back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Kongresi gjuhësor i Kostandinopojës” 1879 – Kongresi i parë gjuhës shqipe nga Hasan Bello

Gazeta

Historiani Hasan Bello
Historiani Hasan Bello
“Kongresi gjuhësor i Kostandinopojës” 1879 – Kongresi i parë gjuhës shqipe
nga Hasan Bello

Përpjekjet e para për unifikimin e alfabeteve të gjuhës shqipe filluan në Stamboll në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Kështu, sipas një letre te Jani Vretos më 23 tetor 1864, në kryeqytetin e Perandorisë Osmane personalitete të njohur të kombit shqiptar (myslimanë, ortodoksë dhe katolikë) organizuan disa mbledhje për caktimin e një alfabeti. Këto takime rinisën në vitin 1867, kur emra të njohur që punonin e jetonin në Stamboll diskutuan lidhur me njësimin e alfabetit. Sipas Jani Vretos, këta ishin “Mustafa Pasha, nga fshati Pojan i rrethit të Korçës, i quajtur Gjiritas, sepse kishte qenë Guvernator i Kretës për shumë vite, Sulejman Pasha dhe Seit Beu prej Tirane, Rustem Pasha prej Leskoviku, Kristaq Efendiu nga Qestorati i Gjirokastrës, Ismail Beu i biri i Mahmut Beut nga Vlora, Pashko Vasa, katolik prej Shkodre, Hasan Tahsimi prej Filati dhe Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani mblidheshin herë pas here dhe diskutonin bashkërisht për krijimin e një alfabeti për gjuhën e tyre”. Këto përpjekje u intensifikuan me zhvillimet politike brenda Perandorisë Osmane. Për këtë arsye, në vitin 1877, në Stamboll u krijua Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, i cili ishte “shtabi” politiko-kulturor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai drejtohej nga Sami e Abdyl bej Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Hasan Tahsini dhe Zija Prishtina. Në vitin 1878, me udhëzim të këtij Komiteti, Jani Vreto hartoi projekt-statutin e Shoqërisë e të Shtypurit Shkronja Shqip, e cila u krijua më 12 tetor 1879, në shtëpinë e Abdyl bej Frashërit në lagjen “Pera”. Kjo shoqëri do të merrej me hartimin e alfabetit dhe shtypjen e librave në gjuhën shqipe. Por përpara patriotëve shqiptarë shtrohej nevoja e unifikimit të tij. Prandaj, në vitin 1879, zhvilloi punimet “Kongresi gjuhësor i Kostandinopojës”.

Kostandinopoja - Kryeqyteti i Dy Perandorive
Kostandinopoja – Kryeqyteti i Dy Perandorive
Termi “Kongres” për këtë mbledhje përdoret nga disa autorë.

Në artikullin e Kozma Serembres të botuar në vitin 1902, me titull “Shoqëria “Dituria” dhe “Alfabeti Kombëtar Shqiptar”, ndër të tjera ai shkruan “Rilindja jonë Kombëtare filloi me dy lëvizje paralele që lumturisht u integruan tek njëra tjetra, plotësuan njëra tjetrën. Njëra ishte lëvizja politike me Lidhjen e Prizrenit, tjetra ishte lëvizja me Kongresin e Konstandinopolit më 1879”. Fakti më interesant që përmend ky autor është se “Në këtë Kongres morën pjesë më shumë se 400 shqiptarë, toskë dhe gegë, katolikë dhe ortodoksë, muhamedanë sunitë dhe muhamedanë bektashinj, të cilët hodhën bazat e një shoqërie kulturore. Problemi i parë për zgjidhje ishte ai i alfabetit dhe asambleja caktoi një komision të përbërë nga zotërinjtë Sami bej Frashëri, Pashko Vasa Shkodrani dhe Jani Vreto me qëllim që të paraqesnin një projekt të alfabetit kombëtar”.
Ndërsa patrioti i njohur Dervish Hima në numrin e gazetës së tij “Shqiptari” (“Arnavud”) të 15 majit 1909 që dilte në Stamboll, pasi shfaq rezervat për Kongresin gjuhësor që ishte mbajtur në Napoli të Italisë (21-24 prill 1901) dhe alfabetin që përdornin arbëreshët shkruan se “ne nuk mohojmë dobitë e alfabetit latin, por alfabeti i Kongresit të Stambollit përdoret sot prej tërë shqiptarëve”.
Pavarësisht përdorimit të termit “Kongres” dhe numrit të pjesëmarrësve, të cilët, sipas Kozma Serembes i kalonin 400 vetë, ajo që ka rëndësi është fakti, se alfabeti i Stambollit mori përhapje të gjerë jo vetëm në trojet shqiptare.
“Alfabetarja e gluhës shqip” që u botua në Stamboll në vitin 1879, pak muaj pas miratimit të alfabetit nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, u përpilua nga Sami Frashëri. Ajo kishte copëza leximi edhe nga Jani Vreto, Koto Hoxhi dhe Pashko Vasa. Kjo abetare me 136 faqe u botua me një tirazh prej 20.000 kopjesh. Ky ishte një numër jashtzakonisht i madh për kohën, çka tregon për konsensusin e autoriteteve zyrtare dhe qëllimin e Rilindasve që ajo të përhapej jo vetëm në vilajetet shqiptare, por edhe në kolonitë jashtë atdheut.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.