back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Konstandini i Vogëlith dhe Kthimi i Odiseut Eqrem Çabej

Gazeta

Busti i Eqerem Çabej
Busti i Eqerem Çabej – Gjirokaster

Konstandini i Vogëlith dhe Kthimi i Odiseut

Eqrem Çabej “Hylli i Drites”

Poezia popullore shqiptare ësht’ aq e pasur në motive të vjetra, sa mund të hedhë dritë jo vetëm në mitologjinë e stërgjyshëvet tanë paganë, por dhe në mitologjinë e krahasuar të popujve të vjetër e të rinj të Ballkanit.
Një nga këngët më të përmallshme të Shqiptarëvet t’Italisë dhe një nga pjesët më interesante të poezisë popullore ballkanike të krahasuar është kënga e Konstandinit. Konstandini i vogëlith duhet të niset, tri dit dhëndër, në luftë. Pasi merr uratën e prindërvet, ky porosit të shoqen ta presë nëntë vjet e nëntë dit. Perënduar nëntë vjet e nëntë dit, kjo është e lirë të martohet me tjetër. E shoqja e pret; por pasi shkojnë vitet dhe ditët, kjo vete në kishë të vëjë kurorë të re. Konstandini sheh një ëndërr të keqe dhe kthehet me vrap në vendin e tij. Ai rend në kishë dhe e gjen të shoqen tek po vë kurorë me burrë tjetër. Ai e rrëmben të shoqen nga mesi i krushqvet; dhe këtu mbaron kënga e Konstandinit.
“Kjo baladë” thotë Lambertzi në veprën e tij Përralla shqiptare fq. 67 “ka marrë karakter ritual ndër Shqiptarët e Italisë Jugore. Këndohet në çdo martesë. Pas gostisë ngrihen prej tryezës gjithë dasmorët, burra e gra, formojnë një rreth, vënë në mes të rrethit dhëndrin me nuse, dhe duke ardhur rreth çiftit këndojnë këtë valle, siç thuhet në shqip vallja bashkë me këngën që e përcjell. Është një lavdërim poetik i besës së gruas së martuar.”
Konstandini është heroi kryesor i poezisë popullore t’Italoshqiptarvet. Ai është edhe sot i gjallë nëpër rrëfesat e tyre. Te Hora e t’Arbëreshvet (Piana dei Greci) në Siqeli dëftojnë edhe sot në kishën e vjetër të Shën Gjergjit një vend të gropuar në një gur të shkallës, ku ka shkelur thundra e kalit të Konstandinit, kur ky hyri në kishë për të marrë sërish të shoqen.
Dihet se kënga e Konstandinit të vogëlith ekziston me të njëjtën përmbajtje edhe në Shqipëri. I ndjeri Prof. Giuseppe Skiró ka qenë i pari që konstatoi këtë paralele. Në viset veriore shqiptare heroi quhet Ago Ymeri; në Lumë Imer Aga; në Toskëri Ymer Ago; në Jug, me shqiptim të y-së dhe të i-së në i, Imer Ago. Në këtë emër dypjesësh emri i vërtetë është Ymer. Aga e Ago janë epiteti, i rrjedhur nga titulli social turk aga, titull që u jepej oficerëve duke filluar prej majorit, si dhe disa funkcionarëve civilë. Titulli aga është i lidhur ndër ne me një pasuri tokësore ose me një gjendje ekonomike përgjithësisht të mirë të atij që e mban këtë titull. Që emri Ago i Ymer Agos nuk është tjetër veçse titulli aga, kjo dëshmohet edhe nga një vers i varianteve toske, ku thuhet: “Psherëtiti Ymer Agáj!”
Afërsia që lidh Konstandinin e vogëlith me variantet e Shqipërisë është e madhe sidomos midis varianteve italoshqiptare dhe versioneve toske. Kjo shpjegohet nga origjina më shumë toske e Italo-shqiptarvet. Kjo afërsi është aq e ngushtë, sa nuk kufizohet në disa vija paralele të përgjithshme, por shtrihet dhe në detaje. Kështu shohim gjer verse identike te kënga e Konstandinit dhe te kënga e Ymer Agos.
Ndryshime themelore pra nuk gjinden as në figurën e heroit, e as në përmbajtje të këngës. Ndryshimet janë ndryshime kronologjie dhe kulture. Në emrat Konstandin i vogëlith dhe Aga Ymeri ose Ymer Ago pasqyrohen dy epoka të ndryshme kulture dhe influenca e tyre mbi Shqiptarët. Te emri Ymer me titullin Aga ne shohim influencën turke islame: gojëdhëna e vjetër vazhdon të jetojë, por emri i heroit islamizohet. Heroi vesh rrobën osmane dhe quhet Ymer Ago. Ky emër duhet të jetë pra më i ri se Konstandin i vogëlith.

Legjenda e Kostandinit e Doruntinës
Legjenda e Kostandinit e Doruntinës

Përsa i përket tashti Konstandinit të vogëlith të Italoshqiptarvet, Lambertzi (fq. 68 v.) vëren që “personi i Konstandinit është një reminishencë e Mikrós Konstandinos, Konstandinos o Mikrós, d.m.th. Konstandin i vogël, i këngëve popullore greke: këtë e morën pra Italoshqiptarët me vete, me kalimin e tyre prej Moresë për n’Itali. Mikrós Konstantinos ësht’i biri i Perandorit Andrenikos, i kënduar shpeshherë në këngët e Digenis Akritas. Meqenëse dhe i ati i Digenis Akritas quhet Andrenikos dhe meqë poezia popullore greke i ngarkon Konstandinit po ato aventura si dhe heroit Digenis Akritas, qëndron afër mendsh që Konstandini i vogëlith i ynë të jetë një akritikón tragúdhi, një këngë e ciklit të Digenis Akritas. Shqiptarët e Moresë që e prunë në Itali bënë me të vërtetë disa modernizime: p.sh. Konstandinin e bëjnë të luftojë në shërbim të Sulltanit” etj.
Në duam pra të përmbledhim shkurtazi ndryshimin midis Konstandinit dhe Ymer Agos, do thomi që Konstandini i Italoshqiptarëvet është një emër i sferës kulturore greko-bizantine, Ymer Agoja i Shqipërisë një emër i sferës Osmane. Që ka dhe paralele të tjera midis poezisë italo-shqiptare dhe greke-bizantine, shpresoj ta tregoj me një rast tjetër.
Zbuluam pra dy shtrete kronologjike të këngës: një më të vjetër grek-bizantin (Konstandin i vogëlith) dhe një më të ri turk-islamik (Aga Ymeri, Ymer Ago). Pyesim tani amund të kënaqemi bashkë me Lambertzin, duke vënë barazimin Konstandin i vogëlith = Digenis Akritas, d.m.th. duke shikuar burimin e këngës italo-shqiptare në poezinë popullore greke-bizantine të Kohës së Mesme? Pyesim mos është Konstandini i vogëlith vetëm një veshje e krishterë e një figure të vjetër të kohës pagane, ashtu siç është Ymer Agoja rroba islame e heroit të krishterë? Pyesim pra në mund të gjejmë ndonjë formë më të vjetër të kësaj figure?
Për mua një lidhje e këngës së Konstandin-Ymer Agos me mitin e kthimit të Odiseut në Itakë më qe prej kohe i qartë. Tani sëfundi shoh te Petrotta, Popolo, lingua e letteratura albanese (f. 134) se i ndieri Prof. Skiró e paska bashkuar këngën e Ymer Agos me këngën greke moderne “Të njohurit”, ku gruaja njeh të shoqin e kthyer nga lufta tamam nga dy shenja të trupit të tij. Këtë këngë greke Ampère e Tommaseo e patën konsideruar si një kujtim të mbetur të kthimit të Odiseut.
Homeri rrëfen në librin e 23-të të Odisesë se si Odiseu pas luftës së Trojës dhe pas peripetive të tij të shumta kthehet mësë fundi në atdhen’ e tij, në Itakë. Midis kthimit të Odiseut dhe kthimit të Konstandin-Ymer Agos ka, besoj, mjaft pika takimi:

Odisea...
Odisea…

1. Odiseu niset si burrë i ri për në luftë dhe lë në shtëpi gruan e tij të re e besnike Penelopë. – Konstandin – Ymer Agoja niset si dhëndër i ri për në luftë dhe lë të shoqen besnike në shtëpi.
2. Pasi Odiseu 20 vjet me radhë nuk kthehet, Penelopës i mblidhen rreth një tok kandidatësh duke insistuar që të martohet me njërin prej sish. – Nusja e Konstandin – Ymer Agos e pret të shoqin nëntë vjet e nëntë dit dhe sëfundi e shpien ta martojnë me një tjetër.
3. Odiseu kthehet nga lufta, në fillim i panjohur prej njerëzvet të tij. – Konstandin – Ymer – Agoja kthehet nga lufta dhe nuk e njohin as prindërit e vet.
4. Odisenë e njeh sëpari vajza e tij: kjo pas zakonit grek i lan këmbët mikut të huaj dhe ahere e njeh Odisenë nga një shenjë që i kish lënë në kofshë një derr i egër në një gjah. Gjithashtu Penelope i thotë të birit, Telemakut, se: “Në qoftë se ky është me të vërtetë Odiseu, dhe kjo shtëpia e tij, ne të dy do ta njohim më mirë njeri-tjetrin. Kemi disa shenja, të fshehura për gjithë të tjerët, që ne vetëm i dimë.” – Kështu e njeh e shoqja Konstandinin, dhe kur e njeh “lotët m’i u rukulisën sumbula, sumbula faqes kuqe, pikë pikë gjirit bardhë.” Edhe Ymer Agën e njeh e shoqja nga një “nishan” që kishte në trup.
Vërtet që ky motiv i rinjohjes nga shenja e trupit është një motiv i përhapur pothuaj në përrallat e gjithë popujve; e gjejmë gjer te poemi i vjetër ind Ramayana. Por kjo paralelë midis Odiseut e Konstandin – Ymer Agos është aq më e shënueshme, kur të marrim parasysh dhe pikat e tjera të kontaktit që përmendëm më sipër dhe më poshtë (1, 2, 3, 5, 6).
5. Odiseun e tallin rivalët e tij dhe s’duan t’ia lëshojnë Penelopën. Ky fillon një luftë t’egër me ta dhe i mbyt gati të gjithë në gjak. – Konstandini u kërkon të shoqen krushqvet në kishë. Kur këta ia refuzojnë, i drejtohet Shën Mërisë, të mos e lërë “të bëjë maqilí, të vrasij gjak e gjërí”. Pra ç’vepron Odiseu, Konstandini dëshiron të evitojë. Duhet vrojtur se situacioni psikologjik është këtu i njëjtë te të dy heronjtë.
6. Më rëndësi sesa pikat e mësipërme ka ky fakt gjeografik: Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qënë në kontakt të përherëshëm me fiset ilire-shqiptare. Paul Kretschmeri, në veprën e tij Hyrje në historin’e gjuhës greke është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut në Itali kanë qënë fiset ilire. Helbigu e kërkoi burimin e mitit të Odiseut te fiset barbare ose gjysmëbarbare të Greqisë perëndimore. Edhe Kretschmeri e pat peshuar një gjë të tillë. Ky dijetar thotë: “Odiseu kishte një orakël te Eyrytanet, që nuk ishin Grekë; mbi lidhjet e tij të ngushta me Thesprotët dhe mbi rolin e rëndsishëm që duket të ketë luajtur miti i tij në Epir të brendshëm, mbi këto ka tërhequr vrejtjen Wilamowitzi. Përralla e Feakëve është epirote, se Skéria, prej skerós “continens”, do të thotë “kontinent”, pra është sinonim me Epeiros. Një qytet i Kaonisë quhej Baiake, emër i trajtuar ashtu si Itake, me b të huaj për greq. ph (Phaiake, Pheake). Por mua bashkë me Eduard Meyerin më duket vështirë të pranoj që një nga figurat më të gjalla të mitologjisë greke të ketë buruar nga popuj barbarë, sidomos kur Grekët vetë nuk dinë gjë për një origjinë të tillë, Grekët të cilët p.sh. nuk e patën harruar kurrë origjinën trake të kultit të Dionizit”.Me këtë rast po përmendim se lufta rreth origjinës së errët të mitit të Odiseut është ndezur rishtas në vitet e fundit në një polemikë të ashpër midis Siegmund Feistit dhe të ndjerit gjermanist të Vjenës Rudolf Much, zhvilluar në të përkohshmen “Wörter und Sachen”. I pari e deklaron Odiseun shkurt një hero ilir, i dyti lëfton për origjinën helene. – Ne, pa i dhënë fund çështjes, theksojmë vetëm këtë, se teoria e Feistit nuk na duket absurde, po të marrim parasysh zotësin’ e madhe të frymës greke në të përkulur, të përvetësuar, të helenizuar, të kulteve të huaja. U përmend më sipër se kulti i Dionizit ësht’ i origjinës trake.
Për dy nga Perënditë që ne sot i shohim si greke tipike, për Apollon dhe Pallas Athenën, dyshohet origjina helene. Ahere mundet që dhe Odiseu të ketë qenë i një origjinë së huaj. Sidoqoftë, një lidhje e afërt e kësaj figure me fiset ilire të Epirit nuk mohohet. Një provë janë dhe paralelet që besojmë se zbuluam midis Odiseut dhe Konstandin  – Ymer Agos.

Profesor Eqerem Çabej
Profesor Eqerem Çabej

Përmbi vleftën dhe përkufizimin e mitologjisë së krahasuar mendimet janë të ndryshme, për arsye se nuk ekzistojnë kufi etnikë në krahasim të miteve të përbashkëta (Kretschmer). Midis popujvet më të largët ekzistojnë shpeshherë analogji spontane ndër përralla e legjenda. Shoh te vepra e cituar e Kretschmerit (f. 85 v.) se ka një gjasi të çuditshme midis mitit të Odiseut dhe t’Orendelit në Gjermani: në të dy vendet një hero, i cili pas udhëtimesh të gjata me det kthehet në shtëpi te e shoqja, që e kanë rrethuar rivalë të këqinj; kthehet i panjohur dhe i veshur si lypës; vret rivalët dhe bashkohet rishtas me të shoqen.
Një paralele më të çuditshme si me Odisenë ashtu dhe me Konstandin-Ymer Agon na e jep poezia popullore ruse: në një byline (këngë e vjetër epike) djaloshi Dobrynia merr, tamam si Konstandini i vogëlith, uratën e s’ëmës dhe niset për aventura luftarake. Para se të niset i thotë së shoqes Pamelfa Timofeevna që ta presë gjashtë vjet, pastaj pesë, e pastaj një vit; në vitin e tretë po të dojë le të martohet. E shoqja e pret dhjetë, pastaj martohet me Aleks Popoviçin. Me ta marrë vesh Dobrynia, kthehet me vrap në shtëpi. E më sëpari nuk e njeh, por e njeh vetëm ahere kur ky, si Odiseu dhe Ymer Agoja, i tregon nishanin që ka në këmbë të mëngjërt. Dobrynia vete në dasmë të shoqes së vet dhe e gjen këtë në mes të krushqvet, ashtu si Konstandin-Ymer Agoja gjen të shoqen. Dobrynia e merr sërish të shoqen nga dasma dhe i fton krushqit në një gosti, siç bën Konstandin-Ymer Agoja i ynë.
Nuk është këtu vendi të thellohemi mbi këtë argument. Vetëm duam të theksojmë këtë, që poezia popullore shqiptare ësht’ aq e pasur në motive të vjetra, sa mund të hedhë dritë jo vetëm në mitologjinë e stërgjyshëvet tanë paganë, por dhe në mitologjinë e krahasuar të popujve të vjetër e të rinj të Ballkanit.
Këto radhë ishin shkruar prej kohe, kur më ranë në dorë dy artikuj, të cilët merren dhe me temën tonë.
Në artikullin e tij Gjendja e sotme e studimeve ilire, dijetari magjar Karl Kerényi shënon se prehistoriani i dëgjuar gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirin e vërtetë”: sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë e me gjakun e ftohët të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: “Gjithshka (te Odiseu) është detarí, gjithshka lot në Mesdheun perëndimor, gjithshka është urtësi e jetës së përditëshme, gjithshka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”. Këtyre fjalëve të Schuchardtit Kerényi u shton dhe disa argumente filologjike në f. 28 të së përkohshmes në fjalë.
Gjithë te kjo revistë e në të njëjtin numër merret me Odiseun edhe Milan Budimir në artikullin Rrjedhja paragreke e heronjve kryesorë të Homerit . Nga trajtat e emrit të Laertiadit, Odisseus dhe Odyxeus, Budimiri merr për më të vjetër trajtën Odyxeus me ks, si formë të Greqisë veriperëndimore, prej nga rrjedh dhe heroi vetë. “Rrënjëndyxtë Odyxeus mundim ta bashkojmë patjetër, në lidhje me karakterin krejt maritim të Laertiadit, me fjalën epirotedaksa “det” (te Heziku), kështu që për Odiseun na jepet vetvetiu kuptimi i një apelativi “detar”.
Si përfundim: do thënë se dijetarë të disiplinave të ndryshme, prehistorianë, historianë e linguistë, duke iu përveshur zgjidhjes së problemit të Odiseut, secili me metodën e vet dhe ndryshe e pavarësisht nga njeri-tjetri, kanë marrë seriozisht ndër sy origjinën ilire të heroit të Homerit. Na vjen mirë të shënojmë se poezia popullore shqiptare mund të kontribuojë edhe kjo në zgjidhjen e disa problemeve homerike.
Hylli i Dritës, nr. 2-3 1938.

 

Revista "Hylli i Dritës"
Revista “Hylli i Dritës”

1 Botuar së pari në “Hylli i Dritës” 1938.
2 Sot Piana degli Albanesi (shën. i red.)
3 Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache f. 280 vv.
4 poaty f. 281.
5 Karl Kerényi Vom heutigen Stand der Illyrierforschung, “Revue Internationale des études balkaniques”, II-ème année, Tome I-II (3-4), f. 27
6 Milan Budimir Vorgriechischer Ursprung der homerischen Haupthelden, “Revue Internationale des études balkaniques”, II-ème année, Tome I-II (3-4) f. 195-215.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.