back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kongresi Arsimor i Lushnjes (15-29 gusht 1920) nga Engjëll Zerdelia

Gazeta

Studiuesi Engjell Zerdelia
Studiuesi Engjell Zerdelia

Kongresi Arsimor i Lushnjes

nga Engjëll Zerdelia

(95-vjetori – 15-29 gusht 1920)

Dy ngjarje me shumë rëndësi do të mbesin në Panteonin e kombit shqiptar: Kongresi Kombëtar dhe Kongresi Arsimor i Lushnjës.
Kongresi Kombëtar i Lushnjës, që zhvilloi punimet në 21-31 janar të vitit 1920, dhe nga ku doli qeveria kombëtare me kryeministër z. Sulejman Delvina, si ministër të arsimit caktoi z. Sotir Peci, diplomat, politikan, publicist, pedagog, tekstolog, i cili ishte diplomuar për matematikë dhe fizikë në Athinë. Emigroi në SHBA, më 1905 dhe qe një ndër figurat e shquara të emigracionit shqiptar. Më 1906 botoi të parën gazetë në gjuhën shqipe “Kombi” në Boston të SHBA. Formoi bashkë me shokë, por duke i udhëhequr ata, shoqëritë “Besa-Besë” dhe “Lidhja” po në Amerikë. Zotëria në fjalë mori pjesë në “Kongresin e Manastirit”, “Normalen e Elbasanit”, “Komisinë letrare të Shkodrës” dhe ka meritën e veçantë në hartimin e teksteve shkollore me kulturë të gjerë pedagogjike, didaktike e sidomos metodike me librat “Viti premtar i gramatikës” (Kl. III dhe IV fillore), “Shkencat natyrore”, programet e planet mësimore të shkollave shqipe të tjera.
Sotir Peci, personalitet i gjithanshëm mënjanoi praktikën e huaj, të ngushtë të krahinave në arsim dhe në shkollë dhe zotëroi organizimin kombëtar dhe të njesuar (apo unifikuar) të arsimit si një nga problemet themelore të qeverisë së Lushnjës (janar 1920). Çelja e Kongresit z. Sotir Peci, më 26 korrik 1920, i shkruante Këshillit të Ministrave: “Duke pasur nevojë që të njesojmë programet e metodën për të gjitha shkollat e Shqipërisë, të cilat kanë vepruar deri më sot të ndara (sipas ish-zonave të pushtimit), kemi menduar të formojnë një komision teknik, në të cilin do të marrin pjesë fuqitë më të mira arsimore prej të gjitha viseve. Ky komision të mblidhet në Lushnjë, si vend historik…”.

Delegatet e Kongresit Arsimor te Lushnjes ulur: I.D.Sheperi, Dh.Mborja, A.Xhuvani, A.Kondili, N.Paluca, G.Mikeli, lart: Th.Papapano, M.Bellkameni, P.Pogoni, J.Fekeci, I.Anamali, K.Margjini, A.Gashi
Delegatet e Kongresit Arsimor te Lushnjes
ulur: I.D.Sheperi, Dh.Mborja, A.Xhuvani, A.Kondili, N.Paluca, G.Mikeli,
lart: Th.Papapano, M.Bellkameni, P.Pogoni, J.Fekeci, I.Anamali, K.Margjini, A.Gashi

Qeveria dhe Ministria e Arsimit ngarkoi zotërinjtë: Hiqmet Delvina nënprefekt i vendit dhe Besim Nuri, kryetar i bashkisë së qytetit të Lushnjës që të organizonin mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit në bazë të përvojës së shtatë muajve më parë, për korrjen e suksesit tjetër historik. Komisioni i Kongresit mblodhi kryepleqtë e nënprefekturës, mësuesit e zgjedhur të saj, por më të lehtësuar se Kongresi politik, për vazhdimësinë e punës. Qyteti i Lushnjës gumëzhinte i tërë si një koshere bletësh. Kudo të shihte syri fytyra të qeshura, të lumtura, të ngazëllyera. Të gjithë të gëzuar këndonin, loznin e hidhnin valle, jo vetëm me kostume popullore lushnjare, por edhe kombëtare se e tillë ishte dhe përbërja e kongresistëve. Në Lushnjë po shkëlqente një dritë tjetër e re dhe po lindtte një tjetër diell. Shqiptarët do të lidhnin besën për arsimin, në të njëjtin flamur për të bërë detyrën e zhvillimit dhe përparimit kombëtar. Sepse nuk është rastësi, por mënçuri e hollë kombëtare e kultivuar me kujdes të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë, se në Lushnjë u arrit bashkimi i forcave patriotike e politike për forcimin e shtetit shqiptar. Po këtu duhet të bashkoheshin profilet më të mira arsimore të vendit me të njëjtin flamur për krijimin e shkollës kombëtare të njesuar në mbarë vendin. Harta gjeografike e hapësirës së delegatëve shtrihet në origjinën e tyre dhe në vendet ku ata kanë punuar: Mitrovicë, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkodër, Peshkopi, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier dhe Lushnjë etj…
Përfaqësuesit u mirëpritën dhe u përshendetën nga populli lushnjar: civilë, ushtarakë dhe mësues sipas një tradite të vendosur në të dyja anët e nënprefekturës me ato pak vegla muzikore, me nxënësit e shkollës plotore e asaj femërore me buqeta lulesh, me flamuj letre ndër duar. Duhet sqaruar në mënyrë shkencore dhe t’i japim përgjigjen e saktë pyetjes, se cilët ishin mësuesit që punonin në Lushnje në atë kohë? Sipas fondit në AQSH, Inspektoria e Beratit, lexojmë se në vitet e para të shek. XX, Lushnja kishte në vitin 1920, 13 shkolla fillore dhe një plotore me 37 mësues. Në rrethin e Lushnjës mësuesit e periudhës 1910-1920, ishin: Jani Minga, Ikonom Dhima, Sokrat Koka, Anastas Ikonomi, Roza Kakarriqi, Murat Delvina, Zydi Vrioni, Qazim Përmeti, Spiro Saqellari, Llukë Karafili, Kostandin Ziu, Llazi Bozo, Irakli Pylli, Jorgaq e Marigo Semini, Mihal Bellkameni, Naun Prifti, Rrap Mërtiri, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Jorgji Toli, Mehmet Konica, Abedin Nuredini, Beshir Islami, Abdyl Musai, Theodor e Aleko Rista, Ahmet Shehu, Murat Kadriu, Xhemal Bushi, Tod Kadillari, Niko Progri, Rexhep Peza, Llambër Deda, Lili Bandilli, Jovan Ndreka, Petro Muzaka, Mustafa Deda, Izet Libohova, Thimi Koçi, Sybi Hasani, Tefik Zoto, Emin Matraxhiu, pak kohe dhe Xhevat Korça , sepse ikën në Austri për studime… Izet Libohova- drejtor, Murat Delvina, Roza Kakarriqi, Anastas Ikonomi, Jovan Ndreka, Llambër Deda, Lili Bandilli, Petro Muzaka, Met Shehu, Aleks Rista, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Mustafa Deda, disa mësues lushnjarë të viteve 20-të, në Kongresin Arsimor të Lushnjës. Zoti Hiqmet Delvina (nënprefekt) mori fjalën duke falenderuar Ministrinë e Arsimit për njoftimin e bukur që kishte pasur për të nderuar qytetin e Lushnjës duke mbajtur një kongres me kaq rëndësi në atë vend, e duke i uruar mbledhjes veprime të mbara e të mira, me shpresë se prej tij, kishin për të dalë fryte dhe dobi të mëdha për arsimimin dhe qytetërimin e popullit shqiptar, i cili deri më sot kishte mbetur tepër prapa për nga ana e kulturës dhe e përparimit. Zoti Besim Nuri, kryetari i bashkisë Lushnjë me fjalë pak, por të bukura, foli përmbi rëndësinë e këtij Kongresi, i cili me shpresë në perëndinë do të japi më të mirat fruta, për lulëzimin e kombit tonë. Ministria e Arsimit duke dashur që t’u jepte të gjitha shkollave të Shqipërisë një themel e organizëm të shëndoshë, vendosi të thërriste në Lushnjë një Kongres pedagogjik, të cilit i qe vënë për detyrë, për të zhvilluar e zbatuar këtë program që si më poshtë duhet ndjekur:

Mësues lushnjarë  - vitet '20, në Kongresin Arsimor të Lushnjës Izet Libohova- drejtor, Murat Delvina, Roza Kakarriqi, Anastas Ikonomi, Jovan Ndreka, Llambër Deda, Lili Bandilli, Petro Muzaka, Met Shehu, Aleks Rista, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Mustafa Deda,
Mësues lushnjarë – vitet ’20, në Kongresin Arsimor të Lushnjës
Izet Libohova-drejtor, Murat Delvina, Roza Kakarriqi, Anastas Ikonomi, Jovan Ndreka, Llambër Deda
Lili Bandilli, Petro Muzaka, Met Shehu, Aleks Rista, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Mustafa Deda

1.Hartimi i programit sintetik për shkollat fillore qytetase
2.Zhvillimi i programit analitik të ndarë javë për javë në shkollat fillore 4 e 5 klasëshe të qytetit e për shkollat fillore 3-klasëshe të katundit.
3.Vendimi mbi botimin e teksteve shkollore si: librave të këndimit, gramatikave e numratorëve etj.
4.Caktimi i një gjuhe të përbashkët, pas së cilës do të shkruheshin që tani, të gjithë librat shkollorë.
5.Bisedim dhe kuvendim për një të përkohshme pedagogjike.
6.Caktimi i regjistrave të përditshëm e të përjavshëm, i amzave, orareve, dëshmive shkollore dhe i të tjera librave zyrtarë, që do të mbajë drejtoria e secilës shkollë.
7.Dëshirë e pavarësisë dhe e Kongresit, çka i përket sidomos çështjes së përmirësimit të organizimit të shkollave.
8.Si gjuhë letrare, sipas së cilës do të shkruheshin librat shkollore, u mor për themel Dialekti i Elbasanit me disa përmirësime e duke ruajtur disa ndryshime tipike, që u përkasin formave etimologjike të fjalëve të njohura më mirë në dialektin Tosk e disa në dialektin Geg.
9.U vendos që libri i parë i këndimit të jetë i shkruar thjesht gegënisht ose thjesht toskërisht, libri i dytë të jetë i përzjerë me copa leximi me dialekt gegnisht-toskërisht, librat e këndimit për klasat e tjera të hartoheshin vetëm në gjuhe letrare duke marrë për themel Dialektin e Elbasanit…
Pas përshendetjes së parisë së vendit, një grup nxënësish të shkollave të qytetit djem e vajza dhanë një koncert për t’u uruar delegatëve mirëseardhjen.
U këndua dhe Hymni i Kongresit. Kongresi filloi punimet, më 15.08.1920, ora 900 . Të ftuar kishte edhe disa mësues lushnjarë, midis të cilëve: Ikonom Kozma Dhima, Elmaz Boçe, Anastas Laska, Naun Prifti (Doko), Theodhor dhe Aleks Rista, Roza Kakarriqi si dhe organizatorët JaniMinga dhe Tefik Zoto etj. Kongresi shquhet nga përbërja e kongresistëve: tërësisht profesionistë, specialistë e pedagogë të mirëfillte, njohës të arsimit, autorë tekstesh të shkruara shqip dhe në gjuhë të huaja. Ata studiuan në shkollat e larta, institute apo fakultete në vendet më të përparuara të Europës. Jozef Fekecs(Zef Fekeci), Zarë-Austri. Publicist, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, bashkëpunëtor apo afrues me albanologët e shquar evropianë si: N. Jokli, M. Lambertz, R. Nachtigal, Mikloshik, Meyer, etj. Përkthyes i gjuhëve gjermanike dhe ndihmës i përvojës së pasur evropiane. Inspektor i shkollave në Tiranë, mësues i latinishtes dhe italishtes. Njohës i mirë i gjuhës shqipe, koordinator me albanologët e Europës, përkthyes i shkëlqyer. Kol Margjini, Prizren, babai vjen në Shkodër si qendër vilajeti. Profesor Kol Margjini, mësues i përkushtuar, drejtues e organizator i shquar i arsimit, përkthyes e studiues prodhimtar në fushën e pedagogjisë, autor tekstesh shkollore dhe didakt i njohur, udhëheqës politik për bashkimin kombëtar të kombit. Kryen Institutin e Gjuhëve Orientale (Katedra e gjuhës shqipe) në Vjenë të Austrisë. Tekste te botuara: Aritmetika për klasën e IV, për klasën V, Matematika për klasën e parë gjimnaz, fillime të para të gjeometrisë e të tjera. Aleko Kondili, Korçë, më i moshuari i Kongresit, urtësia dhe mençuria e tij. Të mesmen Zosimea, Janinë-Greqi, të lartën Grac të Austrisë. Profesori i Histori-Gjeografisë që ligjëronte si bilbil për Shqipërinë dhe botën, njohës i mirë i muzikës dhe serenatës korçare, hartues i programeve dhe planeve mësimore. Ulur: Ilia D.Sheperi, Dhimiter Mborja, Aleksander Xhuvani, A. Kondili, Ndue Paluca, G. Mikeli, Lart: Thoma Papapano, M. Bellkameni, P. Pogoni, Jozef Fekeci, I. Anamali, Kol Margjini, Ahmet Gashi, Dhimitër Mborja, Korçë, profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes në Liceun e Korçës. Piktor i talentuar, studiues dhe përkthyes i pasionuar i frëngjishtes në gjuhën shqipe, metodist dhe hartues i planeve dhe programeve mësimore. Ndue Paluca, Shkodër, studioi në Vjenë të Austrisë për pedagogji dhe shkencat e natyrës. Atdhetar, pedagog, publicist, gjeograf, matematicien dhe tekstolog i zoti. Hartues i abetares në Shqipëri dhe Amerikë, shkrues i parathënies së fjalorit shqip-gjermanisht së bashku me prof. Karl Gurakuqin dhe përkthyes i shkëlqyer. Drejtori i shkollës Normale të Shkodrës. Autor dhe bashkautor tekstesh: “Abetar”, “Arithmetika për shkollat fillore”, “Shkollë dhe jetë”, “Antologjia për shkollat e mesme”… Gaspër Mikeli Shkodër, atdhetar, metodist, pedagog, tekstolog, publicist, përkthyes, autor dhe bashkautor i disa teksteve shkollore e historike, udhëheqës i revistës “Shkolla e Re” dhe gazetës “Mësuesi”, personalitet i kulturës shqiptare. Kreu Normalen e Klagenfurtit (Austri). Inspektor i arsimit Shkodër. Autor i teksteve “Gramatika e gjuhës shqipe”, “Njoftime historike mbi Shqypninë”, “Përmbledhje e jetës së Skënderbeut” e të tjera. Mihal Vangjel Bellkameni, Pogradec, student i liceut të Manastirit, një ndër atdhetarët e fundit të Rilindjes dhe fillimit të Pavarësisë. Falë trimërisë, karakterit të papërkulur dhe energjive intelektuale e fizike, dha një ndihmesë të dukshme me pushkë e me penë për çlirimin kombëtar, lulëzimin dhe përparimin e atdheut. Mësues, drejtor, inspektor shkolle e publiçist, autor librash dhe këngësh, marshesh, titullar institucionesh administrative, ai ka një jetë të lakmueshme prej intelektuali atdhetar, drejtor i shkollës së Ardenicës, Lushnjë. Emigroi në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali e të tjerë. Drejtor i parë shqiptar i Liceut të Korçës. Udhëheqës i talentuar i ekipit gjimnastikor në Pogradec dhe Korçë. Ismail Anamali, studioi në vendlindje, të lartën në Stamboll, shquhet si mësues gjeografie. Inspektor arsimi në Shkodër. Mësues, drejtues shkollash, inspektor arsimi, pjesëmarrës në veprimtaritë arsimore kombëtare, autor tekstesh shkollore, një ndër mendimtarët kryesore të tre kongreseve, brenda 5 vjetësh. Hartues i teksteve të gjeografisë, të historisë dhe sidomos të hartografisë. Shkolla ku u mbajt Kongresi Arsimor i Lushnjes Aleksandër Xhuvani Elbasan, personalitet i kulturës shqiptare, atdhetar i shquar, publiçist me emër, pedagog i vjetër, enciklopedi e vërtetë, përparimtar i periudhës së Pavarësisë, gjuhëtar i rrallë e i zellshëm, tekstolog i zoti. Studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, universiteti i Athinës (1902-1906), drejtor i Normales se Elbasanit. Tekstet e botuara “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” 1925. Për shkollat e mesme “Sintaksa shqip” 1936. “Fjalori i gjuhës shqipe” 1956. “Parashtesat”, “Prapashtesat”. Gjuhëtar, metodist i shquar i shkollës shqipe. Kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjes. Ahmet Gashi u lind në Prishtinë. Personalitet i kulturës shqiptare e evropiane, veprimtar i lëvizjes kombëtare e i arsimit, tekstolog, gjeograf dhe historian i zoti, muzikant virtuoz, veteran i shahut shqiptar, pedagog dhe drejtues i shquar i shkollës shqiptare, ndër hartografët e parë, anëtar nderi i Shoqatës së Gjeografëve Amerikanë 1936, kryetar i bandës “Afërdita” të Elbasanit, Mësues i Popullit. Shkollimi në vendlindje, Shkup e Stamboll. Gjeograf i shquar, nëndrejtor dhe drejtor për shumë vite i Normales në Elbasan. Mori pjesë në tre kongreset arsimore. Tekstet mësimore “Gjeografia e përgjithshme” 1935, “Gjeografia e Europës”, “Harta e Shqipërisë”, “Azia, Amerika, Australia, Oqeania dhe vendet Polare” e të tjerë. Ilia Dilo (Sheperi), Gjirokastër. Personalitet i spikatur i arsimit kombëtar; gjuhëtar, edukator, filiolog e gojëtar, autor tekstesh shkollore, pedagog, përkthyes, erudit, botues i librit “Gramatika dhe sintaksa e gjuhës shqipe”, në Vlorë 1927 që konsiderohet libri i shenjtë, i të gjitha kohërave, përshtatës i shkëlqyer i librave didaktikë të Rilindësve tanë, Mësues i Popullit, inspektor dhe drejtor i arsimit në Gjirokastër. Mësimet i filloi dhe mbaroi në Janinë me vlerësimin “Shkëlqyeshëm”. Mësues në Bënjë, ballkon i qytetit të Përmetit, bashkëpunoi me vëllezërit Frashëri, Çajupin, shkollën e mesme në Zosimea-Janinë. Thoma Papapano, figurë e shquar e arsimit kombëtar, Mësues i Popullit, autor i Abetares në gjuhën shqipe, përshtatës i shkëlqyer i librave didaktikë të Rilindësave tanë, mjeshtër i bukurshkrimit, drejtor dhe inspektor i arsimit në Gjirokastër, zëvëndës ministër i arsimit shqiptar, ambasador nëpër Evropë në mbrojtje të çështjes kombëtare, metodist dhe hartues i programeve dhe planeve mësimore. Pertef Pogoni, profesor i shkollës unike në Gjirokastër. Shkollën e lartë në Francë. Figurë e shquar e arsimit kombëtar, njohës i disa gjuhëve të huja e bënte përkthyes të talentuar, pedagog, drejtor, inspektor të shkollave dhe Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Prodhimtar i metodave dhe tekseve mësimore . Kryetar i Kongresit në mbledhjen e parë të orës 9:00 paradite me shumicë votash u zgjodh Zef Fekeci. U lajmërua me telefon Këshilli i Lartë i Qeverisë dhe Ministria e Arsimit. Mbas dy ditësh e në vazhdim me mirëkuptim e dashamirësi admiruese kryetar u zgjodh z. Aleksandër Xhuvani me një përvoje pune mbi 10 vjet drejtor i Normales në Elbasan. Duhet nënvizuar se Kongresi i zhvilloi punimet në Lushnje 15-25 gusht 1920 dhe 25-29 gusht 1920 në Elbasan. Në kongres përfshihen këto çështje: Mbarëvajtjen e arsimit, unifikimin e shkollës, u vendos sistemi i ri arsimor i barabartë për shkollat e Shqipërisë, qofshin shtetërore apo private. Përzgjedhja e përgatitur e kuadrit mësimor. Programet, planet e tekstet të ishin të njëjte, të përgatitur e hartuar nga Ministria e Arsimit Shqiptar. Çdo trajtim privat mbi këto probleme do të miratohej nga instancat kompetente të qeverisë. Kongresistët paraqitën projekt-modelet e para të programeve sintetike për shkollat, të programeve analitike të ndara në javë për mësimet e shkollës fillore katër-pesë klasëshe të qytetit e tre klasëshe të fshatit . Kongresi shqyrton përgatitjen e librave shkollorë, klasifikimin e kualifikimin e arsimtarëve si rezultat i shkollave e niveleve të ndryshme, të kurseve të kryera. Zhdukjen e analfabetizmit gradualisht, u vendos për përdorimin edhe të mësuesve shtetitës( apo endës ) në fshatra të thella , ku mungonte shkolla. Kongresi u mor edhe me hapjen e internateve (konvikteve) vatra edukimi me frymën e përbashkët të vëllazërimit, kriter klasik edhe i shkollës evropiane, në Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat e të tjera. U shkruan modelet e orareve, dëshmive shkollore, amzave, regjistrave të përditshëm e përjavshëm dhe përvitshëm. U vendos që prej klasës së III fillore e përpjetë të mësohej edhe një gjuhë e dytë që të caktohej nga MASH, e të tjera.

Shkolla ku u mbajt Kongresi Arsimor i Lushnjes (1920)
Shkolla ku u mbajt Kongresi Arsimor i Lushnjes (1920)

Si të kremte fetare e kombëtare në marrëveshje me të parët e besimit u vendos të mbahej mbyllur shkolla, për katoliket: Dita e parë e vitit, 6 janari, Krishtlindjet 24-27 dhjetor e të tjera.
Për myslimanet: Kurban Bajramin 5 ditë, Ramazan-Bajramin 3 ditë, Sulltan Nevruzi 1 dite e të tjera;
për ortodoksit (sipas kalendarit julian). Dita e parë e vitit, 6 janari, 6 maj i Shën Gjergjit, Krishtlindjet e të tjera.
Si e kremte Kombëtare 28 Nëntori e 7 Marsi.
Gjithçka që u punua në Kongresin Arsimor të Lushnjes u përshëndet nga i gjithë populli shqiptar, përfshirë edhe diasporën këtë e vërteton shtypi i kohës. Parashqevi Qiriazi boton shqip, frëngjisht e anglisht revistën politike “Yll’i mëngjesit” që trajton probleme të arsimit kombëtar, në 1920 dolën organe që trajtojnë probleme pedagogjike si “Studenti” me qendër në Amerikë, 1920 -1929 “Djalëria” studentët shqiptarë në Vjenë në Tiranë “Zani i ri” 1921, “Shkolla e re” Shkodër me drejtor G. Mikelin, “Kumtari arsimuer”, “Përlindja Arsimtare”, “Afrimi”, “Revista Pedagogjike” më vonë “Mësuesi” duke mos përjashtuar edhe shtypin shqiptare të kohës.
U botua rregullorja “Mbi detyrat dhe të drejtat e arsimtareve” Ligjet “Mbi organizimin qendror të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi ndjekjen e detyrueshme të shkollës”, ” Mbi bursat” e të tjera. Kongresi i Parë i Arsimit të Lushnjes vazhdoi punën e vyer të mësuesve të shquar të Rilindjes, Pavarësisë dhe solli shërbime dhe dha udhëzime me vlerë të madhe në zhvillim e mendimit pedagogjik . E pra, ky Kongres zë një vend të rëndësishëm në historinë e lulëzimit, përparimit dhe zhvillimit të arsimit tonë, prandaj për shumë arsye është një përvjetor madhor e i plotë për vlerën dokumentare dhe sidomos pamjeve vizive dhe ndjeshmërie njerëzore për këta personalitete, duhet të ndihmojmë që të vendosen në piedestalin e merituar të kombit shqiptar

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.