back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Konkursi “Poezia Shqipe – 2014”

Gazeta

Konkurs i Poezisë Shqipe 2014
Konkurs i Poezisë Shqipe 2014

Mbi nji konkurs letërsie dhe nji rregullues genesh…

Gjuha asht sekreti ku ruhet tanë sistemi gjenetik i mbijetesës së nji kombi. Kët urtësi e kanë zotnue të gjithë pushtuesit, se kjo dije kthehet në ligësinë ma të madhe dhe në armën ma shkatrruese te tyne.
Kështu banë romakët me ilirishten dhe ajo mbijetoi. Turqit ju futën ma në rranjë shkatrrimit të shqipes, ata e luftuen atë me anë krejt institucioneve, ushtarake dhe shoqnore po prap Shqipja mbijetoi me poetët e saj në Rilindje vetpastruese. Diktatura komuniste vazhdoi në mënyrë të pavetdijshme në kët rrugë shkatrruese të turkut, tuj e varrosë gjuhën shqipe dhe poetët e natyrshëm të saj.
Sot demokracia me heshjen e saj belbacuke, vetëm sa e përshpejton kët proces dhe në asnji kohë nuk janë përëmue ma fort, e nuk janë ma të çoroditun poetët shqiptarë se sa sot.
Dikush e ka marrë në dorë seriozisht me i shkue deri në fund shkatrrimit total të kombit shqiptar dhe po e ban atë në mënyrën e zhveshjes prej gjithçkaje ideale e poetike të sistemit demokratik shqiptare. Pasunimi gjigand i nji shtrese politike dhe tmerri i varfnisë së masave të njerzve ma të vuejtun të Europës, kallxon se ky proces asht në fazën e plotë të ndezjes së raketës…
Tragjikja qindron në atë që kërkush nuk e din se e gjithë kjo ka lidhje me gjuhën, dhe shkatrrimi i nji kombi nis me shkatrrimin e gjuhës. Mbijetesa e gjuhës shkatrron çdo perandori sado gjigande kjoftë ajo. Shkatrrimi i gjuhës asht arma atomike me të cilën ngadhnjen edhe nji bandë e vogël komitësh që drejtojnë me anë të ligjeve të jashtligjshme.
Në Shqipni, po ndodh kjo e dyta, se nji mendje e ligë e ka kuptue mirë sistemin gjenetik dhe po shkatrron gjuhën dhe poetët e saj, tuj pre kambët e platformës shqiptare në detin Adriatik, për me shembë tanë ndërtesën.
Nji populli që ja shkulin gjuhën poetike të menduemit dhe të folunit… nuk e lejojnë me folë kurrë ma!
Ti si poet je sot ndër njerzit ma të nëpërkambun dhe të parandsishëm të nji shoqnie që po ndërtohet mbi vakum ndjenjash dhe mendimesh, porse dije se ti je ai i përzgjedhuni i Fjalës, ai që siguron mbijetesën e vendlindjes tash mbi 2 mijë vjet.
Projektet letrare, si ky Konkurs në fjalë, nuk kanë me e pshtue botën, porse ata janë pëllumba që dalin prej Arkës së Noes dhe lajmërojnë se jeta po kthehet ngadalë tuj përhapë shpirtat e poetëve mbi ujin e turbullt që ka mbulue botën.
Në vitin 1995, kur seksioni i kulturës së qyteti të Gracit botoi vëllimin tem të parë poetik, si student shqiptar unë pashë nji pëllumb paqeje të kalonte mbi qiellin e fatit tem dhe prej atëherë nji mirnjoftje e pafund rrezaton hapat e jetës sime.
Ftoj të gjithë ata poetë që e ndijnë se kanë mbrritë me kambët e tyne në fund të detit të zemrës, të marrin hov e të dalin nalt me poezitë e tyne e të shohin se ka jetë:
Ju jeni të mirseardhun!

Gjergj Kola – Manager projekti! Vjenë 2014.

Manifesti i Konkursit: Poezia Shqipe 2014
Manifesti i Konkursit: Poezia Shqipe 2014

Konceptimi i Konkursit Poezia Shqipe 2014

Të nderuar miq, dashamirës të poezisë dhe poetë!

Prej datës 10 Shtator, Konkursi i Poezisë Shqipe 2014, do të presë shiritin e tij modest dhe do t’ju urojë mirëseardhjen gjithë atyre që dëshirojnë të bëhen promotorë të tij.
Gjithçka në fshehtësi, për të realizuar një ide sa më të plotë në raport me ndershmërinë e një procesi, i cili do të zgjedhë fituesin dhe njëkohësisht atë që do të meritojë botimin e vëllimit poetik nga shtëpia botuese “Bilingual Verlag”.
Juria, e cila siç edhe e kemi njoftuar edhe më parë, do të publikohet e plotë në mesin e muajit Tetor dhe do të përbëhet prej shtatë anëtarëve.
Çdo konkurues do të ketë në dispozicion 30 pikë (10 pikë të mundshme për çdo poezi) nga secili anëtar i Jurisë, duke e çuar në 210 pikë, numrin maksimal të mundshëm, për çdo poet. Për arsye etike, në komunikimin e çmimeve do të shpallen vetëm 10 emrat e parë të konkuruesve që kanë marrë më shumë pikë, duke ruajtur të fshehtë ata, të cilët janë renditur në poshtë vendit të dhjetë.
Poezitë duhet të jenë të pabotueme. (përjashtohet shpërndarja internetike e tyre)
Ju mirëpresim!

Ftesa e Pjesmarrjes "Poezia Shqipe 2014"
Ftesa e Pjesmarrjes “Poezia Shqipe 2014”

Rregullorja e Konkursit

1-Çdo anëtar i jurisë do të zgjedhë 10 autorët e tij të preferuar.

2-Vlerësimet anëtarëve, për dhjetë të përzgjedhurit, duhet të jenë me pikët përkatëse në secilën poezi. (nga 4-10)

3-Vlerësimet do të përcillen në Inbox-in e Kryetarit të Jurisë, Leon Lekaj.

4-Mbasi ato të kenë mbërritur të gjitha, Kryetari do t’i bëjë publike tek faqja e Jurisë, por pa vendosë anash emrin e anëtarit që ka votuar dhe të gjithë anëtarët do të kenë mundësinë të shohin transparencën me të cilën është kryer procesi, duke gjetur gjithsecili klasifikimin e vet.

5-Mbasi të bëhen publike anëtarët do të vërtetojnë me një “ok” përfundimin e vlerësimit, duke vërtetuar kështu që gjithsecili e ka gjetur votimin e tij të rregullt.

6-Afati i fundit për Jurinë do të jetë data 8 dhjetor 2014.

7-Shtatë emrat e parë fitues do të publikohen në datën 10 dhjetor-2014, vendi i Tretë në datën 11 dhjetor, vendi i Dytë në 12 dhjetor dhe Fituesi do të shpallet me datën 13 dhjetor 2014.

8-Me datën 13 dhjetor njëkohësisht do të publikohen edhe emrat që përkojnë me numrat e autorëve, duke shpallur njëkohësisht edhe atë që do të sponsorizohet për të botuar Vëllimin Poetik.

Juria e Konkursit "Poezia Shqipe 2014"
Juria e Konkursit “Poezia Shqipe 2014”

Përshëndetja e mbylljes së Konkursit

Poezia Shqipe 2014

Miq poetë dhe dashamirës të poezisë!
Ndjehem shumë i gëzuem që mbrenda nji komuniteti poetik janë kristalizue elemente të gegnishtes, toskërishtes dhe standartit. Në kët Konkurs, morën pjesë si autorë që provojnë për herë të parë, por edhe fitues të çmimeve prestigjoze kombëtare në letërsinë shqipe.
Në kët projekt janë investue qindra ore pune vullnetare, nga njerëz vullnetmirë, që dojnë me i dhanë diçka ma shumë poezisë shqipe. Jurorët, si shpërblim marrin at ndjesinë e pastër pse vepruen në nji grup e në nji konkurs ku gjithçka ishte e pastër dhe transparente deri në detaje. Juristi Pjetër Logoreci kreu nji pune pasionale dhe plot ndergjegje, tuj i shndërrue Autorët në anonimitetin e duhun.
Nga 54 autorë pjesmarrës, dhe rreth 160 poezi të paraqituna haptas ne publik, nji shifër tejet e suksesshme, që godet edhe pesimistët më të këqij, kanë me u shpallë 10 ma të mirët, simbas Jurisë dhe prej tyne del edhe vendi i parë, mbasi vetëm njeni asht fitues.
Fituesit të çmimit të parë i jepet mundësia me botue nji libër prestigjoz në dygjuhësh shqip-gjermanisht, i cili ka fitue nga Merita e Stilit Modern të Konkurimit, po sidomos randsi ka shpërndamja e tij në botën gjermane dhe shqiptare.
Cdo fitim material i ardhun prej shitjes, ka me i kalue autorit si dhe çdo e drejtë tjetër ka me kenë e tija.

Ishin 90 ditë të mbushuna me emocion dhe falë edhe Facebook-ut që u dha mundësinë Jurorëve me ndjek edhe numrin e lexuesve, që i bjen mesatarisht 200 lexues cdo autori, nji shifër tejet e kënaqshme…
Kurse sot, mbasi morëm vesh emnat e autorëve, dhe Juria kishte përfundue votimin, mbetëm të mrekulluem pse bukuria shpirtnore dhe poetike sot shpaloset prej femrës së emancipueme shqiptare! Respekt dhe mirnjohje Asaj!
Ja vendet nga i 1 deri te i 10 deri te ndame simbas Autorit dhe pikëve.
Tri vendet fituese do t’i nxjerrim me poezitë, emnin dhe foton!

Vendi i Parë dhe Fituesi (Elona Culiq) Autori me Nr. 001 – 184 pikë
Vendi i Dytë (Ledia Dushi) Autori me Nr. 017 – 158 pikë
vendi i Tretë (Ervis Dimo) Autori me Nr. 019 – 143 pikë

Vendi i Katërt (Ermira Omari) Autori me Nr. 020 – 129 pikë
Vendi i Pestë (Desantila Qerimaj) Autori me Nr. 044 – 125 pikë
Vendi i Gjashtë (Ermira Ymeraj) Autori me Nr. 011 – 91 pikë
Vendi i Shtatë (Lola Shehi) Autori me Nr. 025 – 73 pikë
Vendi i Shtatë (Jola Zadrima) Autori me Nr. 51 – 73 pikë (ex equo)
Vendi i Tetë (Mimoza Rexhvelaj) Autori me Nr. 034 – 64 pikë
Vendi i Nantë (Alma Tirana) Autori me Nr. 030 – 63 pikë
Vendi i Dhjetë (Pjaver Kroni) Autori me Nr. 018 – 54 pikë

Përshëndetje dhe ju faleminderit të gjithëve!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Përshëndetje miq!
    Të them të drejtën sot jam ndjerë e emocionuar si dikur në auditorët e universitetit kur prisja mbas dere librezën e notave të
    firmosur e vulosur nga komisioni… nëse kisha kaluar… apo kisha mbetur në provim, e librezën s’e hapja menjeherë,… por pasi kisha marrë frymë thellë se frikesha mos më ndalesh fryma nga vlerësimi i marrë… Megjithëse kanë kaluar shumë vite që kur i kam përjetuar këto emocione, edhe sonte më ndodhi e njejta gjë. Mora frymë thellë dhe me sytë e mbyllur klikova mbi rezultatin e votimit dhe lexova vlerësimin… Megjithëse nuk ka rëndësi se ku renditesh, e rëndësishme është të futesh në rresht dhe të njohësh rregullat e rreshtimit, dhe nëse ke mbetur jashtë, të dish të rifutesh, të ritentosh, te ndjekësh pasionin…
    Ju falenderoj për këtë iniciativë të bukur dhe faleminderit për vlerësimin tim.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.