund të jeshë komunist, kur fillon të vjelësh lehtësira. Dhe ndaj nuk ia ka kthyer kurrizin frontit. As nuk ka pritur ndënë hije, si ndonjë që nuk lodhet duke pritur muaj e vite të tërë, në ndonjë rast të jashtzakonshëm për të treguar trimërinë dhe besnikërinë ndaj idealeve të tij. Ay e sheh mirë se komunisti i fshatit duket atje në postatin e qilizmës kur i sjell kazmës: atje në parcelën e misrave, kur mbath misrin, si e mbush bimën: atje në gropat e plehut, si e mbush teneqenë apo kofinin me pleh, dhe atje ku mbjell fidanat e hardhive dhe të pemishteve të mollëve… I dhimbsen fidanet e sheltoret e kooperativës, si sytë e ballit.
Shqetësohet kur nuk ushqehen mirë pendet e qeve dhe të kuajve, ashtu si shqetësohesh dikur për qetë e tij? E mbron të drejtën me fjalë të bukura apo me djersë. Bajram Lleshi ka një bindje të thellë që nuk i shkulet nga zemra dhe shpesh herë mendon me vete: “Nuk mund të jeshë komunist i mirë po të mos djersish atje ku është sektori më i vështirë. Po të mos futesh pa u ndrojtur, kur e do puna, gjer në brez në lerë, po të mos e duash me gjithë shpirt drejtësinë dhe po të mos trembesh pa ngurruar pushkën, kur të thërret detyra.
Dhe sa herë jepet alarmi, n’atë fshat kufitar, mbas mesnate vonë ose më të zbardhëllyer të mëngjezit, në shi apo në dëborë, midis kooperativistëve dhe kufitarëve, ju do të vëreni edhe nji njeri me shtat të pakët me një pushkë të madhe varur në sup: Është Bajram Lleshi! Pasi ka derdhur gjithkund djersën, pa u kursyer, ay ishte gati të derdhë edhe gjakun.

Fotoja – Kooperativistët duke çelur terraca për mbjelljen e jonxhës dhe të pemishtes së mollëve. Në plan të parë komunisti Bajram Lleshi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.