back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Konferenca Ndërkombëtare: “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”

Gazeta

Thirrje për Konferencë 17 maj 2019
Thirrje për Konferencë 17 maj 2019

Konferenca Ndërkombëtare “Fytyra e ‘Armikut të Popullit’

gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”

Teoritë e ndryshme mbi totalitarizmin e përkufizojnë atë si një regjim politik antidemokratik, pa parlamentarizëm, me një parti – të vetme, në të cilin “individi dhe shoqëria i përkisnin shtetit, i konsideruar jo vetëm si një entitet moral e shpirtëror i aftë që të përfaqësonte kombin, por edhe që të asimilonte totalisht degëzimet e ndryshme të shoqërisë civile”. E thënë më qartë, veçoria më e rëndësishme e regjimeve totalitare është kontrolli i plotë dhe i detajuar i të gjithë ideve, besimeve dhe shprehjeve. Regjimet totalitare kërkojnë, pra të krijojnë një shtet të uniformizuar dhe të sigurojnë nga shoqëria bindjen e verbër kundrejt pushtetit.
Arritja e uniformitetit të skajshëm është tejet sfiduese për sa kohë që shoqëria njerëzore përmbledh njerëz me individualitete, pikëpamje, bindje dhe besime të ndryshme. Regjimit totalitar i duhet të sigurojë bindjen e shumicës dhe të frikësojë apo/dhe eliminojë me mjete e forma të ndryshme atë pakicë të padëshirueshme, e cila mund të bëhet pengesë për lidershipin. Në këtë proces, dhuna e ushtruar nëpërmjet institucioneve të posaçme (shërbimi i fshehtë, burgjet, internimet, puna e detyruar) dhe propaganda e imponuar, sa nga mediet e kontrolluara nga shteti, aq edhe nga organizatat e masave, janë dy shtyllat kyçe të cilat sigurojnë jetëgjatësinë e një regjimi diktatorial. Në një farë mënyre, regjimi ka nevojë për figurën e “armikut të popullit”, i cili herë vizatohet si individi që rrezikon mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë e herë si “tradhtari” që luan me pavarësinë e sovranitetin e shtetit.
Regjimi i vendosur në Shqipëri e filloi jetën që në gjenezë si një regjim totalitar, i bazuar në modelin e shtetit sovjetik të drejtuar nga Stalini, qeverisja e re e PKSH u bazua në të njëjtat metoda dhe metodologji. Të gjithë ata që kanë jetuar gjatë viteve të “diktaturës së proletariatit” në Shqipëri janë ushqyer ditë pas dite me konceptin e “Armikut të popullit”. Regjimi nuk e fshihte që “diktatura e proletariatit” ishte në thelb “dhunë e shumicës ndaj një pakice të privilegjuar”. Ky slogan përligjte jo vetëm dhunën e ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë realë apo imagjinarë, por edhe krijonte kohezionin e nevojshëm publik, i cili do t’i shërbente jetësimit të pushtetit të drejtuesve të PKSH/PPSH.
Qëllimi i kësaj konference është të sjellë në vëmendje dhe të hapë një debat shumëdisiplinor shkencor e publik mbi mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politikë realë, apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë; tipologjinë e “armiqve të popullit”.
.

Autoriteti për informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me

Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike,
Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
ju ftojnë të paraqisni propozimet për prezantime për konferencën “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri (1944-1990)”, e cila do të mbahet më 17 maj 2019 në Tiranë.
.

Konferenca do të përqëndrohet nё këto tematika kryesore:

1.Diskutim teorik mbi konceptet disidencë, disident, kundërshtar politik.
2.Kontribute mbi debatin: A ka pasur disidencë në Shqipëri?
3.Ngjashmëri dhe dallime në vizatimin e “armikut të popullit” midis Shqipërisë dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës Lindore e Qendrore.
4.Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj tyre (“kriminelët e luftës”, kleri, intelektualët e shkolluar në Perëndim, tregtarët dhe pronarët, kulakët, “armiku i popullit” brenda radhëve të Frontit Demokratik dhe PKSH/PPSH).
5.Evolucioni i konceptit “armik i popullit” gjatë viteve të diktaturës së proletariatit.
6.Lufta e klasave dhe ndryshimet në konceptimin e saj përgjatë regjimit.
7.Sigurimi i Shtetit si instrument përndjekjeje.
8.Profile të ndryshme të “armikut të popullit”.
Abstraktet duhet të përmbajnë 250-300 fjalë dhe të paraqiten jo më vonë se data 28 shkurt 2019 në adresën: info@autoritetidosjeve.gov.al
Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 10 mars 2019.
.

Komiteti Organizativ:

Akademik Beqir Meta (ASA)
Dr. Marenglen Kasmi (AIDSSH)
Dr. Ardiana Topi (AIDSSH)
Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi (ASA)
Dr. Çelo Hoxha (ISKPK)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.