back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Kontaktet e mia me Njeriun dhe Poetin Ernest Koliqi nga Dr. Lazër Radi

Gazeta

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Kontaktet e mia me Njeriun dhe Poetin Ernest Koliqi

nga Dr. Lazër Radi

(Gazeta Kombi shkurt 1992)

I dashtuni Petraq*
po tё dёrgoj nji gazetё “Kombi” ku kam pjesёn e parё tё artikullit “Katёr takimet e mija me Ernest Koliqin”. Gazetёn tjetёr po ta dёrgoj javёn qi vjen. Nё gazetё “Drita Islame” kam ndёrmend tё botoj artikullin e Ernestit “Dy qendra kulturore Shqiptare”. Nё nji gazetё pashё referatin e Ernestit mbajtur nё Universitetin e Padovёs me temё: “Islamizmi dhe Kristianizmi nё Letёrsinё Shqiptare”. Do t’ishte me shumё interes ta kisha kёt artikull e ta botojsha kёndej. Pa shih mos e ka integral nё “Shejzat” dhe ma nis sa ma parё. Do tё mё interesonte shumё tё kisha revistёn tuej “Shejzat”. Atje do tё gjejsha shumё materiale pёr veprimtarinё e Ernestit nё kohёn e mёrgimit tё tij nё Itali. Ju i keni dhe i mbani tё vdekura atje. Na kёndej, unё e djali i jem Jozefi do tё punojshim e do tё nxirrshim ma nё pah punёn dhe jetёn e Ernestit intelektual. Dua tё punoj me tё gjitha forcat e mija pёr ta nxjerrё nё dritё figurёn madhore tё kёtij gjiganti tё letёrsisё. Dua tё ma gjejsh edhe librin e novelave “Tregtarё Flamujsh”.
E di se e teprova me kёto kёrkesat e mia, por kam qejf qё pёr tё gjallё tem dhe pёr tё gjallё tand ta bajmё tё njoftun, ashtu si duhet, Ernestin edhe nё Shqipni.
Shumё tё fala dhe tё kujtoj me mall shumё herё
I yti Lazri (14 shkurt 1992)

*Petraq Vuçani, kunati i Ernest Koliqit, vёllai i Vangjelias 

Ernest Koliqi - drejtues i "Shejzave"
Ernest Koliqi – drejtues i “Shejzave”

Kontaktet e mia me Njeriun dhe Poetin Ernest Koliqi

nga Dr. Lazër Radi

Romë, korrik 1991
Të kthehesh mbas nji gjysë shekulli në qytetin e studimeve, n’at qytet ku në çdo palë të vetën ruen nji kujtim t’ambël të rinisë, herë andrra e herë zgjandrra të viteve ma t’bukura të jetës – asht diçka sa e kandshme aq edhe e trishtueme. S’mundesh me ba nji hap pa u zhytë në lumin e rrëmyeshëm të kujtimeve dhe emocioneve.
Shpesh njeriu, ban në jetë do veprime të pavetëdijshme dhe njashtu si nëpër mjegull lëviz andej kah e çojnë kambët, pa cak e pa megj. Duket sikur trutë i kanë zbritë në thembër dhe ia komandojnë çdo veprim. Ecja si sonambul, e ban të pasigurtë; shikon gjithçka e s’sheh asgja. Njashtu i hutuem, kambët të lëvizin, shkojnë hap mbas hapi duke përpi rrugica, rrugë, sheshe, dhe veç mbas do kohe, e gjen vedin para diçkaje që i ngjall nji kujtim dhe e rikthen te emocionet e dikurshme… Dhe ai vazhdon me kqyrë e me kqyrë se mos ajo diçkaja e asaj kohe kthe… po asgja. Ashtu i habitun e përplot emocione vazhdon i përhumbun në kllapi mendore t’atij lamshi kujtimesh…
Ja, kështu më ngjau njat ditë të nxehtë korriku, kur në Qytetin Universitar u përballa me monumentin e Minerves. Dikur n’at shesh vërshonin mija studentë, e qielli mbushej me mija zane gazmorë rinie, tash aty “banonte” nji mizëri veturash të tana ngjyrave e të gjitha markave.
Mbasi iu ngjita shkallaret e krahut të djathtë, mbrrita te nji holl ku gumëzhima e zaneve po më jepte përshtypjen e nji zgjoi bletësh. Eh, rini, rini…! O Zot sa rini prej katër anëve të botës. ..dhe unë aty i përhumbun mes tyne, përpiqesha me gjetë shokët e mij të dikurshëm… kërkoja Xhinon, Valerien, Rinon, Klaudien, Pashkon… Kërkoja vedin të futun te ndonjeni i atij lumi djemsh që ngjisnin e zbrisnin shkallët… njashtu si ai i çmenduni që kërkon me peshkue n’nji legen uji, edhe unë po mundohesha me gjetë atë që s’kthen ma kurrë…
As flokët e mi të bardhë, as trupi im i rëndue nga mosha dhe pesha e rrjedhës së viteve s’i bante përshtypje askujt… Bile dikur as mue vetë! Vazhdova atyne shkallëve me u ngjitë. Në katin e dytë kërkova Katedrën e Gjuhës Shqipe. Doja me pà atje t’ulun në katedër Profesor Koliqin, duke folë me at za t’ambël, me at shqipe të begatë e të kulluet, për Gjergj Elez Alinë e për tanë Kreshnikët e Jutbinës…
Porta qe mbyllë me dry. Veç atëherë munda m’u kthjellue dhe me ardhë në vedi. Prof. Koliqi s’ishte ma, dhe pa Koliqin edhe Roma, edhe Qyteti Universitar at çast m’u banë shkretinë. Zbrita ngadalë atyne korridoreve e shkallareve dhe më bahej sikur shifja at hijen e tij fisnike, ato gjurmë të pavdekshme të tij, dhe atë pasuni ende ta paçmueme, që na kishte lanë në thesarin e letrave shqipe.
Gjallë o dekë kisha vendos të takohesha me profesorin tim.
Mora një mjet dhe u nisa drejt varrezave të reja të “Fuori Porta-s”, disa kilometra larg qytetit. Në vetminë e rrugtë tij dhe nën hijen e qiparisave, përpiqesha me rindërtue me kujtesë shumë prej kontakteve të mia me Mjeshtrin Koliqi…

Hija e Maleve - Botim i I - 1929Hija e Maleve - Botim i I - 1929
Hija e Maleve – Botim i I – 1929

E para herë…

Emigrant i rraskapitun, mbasi kisha kalue më kambë shtigjet e pashtegta dhe malet e ashpra të “Bjeshkve të Namuna”, kisha zbritë në kryeqytetin e Shqipnisë, në Tiranë, me andrrën e përjetshme të çdo zemre të djegun shqiptare të Kosovës…
Klasën e dytë gjimnaz, po e kryeja rryeshëm e me vështirësi të mëdha. Vorfnia – nga njëna anë, mosditja si duhet e gjuhës shqipe – nga ana tjetër, ma randuen edhe ma tej shkollën. Nëse nuk i preva marrdhëniet me mësimet, shtysë ishte vetëm ajo dëshirë e madhe me qenë dikushi dhe dashnia e paepun për studime. Megjithatë, mbeta për vjeshtë… dhe ku: pikërisht në gjuhë shqipe!! Kjo qe nji goditje e randë dhe m’u duk se nji spatë e pamëshirshme m’i kishte ça andrrat.
Asaj vere të vitit 1932, ndodhesha në Durrës!
Ndjehesha tepër i shqetësuem. Me çdo kusht më duhej jo ta kaloja provimin, po edhe të familjarizohesha disi me gjuhën shqipe. Iu luta mësuesit veteran, Avdullah Keta, të më jepte disa nocione të sintaksës dhe gramatikës së gjuhës shqipe. Pranoi me kënaqësi… dhe kështu filluem sëbashku mësimin e gjuhës shqipe, duke më dhurue edhe nji libër që ta lexoja gjatë kohës së lirë. Libri titullohej “Hija e Maleve”… ishte shkrue prej Ernest Koliqit.
“Hija e Maleve” qe libri i parë shqip që m’ra në dorë. E lexova dhe e rilexova aq shumë herë sa mjaft pjesë të tij i dija përmendësh. Më pëlqeu shumë, aq sa kurrë s’e kisha besue. Prej tij mësova fjalë që a’i dija, fraza e pasazhe m’u banë të dashtuna sa i mësova përmendësh. Fitova dashni për fjalën e ambël shqipe dhe mahnitesha si fjala merrte jetë dhe bante që edhe mendimet ma të thjeshta të ktheheshin në muzikë. M’u duk sikur kapa diku n’ajër artin e të shkruemit bukur… dhe fitova nji begati fjalësh, që më shtynte edhe me shkruejtë!
At vit, ende pa fillue shkolla, më doli bursa për në Konviktin e “Maleve tona” – në Shkodër. Atje më duhej me dhanë edhe provimin e vjeshtës. Bana nji hartim sipas nji teme përshkrimore që më dha Profesor Kolë Kamsi. Mbasi e mbarova hartimin ia dorëzova Profesor Kamsit. Të nesërmen më duhej me dhanë provimin me gojë. Kur iu paraqita profesorit, ai me shumë dashamirësi më tha:
-E pashë hartimin tand… çuditem si të kanë lanë për vjeshtë. Edhe Drejtori e pa. Ishim t’nji mendje që ti s’ke nevojë për provimin me gojë.
Sa s’fluturova prej gëzimi. S’mund të merret me mend se çfarë shtyse qenë ato fjalë për jetën time. Prej asaj vjeshte fillova me shkruejtë gjana të vogla që i botoja te “Vatra e Rinisë” që nxirrte në Tiranë, Vasil Xhaçka. Kështu libri “Hija e maleve” u ba libri im i nënjastekut.
Koliqi qe për mue Gjuha Shqipe…

Në kët ndeshje të parë me Ernest Koliqin, mund të them se ai jo vetëm më mësoi artin e të shkruemit bukur, po ma nguliti në shpirt edhe dashninë për gjuhën shqipe, dashninë për zakonet e mira dhe virtytet e nalta të racës shqiptare – pra ai ma kishte futë në gjak dhe ma kishte forcue dashninë për Atdhe…

Ernest Koliqi dhe Asdreni midis miqve nga Korça
Ernest Koliqi dhe Asdreni midis miqve nga Korça

E dyta herë…

Isha në klasën e tretë në Gjimnazin e Shkodrës. Koliqin tashma e kisha Profesor të historisë. At vit studionim: “Historinë e Kohës së Vjetër”. Krejt historia e Greqisë së Lashtë ishte nji thurje legjendash me ato gjysë faktet historike të nxjerra ma së shumti prej zbulimesh arkeologjike. Studionim Luftën e Trojës. Poemat homerike ishin pika ma e dobët e Profesorit. Kur zhytej Ernesti në rrëfimet e botës homerike, harrohej krejt, bahesh tjetër e na habiste… e na mahniste… të gjithëve me at rrjedhë të kulluet gojtarie, me at kulturë të gjanë që zotnonte…
Ne nxansët e dinim mirë se kur Koliqi ulej në katedër, me njenën dorë kapte mjekrën dhe sytë nën ata gjyslykë të mëdhenj më rreth të zi i vërviste dikah n’nji cep të klasës. E gjithë klasa ndjehej pezull. Aftësia e tij e rrëfimit na përthithte të tanve sa s’ndihej as frymëmarrja. Të gjithë ishim kthye në veshë. Aq të gjalla ishin figurat e lashtësisë, muzat, perënditë, gjysëmperënditë, heronjtë sa na bahej sikur lufta po zhvillohej aty, para syve tanë. Sikur po e shifnim Heridën duke u kthyer në re e duke e hjedhë “mollën e sherrit” midis dasmorve Tetidës dhe Peleut… Sikur po i shifnim hyjneshat Herë, Afërditë dhe Atenë, duke u grindë për at mollë, mbasi secila prej tyne pretendonte dhe mendonte se ajo e meriton… na shfaqesh aty përpara hyjnesha Afërditë që i premtonte Paridit, se në qoftëse do t’ia jepte mollën asaj, si dhuratë do të kishte – gruen ma të bukur të botës, Helenën. Pastaj, si nji kreshnik Jutbine, Paridi e rrëmben Helenën, dhe kështu niste ajo luftë e përgjaktë dhe e tmerrshme që asht quejtë Lufta e Trojës…
Asokohe e kisha zakon që gjatë mësimit mbaja shënime. Koliqi e shpjegonte mësimin me ma shumë material nga sa kishte libri. Nga dëshira me e imitue përpiqesha me mbajtë sa ma shumë shënime. Kështu, kisha krijue nji fjalor shpjegues për gjithë personazhet e mitologjisë. Në fund të vitit, shoku im Elez Braha, i cili dallohesh për nji kaligrafi të shkëlqyeshme, m’i nxorri në të pastër në nji fletore. Kur ia kallzova për kët punë timen Profesor Koliqit, ai e pa me vëmendje fletë për fletë dhe duke më rrahur shpatullat më përgëzoi e më tha:
-Ke ba nji punë shumë të mirë. S’mund të jetë njeriu intelektual i plotë nëse s’ka nji kulturë të përgjithshme, nji kulture të fortë klasike. Mund të tham pa frikë se gaboj, se s’ka dukuri të botës shpirtnore e të mardhanjeve njerzore që të mos e ket kapë dhe të mos e ket paraqitë me aq imagjinatë e poezi kompleksi mitologjik i lashtësisë. Njohja e mitologjisë së lashtë të jep horizont kultural të gjanë, e sidomos atyne që mendojnë me iu përkushtue letërsisë dhe artit. Historinë e atij fjalorthi mitologjik që ai e përmendi edhe gjatë mësimit, më bani të ndjehem me flatra.
Ishte nji eksperiencë e jashtëzakonshme, raportet që pata atë vit si nxanës me Koliqin. Figura e tij brenda meje tashma kishte marrë dimensione të reja…

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

E treta herë…

Ishte vitin 1936. Koliqi kishte kohë që drejtonte revistën “Illyria”. E “Illyria” e asaj kohe kishte mbledhë rreth vedit mjaft prej mjeshtrave të fjalës dhe mendimit intelektual shqiptar. Bashkëpuntorë të ngushtë të kësaj revistë ishin Branko Merxhani, Karl Gurakuqi, Vangjel Koça, Stefan Shundi, Et’hem Haxhiademi, e mjaft të tjerë. “Illyria” ishte një e përmuejshme, ndër ma të mirat në Shqipninë e asaj kohe. S’mund të mohohet se kjo revistë po linte gjurma të thella në zhvillimin kulturor të vendit.
Edhe unë kisha nisë të isha i pranishëm në fletoren e “Illyrisë”. Kisha botue gjana të vogla, do përkthime të Elin-Pelinit nga bullgarishtja, disa proza përshkruese e tregimtare të shkurtëra si “Tek kroi”, etj. Tash po çoja dorazi nji përkthim të Lamartinit…
Në Tiranë u nisa të takohem me Profesor Koliqin. (po me at rast kisha dëshirë t’i njifsha edhe tjerët). E dijsha se Ernest Koliqi ishte nji nga redaktorët ma të zgjedhun të saj dhe, duke përfitue edhe nga njohja që kishim pasë në Shkodër, i shkova drejt e në zyrë të redaksisë. Kur po i afrohem redaksisë nisën me m’u dridhë këmbët, sikur po paraqitesha për nji provim të vështirë, e isha i papërgatitun.
Redaksia e revistës ishte në rrugën e Muzeut dhe të Bibliotekës, (sot karshi Hotel Drinit). Po ecja njashtu mëdyshas kur në at çast u shfaq në derë profesor Koliqi. Ishte vetëm, dhe po bahesh gati të shkonte diku. Posa m’pa më thirri, ma vuni krahun si t’ishim shokë të vjetër dhe më futi në redaksi. Ernesti ishte shumë komunikativ dhe veçanërisht dashamirës me ne të rinjtë që tregonin dëshirë për letërsi. Mbasi biseduem për Shkodrën dhe Gjimnazin, për revistën “Illyria” e bashkëpunëtorët e saj të nderuem, i dorëzova përkthimin e poezisë së bukur të Lamartinit “Liqeni”. I thashë se nuk isha kujdesë fort për rrokëzimin, megjithatë më pëlqente. Mbasi e lexoi me vëmendje, pa u mërzitë, më dha shpjegime të hollësishme për gjashtëmbëdhjetë rrokshin dhe më tregoi disa sekrete të përkthimit. Më foli edhe për disa skica letrare që m’i kishte botue në revistë e mandej, siç e kishte zakon, e ktheu bisedën në shqetësimet e tija për depërtimin e ideve komuniste në Shqipëri e sidomos në rininë shkollore. Të gjallë e kam parasysh fundin e diskutimit të asaj dite të paharruar:
“Nji poet o nji tregimtar s’asht tjetër veçse nji shprehës i mendimeve dhe i ndjenjave të rrethit prej kah del, pra paraqet natyrën e përbashkët të fisit. Po, për me ia mbrritë kësaj duhet që na të depërtojmë në sekretet e traditës, që asht përvoja ma e shëndoshë e breznive të shkueme. Duhet m’u përpjekë që n’rrugën tande të letërsisë të ushqehesh me ethosin kombëtar se vetëm atëherë mund të bahesh lajmëtar i nënvetëdijes kolektive të fisit tand. Detyra e çdo shkrimtari asht me mbajtë kambët të nguluna në traditë të dheut të vet: nën kët kandvështrim duhet ta kundrojmë problematikën moderne që na del përpara e për të cilën duhet të punojmë të tanë. Shqiptari duhet të hyjë me vetitë autoktone të vetat në vallen e shteteve të qytetënueme t’Europës. Na sot kena nevojë për nji bashkëjetesë vllaznore. S’duhet të mashtrohemi lehtas prej fyshekzjarreve të internacionalizmit. Nuk e dij të ket nji komb në botë që t’i ket ra mohit pasunisë shpirtnore të stërgjyshave të vet. Kjo për na duhet të jetë nji shembull shumë i vlertë…!”
Biseda do t’kishte vazhdue edhe ma, sikur të mos ishte futë në redaksi Karlo Gurakuqi e Branko Merxhani. Karlon e njifsha me kohë, Brankon e njofta si pamje aty. Do të kisha dashtë që biseda të mos ndërpritej, por ata ishin të shqetësuem për dorëzimin e materialit për numrin e ardhshëm t’rivistës. Megjithatë, nga ky takim, me Koliqin, krahas këshillave të vlefshme pata edhe nji shtysë tjetër, të kambëngulja që të shkrueja e të mos kënaqesha asnjiherë prej asaj çka kisha realizue.

Gjimnazista të Shkodrës në Shirokë...  9 shtator 1935
Gjimnazista të Shkodrës në Shirokë… 9 shtator 1935 (Radi, i pari majtas ulur)

E katërta herë…

Në vitin 1938, shkova në Romë për studimet universitare.
Ernest Koliqin e gjeta aty Profesor të Katedrës së Gjuhës Shqipe në “La Sapienza”. Ndonëse s’isha student i fakultetit të letërsisë – Herë mbas here shkoja në katedrën e tij të ndigjoja leksionet e tij magjistrale. Shqiptarë e të huej habiteshin me rrjedhshmëninë dhe natyrshmërinë e italishtes më të cilën shpjegonte, argumentet që shtronte në diskutim, problemet e kulturës shqiptare në raport me ato europiane. Shpesh e ndigjoja të fliste për eposin shqiptar dhe kangët e kreshnikve. Citoheshin aty pjesë nga ato poema, të cilat të lexueme italisht dukeshin sikur kishin zbritë atje prej sqetulloreve të Alpeve, me dëshmue të vërtetat e përtej Adriatikut.
Ernesti e zotnonte italishten si shqipen. Dhe pjesa ma e madhe e përkthimeve ishte mundi dhe përkushtimi i tij.
Njerëzit shpesh shkojnë të ndigjojnë leksione të ndryshme. Atyne shumë herë u intereson të ndigjojnë diçka si u tha e çka u tha. Mënyra e paraqitjes së landës ka nji randësi të veçantë. Dihet p.sh. se filozofi i madh italian i këtij shekulli Benedetto Croce, fliste me zà të ulët sa që nxanësit, ata me të zellshmit, futeshin nën katedër për ta kuptue. Ne të tjerët në auditor dilnim pa marrë vesh asgjë. E kundërta ishte me filozofin Giovani Gentile. Ky fliste bukur, kishte humor dhe zà të fuqishëm. E ndigjonim me kënaqësi. Ernesti nuk kishte zà kumbues po mesatar – por, argumenti interesant dhe heshtja e madhe në sallë e bante të ndigjueshëm.
Asokohe numri i shqiptarëve që ishin me studime në Romë ishte mjaft i madh. Prej studentëve të tij ishin Musine Kokalari, Guljelm Deda, Pashko Gjeçi, Kolë Ashta… të cilët e vazhduen denjësisht veprën e mësuesit të tyre edhe pse ma vonë do të përballeshin me egërsinë e nji regjimi të pamëshirshëm.
Kur profesori ishte i lirë, (gja që ishte pothuej e pamundun) ne mblidheshim bashkë e diskutonim për probleme nga ma të ndryshmet, pa harrue edhe problemet me të cilat po ballafaqohej Shqipnia.

Ernest Koliqi dhe Lazër Radi
Ernest Koliqi dhe Lazër Radi

***
Me 7 prill 1939 – Shqipëria pushtohet nga Italia Fashiste.
Ernest Koliqi, në qeverinë e paspushtimit, u ba Ministër – Ministër i Arsimit Shqiptar. Kjo asht edhe periudha ma e kontestueme e jetës së tij!
Megjithatë, Koliqi, asnjiherë s’rreshti së punuemi për emancipimin dhe europianizimin e kulturës shqiptare si dhe lëvrimin e gjuhës shqipe…
-Pushtimi i vendit tonë nga Italia – do t’më thoshte Profesor Ernesti në bisedë konfidenciale – ishte diçka e paevituesheme. E tillë ishte situata ndërkombëtare. Unë besoj se kjo do të jetë e përkohshme. Por… nëse rrethanat politike do ta lejojnë pushtimin të zgjasë për shumë kohë, atëherë detyra jonë, detyra e pjesës ma intelektuale shqiptare asht me punue për zhvillimin dhe përhapjen e kulturës shqiptare, ta rrisim dhe ta kultivojmë dashninë për gjuhën shqipe në hapësira sa ma të mëdha, në mënyrë që frutet e kësaj pune që nisim tash të duken sa ma shpejt të jetë e mundun…
Ky ishte vizioni i Ernest Koliqit. Dhe nën kët’ prizëm ai grumbulloi rreth vedit, në Ministrinë e Arsimit, dhe Institutin e Studimeve Shqiptare ajkën e kulturës shqiptare të asaj kohe: ishin aty Aleksandër Xhuvani, Kol Papakriston, Eqerem Çabej, Karlo Gurakuqin, Profesor Skiroin, Vangjel Koçën, Zef Valentinin, Ndue Palucën e shumë e shumë të tjerë, me të cilët pregatitën tekstet shkollore, antologjitë dhe “Visaret e Kombit” – nji monument i vërtetë i kulturës shpirtnore të popullit shqiptar.

***
Fitorja e luftës po sillte me vedi edhe kohën e diktaturës së Enver Hoxhës!
Ernesti e parandjeu të keqen që po i kanosej vendit, e në mënyrë të veçantë intelektualëve shqiptarë, dhe ai zgjodhi me shumë dhimbje – ezilin.
Kështu ia jo vetëm shpëtoi jetën e vet, po shpëtoi edhe nji pjesë të kulturës shqiptare, e cila njofti nji zà të fuqishëm në botën e qytetënueme…
Në Shqipni emni i Ernest Koliqit u ba rrezik kombëtar!!!
Familja e mbetun në Shqipëri iu nënshtrue nji genocidi të pashëmbullt.
Si mos të mjaftonte kjo, vepra dhe kontributet e tij nuk përmendeshin askund… Mbi të u vendos pushteti i heshtjes. Diktatori dhe servilët e tij të “Lidhjes së Shkrimtarëve” s’e përmendën dhe s’e tregonin së çfarë bante ai n’Itali për zhvillimin e gjuhës dhe  kulturës shqipe. E panë ma të udhës me heshtë, e kur s’u mjaftonte heshtja e shpallnin edhe si shkrimtarin ma reaksionar që kishte nxjerrë ai vend…!! Të mjerët! Mendonin se duke heshtë dhe duke e denigrue do të mund ta përpinte harresa. Koha po e provon të kundërtën, edhe pse ende guximi me u përballë me të vërtetën ka mbetë në bunkerëve të diktaturës…
Koha tregoi se ai bani shumë për diasporën shqiptare t’Italisë: Ai ringjalli dhe krijoi breza të tanë intelektualësh dhe shkrimtarësh të rinj. Përkrahu talentet e reja dhe i lançoi në orbitën e letërsisë shqiptare figura si Martin Camajn, Vinçenc Golletti Baffa-n e mjaft e mjaft të tjerë.

Varri i Koliqit në “Prima Porta”, Romë.
Varri i Koliqit në “Prima Porta”, Romë (foto l. radi)

…mbas nji gjysëm shekulli…

Midis meje dhe profesorit tim, tashma asht nji gjysëshekull heshtjeje…
Ajo çka mund të baj këtu në Romë, ma së pakut asht të shkoja deri te Vorri i Mjeshtrit të madh, mbasi Koha na kishte nda mizorisht…
Ecja nën peshë emocionesh të thella. Ecja me hap të randë e t’mendueshëm atyne hijeve të errta qiparisash e pishnajash krahëhapta. Ishte nji copë e mirë rruge me mbrritë deri te vorret. Më shoqëronte, kunati i tij po edhe shoku i punës së Ernestit, Petro Vuçani. Nuk flisnim. E thella e asaj çka mendonim s’kishte fjalë. E shihja se ai ishte edhe ma i pikëlluem se unë: atje, te ai vorr, do të përshëndeste edhe motrën e vet që aq fort e desht e që e la vetëm rrugëve t’mërgimit. Heshtja e qytetit të të vdekunve, sikur na e shtonte edhe ma tepër trishtimin. Këtyne rrugëve shef njerëz me lule ndër duer e duke thanë uratë, sepse askund tjetër njeriu s’e kupton ma mirë se këtu, se të gjithë në kët’ botë jena veç kalimtarë. E tanë pasunia jonë asht veç njajo gropë e njaj dhè që na mbulon…
…po i aviteshim vorrit. Shihja me ngulm mos po shifnja ndonji bust a lapidar. Mos më shfaqesh përpara ndonji vorr monumental – i denjë për at Njeri të madh që mbante mbrenda. Asgja! Ishte “lagjja” e shpijave përdhese.
Ma në fund u ndalëm para nji varri: Nji pllakë e thjeshtë mermeri të kuq dhe nji llambushkë e vogël që qëndronte përherë e ndezun, sikur donte me thanë se këtu, në kët’ dhè të huej ende pushon nji shpirt që s’do të shuhet kurrë, sepse s’mund të shuhen shpirtnat që s’kursejnë asgja për Atdheun e tyre. Duke e prekë at rrasë mermeri dhe duke u nda prej tij thashë:
-Të kjoftë i lehtë ky dhe i huej mbi trupin tand Profesor. Kam besim se Shkodra e jote, ajo Shkodërloce që aq fort e deshte – s’ka me të lanë refugjat të përjetshëm: e nji ditë eshtnat e tua do t’i marrë Ajo vetë e ka me i vendosë pranë bijve të vet ma t’lavdishëm…
Tiranë, vjeshtë 1991

(Botue te Gazeta Kombi, shkurt 1992)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.