back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kontributi i Justin Rrotës në fushë të letrave të shqipes nga Evalda Paci

Gazeta

At Justin Rrota gjatë punës
At Justin Rrota gjatë punës

Kontributi i Justin Rrotës në fushë të letrave të shqipes

nga Evalda Paci

Justin Rrota gramatolog

Justin Rrota ka lindur në Shkodër më 17 shkurt 1889. Është arsimuar në vendlindje dhe në Austri (studimet e larta në fushë të teologjisë). Qe një meshtar françeskan i karakterizuar përherë nga dëshira për të kontribuar në fushë të studimeve për historinë e gjuhës shqipe. Justin Rrotën e ka dalluar përherë pasioni për mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat shqiptare, interesi ndaj studimeve gramatikore dhe historishkrimit të gjuhës sonë.
Në studimet e tij spikat interesi për letërsinë e vjetër shqipe, për veprat e autorëve të vjetër si Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Matrënga, Kazazi etj. Rrota jo vetëm ka lënë shënime me vlerë për gjithsecilin prej këtyre autorëve iniciues të historishkrimit të shqipes, por edhe ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të studimeve të krahasuara të gjuhës së tyre.1)
Justin Rrota ka qenë edhe mësimdhënës i gjuhës shqipe në gjimnazin Illyricum të Shkodrës. Krahas kësaj veprimtarie në fushë të mësimdhënies, ai ka kryer studime serioze në fushë të gramatologjisë së shqipes, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka studimi i gramatikës së shqipes në shkollat shqiptare.
Atë Justin Rrota O.F.M. kontribuoi në fushë të letrave të shqipes duke hartuar punime me vlerë në drejtim të disa nënsistemeve të rëndësishme të gjuhës shqipe. Një dëshmi e qartë e kësaj pune studimore të tij është edhe vepra Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, botuar post mortem në kuadrin e kolanës së botimeve françeskane në Shkodër.2)
Në këtë vepër gjenden të shtjelluara mjaft shqyrtime të këtij studiuesi në fushë të leksikologjisë së shqipes, fonologjisë, morfologjisë, sintaksës së fjalisë së thjeshtë dhe të periudhës, etimologjisë etj. Autori ka trajtuar në mënyrë të përmbledhur edhe të dhëna mbi studiues të shqipes dhe historisë së saj, duke kontribuar kështu edhe për historiografinë e studimeve mbi shqipen.3)
Autori i kësaj vepre me objekt kryesor gramatologjinë e shqipes paraqet që në parathënie pikëpamjet e tij për një gjithëpërfshirje të burimeve të shqipes:
Gjithkun ku mujtmë i ramë kryq e tërthuer tokës arbënore të fushës e të malit, tue kërkue e tue krahasue të thanmet shqipe. Ia bamë edhe na si ai mineralogu i kujdesshëm: Mblodhme kësi gurësh së çmueshëm gjuhësiet, që për sy tanë dukeshin me vlerë. Mbushmë me ta një thes, plot. Tashti këte, njashtu si e mblodhmë, po u a shprazim lexuesvet përpara.4)
Po në këtë parathënie, autori trajton edhe rolin e rëndësishëm të gramatologut si përmbledhës, pasqyrues i të dhënave të rëndësishme gjuhësore e si rrjedhim edhe konkludues mbi dukuri të rëndësishme:
Gramatologut i bje barra, t’i mbledhë, t’i shqyrtojë me ndërgjegje dhe krejt i paanshëm, të gjitha trajtat, mundsisht, të gjitha skanjet e mënyrët e së folmes, që mund të ndihen kudo, mbrendë apor jashta Shqipniet; pa lanë m’anësh karakteristikat djalektare. Posë kësaj ai do të marrë parasysh çka kemi trashëgim të shkruem prej auktorësh të vjetër e të ri. Mbassi t’a shfrytësojë mirë visarin e folklorës, ai do t’i krahasojë rasësisht këto mënyrë edhe me gjuhë të huaja, posaçe klasike e kufijtare (Gramatika komparative).5)
Në parathënien e veprës Rrota ka parashtruar edhe domosdoshmërinë e unifikimit të një gjuhë të shkruar shqipe, gjë që sipas tij kërkon kohë dhe një proces të natyrshëm:
Âsht herët të flasim sod për një gjuhë unike të folun. Kjo do të vijë prej vetit, shpresa na mban, me kohë. Për sod âshtë satis superque, të mendojm dhe të punojm për unifikimin e gjuhës së shkrueme. Kësaj mund t’ia dalim, kësaj do t’ia dalim!6)
Në pjesën I të veprës gjenden trajtime mbi klasifikimin gjenealogjik të gjuhëve të botës, të gjuhëve indoevropiane dhe në veçanti mbi burimin e gjuhës shqipe.
Siç përmendet në parathënien e cituar më sipër, veçanërisht për hartimin e kësaj pjese të parë të veprës në të cilën trajtohen me radhë çështje të përkatësisë burimore të shqipes, elementeve autoktone të saj, prurjet nga gjuhë të caktuara si greqishtja, rumanishtja etj., ka kontribuar në rolin e bashkëpunëtorit dhe redaktorit shkencor edhe atë Viktor Volaj O.F.M.7)
Kjo pjesë e veprës së Rrotës dallon nga pjesa tjetër në të cilën ai merr me radhë në kapituj përkatës nënsisteme të rëndësishme nga fonologjia e morfologjia deri të sintaksa e shqipes.
Pjesa VI e veprës, e titulluar Albanologji përmban nota të rëndësishme mbi jetën dhe veprën e studiuesve të ndryshëm, kryesisht të huaj.8) Ndër studiuesit shqiptarë të cituar në këtë pjesë të veprës përmendim Kostandin Kristoforidhin, Ndre Mjedën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn.
Rrota ka kryer studime në fushë të sintaksës së shqipes, duke e shtrirë këndvështrimin e tij edhe në drejtim të sintaksës së gjuhës së autorëve të vjetër. Në punimin e tij të njohur mbi funksionet rasore të formave të caktuara emërore të titulluar Analyzimi i rasavet t’emnit e zhvillimi historik i tynve (1931) ai sjell shembuj të shumtë nga Buzuku e autorë të tjerë të shqipes së vjetër.9)

Gjergj Fishta dhe Justin Rrota
Gjergj Fishta dhe Justin Rrota

Një vepër me rëndësi e tij mbetet edhe Syntaksi i shqipes, tekst shkollor botuar më 1942 e ribotuar edhe në kuadrin e kolanës së botimeve françeskane në vitin 2005.10)
Për hartimin e një vepre të tillë Justin Rrota është motivuar edhe nga nevoja e domosdoshmëria e të pasurit në dorë nga kolegë dhe nxënës të shkollave të mesme të një teksti shkollor të mirëfilltë të gramatikës së shqipes, veçanërisht të sintaksës. Rrota paraqet në këtë tekst pikëpamje të reja mbi klasifikimin e gjymtyrëve të fjalisë: Persa i përket udhës qi ndoqëm në kategorizimin e pjesvet të fjalís, që në fillim do të rrëfejm, se Sintaksi ynë largohet bukur mirë nga tekstat e kësaj lande, të botuemë mjé më sod ndër né.11)
Klasifikimi i argumentuar në këtë parathënie i gjymtyrëve të fjalisë12) motivohet nga Rrota edhe nga qëllimi për t’i shërbyer përvetësimit të gjuhëve klasike nga ana e nxënësit:
Ky kategorizim ia shtron rrugën nxânsit për të fituem mâ lehtësisht mësimin e gjûhvet klasike. Kjo kje arrsyeja edhè, qi na shtyni të shtîjshim (1931). Ndër të tjera, ai solli aty materiale nga autorët tanë të vjetër që ndriçojnë historinë e rrjedhores e të përdorimit të saj në shqipet dhe parashtroi një tezë të re mbi të ashtuquajturën trajtë të vendores me -t dhe prejardhjen e saj. Ndërsa Pederseni e shpjegoi atë si një trajtë të  kallëzores formuar me shtimin enklitik të nyjës -t, J. Rrota e quajti si një trajtë të rrjedhores së shquar që ose është ruajtur ose ka pasur modifikime me errësim të zanores së temës para nyjes ose me rënie fare të saj. Të njëjtën tezë mbrojti më vonë edhe gjuhëtari arbëresh La Piana, pa kursim në tekstin e paraqitun fjalë teknike të përdorimit ndërkomtár.
Kishim para sysh, se ky sintaks u drejtohet mâ së fortit shkollavet të mjesme, të cilat mâ pak a mâ shumë do të mirren me mësimin e gjûhvet të hueja, klasike a moderne. Këtê e theksojn si nji gjâ të nevojshme edhè Programat Arsimore (1940) kû thonë: “Nxânsi duhet të zotnojë mirë e pa pështjellime terminologjinë gramatikore, si shqip, si latinisht.”13)
Edhe përzgjedhja e materialit dhe e shembujve në këtë tekst shkollor është pjesë e metodologjisë së punës së Rrotës me sintaksën e shqipes:
Sa për punë të shembujvet, na pëlqeu përgjithësisht t’i xiershim këta mâ fort nga gjûha e gjallë e popullit, se t’i uhajshim prej së huejësh. Ndër këto të thanme pasqyrohet mendsija e thjeshtësija karakteristike e shpirtit të Shqiptarit; pos kësaj në to kemi edhè bukurín e gjûhës e fuqín e shprehjes. Prandej, fort me vend na u duk shënimi e porosija, qi programet e naltpërmenduna u bâjn mësuesvet mbi ketë pikë: “Shembuj të morfologjisë e të sintaksës mësuesi do të mundohet t’i nxjerri nga një copë e mirë leximi, a mâ mirë do t’i qëmtojë nga gjuha e popullit, e cila te na asht shpesh herë mâ e bukur se sa gjuha e shkrimtarvet. Kështû nxanësi njikohësisht me rregullat gramatikore nxên fjalët e fjalitë thjesht popullore.”14)
Në studimet e veta Rrota ka bërë objekt studimi edhe elementet latine të shqipes.15) Në trajtime të tilla ai jep edhe informacione të rëndësishme mbi çështje të historisë së gjuhës latine, mbi dallimin e latinishtes klasike nga ajo vulgare si dhe mbi diferencime të tjera.
Në veprën Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botimi I, Botime françeskane, Shkodër, 2006, f.40-42 jepen rreth 114 fjalë që mendohen të kenë origjinë nga latinishtja. Rrota ka sjellë në këtë vepër të tijën (po aty, f.43) edhe disa toponime shqiptare (rreth 17 të tilla) dhe përqas me ndërtime përgjegjëse nga latinishtja, kryesisht togje parafjalore apo sintagma emërore të përbëra nga emri dhe mbiemri. Përveç këtyre shembujve, Rrota sjell edhe shembuj të tjerë për të ilustruar ndikimin e kësaj gjuhe në përbërjen e fjalëve. Shembujt e sjellë kanë të bëjnë me fjalë që në shqipe përfaqësojnë modele të veçanta në pikëpamje të tipologjisë tematike.
Janë emra femërorë që mbarojnë me zanore të theksuar (bukurí, lirí, njerzí, parí, dashuní, ushtrí, vogjlí (krahasuar nga Rrota me një emër femëror siç është ai latin custodia); -eshë(issa; prophetissa): burrneshë, trimneshë, hyjneshë; -ar (arius: vicarius): fshatár, krenár, qyqár; tuer; -tore (lt.-torem, -toria; victoria): fajtuer, puntuer, fjaltuer; faltore, vajtore, mëkatnore; brenda kët. argumenti.16)
Ndërsa trajton çështje të ortoepisë së tingujve të caktuar gjithnjë në pikëpamje të pozicionit të tyre në përbërje të fjalës latine, Rrota merr parasysh edhe faktorë të tjerë që kanë të bëjnë në fakt me marrëdhëniet apo kontaktet midis dy popujve që në kohë të hershme. Edhe në raste të shqiptimit të disa tingujve jo siç mendohet t’i kenë shqiptuar latinët, Rrota argumenton me kontakte të mëvona midis pasardhësve të latinëve me popullin tonë:
Gjeografikisht, mbasi na shqiptarët ndodhemi afër, historikisht patëm përpjekje të vazhdueshme me popullin italian, kështu nuk asht çudi të kemi huajtun symbylltas edhe shqiptimin e disa tingujve të latinishtes ashtu si ma vonë i shqiptuen italianët, të cilët nuk u japin atë vlerë si të parët e tyne, latinët. P.sh., tue fillue nga diftongjet ai-, au-, ae-, oe- asht e dokumentueme se këto, qysh në kohën e latinëvet, kishin ndryshim në vlerat fonike, – ndryshe i shqiptojshin këto njerëzit e shkollës e ndryshe populli.17)
Në këtë trajtim të Rrotës mbi çështje të drejtshqiptimit të diftongjeve apo bashkëtingëlloreve të caktuara shihet se janë sjellë raste edhe të adaptimit të varianteve të shqiptimit të latinishtes në shkolla të ndryshme evropiane. Ky duket se ka qenë edhe shqetësim i studiuesit, meqë shtron në përfundim të këtij shkrimi edhe nevojën e njësimit të variantit që duhet përdorur në shkollat shqiptare:
Sikurse francezët, b.f., italianët, gjermanët etj., e kanë adoptue secili shqiptimin e këtyne tingujve të latinishtes gjithësi u pëlqeu tue e përkue ma mirë në gjuhën e vet, kështu mund të vijojmë edhe na t’u apim tingujvet në diskutim po atë vlerë fonike, e cila ka hy tashma ma fort në përdorim. Kjo -onjë(lt. onia: ciconia): ulkonjë, shqiponjë, mishkonjë; -im(lt. Ime: regimen): mendim, mbarim, shpëtim; -esë (lt. itia, -entia): amicitia, prudentia): përtesë, harresë, ndërtesë. Rrota ka trajtuar në Gramatikën e sipërshënuar (po aty, f.47-49), edhe Përkime mjes shqipes e rumenishtes nd’elementin latin. Këto përkime shihen kryesisht në planin fonetik dhe leksikor.

Meshari i Gjon Buzukut
Meshari i Gjon Buzukut

Kontributi i Justin Rrotës për Mesharin e Gjon Buzukut

Për t’u vlerësuar në veçanti mbetet kontributi i Rrotës në drejtim të trajtimit të veprës së Gjon Buzukut, vepër së cilës ai i kushtoi vite të tëra duke u përpjekur t’i japë një vend të merituar në historinë e gjuhës së shkruar shqipe.18)
Me veprën e Buzukut u morën studiues të ndryshëm, jo vetëm shqiptarë. Këta studiues kontribuan qoftë në zbulimin19) dhe rizbulimin e librit20) në bibliotekat përkatëse, qoftë edhe në sqarimin e disa aspekteve themelore dhe të rëndësishme siç janë: përmbajtja e veprës, klasifikimi, dallimi dhe renditja e pjesëve përbërëse të saj më të rëndësishme, sistemi grafik dhe vlerat fonike të grafemave të caktuara, çështje të eptimit dhe trajtëformat e ndryshme të sistemit emëror dhe përemëror, sistemit foljor, pjesët e pandryshueshme të ligjëratës, leksiku themelor21) i nxjerrë nga vepra bashkë me vlerat që këto të dhëna përfaqësojnë për historinë e shqipes së shkruar dhe morfologjinë historike të shqipes.
Ajo është e përbërë kryesisht nga tekste liturgjike, copa katekizmi, lutje, psalme, litani, fragmente nga Besëlidhja e vjetër dhe Besëlidhja e re, Aktet e Apostujve etj. Vepra e Buzukut mbyllet me një kolophon, në të cilën gjejmë edhe të dhëna mbi autorin: ai paraqitet si një meshtar i ritit katolik, bir i Bdekut, që punoi veprën në fjalë nga viti 1554-1555, me fëdigë e mundime të mëdha, vështirësi për të cilat flet pikërisht në këtë pjesë të veprës.22)
Studimet e kryera mbi veprën e Buzukut përbëjnë gjithsesi themelet e dijes gjuhësore dhe shkencës së filologjisë shqiptare. Në këtë drejtim në zbulimin e vlerave të saj kontribuan studiues vendës dhe të huaj, albanologë, studiues të historisë së gjuhës shqipe, studiues të filologjisë biblike etj. Atë Justin Rrota zë një vend të veçantë në drejtim të studimit dhe vënies në dukje të disa vlerave të veçanta të kësaj vepre.
Atë Justin Rrota kontribuoi mbi të gjitha për sjelljen e Mesharit në tri kopje të fotografuara në Shqipëri(1929).
Mbas realizimit të kësaj ndërmarrjeje, ai botoi radhazi në lidhje me këtë vepër disa shkrime të posaçme në revistën Hylli i Dritës (1931-1936) për t’i ribotuar më pas dy herë, në vitin 1930 dhe në vitin 1938 në një përmbledhje të titulluar Monumenti mâ i vjetri i Gjûhës Shqype-Dom Gjon Buzuku,(1555), Copa të zgjedhuna e të komentueme per Shkolla të mjesme. 23)
Vetë Justin Rrota do ta cilësojë me fjalët e tij Mesharin e Buzukut:
Nji vepër, per të cillën komi shqyptár do të lumnojë e do të krenohet, randsín e së cillës nuk gjêjm fjalë t’a shprehim, âsht me të vërtetë ky monument jetik i letratyrës shqype, qi, si vigâ ngrehet madhnueshem, per me u a diftue nipavet t’Ilirvet gjûhen qi folen të parët e tyne, tue u dhânë deri diku pênin e lâshit të metamorfozës së gjûhës së tyne: mjaft të thomi, se në tê ndiejm shqypen si kje folun në shekullin ngjitë mbas deke të Skanderbegut.24)
Në studimet e tij Rrota është përpjekur të transkriptojë copa të librit të Buzukut, përfshirë këtu edhe kolophon-in e saj. Kolophon-i25) i veprës së Buzukut është bërë objekt vëmendjeje nga ana e tij, duke pasur parasysh edhe faktin që ai synon të interpretojë edhe impostimin e këtij të fundit në strukturën e veprës dhe duke arsyetuar gjithashtu me ekzistencën e teksteve të kohës kur u shkrua vepra, periudhë në të cilën botimet pajiseshin me një pasthënie.26)
Trajtimi i kolophon-it të veprës nga Rrota përmban rreth njëzet e pesë shënime kryesisht të natyrës gjuhësore, në të cilat interpretohen përdorime të caktuara që kanë të bëjnë me stilin e të shkruarit të Buzukut, trajtat foljore e sidomos disa forma analitike. Në veçanti disa prej këtyre trajtave foljore shihen edhe në pikëpamje të origjinës nga gjuhë të tjera (latinishtja, italishtja etj.).27)
Rrota krahason këto përdorime edhe me pjesë të tjera të veprës.28) Në metodën e punës së tij me tekstin e Buzukut duhet vënë re që ai krahason ku është e mundur me të tjerë autorë pasardhës të Buzukut. Kjo vihet re në lidhje me trajta foljore të tipit me u fëdigunë,29) kjo e fundit e përmbajtur edhe në Fjalorin latinisht-shqip (Dictionarium latino-epiroticum, Romae, 1635) të Frang Bardhit.
Ndër pjesët biblike të sjella prej tij në këtë vepër të sipërpërmendur do të citojmë Djali plangprishës (Luka, XV, 11-32); Izau e Jakobi (Genesis, 27); Të ngjallunt e Lazrit (Gjoni XI); Biseda me Samaritanen tu pusi i Jakobit (Gjoni IV, 5-42). Në këto pjesë të trajtuara, Rrota ka dhënë vërejtje të rëndësishme në lidhje me trajtat gjuhësore të përmbajtura në vepër, kryesisht ato emërore, foljore, përemërore etj. Rrota trajton çështje të zanoreve e bashkëtingëlloreve në këto trajta gjuhësore, duke i krahasuar edhe me të dhëna nga dialektet e shqipes; në lidhje me trajtat emërore që përfundojnë me -t të tipit permbi mazit, ndë mashtrekut, ai krahason me të folmen e Mirditës, konkretisht me ndërtimin permbi pusit.30)
Krahasime bëhen edhe në drejtim të trajtave foljore të përmbajtura në copat e transkriptuara prej tij.31)
Siç dihet, në vitin 1958, Namik Ressuli sjell për traditën e botimeve kritike shqiptare një variant të plotë të kësaj natyre mbi Mesharin.32)
Ressuli vlerëson arritjet e realizuara nga studiues shqiptarë e të huaj mbi zbulimin e vlerave të veprës së Gjon Buzukut. Në këto vlerësime të Ressulit Justin Rrota zë një vend të veçantë, edhe për faktin se bën përpjekje prej pionieri për të sjellë për lexuesin disa pjesë nga vepra në fjalë. Kontributi i Rrotës vlerësohet duke u bërë pjesë edhe e vëllimit “Shkrimtarët shqiptarë”, Tiranë, 1941, të përgatitur nga vetë Ressuli. Në këtë vëllim nga vepra e Buzukut gjejmë pikërisht pjesët e mëposhtme: Të mbytunt e botës nd’ujë, Gjyqi i Salomonit, Gostari i pazemrë, E gjykuemja për dekë etj.33) Edhe kolophoni i veprës është trajtuar e pajisur me rreth njëzet e pesë shënime përkatëse të natyrës shpjeguese.34)
Nga vërejtjet e bëra në Parathënien e botimit kritik të Mesharit (1958) shihet se Ressuli ka gjurmuar edhe në lidhje me këto pjesë punën metodike të Rrotës me transkriptimin e tekstit buzukian, duke gjykuar edhe në drejtim të raportit të këtij transkriptimi me atë të bërë më parë prej tij dhe në drejtim të besnikërisë ndaj origjinalit.35)
Në veçanti duhet theksuar konceptimi që Rrota u bën pjesëve përbërëse të veprës. Kjo çështje ka tërhequr edhe vëmendjen e shumicës së studiuesve që janë marrë me librin e parë të gjuhës shqipe. Çështja e ndërtimit të veprës së Buzukut (duke qenë kjo e fundit e gjendur në kushte fizike të veçanta: me mungesë frontespici dhe të faqeve të para në të cilat do të duhej të ishte gjetur gjithë informacioni i nevojshëm në lidhje me vendin e botimit dhe emërtimin e mirëfilltë që duhej të kishte vepra,36) pa dyshim u bë objekt studimi nga studiues të historishkrimit të shqipes: Çabej, Jokli, Petrotta, Marlekaj, Camaj, Riza, Zamputi etj.
Një vërejtje e rëndësishme e Rrotës ka të bëjë pikërisht me renditjen përkatëse të këtyre pjesëve përbërëse të veprës në fjalë:
Libri i Buzukut s’permban tjeter veç perkëthimet e pjesvet mâ me randsí të Liturgjís Katolike. Ka prandej me ket rend: Oficen e Zojës, Shtatë psalmet pendestare, Litanít e Shêjtenvet, disá pjesë të Ritualit (mbi Sakramend të Martesës), Urdhnimet e Zotit e pjesë tjera të katekizmit e Meshët gati të gjitha qi vijn rrokull motmotit kishtar, nder festa të luejshme e të paluejshme.37)
Duhet përmendur gjithashtu fakti që Rrota nuk ngutet në drejtim të emërtimit të pjesëve përbërëse apo të krejt veprës së Buzukut. Ai përdor jo rrallë definicionin “libri i Buzukut”,38) gjë na bën të qartë se ai kishte parasysh edhe raportin real përpjesëtimor midis pjesëve që e përbëjnë veprën.
Kontributi i Justin Rrotës në lidhje me Mesharin e Buzukut është vlerësuar mjaft edhe nga studiues të njohur të letrave të shqipes.
Duke e vlerësuar këtë kontribut të tij në drejtim të hartimit të teksteve shkollore të gjuhës dhe letërsisë shqipe,studimeve me vlerë mbi veprën e autorëve të vjetër të shqipes si dhe kontributet në fushë të gramatologjisë shqiptare, në një artikull përkujtimor prof. Mahir Domi është shprehur: “Justin Rrota i ka dhënë një kontribut të mirë historiografisë sonë letrare dhe studimeve gramatikore, në mënyrë të veçantë për letërsinë e vjetër dhe sintaksën…”
Është ndër të parët që mendon për t’i dhënë shkollës së mesme tekstet e nevojshme. Më 1925, botoi në Shkodër “Letratyra shqype”, stilistikë e teori e përgjithshme e letërsisë në pjesën e parë, dhe histori e letërsisë shqipe meantologji në pjesën e dytë. Është i pari tekst i historisë së letërsisë shqipe i botuar shqip. Pjesën e parë në një formë të zgjeruar e botoi për së dyti më 1934.
Merita të mëdha ka Justin Rrota në gjurmimin e botimin e autorëve tonë të vjetër. Ai qe një nga pionierët e studimit të tyre, që bëri shumë për t’i njohur ata dhe veprën e tyre në një rreth sa më të gjerë studiuesish. Solli i pari në Shqipëri kopje fotografike të Mesharit të Gjon Buzukut. Trankriptoi pjesë të zgjedhura nga autorët tanë të vjetër dhe i botoi me shënime e komente e studime hyrëse, si “Shkrimtari mai vjetër i italo-shqyptarëvet D.Lukë Matranga” (1592) (Shkodër, 1930, 1938). Te Gjon Buzuku ai u kthye edhe në vitet e fundit, duke botuar më 1955, me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të botimit të librit të tij, një artikull kujtimesh në revistën “Nëndori” dhe një studim që sjell elemente me interes mbi shumë çështje të veprës së parë të botuar shqip, “Hulumtime dhe shenjime mbi Gjon Buzukun” (në “Buletin për Shkencat Shoqërore” 1955, n.3). Transkriptime të autorëve tanë të vjetër ai dha edhe në monografinë e tij “Për historin e alfabetit shqyp” (1936). Në tekstin “Shkrimtarët shqiptarë” pjesa I (1941) Justin Rrota shkroi pjesën më të madhe të kapitujve mbi letërsinë e vjetër e pikërisht “Dokumentat e para të gjuhës shqipe”, “Shkrimtarë të vjetër të veriut: Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kuvendi i Arbënit, dhe ndër shkrimtarët arbëreshë “Matranga”, “Variboba”.
Në lidhje me këtë kontribut të Rrotës mbi këtë vepër të Buzukut, edhe Rexhep Ismajli do të shprehet: Në vitet ’50 të shekullit 20 dolën studimet më të rëndësishme për veprën e Gjon Bdek Buzukut. E vërteta, qysh para LDB-së kemi pasur komente dhe studime me vlerë për këtë vepër nga G.Schirò, G.Petrotta, N.Jokl e sidomos Justin Rrota. Justin Rrota kishte vënë themelet e një botimi kritik të veprës së Buzukut, së paku në pjesët e tij.39)
Së fundi, duhet thënë që Justin Rrota vazhdon të jetë një pionier në fushë të studimeve mbi gjuhën shqipe, historinë e letërsisë dhe të shkrimit të saj. Ai përfaqëson edhe në ditët tona një model të pasionit dhe të përkushtimit për arsimin dhe dijen.

Letratyra Shqype At Justin Rrota
Letratyra Shqype At Justin Rrota

Shpjegime

1) Justin Rrota ka lënë edhe variante transkriptimi të pjesëve nga veprat e këtyre autorëve. Shih për këtë edhe Per historín e alfabetit shqyp, Botime françeskane, Shkodër, 2005, ribotim anastatik i botimit të mëparshëm të vitit 1936, f.7 v.
2) Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botimi I, Botime françeskane, Shkodër, 2006, përgatitur për botim nga E. Lafe dhe E. Hysa.
3) Për kontributin e Justin Rrotës në fushë të gramatologjisë shqipe shih edhe Domi M., Justin Rrota (nekrologji), në SF, n.1, 1965, f.219-220., ribotuar në vëllimin Per historín e alfabetit shqyp, Botimi II, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f.1: Studimeve gramatikore të shqipes Justin Rrota u dha kontribute me vlerë me artikujt e studimet e tij botuar në revista e sidomos me tekstin e tij të Sintaksës. Ndër artikujt e studimet e veçanta mund të përmendim: “Rreth gramatologjisë shqype”, “Rreth problemit të gjuhës letrare”, “Rreth lavrimit të gjuhës”, “Vrejtje mbas vrejtjesh”. Kontribut ai i dha edhe morfologjisë e sintaksës historike të shqipes, sidomos me studimin “Analyzimi i rasavet t’emnit e zhvillimi historik i tynve” (1931).
4) Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botimi I, Botime françeskane, Shkodër, 2006, f.12.
5) Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botimi I, Botime françeskane, Shkodër, 2006, f.12. Me rëndësi na duket fakti që Rrota saktëson për lexuesin objektin e mirëfilltë të kësaj vepre, duke cilësuar për kë është destinuar dhe sesi ky objekt ndikon edhe metodën e punës së gramatologut: Prej gjithë këtij brumi të pasunís gjuhësore si do të nxjerrë, si me pìskerrë, njato forma, që t’i duken mâ të qërtuemet, mâ të pastrat dhe t’arsyeshmet. Tjerat t’i flakrojë mbas shpinet; edhe mos t’i mbushë fletët e gramatikës me to, tue e bâ këtê një magazinë mbeturinash; të cilat nuk vlejn për tjetër, veçse me pështjellue, pa një dobí, menden e xansit të shkretë. Trajtat e përjashtueme mund të jénë landë, edhe me randsí, për gramatikat historike e për studjimet e linguistëvet. Këjo e mësimit do të jétë mâ së fortit një gramatikë normative: Njërreshtim d.m.th. i peshuem rregullash drejtuese për “Gjuhen e Shkrueme”.
6) Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Shkodër, 2006, f.12. Po aty, autori shton: Me kaqë, çka po parashtrojm këtu, nuk kemi as ma të voglin pretendim, kinse na po rrafshojm pa tjetër të gjitha pengesat a vështirsít e gjuhës. Ashtë guxim me e mendue, dhe lehtësi me u thanë.
Kur të kemi para sysh faktin, se popujt mâ të mëdhajt e mâ të qytetnuemët e botës nuk mund të lëvdohen sod, mbas sa shekujsh lavrimit, se ia kanë mbërrijtë kësaj shkalle përmbarimit gjûhsuer; si mund të na hajë mendja, né, lavruesët e djeshëm, të thuesh, në vështrimin e vërtetë të fjalës, se mund t’i dalim në krye shpejt e plotësisht këtij qëllimi?
7) Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Shkodër, 2006, f.13, Parathânja: Ndërkaqë po këtu, para se t’i mbyllim këto dy fjalë parathanjet, drejtsia e lypë, t’a shpalim botnisht miradijen tanë të përzemërt ndaj bashkëpuntorin e ngushtë, kolegun tanë, Viktor Volaj; i cili pati durimin, jo vetëm t’i merrte nëpër duer faqe për faqe çka na kishim gatue, por edhe ai vetë na u bâ krah, tue dhânë atê kontributin e vet, sidomos në pjesën I., për sa i përket të damit të gjuhëvet, elementavet autoktonë të shqipes, dhe burimit të huajtun nga greqishtja e rumenishtja. Njashtu edhe në pjesën II të Morfologjís, trajtimi mbi përemnin mund të thomi, se âshtë punue gadi krejt prej si.
8) Në këtë pjesë të veprës që mban nëntitullin Lavruesët e shqipes, janë cituar rreth 42 studiues të huaj.
9) Shih edhe Domi M., art. i cit., ibidem: Kontribut ai i dha edhe morfologjisë e sintaksës historike të shqipes, sidomos me studimin “Analyzimi i rasavet t’emnit e zhvillimi historik i tynve”.
10) Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005.
11) Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f.VIII. Kjo vërejtje e Rrotës në fakt ka të bëjë me pikëpamjen e tij se në drejtim të sintaksit shqipja do krahasuar më tepër me gjuhët klasike se me ato moderne. Konkretisht, duke pasë pësuar gjuhët neolatine thjeshtim të fleksionit emëror, më i përshtatshëm paraqitet krahasimi me latinishten e me greqishten e vjetër, apo me ndonjë gjuhë moderne siç është gjermanishtja. Ai e motivon këtë fakt edhe në parathënien e Sintaksit: Tue mos e peshuem mâ hollë randsín e madhe, qi ka funkcjoni i rasavet në fjali, muerën pa tjetër si prototipe ndonjanën gjûhësh neolatine, me të cilat sintaksi i shqipes nuk ka gjithaqë çë të bâjë. Më njanën anë gjûhvet të syprithanuna, përgjithësisht tue folun, u mungon fleksjoni i vërtetë i emnit; n’anën tjetrë, fjalija e thjeshtë gati krejt siellet rreth sintaksit të rasavet. Kështu qi, për shqipen tanë jetike janë fort mâ të përshtatshme ndërtimet sintaksore të gjûhve klasike, se moderne.
Me të drejtë Rrota ka cituar si një gjuhë me eptim më të zhvilluar në këtë drejtim gjermanishten:
Por, për arrsye të zhvillimit, qi kanë mârrun sod gjûhët mbas nevojvet të kohës, na u duk se mund të pasqyroheshin mâ të sigurtë mb’udhën e rrahun nga ndonji gjûhë e gjallë, e përparueme, nonsè pakë e vrashtë, e cila t’a két ruejtun sikur na fleksjonin e emnit, si âsht gjermanishtja.
12) Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f. IX: Metoda në fjalë, e adoptueme parimisht prej nesh, paraqitet fort mâ e kjartë, mâ logjike e posaçe mâ e thjeshtë për menden e xânsit. Kështu, f.v., në vend të rreshtohen si pjesë fjalijet nji varg i gjatë plotsorësh – dikush mrrîjti t’a çojë tash së vonit numrin djeri në 33- nuk e dijm se me sa dobí praktike; në ketë metodën e marrun prej nesh për bazë, gjymtyrët e fjalís janë dám e gjithëshkahja âsht përshîm mbrenda rrethit së 5 pjesvet të vetme, d.m.th. 2 kryegjymtyrë (subjekt e predikat) me 3 gjymtyrë të dyta (atribut, objekt e adverbjár), të cilat kishin me u përgjegjun plotsorvet.
13) Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f. IX.Shtjellimi i këtyre pikëpamjeve të kujton tekstin pothuaj bashkëkohës me Sintaksin e J.Rrotës, me titull Kah latinishtja, hartuar nga padre L.Viezzoli S.J., botuar më 1942 dhe që përmban një analizë të hollësishme të gjymtyrëve kryesisht të dyta të fjalisë në shqipe e të para gjithashtu në përqasje me gjymtyrët përgjegjëse në latinishte.
14) Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f. X.
15) Për këtë çështje shih edhe Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Shkodër, 2006, f. 39-44. Në këtë trajtim Rrota ka bërë edhe një introduktë në të cilën sqaron edhe rrethanat historike në të cilat u mundësua ndikimi nga latinishtja. Në lidhje me shembujt e dhënë mbi elementet latine në këtë paragraf të Gramatikës së tij, me rëndësi mbetet vërejtja se shumica e fjalëve të dhëna kanë kaluar nga rasa kallëzore apo dëshmore, me terminologjinë e Rrotës.    
16) Shih edhe Rrota J., Mbi refleksin e vlerës fonike të disa tingujve të latinishtes në shqipet, cituar si botim anastatik i përmbajtur në vëllimin e cituar Rrota J., Per historín e alfabetit shqyp, Botimi II, Botime françeskane, Shkodër, 2005, f.150-152.
17) Në fakt, një vërejtje e tillë e Rrotës lidhet drejtpërdrejt me dallimin në pikëpamje regjistrash gjuhësorë dhe më saktë të latinishtes klasike nga ajo popullore. Këto dallime në drejtim të shqiptimit të diftongjeve trajtohen edhe në manualet e historisë së gjuhës latine apo që trajtojnë drejtpërdrejt latinishten vulgare. Në shembujt që sillen, krahas çështjes së diftongut, vërehet edhe shqiptimi me vlerë grykore i bashkëtingëlloreve që u prijnë këtyre diftongjeve: Të parët i shqiptojshin qartë e damas të dyja zanoret e diftongut. P.sh., caelum (lexo kaelum); praeda, laevus, coecus, coetus (lexo koekus, koetus). Kështu e jo si i lexojmë na sot, mbas italishtes: Celum, preda, levus, çekus etj. Çështjen e shqiptimit të tingujve c- e g- para zanoreve ai e rimerr edhe më tej, brenda të njëjtit shkrim, f.151: Tingullin c- përpara çdo zanoreje, të fortë apo të butë, romakët, si ndër të tjera siguron edhe në gramatikën e vet fort të çmueshme August Shejndlëri, – e shqiptojshin përherë si k-. Ata shkruejshin f.v. Cicero, carcerem, calceus, civitas, cicuta, (ludi) circenses…, fjalë që pa farë dyshimi, romakët e vërtetë i lexojshin Kikero, karkerem, kalkeus, kivitas, kikuta, (ludi) Kirkenses. vërejtje synon sidomos përsa i përket unifikimit të shqiptimit të latinishtes ndër shkollat tona, që mos të ndodhë ndonjë dallim shqiptimi ndërmjet profesorëvet, që kanë krye studimet në Itali, Francë etj. dhe atyre që kanë krye studimet në Austri, Gjermani etj.
18) Siç dihet, në të gjitha trajtimet mbi fillimet e historisë së gjuhës së shkruar dhe letërsisë shqipe, Meshari i Gjon Buzukut trajtohet si një primum opus, e para vepër e plotë që shënon fillimin e traditës shkrimore të gjuhës sonë.
19) Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura Albanese, 1931, f.64: Questo è l’antichissimo Messale Albanese per antichità tutto stracciato che S.E. l’Arcivescovo di Scopia Monsignor Don Giovanni Battista di Nicola Casasi, albanese di Giacova, verso l’anno 1740 aveva con meraviglia visto a Roma nel Collegio di Propaganda. Volle da esso trascrivere di proprio pugno un esemplare dell’ultima pagina, lieto di mandarlo in dono all’inclito P.Giorgio Guzzetta, fondatore del Seminario Albanese in Palermo e di altri Istituti albanesi, prototipo delli spiriti magnanimi e dell’animo e della generosità della nazione Albanese.
20) Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura Albanese, 1931, f.64: Nel 1910 Mons.Paolo Schirò ebbe la sorte di trovare a Roma una copia del Messale tradotto in lingua Albanese da D.Gjon Buzuku e stampato nel 1555.
21) Ashta K., Leksiku historik i gjuhës shqipe, I, Shkodër, 1996.
22) Buzuku Gj., Meshari, Tiranë, 1968, f.387: U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom n’së Shkruomit shenjtë, n’së dashunit së botësë sanë desha me u fëdigunë, për sa mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ndiglonjinë, përse ata të mundë mernë sa i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi të duonë m gjithë zemërë.
23) Për Justin Rrotën Meshari i Gjon Buzukut mbetet objekt studimi jo vetëm në tekstet shkollore që ai boton pas sjelljes në Shqipëri të veprës dhe në studimet e tij mbi sistemin rasor të shqipes (Analyzimi i rasavet… , Shkodër, 1931), por edhe në Gramatikën e tij të plotë që së fundi pa dritën e botimit në kuadrin e kolanës së botimeve Françeskane në Shkodër në vitin 2006, nën titullin Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, trajtuar në pjesën e parë të këtij artikulli përkujtimor.
24) Rrota J., Monumenti mâ i vjetri…, bot. i cit., Parathânie.
25) Zingarelli N., Vocabolario della lingua italiana, Zanichelli, Milano, 1970, f.366: Còlophon (lat. Colophon, dal gr. Kolophón, cima, sommità, di etimologia discussa).s.m.inv. 1. nei manoscritti e incunaboli, annotazione terminale recante i nomi dell’autore, dell’ammanuense o stampatore, il luogo e la data di pubblicazione;Gaffi ot F., Le Grand Gaffi ot- Dictionnnaire latin-français, Hachette, Paris, 2005, f.348: colophon, onis, m. (….f..), sommet, faîte: P.Fest. 33, 24.
26) Rrota J., Nji copë tekst: Parathânja e librit, Botime Françeskane, Shkodër, 2005, f.17: Kjo copë gjindet në fund e me tê mbyllet libri. Xên vendin e parathanjes, qi dikuer ishte zakon m’u shkrue në mâ të mbramen faqe të librit.
27) Në lidhje me përdorimin ata mundë merrnë, në veçanti në drejtim të përdorimit të foljes marr si ndikim nga folja latine capio, capere tr., Rrota shënon në fund të faqes së cituar (f.17): Ata mundë merrnë = mund të marrin (vesht). Kështû edhe njeti si latinisht capere e italishtja capire.
28) Në lidhje me përdorimin e emrit Bdek (kemi parasysh incipit-in e kolophonit: Û Don Gjoni,
biri i Bdek Buzukut…) ai krahason me emrat e shenjtërve që përmenden në Litanitë e Shenjtërve, një pjesë e veprës kjo mjaft interesante në pikëpamje të përdorimit të emrave të përveçëm të shenjtërve dhe sidomos të disa prej tyre që mund të jenë të traditës shqiptare.
29) Rrota J., bot. i cit., f.17: me u fëdigunë = m’u mundue. Frëngjisht se fatiguer; Bardhi: Laborare = me u fëdigun. Âsht nji fjalë qi e kanë perore në gojë edhè tjerët.
30) Rrota J., Monumenti mâ i vjetri i gjuhës shqype, bot. i cit.,f.40.
31) Shënime krahasuese mbi të dyja dialektet e shqipes ai bën ndërsa shqyrton trajta foljore të shtjelluara të tipit (tih) …lupen: E i tha ajo gruo Samaritane: Si ti, tue klenë xhudhi, lypen me pin muo, qi jam gruo Samaritane? Në lidhje me këtë përdorim (lupen/ lypen), Rrota (po aty, f.41) do të shprehet: Gjurmët e desinencavet të dû vehtjevet njâjs të kohës së tashme, nder verba në bashkëtingllore i gjêjm shpesh edhè nder shkrimtarë tjerë të hershëm. (Kh.:H.i Dr., Vj. 1930, f.294). Nder Gegë të sodshëm s’kemi kund shembull, persá dijm: mjesá Toskët edhè në shkrim e perdorin, në nji dorë fort të kufijzueme kësi verbash. Këshû mund të këndojm nder botime të tyne (Ditunija- Fruer 1927, fq. 123), edhè sod: Ti ecen; ai ike.
32) Il “Messale” di Giovanni Buzuku, Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958.
33) Ressuli N., Il “Messale” di Giovanni Buzuku, Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958, Prefazione, f.VI: La sommersione del mondo nell’acqua (f.70, 38-70, 4, 70, 30-62), Il giudizio di Salomone ( f.55, 26-72), L’ospite crudele (f.48, 7-49) e La condannata a morte (f.54, 6955,9).
34) Ressuli N., Shkrimtarët shqiptarë, nga Buzuku tek arbëreshët e Greqisë, I, Pakti, Tiranë,
2007, f.16-17. Veçanërisht me interes për studiuesit e veprës së Buzukut paraqitet përqasja e shënimeve përkatëse në lidhje me kolophonin e këtyre dy studiuesve: Rrotës dhe Ressulit.Të dy gjithashtu në lidhje me kolophonin përdorin të njëjtin term: Parathanja e librit.
35) Ressuli N., Il “Messale” di Giovanni Buzuku, Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958, Prefazione, f.VI: A differenza della precedente, questa seconda trascrizione del Rrota appare più fedele all’originale; tuttavia, in molti punti l’editore non ha rispettato nè la lingua, nè l’ortografia del Buzuku; anche qui la sua principale preoccupazione è stata quella di sostituire
le fasi più antiche del dialetto buzukiano, identiche all’odierno Tosco, con le attuali innovazioni gheghe, come ad es., l’eliminazione di., la sostituzione di nj con j, ecc.
36) Vetë Rrota në lidhje me këtë çështje do të shprehet: Libri i Buzukut mund të gjindet në Bibliotekë të Vatikanit, rregjistrue me këto shênjime: R.G. Liturgia, III, 194. Ká, si âsht sod, plot 188 faqe (cm.20 × 14) shtypë dý shtyllash, posë 8 copa fragmentash të shkyeme. Librit i mungojn 16 faqet e para e aty-këtû edhe ndonji neper tê. Prej kësaj mungese na nuk e dijm titullin e vertetë, qi ká mujtë me pasë libri. Sod gjindet i lidhun në lkurë, e, mbasi pat rá në dorë të bibliotekavet të naltpërmenduna, i kanë shkrue me dorë mbi të paren faqe ket titull: “Antichissimo Missale Albanese tradotto dal Sign. Don Giovanni Busuchu l’anno 1555.”
37) Rrota J., Monumenti mâ i vjetri i gjuhës shqype,(ribotim anastatik nga Botimet françeskane), f.9. Në lidhje me këtë përcaktim të Rrotës mbi përbërjen e veprës së Buzukut duhet parë edhe ai përgjegjës në studimet e tjera përkatëse, ndër të cilat edhe ai i P.Schiroit sipas Petrotta-s në Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo,1931, f.64: Pare che questo sia, per quantosappiamo, il primo libro albanese stampato. È tradotto in albanese dalla lingua latina e contiene l’Ufficio della Madonna, i sette salmi penitenziali con le litanie dei Santi, parti del Rituale, parti del catechismo, le Messe dell’anno ecclesiastico nelle feste mobili e immobili.
(Në përgjithësi në këto studime që ndërmarrin ndër të tjera edhe këtë çështje të rëndësishme siç është strukturimi i pjesëve përbërëse të veprës, cilësohet edhe fakti që në përgjithësi ajo është përkthim nga latinishtja (Camaj, Çabej, Ressuli, Riza etj.). Një fakt i tillë vërehet edhe në citimin e mësipërm në gjuhën italiane nga vepra e G.Petrottas, Palermo, 1932, f.64.)
38) Shih ndër të tjera edhe Rrota J., Per historín e alfabetit shqyp, (dhe studime tjera gjuhesore) ribotimin anastatik në të të veprës Monumenti mâ i vjetri i gjuhës shqype, në kuadrin e kolanës Botime françeskane, Shkodër, 2005, f.20.
39) Ismajli R., Eqrem Çabej Studime shqiptare (Vepra të zgjedhura) Prishtinë-2008, Parathënie, f.20

Vepra të Lashta të Shqipes
Vepra të Lashta të Shqipes

Bibliografi

Buzuku Gj., Meshari, I,II, (botim kritik përg. nga E.Çabej), Tiranë, 1968.
Camaj M., Il «Messale» di Gjon Buzuku, contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Romë, 1960.
Çabej E., Rreth disa çështjeve të historisë së gjuhës shqipe, BUSHSHT, n.3, 1963.
Çabej E., Vepra e Gjon Buzukut në vështrim gjuhësor historik, SF n.1, 1979.
Çabej E. , Shqipja në kapërcyell/Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, botime Çabej, Tiranë, 2006.
Çabej E., Studime shqiptare, Vepra të zgjedhura, ASHAK, Prishtinë, 2008.
Danesi G., Guida alla lingua latina, Carocci, Roma 2008.
Demiraj Sh., Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Tiranë, 1986.
Domi M., Justin Rrota (nekrologji), në SF. N.1, 1965.
Gaffi ot F., Le grand Gaffi ot-Dictionnaire latin-français, Hachette, Paris, 2005.
Ismajli R., Tekste të vjetra, Prishtinë, 2000.
Lee Ch., Linguistica romanza, Carocci, Roma, 2008.
Löfstedt E., Il latino tardo, Paideia editrice, Brescia, 1980.
Marlekaj L., Doli libri mâ i vjetri i gjuhës shqipe, Shêjzat, nr.1-2, 1959.
Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura Albanese, Palermo, 1932.
Poccetti P., Poli D., Santini C., Una storia della lingua latina, Carocci, Roma, 2003.
Ressuli N., I più antichi testi albanesi, në Shpirti Shqiptar, nr.3, 1955.
Ressuli N., Il “Messale di Giovanni Buzuku”, (riproduzione e trascrizione), Biblioteca Apostolica Vaticana, Roma, 1958.
Ressuli N., Shkrimtarët shqiptarë I, (1462- 1878), botim II, Pakti, Tiranë, 2007.
Riza S., Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe (krestomati thjesht gjuhësore), Tiranë, 1961.
Riza S., Vepra 3, Prishtinë, 2002.
Riza S., Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe, Toena, Tiranë, 2002.
Riza S., Vepra 4, Prishtinë, 2004.
Roques M.,Recherches sur les anciens textes albanais, Paris, L.O.P.Geuthner, 1932.
Rrota J., Analyzimi i rasavet dhe zhvillimi historik i tynve, Botime Françeskane, Shkodër, 1931.
Rrota J., Per historín e alfabetit shqyp (dhe studime tjera gjuhesore), Botimi II, Botime Françeskane, Shkodër, 2005.
Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botime françeskane, Shkodër, 2005.
Rrota J., Rreth votrës, Bleni I, Botimi II, Botime fran.eskane, Shkodër, 2005.
Rrota J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botime Françeskane, Shkodër, 2006.
Stolz F., Debrunner A., Schmid W.P., Storia della lingua latina, Patron,Bologna, 1993.
Stussi A., Breve avviamento alla fi lologia italiana, Il Mulino, Bologna, 2002.
Traina A., Perini G.B., Propedeutica al latino universitario, Patron, Bologna, 1972.
Väänänen V., Introduzione al latino volgare, Patron, Bologna, 1971.
Varvaro A., Linguistica romanza, Liguori editore, Napoli, 2001.
Viezzoli L. S.I., Kah latinishtja, Shkodër, 1942.
Vineis E., Il latino, Il Mulino, Bologna, 2005.
Zingarelli N., Vocabolario della lingua italiana, Zanichelli, Milano, 1970.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.